Home | Opinion | Sa më thjesht do të ishte

Sa më thjesht do të ishte

image
Po të kishte vullnet politik edhe te pozita, edhe te opozita për ta bërë Kosovën shtet përnjëmend, nuk do të vinim në situatë që secili ligj a vendim që kalohet në Kuvend të kontestohej, e as të ndiheshim inferiorë karshi fqinjëve, për shkak se politikanët nuk e kanë Kosovën prioritetin kryesor...

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 Nuk e di saktësisht në cilin vit të të nëntëdhjetave, por e di me siguri se deri në bombardim, regjimi i Milosheviqit kishte imponuar rregullin për pagesën e 10 markave gjermane në emër të taksës për daljen nga shteti në çastin kur kalohej kufiri. Tagri që duhej paguar, më së shumti u kushtonte shqiptarëve të Kosovës. Lëre që ishin kolektiviteti më i madh i të papunëve në botë, por e kishin edhe një diasporë të madhe që ua mundësonte mbijetesën, e që detyrohej ta kalonte orë e çast kufirin në Bllacë a në Jazhincë për të udhëtuar me aeroplan, ngase sanksionet e kishin mbyllur aeroportin e Prishtinës për udhëtime komerciale për disa vjet të gjatë. Atëbotë, regjimit fashist i nevojiteshin paratë për të mbajtur ushtrinë e vet gjakpirëse e të shpërndarë herë në Kroaci, herë në Bosnjë e herë në Kosovë.

 

Para se të niste bombardimi i NATO-s, në mars të 1999-s, kishte shumë njerëz që shikonin t’i shpëtonin një situate të paparashikueshme çfarë ishte ajo me luftën ajrore (përderisa e gjithë Kosova ishte okupuar nga forcat serbe ushtarake, policore e paramilitare), duke e kaluar kufirin te Bllaca a Jazhinca. Para 28 marsit, krejt duhej ta kishin edhe fletëpagesën e taksës dalëse. Pas kësaj date, në të shumtën, transporti u “ofrua” falas dhe secili ka mundur të kalonte kufirin pa asnjë dokument, duke iu falënderuar aranzhmanit për udhëtim hekurudhor që ishte kurtuazi e zotit të luftës, Milosheviq. 

 

Diku nga 1 prilli 1999, fqinji ynë vendosi ta mbyllte kufirin – nuk e kishte ndërmend të lejonte që të dëbuarit nga Kosova të vinin e t’ia ndërronin strukturën demografike. Nuk ia bënte që po i shkelte konventat ndërkombëtare, duke i lënë pa mbrojtje njerëzit që po përjashtoheshin nga toka e tyre, e që kishin nevojë për strehim. Sjellja e zyrtarëve maqedonas në kufi, për ata që e kanë përjetuar, ka qenë e tmerrshme, poshtëruese, hakmarrëse. Kulminacioni do të vinte me maskat e fytyrës (aso çfarë i futën në modë më vonë japonezët kur u përhap gripi i shpezëve), të cilat i bartnin ushtarët e policët maqedonas teksa silleshin ndërmjet 50 mijë të ngujuarve në lloçin e Bllacës, thuajse i frikoheshin infektimit me ndonjë sëmundje ngjitëse vdekjeprurëse.

 

Nga kjo që e përshkrova nuk është vështirë të konkludohet se përse më shkuan ndërmend këto dy gjëra posa u zyrtarizua futja e taksës për kosovarët, për kalim brenda në IRJM (2 euro për person, 5 për veturë të vogël e 20 për kamion), si përgjigje ndaj kundërpërgjigjes së ministres së Tregtisë të Kosovës në lidhje me barrierat tregtare që i imponoi IRJM-ja. 

 

E kritikuar mjaft për shkak të kohës kur ka zgjedhur ta imponojë reciprocitetin, zëvendëskryeministrja megjithatë bëri një diçka që kjo Qeveri është dashur ta bënte prej kohësh – t’i tregonte fqinjit arrogant se fqinjësia e mirë nuk ndërtohet me sjellje fashiste dhe përçmuese, por me bashkëpunim. Është dashur t’i tregojë se fakti që balanca tregtare është plotësisht e disfavorshme për Kosovën, nuk do të thotë se IRJM-ja mund të ketë luksin as që të vërë masa proteksioniste, e as ta mbyllë kufirin vetëm përse thjesht mundet. Është dashur prej kohësh t’i tregohet se koha e bombardimeve ka kaluar, dhe se sjellja e tillë nënçmuese më së shumti mund t’i kushtojë vetë IRJM-së, sepse produktet që na i shet, mund t’i gjejmë edhe gjetiu..., bile ndoshta edhe më lirë. Është dashur t’i tregohet se pa Kosovën, IRJM-ja nuk do mund të mbijetonte kaq lehtë, ngase kosovarët janë klientët më të mëdhenj të shërbimeve që ofrohen atje. Sikurse edhe malli, edhe shërbimet mund të importohen, e nuk ka dyshim se ofertues gjenden ngado.

 

Mbase ky do të jetë vendimi i fundit i një rëndësie të këtillë i Mimoza Kusari-Lilës në postin e saj të nënkryetares së një Qeverie, në të cilën natyrshëm nuk e ka pasur vendin. Ka kaluar nëpër faza kur është kritikuar shumë, por edhe lavdëruar për çështjen e reciprocitetit, posaçërisht atij me Serbinë. Së fundi, ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i saj i tanishëm, për të garuar për kryetare në vendlindjen e saj, pa bagazhe. Dhe kjo pritet që të ndodhë gjithsesi para 3 tetorit, kur parashihet të nisë zyrtarisht fushata zgjedhore.

 

E se fushata zgjedhore ka nisur qe sa e sa kohë, e pranojnë që të gjithë, posaçërisht disa nga përfaqësuesit e partive politike që tash kinse dalin e qajnë se pse nuk ka kaluar reforma zgjedhore dhe pse fushata e këtyre zgjedhjeve do të zgjasë një muaj. Madje në një kronikë të KTV-së, Demolli i LDK-së dhe Luma nga AAK-ja, pak a shumë përdorën argumentet e njëjta se përse fushata do të duhej të zgjaste më shkurt: kostoja do të ishte shumë më e ulët për partitë dhe populli as nuk “do të mërzitej” e as “nuk do të torturohej” për çdo ditë e natë të lume duke dëgjuar ofertat zgjedhore.

 

Mbase edhe do të jetë kështu qysh po e thonë, se fushatat janë të shtrenjta dhe se janë të mërzitshme. Por thuajse po harrohet se Kosova i ka më shumë se 1 500 katunde dhe se të gjithë banorët e tyre janë votues. Nëse secila komunë i ka minimum 30 katunde, kjo do të thotë se kandidatët, ata të mirëfilltit që e dinë se komunën nuk e bën vetëm qendra komunale, do të duhej të dilnin e të takonin njerëz, e të bisedonin me ta, për t’ua kuptuar kërkesat e më pas për t’u ofruar premtime. Fushatë nuk është vetëm të dalësh në televizion e të llomotitësh gjithë ditën e lume për partinë dhe bukurinë. Shumë më të shtrenjtë, edhe më të mërzitshëm, e posaçërisht edhe më torturues, bëhen shumica e fituesve apo “fituesve” të zgjedhjeve sapo e marrin pushtetin. Atëherë nis fushata e tyre e vërtetë që zgjat katër vjet. 

 

Ndërkohë KQZ-ja po merret me certifikimin e garuesve. Pardje, u bë me dije se trupi rregullues zgjedhor kishte refuzuar të regjistronte listën unike serbe “Srbija”, për shkak të emrit, dhe se kjo çështje i ishte deleguar Brukselit për zgjidhje. Mbase edhe zonja Ashton do të kuptojë se pas gjithë atyre koncesioneve që i kanë bërë shqiptarët karshi Serbisë, me çmimin madje të cungimit të sovranitetit, tash radhën do ta ketë Serbia, për të bërë këtë “koncesion”, e t’ia ndërrojë emrin listës qytetare, neutrale karshi statusit, në diçka si që gjithqysh do ta ketë atributin “srpska”. Kjo duket që ta ketë zgjuar nga gjumi “opozitën” (lexo: LDK dhe AAK), që pasi që kanë votuar pro marrëveshjes historike, kanë nisur të shprehin brengën jo vetëm me përbërjen e listës serbe, por edhe me fuqinë që do të ketë karshi institucioneve që nuk i njeh si të vetat. 

 

E përderisa listat e kandidatëve për kryetarë ende nuk janë konsoliduar, sa për shkak të telasheve të brendshme, sa për shkak se në minutat e fundit po bëhen transferime kandidatësh prej një partie në tjetrën, thuajse kanë dalë në pazar, në dy javët e fundit po vërehet një aktivitet i shtuar i EULEX-it, në bashkëpunim me policinë në kapjen e hajnave dhe keqpërdoruesve të detyrave zyrtare. Nisi me ca mjekë, vazhdoi me ca zyrtarë të policisë për të përfunduar me agjencinë e barnave. Të gjithëve po u shqiptohen masat e paraburgimit, e më pas po i hyjnë një procedure që di të zgjasë shumë e jo gjithherë të përfundojë edhe me burgim e konfiskim pasurie. Por edhe këso ndjekje, dëshmitarë të të cilave jemi, po tregojnë se sa thellë i ka lëshuar rrënjët kriminaliteti në shoqërinë kosovare, kur nuk mbetet segment në të cilin nuk të kërkojnë ryshfet, apo në të cilin dikush bën diçka për t’u pasuruar me paratë publike. E megjithatë, mbetet shija tepër e hidhur se koka e krimit mbetet e paprekur dhe e pandëshkuar. 

 

E ata që janë përgjegjës për ofrimin e garancive për paprekshmëri e mosndëshkim, që miratojnë ligje amnistie, duke u përpjekur që ta institucionalizojnë krimin, deputetët e Kuvendit të Kosovës, e kryen pushimin dhe tash iu rrekën punës së prishjes së kuorumeve dhe të aktivizimit dhe të ushtrimit të trysnisë që të miratohen vendime, raporte e ligje që i konvenojnë koalicionit në pushtet. Kështu të enjten u mblodhën për ta kaluar raportin e Qeverisë me të cilin kjo e fundit mëton të legalizojë shitjen e PTK-së, pasi ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme gjatë gjithë procesit të faljes së këtij aseti. Pa vendimin e Kuvendit iu ka qasur kësaj fizkulture dhe me një çmim qesharak do që t’ia falë komplet strukturën strategjike të telekomunikacionit një subjekti që nuk e ka as lidhjen minimale me sektorin. Argumentimi i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, se shitja e këtij aseti do të sjellë zhvillim ekonomik, është më së buti thënë qesharak. Të gjithëve tash u është bërë e qartë se ky aset nuk u shit më shtrenjtë, sepse blerësit janë diku në Kosovë apo janë shumë të afërt me Kosovën. Po të mos ishte ashtu, nuk do të shpërthente e gjithë opozita, përfshirë edhe kryeparlamentarin, për të thënë se si i gjithë procesi ka qenë jotransparent dhe i ngjyrosur me korrupsion fund e krye. Dhe i ngjyrosur me hile, sepse u insistua shumë që aseti të shitej në emër të sigurimit të parave për ndërtimin e rrugës drejt Shkupit. Ani që këto para nuk do të mjaftojnë, ngase kjo rrugë do të jetë shansi i mirë për ta thyer edhe një rekord, e që kilometri këtu t’i kushtojë Kosovës më shumë se 10-milionëshi i Prizrenit. 

 

Nuk kishte pasur punë më të mirë sesa ky raport të mos miratohej në Kuvend dhe që ky privatizim, në këtë formë, të dështonte plotësisht. Nuk kishte pasur punë më të mirë që në vend të tij të shkohej me procedurë të rregullt, ku do të mëtohej sigurimi i investitorëve që janë përnjëmend investitorë dhe që kanë renome botërore. E për këtë duhet vetëm vullneti politik për të zbatuar ligjin. 

 

E me gjithë hapësirën që zakonisht e zënë në edicionet informative, anëtarët e Qirkuzit megjithatë e humbën protagonizmin. Kësaj radhe ua mori Gjykata Kushtetuese. Kumtesa e mangët e javës së shkuar krijoi bindjen se edhe ky institucion kishte pranuar amnistinë e kriminelëve në bllok, me ca përjashtime. Porse, që kur u bë publik aktgjykimi me arsyetimin 84-faqesh, doli se nuk ishte ashtu. Gjykata Kushtetuese megjithatë ishte marrë shumë seriozisht me ligjin dhe e ka përkufizuar qëllimin e ligjit (i cili mungonte), ka identifikuar komunitetet që përfitojnë nga amnistia, dhe ka argumentuar se shpallja e disa veprave penale të listuara në ligj si antikushtetuese e ka parandaluar minimin e rendit juridik të Kosovës. Kjo konkretisht do të thotë me sa vijon: se arsyetimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme, për shkak se sistemi ynë kushtetues përcakton se ato vlejnë një nivel më shumë sesa vetë ligji; se argumentet e GJK-së mund të inkorporohen në ligj, e munden të mos inkorporohen, por organet që merren me zbatimin e këtij ligji duhet patjetër të mbështeten në këto arsyetime.

 

Pra, me fjalë të tjera i bie se kërkesat e peticionit që e nënshkruam 12.764 qytetarë për më pak se pesë ditë janë shqyrtuar, janë marrë parasysh, dhe duket se madje janë miratuar. Ata që kanë të drejtë të amnistohen me këtë ligj do të jenë “luajalët e Serbisë”, që logjikisht duhet të ishin serbët (porse te ne shumëçka nuk është logjike, pra dhe mund të dalin shumë luajalë të tjerë) dhe do të amnistohen për veprat penale të kryera duke nisur nga data 10 qershor 1999. Personat që janë dëmtuar me veprat penale të shkaktuara nga të amnistuarit do të kenë të drejtë t’i padisin në procedurë civile për kompensim dëmi. Plus, ata që i kanë ikur Administratës Tatimore, nuk mund ta bëjnë këtë as me këtë ligj.

 

Përfundimisht, e gjithë kjo punë që na i ka hëngër gati dy muaj shqetësime ka mundur të ketë qenë shumë më ndryshe, më e thjeshtë dhe me shumë më pak hapësirë për keqkuptime, po të ishte përpiluar një ligji i thjeshtë i amnistisë, sikur ai te shteti fqinj IRJM, pas Marrëveshjes së Ohrit. 

 

Shumë më thjesht do të ishte po qe se Kosova do të ishte top-prioriteti i kësaj Qeverie. Për fat të keq nuk është..., e për më keq, duket se nuk është prioritet as për “opozitën”. Shikojeni vetëm çka ndodh këto ditë rreth zgjedhjeve, dhe të gjitha do të jenë të qarta.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0