Diplomacia kulturore
Diplomacia kulturore në esencë është përdorimi i shkëmbimit të ideve, vlerave, traditave dhe aspekteve tjera kulturore në mes popujve e shteteve, me qëllim të rritjes së mirëkuptimit të ndërsjellë dhe forcimit të bashkëpunimit në mes tyre, por edhe me qëllim të promovimit të interesave të politikës së jashtme.
Fatmir Fazliu
Aktivitetet që tani klasifikohen si diplomaci kulturore janë zhvilluar që kur ekzistojnë kontaktet në mes popujve e vendeve të ndryshme. Tregtarët të cilët kanë udhëtuar rregullisht prej një vendi në një vend tjetër mund të konsiderohen edhe si diplomatë kulturorë në aksion. Përveç aktiviteteve tregtare, ata kanë bërë edhe shkëmbimin e informacionit, ideve e vlerave kulturore, në vendbanimet që shtriheshin përgjatë rrugëve të tyre të tregtisë.
Diplomacia kulturore në esencë është përdorimi i shkëmbimit të ideve, vlerave, traditave dhe aspekteve tjera kulturore në mes popujve e shteteve, me qëllim të rritjes së mirëkuptimit të ndërsjellë dhe forcimit të bashkëpunimit në mes tyre, por edhe me qëllim të promovimit të interesave të politikës së jashtme.
Diplomacia kulturore ndihmon shumë edhe në krijimin e imazhit të mirë për vendin. Definicionet për diplomacinë kulturore dallojnë nga vendi në vend. Sipas njërit prej studiuesve më të njohur të diplomacisë kulturore, Milton C. Cummings, koncepti “diplomaci kulturore” i referohet shkëmbimit të ideve, informacionit, artit dhe aspekteve tjera të kulturës në mes kombeve dhe pjesëtarëve të tyre duke u kujdesur për kuptimin e ndërsjellët mes tyre. Këto shkëmbime kulturore mes kombeve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të rëndësishme dhe të dobishme për politikën e jashtme, sepse, siç shpjegon Philip M. Taylor, diplomacia kulturore është aktivitet politik, i përcaktuar tu shërbejë interesave nacionale në një paraqitje kulturore.
Aktivitetet kulturore dhe artistike janë një nga mjetet e përdorshme si përkrahje për realizimin e objektivave të shtetit në politikën e jashtme. Në mesin e këtyre aktiviteteve përshihen: filma, muzikë, ekspozita veprash artistike, revy mode, vallëzime, promovime librash, panaire kulturore, aktivitete në fushën e shëndetësisë e të tjera. Këto aktivitete janë zakonisht produkt i bashkëpunimit në mes mekanizmave të shtetit përgjegjës për diplomacinë kulturore dhe individëve apo grupeve nga bota e artit.
Margaret J. Wyszomirski dhe kolegët e saj, në studimin e tyre krahasues për marrëdhëniet kulturore ndërkombëtare, ku ata bëjnë krahasimin në mes nëntë shteteve të ndryshme, se si ato e mbulojnë fushën e diplomacisë kulturore, përmbledhin aktivitetet që ato përdorin: shkëmbimin e njerëzve për synime kulturore dhe akademike; dërgimin e ekspozitave jashtë vendit; sponsorizimin e seminareve dhe konferencave si në vend ashtu edhe jashtë vendit ku ftohen pjesëmarrës ndërkombëtarë; ofrimin e mbështetjes për infrastrukturën e institucioneve, qendrave dhe forumeve kulturore jashtë vendit; burimet në formë të stafit si në vend ashtu edhe jashtë vendit; mbështetjen për programet për studimet në vend, (psh. American studies); bashkëpunimin ndërkombëtar në programet dhe projektet kulturore dhe aktivitete tjera që janë të lidhura me shërbimet dhe produktet kulturor.
Për realizimin e këtyre aktiviteteve zakonisht ngarkohen ekipe pune të përbëra nga ekspertë të fushave që punojnë për agjenci dhe departamente qeveritare, të cilët bashkëpunojnë ngushtë edhe me njerëzit nga bota e artit dhe kulturës. Njerëzit e artit në këtë rast shërbejnë si urë lidhëse në mes dashamirësve të artit dhe shteteve. Po ashtu bashkëpunohet shumë ngushtë me njerëzit nga bota e biznesit, sidomos me kompanitë që merren me promovimin e tregtisë së jashtme dhe turizmit. Për një diplomaci kulturore të suksesshme është e nevojshme puna e përkushtuar intelektuale në planifikim, mbështetje e mjaftueshme financiare, por edhe nivel i lartë kreativiteti në zbatim. Është e rëndësishme që të gjitha aktivitetet e diplomacisë kulturore të koordinohen mirë nga ministria e jashtme, kjo më së miri mund të bëhet përmes atasheve kulturorë.
Për shkak të natyrës komplekse të artit dhe kulturës është shumë e vështirë për një shtet të vlerësojë efektshmërinë e aktiviteteve kulturore si mbështetje për realizimin e qëllimeve në politikën e jashtme. Megjithatë, si diplomatët e angazhuar në këtë fushë, ashtu edhe studiuesit e vlerësojnë si shumë produktive këtë formë të diplomacisë. Pothuajse të gjithë këta u rekomandojnë qeverive të tyre që të shtojnë angazhimin për perfeksionimin dhe zgjerimin e aktiviteteve të diplomacisë kulturore. Shtetet vazhdojë të përdorin gjerësisht diplomacinë kulturore, vazhdimisht duke iu përshtatur rrethanave dhe audiencave që u drejtohen, si për të përmirësuar marrëdhëniet ne mes tyre, për të ndikuar në përmirësimin e imazhit të tyre jashtë, ashtu edhe si mbështetje për realizimin e interesave nacionale në politikën e jashtme. Diplomacia kulturore mund të jetë shumë e efektshme në situata pas përfundimit të konflikteve. Ajo mund të shërbejë si urë afrimi në mes popujve dhe si hap i parë për përmirësimin e marrëdhënieve mes shteteve.
Comments (0 posted)
Post your comment