Home | Opinion | Çfarë duhet sfiduar tek Mbrojtja?!

Çfarë duhet sfiduar tek Mbrojtja?!

image
Në emër të transparencës për vlerësimin e personelit është goditur ai brez që mund të quhet vërtetë i artë, pikërisht 40-vjeçarët në moshën dhe pjekurinë e lakmuar për të shërbyer.

 

 

 

Nga Azem Parllaku 

 

 

 

Përtej pozitivitetit të shënuar në ecurinë e Forcave të Armatosura, prezencës së tyre në NATO dhe misionet e saj për llogari të sigurisë dhe paqes, zonja Kodheli si ministre e Mbrojtjes ka gjasë të mos gjejë një klimë të shëndetshme në drejtimin e tyre, përveçse një rrjedhë sfidash për t’u kapërcyer. E në këtë rrjedhë sfidash çdonjëra prej tyre fiton terren si përparësi, mbasi ato janë ndërlidhur fort dhe kanë patur një mbikqyrje të kujdesshme për të mbetur të tilla çuditërisht! Ka mjaftueshëm qasje që janë prezente, të cilat kanë të bëjnë më së shumti me personelin, burimet tjera të fushës së mbrojtjes, si strukturat, sistemet, pajisjet, armatimi, teknika, pronat, shërbimet e përkujdesjes për ushtarakët siç janë pagat, uniforma, trajtimi me strehim, përkujdesja shëndetësore, stërvitja, arsimimi, etj. Personeli në Forcat e Armatosura, aseti kryesor në përbërje të tyre, është lehtësisht i komanduar, jo vetëm tek ne, por kudo gjetkë kjo për faktin se kushtëzohet nga misioni që ai përmbush. E megjithatë tek ne ky realitet është krejt ndryshe, qoftë sot, ashtu dhe në të shkuarën. Ka një numër të konsiderueshëm arsyesh për ta justifikuar këtë pozitë aspak të favorshme, po kaq dhe të padëshiruar në menaxhimin e këtij personeli. Karriera në funksionet ushtarake fatkeqësisht dhe në veçanti për ata, është kushtëzuar nga një parregullsi rregullash me gjasme vlerësimin e tyre, gjë e cila ka krijuar diferenca që duhen analizuar dhe kapërcyer. Vlerësuar në këtë pikëshikim, këto diferenca janë të kapshme lehtësisht, mjafton të investigohen urdhërat e njëpasnjëshëm, pse jo dhe të dhënë qëllimisht, për ta bërë këtë hendek kaq të dallueshëm. Ka qëlluar në mënyrë permanente, që media të rrokë shqetësimet të cilat kanë të bëjnë me vlerësimin dhe ecurinë në karrierë të personelit, por mospërgjigjet apo reagimet shkurt duke gjetur justifikimin në stilemën “reformë në ushtri”, e kanë justifikuar punën e komisioneve të karrierës.

Në emër të transparencës për vlerësimin e personelit është goditur ai brez që mund të quhet vërtetë i artë, pikërisht 40-vjeçarët në moshën dhe pjekurinë e lakmuar për të shërbyer. Ushtarakët përgjithësisht nuk duhet të influencohen as nga nostalgjia, e as nga pritshmëritë e të sotshmes dhe të së nesërmes, përkundër kësaj ata mirëfilltë u duhet të jenë profesionistë në përputhje me parimet kryesore të fushës së tyre të përgjegjësisë. Nëse artikulojmë më tej rreth kësaj çështje pikërisht ky brez duhet për t’u mbajtur në konsideratë. Trajnimi i personelit u trumbetua me të madhe gjatë gjithë kësaj periudhe, por për fat të keq kurset e trajnimit dhe ecuria në karrierë mbetën luksi vetëm për një pjesë servilësh dhe të nënshtruarish me lidhje nepotike, të cilët dhe pasi u nënshtruan këtyre kurseve, nuk ishin në gjendje të sjellin në praktikë ndonjë risi për t’u shënuar. Diferencimi në pagë për funksione që relativisht kanë të njejtënngarkesë në punë, shpeshherë e ka demotivuar personelin. Ngarkesa e punës dhe shërbimit të një ushtaraku me gradën kapiten dhe të kolegut të tij me gradën nënkolonel është e njejtë, ndërsa diferencimi në pagë është trefishor. Mungesa e transparencës në momentin e thirrjes në shërbim të ushtarëve profesionistë, po kaq dhe reklamat shumë të kushtueshme dhe butaforike për t’i thirrur ata nën uniformë, ka bërë që këta të fundit të jenë përballë një fakti krejt tjetër, ku bie në sy paga e ulët dhe mospërfitimi në kohë i të drejtave të tjera financiare siç është trajtimi me ushqim, apo ai i mbulimit të qerasë për banesë.

Tashmë është “forcë zakoni”, kur një drejtues merr detyrën ai duhet të njihet me atë çfarë ka nën përgjegjshmërinë e funksionit të cilin ushtron. Kështu dhe zonja Kodheli do të kërkojë të krijojë njohjen e nevojshme me problematikën që kanë Forcat e Armatosura, ku ajo është ngarkuar për t’i menaxhuar. Përpos përvojës së saj, i duhet të zgjedhë dhe të krijojë modelin e ushtrimit të këtij funksioni kaq të rëndësishëm. Në këtë fazë njohje zonja Kodheli, ka gjasë të shoqërohet nga ushtarakë me yje të mëdhenj dhe të verdhë, të cilët mund dhe të mos jenë aq armiqësorë me shumë nga problematikat që kanë Forcat e Armatosura, për faktin se për mjaft prej tyre ata janë dhe përgjegjës. Shumë e shumë nga shqetësimet mund t’i faturohen të shkuarës me apo pa përgjegjës, atëherë lind pyetja; Ku ishim ne? Justifikimi nuk ka aq vlerë nëse për referencë mund dhe të merren paqartësitë e shprehura sa i përket ndarjes së kompetencave nga ligjshmëria dhe rregulloret ushtarake në fuqi. Forcat e Armatosura kanë në përbërje një numër të konsiderueshëm departamentesh dhe specialistësh, të cilët kanë propozuar e propozojnë përmirësimet e nevojshme në fushën e ligjshmërisë. Përsëri lind pyetja; Çfarë justifikimi ka nëse gjendja prezantohet jo qartësisht e justifikuar? Uniformat e blerta gjatë gjithë kësaj periudhe kanë vijuar të vuajnë të nënshtruar nga paqartësitë ligjore, pa përmendur urdhëresat në kundërshtim të plotë me ligjin, mjafton këtu të merren në konsideratë Gërdeci, lirime, gradime, emërime, e specializime pa kurrfarë mbështetje aty në ligj. Kapërcimi i kompetencave nga funksionarët politik, ndërkohë dhe heshtja dhe zbatueshmëria e detyrës nga funksionarët ushtarakë, nuk ka pse t’i rrëshqasë të vërtetës dhe logjikës së ftohtë. Ka mjaftueshëm arsye për të bërë një transparencë të plotë në lidhje me hapat e rëndësishëm në përmirësimet strukturore, për të patur një operacionalitet dhe ndërveprueshmëri të niveleve të kërkuara.

Si rezultoi ky lloj përmirësimi, kur vetëm në harkun kohor të 15 viteve të fundit Forcat e Armatosura u janë nënshtruar jo më pak por 19 ristrukturimeve? Metafora “Po vjen struktura e re” është shndërruar në rendin e ditës, e ardhja e herëpashershme e saj na kthen në pikën zero. Nuk mund të mendojmë që në lidhje me këtë fakt, të jenë sërish armiqësor yjet e verdha të mëdha, pasi me ose pa hir janë dakorduar për këtë gjë. Përmirësimet strukturore më shumë vlejtën për të krijuar struktura pa asnjë efiçencë, thjesht azil për borderofirmosësit militantë të politikës dhe nepotizmit. Struktura të tilla tkurrën buxhetin e mbrojtjes, pasi politika dhe pushteti u përkujdesën kënaqshëm për ta. Mjafton t’i hedhësh një sy strukturës së Forcave të Armatosura dhe të nxjerrësh konkluzionin për qendra, institute, laboratorë, e departamente të shumta, pa kurrfarë interesi për llogari të Forcave të Armatosura. Zonja Kodheli duhet të dijë se ushtarakët me status të papërcaktuar nuk kanë mundësinë e të bërit problem të shqetësimeve që ata mund të kenë. Gjithnjë e më shpesh arroganca dhe distanca që drejtuesit kanë mbajtur me ta, ka frustuar në skajshmëri të drejtën e të bërit problem të shqetësimit. Ende deri sot nuk është marrë në konsideratë të bëhet një analizë në lidhje me shpenzimet e qindra miliona lekëve për të ndërtuar, apo ristrukturuar shumë objekte ushtarake, të cilat dolën jashtë funksionit vetëm pak kohë pas përfundimit të tyre. A kanë faj dhe për këtë ushtarakët? Po kështu nuk ka një transparencë në lidhje me pasuritë dhe resurset materiale që dalin jashtë funksionit; Ku shkojnë dhe si administrohen të ardhurat që mund të krijohen nga shitja, apo transformimi i tyre.

Si aset mjaft i rëndësishëm Forcat e Armatosura thirren në mbështetje të strukturave të qeverisjes vendore në përballimin e Emergjencave Civile, pavarësisht gatishmërisë së tyre, ata pothuaj operojnë me resurset e tyre në këto raste, dhe pse komunat, bashkitë, apo qarqet disponojnë fonde të posaçme për këtë qëllim. Shpenzimet e planifikuara për pajisje, uniforma, apo trajtim të ushtarakëve, gjithnjë e më shpesh ka qëlluar e qëllon të shkojnë në funksion të plotësimit të detyrave të paplanifikuara, gjë e cila nuk ka pse të ndodhë! Sigurisht vendimmarrësit e fushës së mbrojtjes e dinë dhe këtë. Ka shumë e shumë argumenta të tjerë që thuhen e thuhen vazhdimisht në komunikimin ndërushtarak, ashtu sikurse ka ushtarakë që ngrenë zërin e të vërtetës përtej këtij komunikimi, e që e justifikojnë këtë përcaktim. Shpresojmë që zonja Kodheli të jetë pjesë e këtij komunikimi për të mos lënë minën të fshihet.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0