Home | Opinion | Dilemat midis ligjëruesit dhe politikanit

Dilemat midis ligjëruesit dhe politikanit

image
Dilema e vërtetë është a do t’u përmbahet Rama në veprimin politik si Kryeministër këtyre dy drejtimeve, apo do t’u nënshtrohet presioneve ndërkombëtare për korrigjim? 

 

 

 

Nga Mentor Nazarko

 

 

 

  Pa mbushur ende pak kohë nga fillimi i punës si Kryeministër, Edi Rama është vendosur në qendër të vëmendjes për disa prej shprehjeve verbale të qëndrimeve të tij politike, kryesisht në lidhje me politikën e jashtme apo rajonale. Në ndonjë rast kanë përbërë moment analize apo sulmi edhe deklarime që lidhen me politikën e brendshme, siç ishte shprehja “akoma s’më keni parë”, e që lidhet me qëndrimin ndaj opozitës.

Për frymëzimin që kanë ndaj Ramës njerëzit e opozitës, ngjan se vlen arsyetimi që ambasadori amerikan Arvizu e kishte thënë për qëndrimet fyese të zonjës Topalli, që sipas tij, “po kalon momente të vështira për shkak të humbjes”. Sindromën e humbësit në fakt po e vuajnë të gjithë njerëzit e opozitës, kush më shumë e kush më pak, hiq Bashën, i cili po përjeton një zinxhir dualizmash ku përfshihet dhe ai midis ndjenjës së lavdisë dhe asaj të përgjegjësisë. Qëndrimi agresiv i opozitës ndaj Ramës motivohet, megjithatë, përveç këtij sindromi, edhe me frikën që krijohet në mënyrë të natyrshme për reagimet e mundshme të qeverisë së re në luftën ndaj korrupsionit apo ndaj proceseve të trashëguara të 21 janarit etj. Kërkesa europiane dhe perëndimore për luftën ndaj korrupsionit si kusht për marrjen e ftesës për statusin e kandidatit për BE, afërmendsh që do të përqendrohet te goditja e korrupsionit të vjetër, diçka që është duke turbulluar edhe ekuilibrat brenda opozitës.

Ajo që meriton vëmendje, megjithatë, në kriticizmin ndaj Ramës, janë momentet që kritikohen jo thjesht nga opozita, por dhe nga opinionistë jashtë saj që kanë një gradë pavarësie të caktuar. Fakti që me to merren qoftë njerëzit e opozitës, qoftë dhe opinionistë jashtë saj, pavarësisht mllefeve personale që mund të kenë me Ramën, i shndërron këto çështje në probleme për opinionin publik. Le të merremi me disa prej tyre, që Berisha, një stilist i vjetër i retorikës politike, i ka quajtur rekorde.

 

Disa prej dilemave


Fjala në Parlamentin e Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim që sipas një mënyre konvencionale të të ligjëruarit politik të pëlqyeshëm në Kosovë, Rama në atë Parlament do duhej të përmendte si me peshore farmaceutike barabartësisht meritat e Rugovës dhe të UÇK-së. Kjo mënyrë të ligjëruari s’do t’i krijonte probleme të mëdha dhe do të nxirrte më shumë në pah meritat e atij fjalimi, i cili parashtroi në mënyrë historike një lloj platforme panshqiptare të veprimit politik. Për të gjitha çështjet më imediate të kombit, përfshi dhe çështjen çame, e cila me gjasë u përmend për herë të parë në Parlamentin e Kosovës. Edhe përmendja dy herë e figurës së shquar të mendimit patriotik shqiptar, Rexhep Qose, ishte diçka e shpërpjesëtuar në raport me citimet e ndryshme të figurave historike të Kosovës apo të kombit. Mirëpo në lidhje me këtë mëkat të Ramës mund të thuhet qartësisht edhe pa e pyetur Ramën se nuk ka pasur kurrfarë dëshire të tij për të provokuar askënd në Kosovë, sepse Rama ka qenë njeriu më pak i interesuar për ta bërë këtë. Mëkati i tij në fjalë është rënia pré e pasionit estetik prej një njeriu, i cili ka një përkushtim maniakal për stilin e ligjërimit politik. Megjithatë, përmasa e këtij gabimi të Ramës në privilegjimin e stilit përkundrejt nevojës për një mesazh që do të rehatonte të gjithë, nuk ishte aq e madhe sa të justifikonte largimin e një pjese të deputetëve të LDK-së (jo të gjithëve, siç u spekulua). Mesazhet e vizitës së Edi Ramës si Kryeministër i Shqipërisë nuk mund të paragjykohen vetëm e vetëm prej shprehjeve verbale në njërën prej etapave të kësaj vizite, siç ishte fjalimi në Parlament. Ndaj ngjan sjellje me të vërtetë provinciale sjellja e një pjese të LDK-së ndaj Kryeministrit të ri të Shqipërisë, i cili bëri një ofertë të padëgjuar më parë prej paraardhësve të tij: tryezë mbarëkombëtare liderësh partiakë shqiptarë me rastin e Ditës së Pavarësisë. Pavarësisht se kjo ofertë është formuluar prej liderësh të tjerë partiakë shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri, Berisha nuk e ka bërë kurrë realitet këtë thirrje, por përkundrazi. Ai ka luajtur gjithmonë me taktikat e veta përçarëse të këtij faktori qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni. Nuk po flasim këtu për raportet kontradiktore të Berishës me Rugovën, që në fund u përkeqësuan shumë dhe thelbësisht, diçka që e bën hipokrite qoftë reagimin e Berishës, qoftë dhe reagimin e disa drejtuesve të LDK-së, që e mendojnë se mund ta shndërrojnë emrin e Ramës si atu fituese në fushatën zgjedhore për komunat e Kosovës! 

Momenti i dytë i diskutueshëm në ligjërimin e Ramës në këto ditë të para si Kryeministër është qëndrimi ndaj pakicës maqedonase. Nuk ka dyshim se në pikëpamje verbale, ligjërimi i Ramës në krah të Presidentit maqedonas krijoi vetëm për një çast një lidhje mes trajtimit të dy grupeve të popullsisë në dy vendet respektive. Ama, është qesharake të mendohet se Rama vendosi shenjë barazimi, qoftë dhe në ligjërim. Rama e nisi fjalën e tij me përmendjen e Marrëveshjes së Ohrit, megjithëse jo nominalisht, diçka që tregon qartë prioritetin. Më pas, siç duket, nën presionin e takimeve të Brukselit, ku tema e rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon ka qenë kryesorja, ai vendosi këtë lidhje mes dy grupeve të popullsive respektive. Ama, të pretendosh se Rama barazoi pakicën maqedonase me popullsinë shqiptare vetëm me një fjali lidhëse si ajo, është me të vërtetë kriticizëm ekstrem. Kur këtë e bën një parti, e cila lejoi që Kryeministri maqedonas Gruevski të vizitonte popullsinë sllavishtfolëse të Gollobordës duke e shndërruar atë në minoritet shtesë maqedonas, atëherë kuptohet se ky kriticizëm është sa i sforcuar, aq dhe jo i drejtë.

Momenti i tretë është ai që lidhet me shprehjen në Parlament drejtuar opozitës, “ju nuk më keni parë akoma”. Sigurisht, kjo fjali e thënë me të qeshur është një fjali sferike, jounivoke, burim interpretimesh të ndryshme. Regjistri kuptimor i një fjalie të tillë mund të shkojë nga surpriza e ligjëruesit për kritikat ndaj dikujt që s’ka marrë detyrën e Kryeministrit si i dhunshëm ndaj opozitës, ashtu dhe si kërcënim i tipit: prisni, pa do të më shihni! Të marrësh, ama, versionin e fundit, është një vetëviktimizim i shpërpjesëtuar, për më shumë nga një parti, kreu i së cilës i ka kërcënuar në një regjistër të egër shumë më të qartë se kaq rivalët e vet politikë, kërcënime që dhe i ka jetësuar. Një reagim të ngjashëm vetëviktimizues e zgjodhi ta mbante zoti Basha dhe në rastin e inicialeve H.V. në Facebook-un e Ramës. Ky lloj vetëviktimizimi, ky lloj interpretimi kaq i skajshëm i këtyre shprehjeve, nuk tregon as zgjuarsi, as takticizëm dobiprurës elektoralisht. 

 

Dobësitë e vërteta të Ramës


Ka, megjithatë, disa pika përbashkuese në këto tri momente që zgjodhëm për analizë dhe që janë dobësi të kahershme të Ramës, por jo vetëm të atij. Në krye të herës tek to ndihet thirrja e brendshme e përkryerësit të njeriut të fjalës që kërkon efektin më të madh në ligjërimin e tij publik. Tek to gjendet privilegjimi i bukurisë së frazave përkundrejt rrumbullakësisë politikisht korrekte të mesazhit që mbase do ta burokratizonte frazën duke e bërë më të mërzitshme. Pastaj vjen me gjasë dhe mungesa e njohjes së hollësishme të ndjeshmërive të faktorëve politikë në rajon, gjegjësisht në Kosovë dhe në Maqedoni. Por këtu vijnë në shprehje këshilltarët dhe s’ka asnjë dyshim se ka një pjesë të përgjegjësisë këshilltari rajonal i Ramës. Një njeri në moshën e zotit Maliqi, me dituritë e tij për rajonin, nuk është këshilltar dekorativ, por do duhej t’ia kishte latuar pak fjalimin në Parlamentin e Kosovës shefit të vet, duke ia nënvizuar këto ndjeshmëri. Më në fund, në këto sebepe për kritikë ndaj Ramës si Kryeministër në ditët e para, gjendet dhe një lloj grumbullim i ngatërruar problemesh për dikë që sapo ia ka filluar në krye të Ekzekutivit dhe ka një mal me punë për të bërë. Është ky një mal që nuk mundëson kohë të mjaftueshme për përqendrim mendor që do të prodhonte perfeksion politik në të shprehur. Një Kryeministër i ri me siguri bën gabime, madje dhe gafa kudo në botë. Por do duhet t’i përkufizojmë drejt gabimet e tij që u përmendën më sipër, veçanërisht në politikën e jashtme apo në atë rajonale. Ato janë në kufirin midis opinionit verbal dhe qëndrimit politik; në kufirin midis së mirës dhe perfektes. Populli do t’i shprehte më thjesht duke filluar nga shprehja “mos i shiko gunën, por punën” etj., etj. Një politikan gjykohet për qëndrimet dhe veprimet politike, dhe jo për papërsosmëritë verbale. Deri më tash, shpallja e Turqisë si partner strategjik dhe zhvillimi i marrëdhënieve vërtet të tilla me lidershipin e saj, platforma kombëtare e shpallur në Parlamentin e Kosovës janë momentet thelbësore të politikës rajonale të Ramës në pak kohë. Dilema e vërtetë është a do t’u përmbahet Rama në veprimin politik si Kryeministër këtyre dy drejtimeve, apo do t’u nënshtrohet presioneve ndërkombëtare për korrigjim? Kurse dilema tjetër stilistikore, nëse do të vazhdojë apo jo me papërsosmërira të tilla politike në kërkim të përsosmërisë së ligjërimit, është një dilemë që nuk merr dot përgjigje në pak ditë. Dhe kjo dilemë rrallë mund të kthehet në dilemë thelbësore.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0