Qytetarë apo banorë të qyteteve?
Të shkosh, sidomos në Tiranë dhe të vendosesh thjesht, p.sh. para Muzeut Historik, shikon me sy lakuriqësinë e mjerimit, një pasojë e rëndë e këtyre lëvizjeve, që do rëndojë shumë të ardhmen e Shqipërisë.
Nga Dhimitraq Shoni
Lëvizjet mekanike të popullsisë, janë tashmë të njohura në çdo vend të botës. Dihen se në ç’periudha kanë ndodhur ato, si kanë ndodhur dhe cilat ishin shkaqet që çuan në kryerjen e tyre. Ato karakterizohen dhe specifikohen. Lëvizje të tilla të ngjashme, por me motive dhe karakteristika të reja, kanë ndodhur dhe ndodhin edhe sot në ditët tona. Ato paraqiten si një fenomen demografik i veçantë në kohën e sotme dhe kanë përmasa të caktuara, të nxitura nga shkaqe dhe arsye të ndryshme. Kanë në themel të tyre, zakonisht mbijetesën dhe përballimin e kushteve ekonomike të papërshtatshme që mund të krijohen, nga përmasat e paparashikuara që marrin zhvillimet politike dhe shoqërore në një vend të caktuar.
Historia ka njohur dhe shpërngulje masive të detyrueshme, si rezultat i dhunës së ushtruar nga qeveri apo qarqe antidemokratike dhe fashiste, që kanë sunduar në mënyrë të përkohshme në disa vende, duke shkelur kështu parimet bazë e më themeloret të kartave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ajo, që mua më shqetëson dhe, sipas meje ia vlen të analizohet, është situata e krijuar tek Ne, pas viteve 90-të, ku si rezultat i zhvillimeve politike, proceset demografike u shoqëruan me probleme të mëdha. Lëvizjet mekanike të popullsisë në vendin tonë, kanë dhe ato, si të gjitha problemet tona , një specifikë të veçantë. Kjo lidhet me mënyrën se si u kryen, nga se u nxitën ato dhe me ç’farë pasojash u shoqëruan. Në vendin tonë, thua se teoria e Mao Ce Dunit “Fshati të çlirojë qytetin”, u kuptua “mirë” atëhere dhe u zbatua, po aq “mirë” sot, pas rënies së këtyre teorive, por me një zhvillim më të avancuar dhe sipas kushteve konkrete, fshati të pushtojë qytetin. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme, se në zonat tona rurale dje, d.m.th. para rënies së sistemit monist, popullsia jonë ka pasur probleme, që shumë kush nga ne i ka njohur, por jo në themel. Një shoku im, ndoshta ka të drejtë, kur më tha gjatë diskutimeve tona të përditshme, po kujt ia mbante atëhere të hapte gojën. Sigurisht, që kjo e të tjera si këto, ishin të vërtetat e hidhura të asaj kohe.
Në përgjithësi, popullsisë tek ne i është diktuar çdo gjë nga lartë dhe inisiativa për një mënyrë jetese ndryshe ishte e pamundur të shprehej pa lë të realizohej, për arsye tashmë të njohura. Recetat stereotipe u bën pjesë e jetës së gjithkujt dhe askujt nuk ia mbante të hapte gojën për gjënë më të vogël dhe as për ndryshimin e tyre, aq sa hyri dhe si humor në bisedat midis njerëzve: “këtë e di Partia”…! Në zonat rurale, ky nënshtrim psikologjik ishte në shkallën sipërore dhe separatizmi jashtëzakonisht i pa mundur. Kjo bëri, që kjo popullsi të paraqiste një prapambetje shumëplanëshe dhe sidomos në aspektin qytetar. Ajo u bë e dukshme dhe e prekshme pas rënies së sistemit monist, ku në mënyrë të paparashikuar kemi një dyndje të jashtëzakonshme në drejtim të qyteteve të popullsisë rurale. Shpërngulje të tilla, kaq masive, nuk kish ndodhur ndonjë herë në historinë e Shqipërisë. Emigrime për jashtë vendit, për çështje ekonomike apo dhe politike ka pasur, por me përmasa shumë të vogla. Ndërsa kjo lëvizje e përnjëhershme dhe kaq masive, e para e këtij lloji, si edhe e përmendëm pak më lartë, s’kish se si të mos krijonte probleme. Ato ishin të natyrave të ndryshme, të cilat lidheshin me strehimin, ushqimin, shkollimin, punësimin e të tjera aspekte të jetës shoqërore.
Mbipopullimi i qyteteve tona, në kushtet ku strehimi ishte një nga problemet më të mprehta të shoqërisë që u la pas, krijoi një situatë me të vërtetë shqetësuese dhe shumë problematike. Popullsia e ardhur nga shumë zona rurale u vendos “en bloc” në zonat periferike të qyteteve dhe sidomos në Kryeqytet, ku ngritën provizorisht vendbanimet e tyre të çastit dhe shteti, i cili atëhere ishte i paralizuar, nuk kishte mundësi të vendoste standarte jetese. Kështu atje, në kushtet e mungesës së ujit dhe veçanërisht atij të pijshëm, por dhe kushteve të tjera higjieno-sanitare, filluan simptomat e para të mbizotërimit të “ligjit të xhunglës”, ku krimi mbiu dhe gjeti kushte të lulëzojë. Partitë kryesore politike, të vetmen gjë që bënë atëhere në ato zona, ishte shfrytëzimi maksimal i përfitimit të votës, me format nga më monstruoze, po më kryesorja ishte, sofistikimi i gënjeshtrës dhe i mashtrimit.
Kjo popullsi, totalisht e abadonuar në mënyrë maksimale nga të gjitha qeveritë, që u alternuan deri më tani në pushtet, ishte e detyruar të zbatonte, megjithëse erdhi në qytet, rregullat e fshatit dhe të zonës së tyre. Kështu, mentaliteti i fshatit mposhti dhe triumfoi mbi atë të qytetit. Por, kultura dhe mënyra e jetesës qytetare, ka ligjet e veta dhe nuk mund të përhapet me dhunë, apo me metoda të kundërta me qytetarinë. Ajo zë vend dhe përhapët gradualisht duke u mbështetur tek njerëzit e moderuar, që shërbejnë si pika lidhjeje mes të ardhurve dhe vendasve. Sigurisht që njerëzit, edhe në këto kushte, vendosin marrëdhënie me njeri-tjetrin në shumë fusha të jetës, por kujdesën ama, të nderojnë prejardhjen e tyre, fisin e tyre, zakonet dhe traditat e tyre, në mënyrën më të mirë. Ajo që po ndodh tek ne, me përjashtime shumë të vogla, është krejt e kundërt.
Ajo, që për mua ishte më problematike dhe erdhi duke u trashur deri më sot, ishte papunësia dhe lënia e saj në mëshirën e fatit, si dhe problemi kardinal, për çdo shoqëri në zhvillim, lënia e shkollës nga mijra fëmijë të të shpërngulurve. Të shkosh, sidomos në Tiranë dhe të vendosesh thjesht, p.sh. para Muzeut Historik, shikon me sy lakuriqësinë e mjerimit, një pasojë e rëndë e këtyre lëvizjeve, që do rëndojë shumë të ardhmen e Shqipërisë. Kjo pamje, e parë me sytë e mi në mënyrë të përsëritshme vite me radhë, më ka bërë që të shqetësohem shumë, duke qenë i detyruar, krahas pamjeve të dhimbshme, të mbaja dhe shënime të hollësishme e konkrete, lidhur me këtë pamje “Lulë-vocër” të shekullit 21. Solla menjëherë ndërmend vitet 1986-89 dhe fytyrat e zbehta të nxënësve të mi, atëhere në Qafë-Mali dhe s’kish se si të mos shqetësohesha e të mos mërzitesha, për ato që më panë sytë kohët e fundit në mes të Tiranës, ku pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve ishin nga zonat Veri-Lindore të Shqipërisë. Duke i parë, tepër i problematizuar këto pamje, s’kish se si të mos më dilnin para syve të mi, të gjithë ata që flisnin dhe flasin me fjalë të mëdha e pompoze për Demokracinë, si nga foltorja e Kuvendit apo dhe nga tribunat e mitingjeve nëpër sheshe të qyteteve tona gjatë fushatave elektorale. Këta fëmijë nuk dinë asgjë nga këto fjalë të mëdha por, me një kuti të vogël kartoni nëpër duar, mbushur me stilolapsa, çakmaqe e suvenire të tjera, lutin, vetëm lutin, për t’u marrë qoftë edhe një diçka të vetme, për t’u justifikuar para prindërve të tyre, se diçka kanë fituar atë ditë. Këtë dinë tani për tani këta fëmijë fatkeqë, por me energji të mëdha brenda vetës për një jetë më të mirë. Po në shkollë nuk veni? I pyeta një ditë, gati të shpërtheja nga zemërimi dhe keqardhja.
Në shkollë? Dhe shikonin njeri-tjetrin me sy dhe ulnin kokën si me turp. E tmerrshme...! Ndërsa kur shikon ca më të rritur, pothuajse në çdo qytet, me kapadaillëkun e moshës që i karakterizon dhe me një fjalor, ku në tre fjalë dy janë turpe, mëndja të shkon tek e nesërmja që po afron. E nesërmja! Cila e nesërme? Këta fëmijë, dinë se ç’është e nesërmja? Dinë se si vjen, se si pritet dhe si përballohet ajo? Dinë fëmijët e ngujuar se ç’është kjo, që ata jetojnë me sy hapur? Dinë këta fëmijë, që çohen me zor nga prindërit e tyre fatkeqë, të cilëve u ndërpritet ëndrra e bukur dhe gjumi i ëmbël i mëngjesit, se si do të jetë e nesërmja e tyre? U ka folur njeri për të nesërmen? Po kush tjetër veç prindërve dhe shtetit?
Po, ata dinë, se duhet të çohen e të dalin të parët në rrugë e të luten, për të siguruar bukën e gojës. Rrezik se ata nuk dinë, se ndoshta nuk u ka thënë njeri, se ç’është shkolla, ç’është jeta dhe si ndërtohet e jetohet ajo. Aaaahhh, çfarë fatkeqësie...! Po prindërit e atyre të tjerëve, që u paguajnë provimet e maturës apo të Universitetit, e dinë të nesërmen e fëmijëve të tyre? Dinë se u kanë siguruar një diplomë pa asnjë vlerë, me të cilën fëmijët nesër do të gjejnë belanë, do turpërojnë veten, vetë prindërit dhe Atdheun, i cili do vuajë nga pamundësia e tyre për t’i shërbyer me dinjitet, tashmë me “një pamundësi e diplomuar”?
Dhe jeta vazhdon e ashpër, e hidhur dhe plot halle për ata njerëz, që janë shumica dhe shteti nuk i njeh ose akoma më keq, ka mbyllur dhe mbyll sytë para mjerimit, halleve të mëdha dhe fatkeqësive të tyre të përditshme. Përditë, duke hasur fenomene e veprime të pahijshme të shumë banorëve, çdo njeri nga ne, në godinën ku banon, në rrugë ku kalon, në urban, në dyqan, në stadium apo dhe në zyrat e “shtetit”, secili nga ne, pyet vazhdimisht vetën: Ne jemi qytetarë apo banorë të qyteteve?
Me keqardhje e them këtë, se ne ende nuk jemi qytetarë. Qytetaria është një tërësi marrëdhëniesh midis njerëzve, që lidhet me rregullat e mirësjelljes, me qëndrimin ndaj ligjeve të shkruara dhe ato të pashkruara, dhe që udhëhiqen të gjithë njerëzit në veprimtarinë e tyre të përditshme. Ajo demonstrohet vazhdimisht nëpërmjet mënyrës se si ne vishemi dhe ecim rrugës, se si ne komunikojmë me të tjerët dhe sa kualitet kanë fjalët që përdorim. Gjithashtu, ajo përmbledh dhe qëndrimet e prononcimet tona ndaj ngjarjeve të ndryshme që kanë ndodhur apo ndodhin, për aktivitetet që janë zhvilluar apo zhvillohen, të cilat lidhen me gjuhën, zakonet, traditat, prejardhjen, historinë, politikën, shtetin, qeverisjen, ekonominë, kulturën, sportin e të tjera.
Si mund të quhet qytetar një, që s’di të shkruajë dhe të flasë mirë gjuhën e mëmës së vet dhe kur vjen ndonjë rast shtirët si patriot i flaktë para të tjerëve? Si mund të quhet qytetar një, që nuk njeh dhe s’di të respektojë rregullat shoqërore dhe shtetërore? Si mund të quhet qytetar një, që gjen mënyrën më të pandershmen për të jetuar, apo një qytetar që lind, por s’di të rrisë e të edukojë fëmijët e vet? Dhe shembuj të kësaj natyre janë pa mbarim dhe nuk kanë, fatkeqësisht të sosur. Problematika që shtruam dhe është më se e qartë, tani kërkon një zgjidhje urgjente. Pyetja që shtrohet është shumë e thjeshtë: Ne do vazhdojmë të krekosemi, si deri më tani, me këto antiqytetarizma dhe të “mburremi” me to, duke guxuar dhe ndonjë të thotë se “ne nuk bëhemi dot njerëz, mor jaho”, apo do të luftojmë me të gjitha mënyrat të qytetërohemi? Do vazhdojmë të bëjmë sehir me fëmijët e ngujuar, që vuajnë tekat e një Kanuni tashmë të vjetruar, apo do të luftojmë t’u japim zgjidhje problemeve shumë delikate dhe të dhimbshme, që të çojnë në gjakmarrje? Do vazhdojmë të shikojmë me indiferentizëm fëmijët e rrugëve, që sot përpiqen të sigurojnë bukën e gojës dhe nesër të shndërrohen në kontigjent krimi? Apo do të luftojmë me çdo kosto, që ata të venë, si shokët e tyre në shkollë, për t’i shpëtuar edhe ata, duke i hequr nga rruga e nisur drejt krimit, edhe shoqërinë tonë të kërcënuar sot dhe nesër më shumë, nga kriminaliteti?
Qytetaria fitohet me punë dhe shumë mund. Ajo e nis rrugën e gjatë për të gjithë Ne, qëkur lindim dhe vazhdon gjithë jetës, duke u ndërtuar me shumë kujdes dhe duke rritur me shumë sakrifica prestigjin tradicional të familjes tonë. Nga kudhra e familjes tek shkolla dhe që andej, ajo merr formën e pandryshueshmërisë e të traditës, duke u bërë njeriu shembull i vërtetë dhe pikë referimi për të tjerët.
Thirrja ime, duke patur shumë besim tek puna e të gjithëve për të luftuar indiferencën është, luftë pa kompromis kundër çdo gjëje antiqytetare, për një shoqëri plot dinjitet, me kulturë e qytetari të lartë. Le të mos pajtohemi, kudo dhe në çdo rast, me asnjë demonstrim antiqytetar që mund të shfaqet. Ndihmoni shumicën e njerëzve, që nuk dinë dhe s’kanë faj për këtë, o intelektualë, të mësohen dhe të miqësohen me qytetarinë. Jemi nën monitorim për t’u anëtarësuar me Europën, si një pjesë integrale e saj, dhe s’duhet ta humbasim këtë shans të madh. Ne kemi shumë nevojë për të mësuar nga ajo, por edhe Europa, si një Zonjë e madhe, kërkon të na kthejë borxhin, jo të vogël, që na ka. Se lufta heroike 25 vjeçare e popullit shqiptar, me në krye Gjergj Kastriotin-Skëndërbeun, nuk mund të harrohet kurrë nga ajo. Populli ynë, me luftën e tij legjendare, nuk mbrojti vetëm Lirinë dhe Pavarësinë e vendit të vet, por dhe Qytetërimin Europian nga invadorët turq.
.
Comments (0 posted)
Post your comment