Merkel në zenitin e pushtetit
Me fitoren në zgjedhjet parlamentare Angela Merkel hyn në galerinë e kancelarëve të mëdhenj të Gjermanisë, si Konrad Adenauer dhe Helmut Kohl. Vetëm këta dy politikanë janë zgjedhur tri herë në postin e kancelarit.
Enver Robelli
Me fitoren në zgjedhjet parlamentare Angela Merkel hyn në galerinë e kancelarëve të mëdhenj të Gjermanisë, si Konrad Adenauer dhe Helmut Kohl. Vetëm këta dy politikanë janë zgjedhur tri herë në postin e kancelarit. Si arriti deri këtu Angela Merkel, një vajzë nga Gjermania komuniste, e rritur në një qytet me garnizon të ushtrisë sovjetike dhe me lajme nga televizioni gjermano-perëndimor?
Në fillim ishte përqeshja. Kur në vitin 1990 Republika Demokratike e Gjermanisë (RDGJ), pra gjysma komuniste dhe e kontrolluar nga sovjetikët e Gjermanisë së ndarë pas vitit 1945, po numëronte ditët e fundit, në skenën e atjeshme politike hyri një grua, të cilën fillimisht nuk e dëgjonte askush. Të gjithë – mediet, gojëkëqijtë, vëzhguesit profesionistë dhe diletantë – kishin diçka për të thënë për veshjen e Angela Merkelit dhe për mënyrën se si i mbante flokët të prera, një lloj antifrizure që do të kishte trishtuar çdo floktare.
Atëbotë Merkel punonte zëvendëszëdhënëse e Qeverisë së RDGJ-së. Derisa të tjerët merreshin me pamjen e Merkelit, kancelari gjermano-perëndimor, Helmut Kohl, ua kishte vënë veshin deklaratave të politikanes së re nga Lindja. Kohli, i cili me mjeshtëri diplomatike kishte arritur t’i bindte sovjetikët, francezët dhe britanikët mbi domosdoshmërinë e bashkimit të dy Gjermanive, edhe vetë kishte qenë i gozhduar nga mediet – për shkak të pamjes.
Këtë figurë vigane gazetat e bulevardit e quanin “dardhë” – ashtu disi dukej Helmut Kohl, i cili në fillim të karrierës së tij nga elitat politike të Bonnit, kryeqytetit të atëhershëm, përçmohej e nënçmohej si provincial. Por, bilanci i qeverisjes së tij është impozant: ai ishte kancelar 16 vjet dhe në histori hyri si politikani që bashkoi Gjermanitë.
Në vitin 1990, pas zgjedhjeve në qytetin e Hamburgut, Kohli ishte rehatuar në një kolltuk në bodrumin e parlamentit lokal, kishte shtruar darkë për gazetarë e bashkëpunëtorë dhe këtu e kishte takuar Angela Merkelin. I bindur në talentin e saj politik, në qëndrueshmërinë e saj dhe në mençurinë e fizikanes nga Berlini, Kohli shumë shpejt do ta takonte sërish Merkelin dhe kështu do t’ia hapte portat për të hyrë në ligën e parë të politikës.
Liderët e vërtetë kujdesen për pasardhës të denjë politikë. Ashtu veproi edhe Kohli, ndonëse raportet e tij me Merkelin u keqësuan kur në vitin 1999 shpërtheu afera e financimit ilegal të Unionit Kristiandemokrat (CDU) dhe Kohli refuzoi të tregojë emrat e financuesve (ilegalë) të partisë.
Për këtë drejtësia i vuri CDU-së një gjobë prej 41 milionë markash. Në vitin 2000 Merkel mori drejtimin e partisë kur tashmë kishte një dekadë përvojë politike: së pari zëvendëszëdhënëse në RDGJ, ndërsa pas bashkimit ministre për Çështje të Grave dhe Rinisë, më vonë ministre Ambienti. Në këtë post ajo pati rastin të njihet me shumë politikanë nga mbarë bota.
Në vitet 90 edhe një parti konservatore si CDU nuk mund të injoronte problemet e mjedisit.
Të dielën, siç pritej, Angela Merkel u zgjodh për herë të tretë kancelare e Gjermanisë. Vetëm Konrad Adenauer dhe Helmut Kohl kanë arritur diçka të tillë. Meritat e Kohlit u përmendën tashmë, ndërsa Adenaueri ia kishte vënë themelet Gjermanisë Perëndimore, duke e ankoruar në strukturat transatlantike.
Derisa Adenauer ndërtonte demokracinë në Gjermaninë Perëndimore dhe hapte shtegun për zhvillimin e ekonomisë kapitaliste familja e Angela Merkelit vendosi të shpërngulet nga Hamburgu në Gjermaninë Lindore. I ati i saj ishte prift, e ëma mësuese e anglishtes. Merkel u rrit në Templin, ku gjendej edhe një garnizon i trupave sovjetike.
Në shtëpinë e saj flitej për politikë dhe për padrejtësitë e sistemit komunist, por nuk mund të thuhet se familja e Angela Kasnerit (kështu quhej Merkel atëbotë) ishte disidente. Angela Merkel (ky është mbiemri i burrit të saj të parë) iu përkushtua shkencës, fizikës dhe labirinteve të saj, por nuk ishte indiferente ndaj përparimit të madh të botës perëndimore, të cilën e shihte pothuaj çdo mbrëmje në orën 20:00, kur ndiqte lajmet qendrore të televizionit publik perëndimor (ARD).
Këmbëngulëse për të depërtuar në thelb të gjërave ashtu si në formulat e fizikës Merkel mësoi rusishten dhe kjo gjuhë i shërbeu për të kuptuar edhe më mirë botën sovjetike dhe kulturën e madhe ruse, sidomos letërsinë. Në të njëjtën kohë ajo mësoi anglishten, kryegjuhën e botës së lirë. Amerika për Merkelin ishte përherë qendër për projektimin e ëndrrave.
Dhe ëndrra e madhe e lirisë për Merkelin u bë realitet: presidenti Barack Obama i ka dorëzuar asaj Medaljen e Lirisë – dekorata më e lartë civile e SHBA-së. Duke qenë e rritur në diktaturë Merkel mbase më shumë se politikanët e përkëdhelur perëndimorë ia di vlerën lirisë, andaj është aq proamerikane.
Kur kancelari Gerhard Schröder e kishte sulmuar presidentin George W. Bush për shkak të aventurave të tij luftarake në Irak, Merkel shkroi një opinion në “Washington Post”, ku nënvizoi se socialdemokrati Schröder nuk fliste në emër të të gjithë gjermanëve dhe tërthorazi mbështeti kursin e Bushit, duke theksuar se rreziku nga Iraku nuk ishte fiktiv. Në skandalin aktual rreth përgjimeve të shërbimit sekret amerikan NSA, Merkel heshti me ditë të tëra: ajo thjesht nuk dëshironte të binte në sy si kritike e Amerikës.
Merkel është proamerikane konsekuente për shkak të besimit në vlerat e lirisë, por ajo nuk i beson verbërisht çdo nisme që vjen nga Washingtoni. Për shembull ajo i ka bllokuar përpjekjet amerikane për zgjerimin e NATO-s përtej Rumanisë. Në anën tjetër është treguar kritike ndaj mosrespektimit të të drejtave të njeriut në Rusi. Raporti i saj me Vladimir Putinin ka qenë përherë i rezervuar, herë-herë madje i akullt.
E kujdesshme Merkel është treguar ndaj Kinës. Natyrisht ajo përmend edhe të drejtat e njeriut dhe domosdoshmërinë që edhe komunistët kinezë të respektojnë lirinë e mendimit. Por, ajo nuk e fsheh entuziazmin për sukseset e mëdha të ekonomisë kineze. Gëzimi i Merkelit bëhet edhe më i ëmbël për shkak se nga sukseset e Kinës përfiton edhe ekonomia gjermane. Në Kinë janë aktive 5 mijë firma gjermane.
Por, kryetema e jetës politike të Angela Merkelit në vitet e fundit është Europa, më saktë kriza e euros, kriza ekonomike e vendeve të Mesdheut, mosgatishmëria e tyre për të reformuar tregun e punës, për të tëholluar administratën, për të luftuar keqpërdorimet dhe korrupsionin. Simbol i kësaj ngecjeje është Greqia.
Gjatë gjithë krizës Merkel ka këmbëngulur që vendet në gjendje të rëndë ekonomike mund të llogarisin në ndihmë financiare, por këtë ndihmë ato duhet ta meritojnë duke zbatuar reforma të thella. Shpesh Merkel është kritikuar për moslëshimin pe, për gjoja zemërngushtësinë e saj, për padrejtësitë ndaj vendeve ekonomikisht të pafuqishme.
Në opinionin gjerman Merkel ka arritur të krijojë imazhin e “amvisës shvabe”, e cila është shembull i kursimit, zelltarisë dhe përkushtimit. Viteve të fundit kancelarja e ka hapur dukshëm partinë sa i përket temave: për barazinë gjinore tash flet edhe CDU-ja, siç flet edhe për mbrojtje të mjedisit, për respektim të të drejtave të pakicave seksuale, për më shumë çerdhe për fëmijë, për arsimim më cilësor etj.
Në të kaluarën CDU shihej vetëm si parti e vlerave konservatore dhe zëdhënëse e kapitalit. Në kohën e internetit, Facebook-ut, Twitterit, lajmeve të shpejta dhe mendimeve sipërfaqësore, Merkel shquhet si politikane që qeveris prajshëm derisa të tjerët ngarendin nga stihia në stihi. Për shembull ajo nuk shkruan as e-maila, as nuk përdor kompjuterin në punë. Këtë e bëjnë anëtarët e stafit të ngushtë.
Fitorja e saj ngjall pritje të mëdha dhe kryesisht jorealiste edhe në Ballkan, e sidomos në Kosovë e Shqipëri. Qeveria e Sali Berishës kishte shpresuar kot se Merkel do ta vizitonte Tiranën në 100-vjetorin e pavarësisë.
Por, Merkel ndien përbuzje edhe fizike ndaj vendeve që qeverisen prej politikanëve që ditën flasin për integrime europiane dhe natën sundojnë dhe plaçkitin me metoda sovjetike. Investitorët e mëdhenj dhe seriozë gjermanë qëndrojnë larg Shqipërisë dhe Kosovës. Para disa vitesh një firmë gjermane që prodhon pjesë për industrinë e veturave u përpoq të investojë në Prishtinë dhe kur menaxherët i panë rrethanat e tmerrshme kosovare vendosën të hapin fabrikë në Maqedoni.
Prodhuesi i famshëm i veturave “Mercedes” vitin e kaluar, sipas medieve kosovare, kishte konfirmuar se përfaqësuesit e autorizuar (kompanitë private) nuk mund t’i shesin vetura institucioneve të Kosovës përmes tenderëve publikë. Në qarqet politike rreth Angela Merkelit mbizotëron mendimi se klasa politike që sundon Kosovën jo vetëm që është e zhytur në korrupsion deri në fyt, por është edhe e kriminalizuar.
Për këtë vetë Merkel dhe bashkëpunëtorët e saj kanë pasur rastin të lexojnë raportet e shërbimit të saj sekret BND.
Interesi i Gjermanisë është në radhë të parë stabiliteti rajonal. Kështu shpresohet se një ditë numri i ushtarëve gjermanë paqeruajtës në Kosovë të reduktohet në minimum. Ndonjë interes ekonomik Kosova mund të zgjojë në Gjermani vetëm pas ndryshimeve rrënjësore politike dhe kur përgjegjësit e degradimit të shtetit të Kosovës do të përfundojnë në burg.
Deri atëherë opinioni i Kosovës do të ushqejë shpresa të rrejshme se dora magjike e zonjës Merkel do të na heqë qafe politikanët e korruptuar dhe do të na integrojë në Bashkimin Europian. Jo, kjo s’ka për të ndodhur kurrë. Forca e ndryshmit duhet të vijë nga brenda.
Nga shoqëria e Kosovës. Ja një shembull sa për fillim: të dielën 71,5 për qind e qytetarëve gjermanë me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje. Në Kosovë 70 për qind rrinë kot në shtëpi dhe bëjnë gjumin e ariut ditën e zgjedhjeve, pastaj në katër vjetët në vijim ankohen për keqqeverisje.
Comments (0 posted)
Post your comment