Eh, ta kishim një Merkel
Kryelajmi është zonja që ka hyrë në histori si gruaja më e fuqishme politike që ka pasur Gjermania ndonjëherë, gjatë udhëheqjes të së cilës shteti i saj u bë më i forti dhe më i rëndësishmi në Europë.
Flaka Surroi
Fitorja e Merkeles; tri njohje; një foto që u bë skandaloze pa ndonjë nevojë të madhe e që përfundoi me një skandal të paparë; shtyrja e sërishme e shitjes së PTK-së; shkuarja e sinkronizuar (?!) e Thaçit dhe e Haradinajt në Amerikë, si dhe kërcënimi primitiv i përfaqësuesit të VV-së në KQZ – u veçuan nga ato lajme të tjera që e kompletuan mozaikun e kësaj jave.
Në mesin e atyre që nuk u klasifikuan në rendin e parë të lajmeve ishte edhe riatdhesimi i doganierit lituan që u vra javën e shkuar, ndërlidhur me vendimin e EULEX-it për të dhënë 27,5 mijë euro shpërblim për atë që jep informata për vrasësin apo vrasësit. Sinqerisht, e ndjeva veten, fillimisht, shumë të pikëlluar se në Kosovë vritet njeriu, i cili megjithatë ka ardhur për të ndihmuar; më pas e ndjeva veten të diskriminuar me të kuptuar se jeta e të huajve vlen me shumë sesa e vetë kosovarëve. Sa e sa kosovari u vra në kohët kur sigurinë e mbikëqyrnin dhe e kontrollonin të huajt, e qysh as atëherë e as këtë herë askujt nuk iu kujtua të japë shpërblim për zbulimin e kryerësve të atyre veprave penale. E nuk mund të thuhet se nuk ka pasur para edhe për këto raste. E kush e di sa Seiko e sa Nokia do të na dilnin mbi sipërfaqe, e kush e di sa krimineli ishte zënë. Sa dëshpëruese.
Në mesin edhe të atyre informatave që nuk ia dolën të hynin në ranglistë ishin edhe ato në lidhje me aplikacionet e falsifikuara të serbëve për votime, si dhe ajo për rekrutimin në Policinë e Kosovës të policëve dhe të “sigurimsave” serbë që kanë punuar ilegalisht në Kosovë mbi një dekadë. Këto të dyja nuk paraqesin kurrfarë lajmesh, ngase prej serbëve, e posaçërisht nga ajo anë e kufirit, nuk mund të presësh ndryshe. E as më mirë. E posaçërisht nëse u jep hapësirë të tillë manovrimi që në fund, lëre që nuk e mbajnë fjalën, por edhe ta lënë fajin jadec.
Lajm të jashtëzakonshëm nuk u bë as Agim Çeku dhe kandidimi i tij për kryetar Prishtine. Edhe pse në kundërshtim me dispozitat ligjore që kërkojnë që kandidati të ketë qenë qytetar i Prishtinës së paku tre vjet, status të cilin e ka fituar duket para një muaji, ai del e deklaron se “është fakt i ditur se ai ka jetuar në Prishtinë”. Vallahi, fakti se ka qenë kryeministër, e edhe ministër, e edhe kryetar partie, nuk do të thotë se ka qenë edhe qytetar i Prishtinës. Po nejse, le t’i mbetet në ndërgjegje atij po qe se do të vazhdojë me fushatën ose jo. Votuesit do t’i mbetet të vendosë po qe se do ta votojë dikë që potencialisht e shkel ligjin, apo jo.
Dhe duket se kurrfarë lajmi nuk u bë kërkesa e përsëritur e zyrtarëve politikë të Kosovës që kërkojnë largimin e misionit të EULEX-it. Përderisa deri para disa muajsh këtë kërkesë e shtronin përfaqësuesit e shoqërisë civile, të pakënaqur me mosefikasitetin e misionit për sundimin e ligjit, tash, pas ardhjes së këtij shefi, e posaçërisht pas deklaratës së tij se procesi i Grupit të Drenicës mund të zgjasë deri në gusht të vitit që vjen, janë shtuar zërat qeveritarë që e kërkojnë shuarjen e misionit. Esenca e kësaj kërkese qëndron në faktin se EULEX-i ka bërë publike se ka 267 raste nëpër duar – se po merret me hetimin e krimeve të luftës, korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit me njerëz e me organe, ndër të tjera. Qëndron edhe në faktin se dy nga kandidatët për rizgjedhje si kryetar komunash nga radhët e PDK-së, Lushtaku e Muja ballafaqohen me procese gjyqësore; qëndron edhe në faktin se ish-kryetari i Komunës, i dënuar me burgim për ngasje që shkaktoi vdekjen e një djaloshi, endet i lirë falë një vendimi kontrovers të Kushtetueses dhe merr pjesë në fushatën zgjedhore të partisë së vet; e qëndron edhe te fakti se ish-kryetari tjetër i Komunës i ka ikur drejtësisë duke e kaluar kufirin para syve të policisë, etj., etj. Dhe nuk befason një kërkesë e tillë, mu për shkak se kjo udhëheqje është pjesë e krejt kësaj strukture korrupsioni dhe krimi të organizuar.
Po t’u kthehemi lajmeve të javës.
Merkel
Kryelajmi është zonja që ka hyrë në histori si gruaja më e fuqishme politike që ka pasur Gjermania ndonjëherë, gjatë udhëheqjes të së cilës shteti i saj u bë më i forti dhe më i rëndësishmi në Evropë. Shteti i cili i dikton rregullat e lojës dhe i cili hallakatet me noshalancën e ballkanasve të prirë për të vjedhur e gënjyer.
Merkel i fitoi zgjedhjet për herë të tretë, dhe kësaj radhe më bindshëm se kurrë. Do të formojë Qeveri të re, do të zgjedhë atë që është interesi parësor për shtetin dhe popullin e vet dhe nuk do të lejojë që ky të bjerë financiarisht. Përkundrazi. Do të përjetojë që të shkruhet për të, e që t’i botohen edhe kush e di sa biografi të tjera (ajo e shkruar nga Stefan Kornelius do të dalë shumë shpejt botuar nga “Botimet KOHA”) dhe do t’i ketë të merituara, për shkak se popullit dhe shtetit të vet i solli prosperitet. Dhe e dëshmoi se gratë janë udhëheqëse më të mira edhe në jetën reale, e jo vetëm në fiksion (shiko Borgenin në KTV).
Për Kosovën, fitorja e saj është e rëndësishme, për shkak se qëndrimi i saj karshi Serbisë nuk ka luhatur dhe ka qenë përherë më i logjikshëm sesa i vetë përfaqësuesve tanë në negociata. Mbetet shpresa e vetme që do ta mbajë Serbinë nën kontroll dhe që nuk do ta lejojë anëtarësimin e saj në BE, pa e zgjidhur problemin që ia shkakton Kosovës.
Tanga apo jo
Shumë bujë e madhe u bë dhe shumë kohë dhe energji u humb për të folur për një fotografi sa s’dihet të pashije dhe joatraktive të vitheve të kryetares. Postimi i statuseve nga më të ndryshmet në FB vetëm sa dëshmoi se njerëzit edhe janë lodhur prej politikës shterpe, edhe në përgjithësi nuk humbin rastin për t’u tallur me figurën e kryetares së dalë nga zarfi, së cilës nuk po mund t’ia vlerësojnë as kapacitetin intelektual e as kapacitetin për të marrë vendime, ngase ende, edhe pas dy vjetësh e gjysmë, lë përshtypjen e një marionete.
Sido që të jetë, ky fakt nuk do të duhej të shërbente si shkas për tallje të tillë pa shije; të zmadhimit të fotografisë ashtu që të hapej debati po qe se të brendshmet e kryetares janë tanga apo nuk janë tanga. Po fundja, kjo nuk është punë shtetërore dhe përse do të duhej t’i interesonte kujtdo qoftë. Dhe fort po më intereson po qe se cilido medium i verdhë do të kishte guximin ta qiste ndonjë fotografi komprometuese të ndonjë komandanti në pushtet. Nga ana tjetër, e di që po qe se Jahjaga do të ishte Merkel, kjo nuk do të kishte ndodhur, me siguri.
I gjithë kuaziskandali i kotë përfundoi me një skandal të vërtetë. Dikush në emër të Presidencës kërkoi futjen e masës së përkohshme të sigurisë ndaj portalit që e publikoi fotografinë, dhe nuk u deshën më shumë se 24 orë që një gjykatës i Gjykatës Themelore në Prishtinë ta merrte vendimin për miratimin e saj. Kështu, sipas këtij vendimi, portali duhet ta heqë artikullin, fotografinë dhe komentet përcjellëse deri në përfundimin e gjykimit civil për fyerje. Me këtë vendim gjyqësia kosovare ka dëshmuar se është e anshme dhe është diskriminuese, për shkak se në rastet e dhunës familjare merr me muaj për të miratuar masat mbrojtëse, e në “rastin tanga” vendos menjëherë. Përfundimisht dëshmon se është ndikuar politikisht. Vendimi si ky nuk lë hapësirë për dilemë.
Dueti dinamik
Rastësi apo jo, Thaçi e Haradinaj koinciduan në Amerikë. Shkuarja e tyre, thuajse e koordinuar apo edhe e sinkronizuar, ndodhi në kohën kur Thaçi po shkonte në OKB dhe kur po na komunikoheshin tri pranime të shtetësisë. Ndërkohë, Haradinaj po shkonte në Washington duke e paraqitur veten si përfaqësues të opozitës, si njeriu i alternativës politike. Udhëtimi i tyre ndodhi disa javë pas takimit të tyre publik në të cilin “folën për veriun”.
Supozimet janë që tashmë këta të dy kanë arritur marrëveshje për koalicionin e ardhshëm, edhe se eventualisht “mosmarrëveshja” në lidhje me PTK-në do ta shkaktojë rënien e Qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme me votat e AAK-së. Mirëpo, sipas thënies së vjetër, “kush digjet me tambël i fryn kosit”, duket se Haradinaj i është nisur shtegtimit amerikan në kërkim të përkrahjes dhe të sigurimit të garancive që kësaj radhe “Gjarpni” nuk ia luan lojën. Se sa është real ky supozim spekulativ, nuk mund ta di. Atë që e di është se as Haradinaj e as partia e tij në këtë mandat, lidhje me opozitë nuk kanë pasur dhe se me veprimet e veta institucionale dhe jashtinstitucionale vetëm se kanë çuar ujë në mullirin e PDK-së së Thaçit. Dhe e di se kombinimi i këtyre dy partive në pushtet do të ishte hala më keq seç e kemi tash. – “dueti dinamik” në kërkim të zaptimit të përjetshëm të pushtetit.
“Po të ishit burra”
Dhe siç ishte paralajmëruar në gazetë, Qeveria mori vendimin për shtyrjen e shitjes së PTK-së. Kësaj radhe dallimi është se po qe se nuk mblidhen paratë, firma “fituese” e tenderit mund të tërhiqet plotësisht dhe t’i marrë me vete ata tre milionë që i ka depozituar si garanci. Dhe kurrgjë kurrkujt, pos që gjatë gjithë këtyre fizkulturave, PTK-ja nuk ka mundur të bënte investime e të zgjerohej, duke ua lënë rrugën e hapur konkurrentëve në treg. Cili do të jetë hesapi këtu? Duhet pyetur burrat e Qeverisë.
E për burrë u dëshmua përfaqësuesi i “VV”-së në KQZ, kur në formën më primitive të mundur e kërcënoi shefen e vet: “S’je burrë, se kishim folë ndryshe”. Sipas definicionit tradicional të burrnisë në Kosovë, duhesh me ditë me u rreh mirë e mirë, mundësisht me ia thye eshtrat atij burrit tjetër, për ta fituar respektin e rrethit dhe të masës. Nëse e rreh edhe ndonjë grua rrugës, aq më i çmuar. Sipas definicionit më bashkëkohor, elementi i burrërisë del në pah sa herë që mungojnë argumentet logjike dhe të shtjelluara si duhet. Del sa herë që një grua e mbron qëndrimin e vet (të mirë a të keq, por që do të mund të quhej parimor) dhe del sa herë dikush beson se duhet shtyrë një ide me zor, edhe atëherë kur dihet se shkon duke u përplasur kundër murit.
Piskama histerike e përfaqësuesit të “VV”-së në mbledhje dhe ftesa që Daka ia bëri sigurimit për ta qitur këtë jashtë sallës së mbledhjeve ishin pasqyrim i keq i asaj që tashmë e dimë shumë mirë: se këto zgjedhje do të përcillen me shumë probleme, duke iu falënderuar lëmshit me lista zgjedhore e shumë çështje të tjera organizative. Por “diskursi i burrave” shumë qartë po dëshmon se ky mentaliteti primitiv është pothuajse i njëjti te të gjitha subjektet politike, pa ndonjë përjashtim as qytetar e as alternativ. Hiç ngushëlluese. Përkundrazi.
Eh, po ta kishim pasë një Merkel edhe ne... krejt punët i kishim pasë më ndryshe.
Comments (0 posted)
Post your comment