Qeverisja nuk është performancë artistike
Në këtë performancë artistike hyn edhe mania e Ramës për të publikuar fotografi nga zyrat qeveritare, të cilat duken të lëna shkretëtirë. Por, a nuk ka Shqipëria halle të tjera? Ose: a ka fotografi ku mund të shihet se si janë dukur institucionet qeveritare kur sundonte Fatos Nano apo Ilir Meta?
Enver Robelli
Ende nuk kanë kaluar 100 ditë. Ende është herët të bëhet bilanci i parë i qeverisjes së Shqipërisë nga Edi Rama, i cili në politikë hyri si piktor e publicist. Parimisht është mirë që në politikë të ketë sa më shumë njerëz që vijnë nga ajo që quhet “botë shpirtërore”. Në politikë ka tepër juristë të dobët dhe ekonomistë dashakeqës që merren me menaxhimin e kuletës së tyre. Në politikën shqiptare kudo në Ballkan ka shumë të tillë, por edhe më shumë ka – diletantë! Motoja e tyre është “futu pak në politikë dhe këput ndonjë tender”. Ky trend, dorën në zemër, ka lëshuar rrënjë edhe në kulturë. “Shkruaj një vjershë dhe bëhu poet”. S’ka gjë që vargjet e tua të marra s’i lexojnë as të marrët e mëhallës. – Ndonëse nuk kanë kaluar as 100 ditë prej se Edi Rama gjendet në pushtet, nëse gjykojmë sipas asaj se “dita e mirë shihet në mëngjes” ose “dita e keqe shihet edhe para mëngjesit”, atëherë që tani po vërehet një prirje e Ramës që politikën dhe artin e qeverisjes ta reduktojë në performancë artistike. Kjo mund të duket atraktive në fillim, sidomos për mediet, por kurrsesi nuk është rruga e duhur për zhvillimin e Shqipërisë.
Tigra dhe jaguarë
Edi Rama ka trashëguar një shtet ku primitivizmi dhe vjedhja ishte e institucionalizuar. Këtë primitivizëm e shohim ende: si u bë që një ministre e Qeverisë së Sali Berishës, sot deputete, shëtit rrugëve të Tiranës dhe shkon në Parlament me veturë të markës “Jaguar”? A nuk është Shqipëria vendi që pothuaj në çdo raport ndërkombëtar përshkruhet si “streha më e varfër e Europës”? Rama po ashtu ka trashëguar një vend ku respekti për të drejtat njerëzore dhe sidomos të drejtat e punëtorëve ishin afruar te zeroja. Dy shembuj mjaftojnë: tragjedia e Gërdecit e shkaktuar nga energjia kriminale e qarqeve të afërta me Qeverinë e Sali Berishës. Dhe vrasjet e 21 janarit, për të cilat përgjegjësia kolosale bie mbi vrasësit dhe urdhërdhënësit, por në një masë të caktuar edhe mbi Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, të cilët nxorën në rrugë mijëra njerëz dhe kur situata eskaloi Edi Rama u struk diku në Bulevard. Një sjellje e tillë i përgjigjet mentalitetit shqiptar në Ballkan: shumica, e sidomos shumica e politikanëve, sillet sikur jeton përkohësisht në vendin e vet dhe nuk merr përgjegjësi për asgjë. A nuk është shembull i tillë tigri politik, Fatos Nano? Me vilë në Vjenë, me një strehë rezervë. Ku i mori paratë? Dhe pse këtë pyetje nuk e shtron askush në shoqërinë shqiptare? A nuk janë shembuj vulgarë plot politikanë të tjerë që kanë blerë banesa jashtë vendit? Madje edhe pushimet i kalojnë në kazerma turistike të Turqisë, sepse atdheu yt, Shqipëria, nuk qenka i denjë për të bërë pushime e për të harxhuar pak para këtu, ku do të përfitonte ekonomia vendore.
Ka diçka edhe më të mërzitshme në këtë mes: prirja dhe pritja që shpëtimi do të vijë nga jashtë është shtrat i kulturës shqiptare në Ballkan. I keni parë gjithë ato jargëzime kur Edi Rama e futi në mbledhje të Qeverisë Tony Blair-in, ish-kryeministrin britanik. Po, Blair ka merita të mëdha jo vetëm për ndërprerjen e terrorit serb në Kosovë, por ai sot në arenën ndërkombëtare nuk ka ndonjë ndikim. Pas rreshtimit të tij prapa George W. Bushit në luftën kundër Irakut, një luftë e arsyetuar me rrena (për çka sot turpërohet edhe ministri i atëhershëm i Jashtëm amerikan Colin Powell), Tony Blair është përpjekur disa herë të imponohet si protagonist në politikën ndërkombëtare (mes tjerash edhe si ndërmjetës i emëruar nga OKB-ja për zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve), por pa sukses. Edi Rama tani e futi në mbledhje të Qeverisë, një praktikë deri më tani të panjohur në punën e institucioneve shtetërore. Zakonisht politikanët e huaj flasin në parlament. “Shpëtimi vjen nga jashtë, ne vetëm duhet ta kërkojmë, t’i shtrijmë duart”: kjo duket të jetë motoja e punës e mentalitetit shqiptar. Këtu as kjo Qeveri e re e Tiranës nuk dallon shumë nga paraardhëset e saj. Një ministër tha këto ditë se “jemi konsultuar me partnerët ndërkombëtarë për Ligjin për shërbyesit civilë”, tjetri nënvizoi se “diplomacinë do ta reformojmë me ndihmën e zonjës Ashton”. Kështu ecin ditët dhe politika shqiptare vazhdon të bëhet gaz i botës. Përse për gjëra aq interne duhet “konsultuar” të ashtuquajturit miq ndërkombëtarë? Sërish: shtrati i kulturës shqiptare në Ballkan është një lëmsh mes servilizmit, pasigurisë, dembelizmit dhe paaftësisë.
Politika si biznes
Në këtë performancë artistike hyn edhe mania e Ramës për të publikuar fotografi nga zyrat qeveritare, të cilat duken të lëna shkretëtirë. Por, a nuk ka Shqipëria halle të tjera? Ose: a ka fotografi ku mund të shihet se si janë dukur institucionet qeveritare kur sundonte Fatos Nano apo Ilir Meta? A hyn në këtë performancë artistike edhe kapitulli i errët i vitit 1997, kur shumë politikanë socialistë ikën nga Parlamenti dhe iu bashkuan bandave, kriminelëve të ikur nga burgu, agjentëve të shteteve të huaja në emër të luftës kundër piramidave mashtruese financiare? Përgjegjësia e Berishës për piramidat është e ditur dhe e nënvizuar edhe historikisht, por çfarë qëndrimi ka artisti Edi Rama edhe për rolin e partiakëve të tij në këtë rrëmujë të përgjakshme? Edhe nëse e lëmë anash të kaluarën, ka pyetje që lidhen me aktualitetin: para zgjedhjeve mediet shqiptare kanë shkruar për politikanë socialistë që kërkohen nga Interpoli. Për socialistë që rrotullojnë miliona euro falë bizneseve të paligjshme.
Në performancën artistike të Edi Ramës gjithnjë e më shumë po hyn edhe Kosova. Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Tiranës dhe asaj të Prishtinës në Prizren, e cila është paralajmëruar për muajin nëntor, do të jetë një shfaqje e tillë. Ministrat do të ulen përballë njëri-tjetrit, Edi Rama do të marrë me vete fotografinë e Ismail Qemalit, i cili ka larg më pak merita për pavarësinë e Shqipërisë se Hasan Prishtina, dhe për nja dy-tri orë do të dëgjojmë përralla të bukura patriotike dhe legjenda për integrimet europiane. Duke qenë se Berisha sidomos në dy vjetët e fundit i ka rënë borisë së nacionalizimit folklorik socialistët po mendojnë se duhet të dëshmohen edhe ata “ndaj miqve kosovarë”. Do të vazhdojë avazi i vjetër i vizitave të pakuptimta dhe gati të përditshme të delegacioneve të Tiranës në Prishtinë dhe anasjelltas. Dhe i takimeve në Prizren. Sikur këto para të jepeshin për të rregulluar të ashtuquajturën “Rrugë e Kombit”. Sikur këto para të shfrytëzoheshin për të shtuar masat e sigurisë në atë rrugë. Sikur këto para të harxhoheshin për të mirën e vendit dhe jo për dreka, darka e hotele.
Fenomene të njëjta, kute të ndryshme
Sa i përket Ramës: evidente është që nuk ka ndonjë njohuri për historinë politike të Kosovës. Ai ka shkruar në vitet 90 shumë për zhvillimet politike, shoqërore dhe ambientale në Shqipëri. Kosova nuk ka qenë në fokusin e tij. Duke e parë një lloj fryme të përbashkët të shqiptarëve në Ballkan, e cila është bërë e mundshme falë rrugëve të reja të komunikimit (autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe mediet sociale), Rama ka filluar të kuptojë së shqiptarët ekzistojnë edhe përtej Shkodrës dhe Dibrës. Ai është i vetëdijshëm se socialistët në Kosovë nuk gëzojnë ndonjë “imazh patriotik”, ndër të vetmit që pranohen në këtë kontekst është ish-kryeministri Pandeli Majko, ndonëse edhe ky më shumë në nivel folklorik se sa thelbësor. Për të hequr këtë “damkë” apo “njollë” dhe për t’iu kundërpërgjigjur edhe Berishës, i cili pretendonte se është i licencuar për patriotizëm, Rama po përpiqet të tregojë një patriotizëm pak më ndryshe. Në këtë kontekst duhet parë rrugëtimin e tij me ekspozitën me flamuj kombëtarë vitin e kaluar me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, me ç’rast ishte në Prishtinë dhe Gjakovë apo shkuarjen e tij në Preshevë, ku kërkoi të hapet një maternitet për nënat shqiptare në atë rajon. Por, në të njëjtën kohë, Rama po bën gafa të mëdha politike, për shembull kur shkruan në “Twitter” se mezi pret ta përqafojë në liri Sami Lushtakun, një figurë politiko-nëntokësore e Partisë Demokratike të Kosovës. Ose kur e lartëson në qiell Rexhep Qosjen për kritikat e tij shpeshherë të drejta ndaj tmerreve të Qeverisë së Berishës, por, njëkohësisht, Rama nuk ka haber se Qosja për tmerre të njëjta (në mos edhe më të mëdha që në Kosovë i kanë shkaktuar Hashim Thaçi, Sami Lushtaku dhe shpura e tyre) ka heshtur stoikisht. Dihet se nuk mund të ketë kute të ndryshme për fenomene të njëjta negative. Rama ose nuk e ka idenë se çfarë imazhi ka Lushtaku në mesin e shoqërisë së Kosovës, ose Ramës i pëlqen të sillet si “çun mamaje” që entuziazmohet me “të fortit e lagjes”, të cilët duke pirë birra tregojnë me humor se kë kanë rrahur e kërcënuar dhe cilin tender kanë manipuluar, sa para kanë vjedhur nga ndërmarrjet publike dhe cilat terminale doganore i kontrollojnë. Nëse Rama vazhdon me këtë qasje ndaj Kosovës, që reduktohet në përqafim të “drumski razbojnikave”, atëherë do të shohim se edhe emërimi i Shkëlzen Maliqit në postin e këshilltarit më shumë është pjesë e performancës artistike. (Se ç’domethënë “drumski razbojnik” Ramës mund t’ia shpjegojë mirë Maliqi dhe ndoshta do të përfitojë nga ky shpjegim).
Kontinuitet manipulimesh
Në shikim të parë, natyrisht, edhe Shqipëria për Kosovën është shtet fqinj. Por, është fqinji më i veçantë për shkak të etnisë së përbashkët ose relativisht të përbashkët. Dallimet mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë janë përafërsisht po aq të mëdha sa dallimet mes gjermanëve të Bavarisë dhe atyre të Hamburgut. Historikisht Shqipëria është idealizuar nga një pjesë e kosovarëve si “shtet amë”. Një rol të tillë Shqipëria nuk ka arritur ta luajë pothuaj kurrë gjatë shekullit XX. Irredentizmin kosovar e kanë luftuar si mbreti Ahmet Zogu, ashtu edhe diktatori komunist Enver Hoxha, në radhë të parë për shkak të interesave të tyre të brendshme politike dhe ruajtjes së pushtetit. Hoxha filloi të mbështeste më intensivisht me parulla nacionalkomuniste grupet e ashtuquajtura “marksist-leniniste” në Kosovë nga fundi i viteve 70, kur aleanca e Tiranës me “vëllezërit kinezë” ishte në prishje e sipër dhe kur diktatorit i duhej një temë emocionale për të larguar vëmendjen nga katastrofa ekonomike, politike dhe sociale që kishte shkaktuar regjimi i tij. Në atë çast që një “marksist-leninist” kosovar duke parë Perëndimin nuk u besonte marrëzive të tiranëve të Tiranës së kuqe, ai menjëherë stigmatizohej si “armik i popullit” dhe “tradhtar”.
Në periudhën e transicionit, pas rrëzimit të komunizmit dhe përpjekjeve kryesisht të dështuara për instalimin e demokracisë në Shqipëri, politikanët e Tiranës, pa marrë parasysh çfarë ngjyre partiake kanë bartur, janë përpjekur që çështjen e Kosovës ta përdorin për interesa të tyre politike dhe jo si çështje që u përket krejt shqiptarëve të Ballkanit dhe që është esenciale për rreshtimin gjeostrategjik drejt Perëndimit. Duhet theksuar se në kulmin e luftës së Kosovës Sali Berisha përpiqej të bënte puç në Tiranë (shtator 1998). Për të larguar vëmendjen nga kriza e piramidave, Berisha përmes TVSH-së bënte presion mbi palën kosovare që të nxirrte popullin në demonstrata për të përkrahur protestat në Beograd kundër manipulimeve zgjedhore nga Slobodan Milosheviqi (dimër 1996-97). Lideri i socialistëve, Fatos Nano, ndërkaq, më shumë luante rolin e një kozmopoliti të kazinove se sa të një politikani që mbronte interesat e Kosovës. Ai i kishte dërguar mesazh opinionit perëndimor, përmes një interviste në revistën gjermane “Der Spiegel”, se pavarësia e Kosovës nuk ishte në harmoni me “Europën e bashkuar”, madje Nano premtonte se “do të flasë së shpejti me Rugovën dhe jam i bindur se për kombin tonë shqiptar ai do të përkrahë një zgjidhje europiane”. Ky eufemizëm përdorej edhe nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës për të maskuar autonominë e Kosovës në kuadër të Serbisë. “Zgjidhja europiane” ishte që kryeqytet i Kosovës të jetë edhe më tutje Beogradi.
Parulla pa përmbajtje
Si shfajësim për të gjithë këta politikanë duhet thënë: bëhet fjalë për individë që nuk arritën dot të kalojnë me mendje në demokraci. Ishin dhe mbetën politikanë të interesuar vetëm për sundim dhe pushtet – me çdo çmim dhe jo duke respektuar rregullat e demokracisë. Të gjitha këto na tregojnë: shqiptarët në Ballkan, të shpërndarë në disa shtete, nuk e njohin mirë njëri-tjetrin, rrjedhimisht as nuk kanë fort ide për kërkesat përkatëse. Por, gjeneratat e reja mund të quhen me fat: nuk ka më asnjë pengesë reale për t’u afruar shqiptarët, natyrisht me vlera dhe me synim të përbashkët - integrimet europiane. Nëse Berishës, Nanos dhe sojit të tyre integrimet europiane u kanë shërbyer vetëm si parulla pa përmbajtje, gjeneratat e ardhshme duhet ta mbushin me përmbajtje këtë synim. Për shqiptarët e Kosovës interes primar duhet të jetë qeverisja e mirë e Shqipërisë dhe jo cila parti e qeveris Shqipërinë. Nuk u takon shqiptarëve të Kosovës të përzihen në këtë çështje. Njëjtë duhet të veprojë dhe Shqipëria ndaj Kosovës. Nuk ka nevojë Kosova për emisarë të Tiranës që japin leksione mejhaneve të Prishtinës për shqiptarizëm dhe patriotizëm. As për gjeneralë bizarë të Enver Hoxhës që bredhin nëpër Kosovë duke treguar përralla për bëmat e tyre për “çlirimin e Kosovës”. Vendimi për afrimin e shqiptarëve është marrë në Bruksel dhe Washington. Por, për dallim prej nacionalistëve mesjetarë shqiptarë, ky bashkim nuk nënkupton bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet dhe prishjen e kufijve ekzistues, sepse, sigurisht, ka edhe popuj të tjerë ballkanikë që do të kishin kërkesa të tilla. Bashkim është krijimi i shteteve funksionale, të cilat janë në gjendje të lehtësojnë dhe favorizojnë zhvillimin ekonomik. Kjo është një punë gjigante dhe për Edi Ramën do të ishte më mirë të koncentrohej në këtë çështje dhe jo në “akte artistike”.
Në Kosovë dija politike për Shqipërinë është e kufizuar. Në zgjedhjet e fundit parlamentare lëvizja politike për bashkim kombëtar, e ashtuquajtura Aleanca Kuq e Zi, mori më pak vota seç ka banorë një fshat në rrethinën e Tiranës, por në Kosovë kishte njerëz që mendonin se kjo aleancë do të dalë partia e parë ose e dytë. Zgjedhjet dëshmuan se njerëzit në Shqipëri më shumë janë të interesuar për mirëqenie se sa për vrapim pas ideve të mëdha pa përmbajtje dhe të cilat prezantohen nga politikanë mashtrues, siç ishte tipi i Kreshnik Spahiut. Nëpër një proces mësimi duhet të kalojë edhe Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë nëse dëshiron të qëndrojë në politikë më gjatë se një mandat parlamentar. Njerëzit e kanë kuptuar qëmoti se bashkimi ka ndodhur, nuk ka asnjë pengesë për bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këtë fakt mbetet ta kuptojnë edhe disa liderë politikë.
Me sy nga Moldavia
Ndërkohë Edi Rama do të ishte mirë që të linte anash performancat artistike dhe të fillonte realizimin e projektit të madh: 300 mijë vende pune dhe çlirimin e Shqipërisë nga barbaria e ndërtimeve pa plan. Në fund të mandatit ai duhet të matet me këto premtime të mëdha dhe jo me numrin e fotografive që ka postuar në “Facebook” apo me numrin e llafeve që ka lënë në “Twitter”. Tani për tani po shohim vetëm aksione artistike. I fundit ishte propozimi për mbledhje të përbashkëta me Qeverinë e Turqisë. E ç’na pret në të ardhmen? Mbledhje të përbashkëta me kabinetin e Moldavisë? Ja dy tema: luftimi i trafikimit të njerëzve dhe krahasimi nëse Shqipëria apo Moldavia janë vendet më të varfra në Europë?
Comments (0 posted)
Post your comment