Home | Opinion | Mirëbesimi i mirëqenë historik

Mirëbesimi i mirëqenë historik

image
 ‘Rrota’ e fatit jo gjithnjë e ka shtruar rrugën paq për ne por me SHBA në krah, ‘monopotet’ kanë kohë që i kanë lënë vendin ‘autostradës’ dhe tashmë që ‘fati’ na buzëqesh, t’i buzëqeshim dhe ne.

 

 

 

 

Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. DUKA

 

 

 

 

 

Aksiom që nuk lë vend për merakMeraku publik që provokoi çështja e armëve kimike nuk duhej të lihej të rrokullisej në inercinë e tij, aq më tepër të spekulohej me të. Përbri dëshirave, ka detyrime dhe përgjegjësi, veçanërisht kur apeli për bashkëpunim vjen nga SHBA, partnershipi unik me të cilën është jetik për një komb që po rilind me ambicje në rajon dhe një qeveri që kërkon të bëjë histori. E shndërruar në aksiom, dashamirësia dhe predispozicioni i SHBA ndaj kombit shqiptar, përbën tashmë një premisë të mirëqenë që nuk lë vend për dilema apo paragjykime në bashkëpunimin mes nesh. Si shprehje e vetë interesit kombëtar, ndjenja unifikuese proamerikane mes nesh përbën një aset të vyer që aq sa motivon për afërsinë me vendin që simbolizon kauzën e lirisë dhe mbrojtësin e saj në botë, po aq dhe duhet merituar e konsoliduar përballë retorikës boshe e spekulimit prej maskarenjve në politikë që për analogji tek ‘amerikanizmi’ i shtirur gjejnë strehën e fundit, antiamerikanizmit të frymëzuar nga ekstremizmi i rradhës i kujtdo natyre, gjeopolitikat tradicionale antishqiptare në rajon etj.

PO e POR... Ky partnership unik nuk fillon dhe as nuk mbaron me çështjen e armëve kimike të Asad dhe sesa një PO apo JO, rëndësi ka mirëbesimi, respekti, korrektesa dhe koherenca në të. Qeveria nuk e ka komoditetin e komunikimit sikurse qytetari dhe opinioni i lirë në bulevard, për rrjedhojë, ndaj apelit të partnerit unik, ‘dera’ e bashkëpunimit mbahet e hapur edhe pa trokitur, në mos një kopje e ‘çelsit’ i jepet po ashtu. Premisa e mirëbesimit reciprok presupozon jo vetëm demostrim vullneti apriori për bashkëpunim (një PO në parim ndaj çdo apeli) por dhe sinqeritet dhe realizëm për të mos krijuar pritshmëri që, nëse për arsye objektive nuk përmbushen, mund të provokojnë zhgënjim, kosto e të cilit, veçanërisht në rast përsëritjeje, mund ta tejkalojë atë të shansit të humbur duke ndikuar në raportin mes palëve dhe vetë interesin kombëtar. Një PO në parim si shprehje e vullnetit dhe përkushtimit maksimal mes palëve, sa kohë mirëkuptohet pa ekuivok se mbetet subjekt i dinamikës së zhvillimeve objektive mbi palët, nuk cënon mirëbesimin mes palëve edhe kur përgjigja është JO (një e tillë do të provokonte zhgënjim vetëm nëse qasja fillestare ndaj problemit shfaq referenca të llojit ‘nuk ka problem’ aq tipike për komunikimin urban mes nesh ndërkohë që në perëndim PO nënkupton PO).

PO-ja në parim ndaj apelit për armët kimike që ‘blen’ kohën e nevojshme për marrëdhënie efektive publike dhe transparencë në respekt të konfidencialitetit më aktorët e tjerë në vend (publiku, koalicioni, opozita, parlamenti, grupet e interesit etj) me synim mirëkuptimin integral, është e vetmja qasje e pritshme që dhe në rast të një JO-je finale, lë derën e bashkëpunimit hapur për të tjera sfida të përbashkëta më pas. Qytetari dhe skuthëri Protesta qytetare për transparencë dhe përgjegjshmëri për çështjen e armëve kimike ishte triumf i emancipimit pa kthim të demokracisë në vend. Ajo nuk mund të paragjykohet në thelbin e saj dhe nuk ka të bëjë ‘ngjyrën’ e qeverisjes së rradhës por si magnet për ringjizjen e qytetarisë së munguar gjatë, ajo u provokua jo pak në integritet prej politikës së mbrapshtë dhe levave klienteliste të saj që nën dekorin e krijuar, kuturisjen antiqeveri e shpunë deri në provokim të ndjeshmërive jetike për partnershipin me SHBA.Duke ‘luajtur’ me ç’ka nuk luhet, lidershipi opozitar jo vetëm nuk bëri të tijën për të mbështetur një proces sa më objektiv vendimarrjeje ku merita nuk monopolizohet nga askush, por përkundrazi, bëri ‘politikë’ deri në kompromentim të premisave për një gjë të tillë. Ndërkohë që qeveria respektoi edhe apelin e protestës, dilema spostohet tek qasja e rradhës për vendimarrje po aq jetike në të ardhmen. Zëri i protestës duhet respektuar por në pamundësi referendumi, vendimmarrja certifikohet nga parlamenti legjitim, gjë që sërish shtron nevojën e hartimit të një ligji të ri zgjedhor ku deputeti të ndjehet i varur jo prej vullnetit të liderit partiak por elektoratit që përfaqëson.

Qeverisja në demokraci reflekton por nuk bëhet duke hedhur sytë nga sheshi (përveçse alibi) dhe në kushtet kur çdo opozitë mund të mbushë një të tillë edhe për interesa spekulative të ditës, vendimmarrja qeveritare dhe interesi i shoqërisë nuk mund të mbetet peng i askujt. Boomerangu ‘no comment’ Ndërkohë që duhet vlerësuar ruajtja e konfidencialitetit prej qeverisë si një detyrim për partnership serioz, qasja ‘no comment’ komplikoi artificialisht pozicionin e saj në publik (gjëra që u thanë në fund, mund të thuheshin që në fillim, ndryshe, nëse konfidenciale, nuk duhej të përmendeshin fare). Lajmi i shtëpisë nuk ka pse të vijë nga goja e ‘botës’ dhe vakumi informativ, qoftë dhe për pak ditë, falë aksesit e shpejtësisë online, lë shteg për larmi dhe ‘orteqe’ opinionesh (me apo pa vend) në publik apo mes VIP, tundon median në krijimin e ‘lajmit’ të saj nga burime jozyrtare apo të treta, nxit spekulime të qëllimshme e deri konspirative (interesa klienteliste, alibi qeveritare, qasje sorosiane ndaj problemit, interesa antishqiptare etj).

Në të tilla kontekste me rëndësi për interesin afatgjatë të shoqërisë, marrëdhëniet me publikun janë vendimtare dhe fakti nëse përcjell informacion apo jo, natyra e tij, protagonizmi, momenti dhe mënyra e ofrimit të tij ndikon jo vetëm në fatin e vendimarrjeve jetike dhe imazhin e protagonistëve të përfshirë në të por dhe konsolidimin e vetë partnershipit në fjalë. ‘Ora’ jonë Tërheqja e së premtes shihet nga syresh si një shans i humbur (gjithçka do të shkonte mirë sa kohë e pranishme ishte vetë SHBA) që do të rikonfiguronte jo vetëm gjeopolitikat në rajon në favor të Shqipërisë por dhe do të konsolidonte më tej partnershipin me SHBA. Të tjerë besojnë se ky partnership i çmuar u bë akoma më dinjitoz (me efekte edhe në politikën tani e tutje me fqinjët) dhe se zhvillimi afatgjatë dhe forcimi i rolit të vendit në rajon e më gjerë lidhet me emancipimin në vijimësi të demokracisë dhe konsolidimin e shtetit ligjor si kudo në perëndim.

Në të dyja rastet, e përbashkët është jo vetëm interesi kombëtar por dhe partnershipi unik strategjik me SHBA. Dhe nëse Shqipëria do të thoshte PO, kjo nuk do të ndodhte sepse kemi një klikë autoritariste në krye si më parë (‘kone’ jashtë dhe ‘ujk’ brenda) që nisej nga interesa klienteliste apo shtim artificial të ‘proamerikanizmit’ për interesa politike të ditës por se kemi një qeveri që të ardhmen e vendit nuk e sheh si ‘ishull’ por në harmoni me të ardhmen e perëndimit të qytetëruar ku ashtu siç ndahen vlerat dhe arritjet, i vihet supi edhe sfidave të përbashkëta. Përtej një sfide të caktuar, ajo ç’ka është jetike mes partnerësh është predispozicioni dhe mirëbesimi reciprok në vijimësi për të tjera sfida që e ardhmja bart. ‘Rrota’ e fatit jo gjithnjë e ka shtruar rrugën paq për ne por me SHBA në krah, ‘monopotet’ kanë kohë që i kanë lënë vendin ‘autostradës’ dhe tashmë që ‘fati’ na buzëqesh, t’i buzëqeshim dhe ne.

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00