Panairi i Gënjeshtrave
Shtyllat e Elitës janë përgjithësisht të mbrojtura nga dhuna e skamjes dhe e parasë, si mjet i shitblerjes së fjalës dhe ideve. Janë të mbrojtura nga Ligji dhe Imuniteti, me qëllim që dhuna dhe shtrëngesa e pushteteve dhe monopoleve, të mos mundet t’i shtrembërojë vizionin dhe gjykimin në kohë të vështira.
Artur Zheji
Gënjeshtra është, dhe kjo nuk ka nevojë për vërtetim, një realitet i mbramë dhe i mbrapshtë i natyrës njerëzore. Një shpikje apo një nevojë, një skutë apo një armë, përdorur përgjatë betejave të mundimshme për t’u përshtatur gjatë evolucionit të racës njerëzore. Është pra dhe themeli mbi të cilin ngrihet e lartësohet më e shumta e marrëdhënieve njerëzore. Një themel që përcaktohet nga natyra vdekatare e njeriut, ndoshta qëkurse njeriu i parë mbi tokë vrau tinëzisht dhe mbas shpine vëllain e vet të parë.
Mirëpo ky themel i shpikur nga dobësia, sot është, në Shqipëri një stil dhe një mjeshtëri e pashoqe. Pra, jo vetëm themel i padukshëm, por edhe mure, edhe dritare, edhe çati, edhe stil jete publike.
Si të thuash, shoku më i ngushtë i burrit është dashnori i gruas, apo oborrtari më shembullor është ai që mpreh çdo natë thikën për vrasjen pas shpine të shefit, apo shefi vetë ngrihet lart e më lart në çdo piedestal, në vartësi të talentit për të gënjyer mjeshtërisht, sepse sot kjo mjeshtëri është pa dyshim biznesi më i suksesshëm.
Shqipëria sot është një koloni ku një mori piramidash, më të sofistikuara se ato trashaniket e vitit ‘96-‘97, kontrollojnë pothuajse krejt sistemin. Ekonomik, mediatik dhe politik. Shqipëria ngjan gjithmonë e më shumë me një kuti boshe me mure të pikturuara dhe kaq.
Sepse sot, në botën e cila është gjithmonë e më shumë vetëm e parasë, pranuar universalisht si një shprehje e përqendruar e egoizmit njerëzor, për të pasur më shumë, më shumë vëmendje, më shumë shërbime, më shumë kënaqësi, më shumë “liri”, më shumë jopërgjegjësi, më shumë hapësirë, më shumë arbitraritet të pagjykueshëm, më shumë të jetës së tjetrit në shërbim të jetës tënde, duhet më shumë, gjithmonë e më shumë para. Dhe paratë më së shumti nuk fitohen, por thjesht vidhen masivisht, në një grabitje masive të një populli që mbetet gjithmonë, pavarësisht resurseve, padrejtësisht i varfër.
Sa më i egër dhe i pazhvilluar të jetë një realitet, po aq më e ashpër dhe më e pamoralshme bëhet lufta për para dhe kontrollin e flukseve nga dhe ku buron dhe ripërtëritet ajo:
Kryesisht xhepat e më të shumtëve, burimet natyrore dhe pasja e pasuria e të tjerëve, në çfarëdo forme të paraqitet ajo.
Lufta për Paranë, nënkupto vënien e Vetvetes, sa më në Qendër të Universit të vdekshëm njerëzor, ka pa dyshim si instrument themelor Gënjeshtrën dhe sofistikimin e saj. Vetë Gënjeshtra që të duket më bindëse, duhet të jetë një banore e përkëdhelur në zyrat e Pushtetit.
A nuk është qesharake kur shohim jo rrallë ca fytyra asgjëthënëse, të cilave u drejtohen dhjetëra kamera dhe mikrofona, për të pavdekësuar asgjëthënien e tyre? Shpesh pohime të gënjeshtërta? Dhe më pas komenti bëhet me komplimentin drithërues: ah, sa bukur e tha! Çfarë gënjeshtre e hatashme! E denjë për burra shteti!
Më thosh dikur im Atë: do të provosh se sa i fortë je realisht?
“Thuaj të vërtetën, të paktën për disa ditë rresht. Në cilëndo rrethanë të ndodhesh. A mundesh dot?!”
Ftoj gjithkënd ta provojë vetëm disa orë këtë eksperiment, për të vërtetuar se më e shumta e marrëdhënieve njerëzore është e ndërtuar me fijet e një pëlhure merimangash, endur me fije të gënjeshtërta. Dhe, ndryshe nga çfarë pandeh shumica, shumica njerëzore dhe e mjera shumicë, që me të tepërt trajtohet botërisht si një kope e stërmadhe bagëtie, ndryshe pra nga çfarë kopesë i serviret për të besuar, sa më “lart” të ngjitesh në atë shtresë që mbiquhet “superstrukturë”, e pra, popullorçe e thirrur si “ajka” e shoqërisë, aq më shumë densitet gënjeshtre do të ndeshim.
Sepse, për banorët e paktë dhe të zgjedhur të Planetit “Ajkë”, të ushqyerit dhe të prodhuarit e Gënjeshtrës është, si të thuash, oksigjeni dhe biznesi, pa të cilin ata nuk munden të mbijetojnë asnjë grimë.
Po ashtu edhe përpara një grabitjeje të madhe, në shoqërinë ku ne jetojmë vijnë gjithmonë një përqafim dhe një seri puthjesh të mëdha, përpara se sa të mbërrijë grabitja apo “vrasja” e madhe.
Në vendet “demokratike” kjo përsëritet për shembull çdo katër vjet me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Zgjedhjet dhe fushatat elektorale, pra!
Zakonisht e më së shumti, Festa më e Madhe e Gënjeshtrave të Mëdha.
E pra, konkursi i pashpallur dhe i kahershëm, është:
Kush gënjen më hollë! Dhe në mprehtësinë e tejskajshme të Gënjeshtrës më të hollë, shoqëruar me premtime e gallata si këto, ka një Fitues të Përkohshëm dhe një Humbës të Përkohshëm. Sepse gara mbetet e hapur për katër vitet e ardhshme, se cikli vazhdon. Gënjeshtra e radhës fiton, mbretëron e më pastaj vdes, duke i lënë radhën Gënjeshtrës pasardhëse.
Të gjitha këto realitete të rreme pra, janë vetëm bijëza, nipçe e kopile të një Universi të tërë, ngritur në thelb, dhe ky thelb dhemb për të gjithë njëlloj, po aq sa mbi Jetën edhe mbi Vdekjen.
Sepse këtu dhe ngrihet Nëna e të gjitha Gënjeshtrave, apo varri i të gjitha të Vërtetave të Përkohshme.
Pikërisht te natyra e Vdekshme njerëzore, që e ndjek si hije hapa pas hapi jetën tonë të përditshme. Qoftë kjo e pasur, qoftë po aq e varfër, e pushtetshme apo e shtypur.
Është e dhimbshme të pohosh, por në Shqipëri, e vetmja që thotë të vërtetën është Vdekja, e cila në një vend si ky, ku respekti për jetën është mjeran si vetë vendi, nuk ka kohë, që ajo, vdekja të mprehë draprin e saj dhe djersitet e mundohet e shkreta nga punë e tepërt.
Mos vallë është dhe kjo analizë një gënjeshtër? Ndoshta. Porse si zhvillohen dhe rriten e prosperohen ca vende të tjera, ndërsa ndër ne mjerimi nuk kurohet askurrë?!
Duket se atje, kaq afër dhe kaq larg, i kanë bërë një korrigjim të mençur kësaj sëmundjeje njerëzore, që shoqëria jonë e vuan në nivelin e saj më primitiv.
Sepse ndryshimi ndërmjet një vendi të zhvilluar dhe një vendi të harruar nga Zoti, si Shqipëria dhe mjaft vende afrikane, aziatike e ameriko-latine, janë shtyllat që vendos Elita.
Shtyllat e Elitës Fetare, Shtyllat e Elitës Akademike dhe në politikë Shtyllat e Elitës Senatoriale.
Këto tri Shtylla nuk se janë edhe ato të patundshme. Por janë nga më të qëndrueshmet. Evolucioni, nga shkalla primitive te katet më të larta të shoqërive të zhvilluara qëndron pikërisht në këtë “sekret”, që është ndërtuar me shekuj dhe me shumë dashuri të të “marrëve”, që më shpesh se të tjerët kanë thënë të Vërtetën. Ose, siç do të mund të thosh dikush: këtë qelbësirë të ndyrë që na ngatërrohet ndër këmbë e
“E Vërteta!” që mos qoftë!…
Shtyllat e Elitës janë përgjithësisht të mbrojtura nga dhuna e skamjes dhe e parasë, si mjet i shitblerjes së fjalës dhe ideve. Janë të mbrojtura nga Ligji dhe Imuniteti, me qëllim që dhuna dhe shtrëngesa e pushteteve dhe monopoleve, të mos mundet t’i shtrembërojë vizionin dhe gjykimin në kohë të vështira. Janë gjithashtu të mbrojtura nga nevoja e karrierës, si një pasion që të mund t’i tundojë për të shkelur mbi domosdoshmërinë e thënies së disa të Vërtetave pashmangshmërisht të nevojshme për t’u thënë.
Këto Tri Shtylla të Elitës, me këtë mbrojtje të trefishtë, janë në të vërtetë edhe Garantët e Shoqërisë. Të Shoqërisë së Zhvilluar dhe të Qëndrueshme, që garanton pra të Vërtetën, apo të Vërtetat e duhura, duke mos lejuar Diktaturën e Gënjeshtrës. Një realitet më se aktual në shoqërinë e sotme shqiptare.
Mjerisht në Shqipëri, nuk kemi të pranishme asnjë nga këto tri shtylla mbrojtëse të Elitës.
As Elitën Fetare, as Elitën Akademike dhe as Elitën Senatoriale.
Duke qenë se funksioni i Elitës, e thënë ndryshe dhe me një farë retorike, edhe Ndërgjegjja e Kombit, Syri dhe Mendja e tij, në të vërtetë pra, nuk është çudi sepse ne, shqiptarët dhe Shqipëria, reagojmë më së shumti si një popull pa Sy dhe pa Mendje.
Prandaj edhe lëvizjet më të fundit të popullit të madh dhe virtuoz të blogjeve dhe internetit ishte një gjë e bukur dhe e vërtetë, por tejet fluide dhe nën presionin e një emergjence. Një gjë e mirë, e madhe e bukur, e re, por e pamjaftueshme.
Sepse shqiptarët dhe Shqipëria, si kategori e një vendi thelbësisht të pazhvilluar, në mungesë të Shtyllave të Elitës, udhëhiqet vetëm nga politikanët e karrierës, të cilët, për arsye “profesionale” dhe konkurrenciale, u “duhet” të gënjejnë për të fituar shumicën e vëmendjes dhe votës popullore.
Duke zgjedhur kështu për arbitër popullin dhe votën e tij një herë në 4 vite, dhe populli në mungesë të një arbitrimi të pmvarur që do të duhej ta bënte Elita, fituesi i radhës vijimësisht shkruan historinë nga e para. Ashtu si i intereson atij. Dhe dihet paraprakisht se si.
Duke vizatuar një Profil të Gënjeshtërt të vetvetes.
Karakterizuar nga Përsosmëria. E rreme.
Nga Pagabueshmëria. Një tallje.
Nga Gjithëdituria. Një përqeshje.
Nga Sojllëku. Një kopillik sojsëz.
Pa tri reforma të mëdha, pra:
1. Pa një Senat, një Dhomë të Lartë të Kuvendit, ku të ulen burra dhe gra në epilog të karrierës.
2. Pa një Elitë Akademike në bukë të shtrenjtë të Shtetit dhe jo në bukë të zorzopit të radhës.
3. Pa një Elitë Fetare me origjinë të certifikuar kombëtare dhe realisht besimtare të Zotit.
Do mbetemi spektatore të një Panairi Gënjeshtrash dhe dekadenca do të vazhdojë. Siç dhe është gjasa më e madhe që e pret këtë vend të pambrojtur dhe të drejtuar nga pushtetarë të politikës apo të lekut, shumica e të cilëve ka një shtëpi të dytë apo të tretë, jashtë kësaj parajse të kënetizuar pa dhimbje. / Panorama
Comments (0 posted)
Post your comment