Ja pse duhet të shqetësohemi
Politika e demagogjisë, është përdorur me efikasitet dhe ka arritur të indoktrinojë pjesën më të madhe të popullsisë, duke e detyruar atë, të shndërrohet në një masë krejtësisht pasive dhe të varur plotësisht prej saj.
Nga Dhimitraq Shoni
Shoqëria jonë e brishtë, e gjendur pa udhërrëfyes gjatë këtyre 23 viteve, të tranzicionit artificialisht të tejzgjatur, ende vazhdon të përjetojë situata dhe momente shumë të vështira. Nuk dua të përmend këtu aspektet shumë të vështira të jetesës, se ato tashmë dihen, por do të analizojmë së bashku anët e padukshme, që ndikuan dhe ndikojnë indirekt në këtë varfëri të gjithanshme, politike, ekonomike dhe shoqërore. Konkretisht, në të gjitha fushat e jetës konstatojmë, se u instalua një mentalitet, i cili u mboll në vitet e para të tranzicionit, është zhvilluar e rritur plotësisht nën kujdesin e politikës së orientuar dhe tani po jep frytet e tij. Ky mentalitet, dominon kudo dhe ka si busull fitimin e pamerituar dhe mundësisht sa më të shpejtë. Ajo fushë, ku u instalua fillimisht dhe lëshoi metastaza në të gjithë trupin e shoqërisë tonë, dhe që i paraprinë kësaj situate shqetësuese, fatkeqësisht është politika.
Ajo ka vënë nën vartësinë e saj të plotë të gjitha fushat e tjera të jetës, pa as më të voglin përjashtim e dyshim. Ky lloj mentaliteti, që është ekskluzivisht prodhimi ynë, s’ka asgjë të përbashkët me atë, që duhet dhe me të cilin kërkojmë të arrijmë aty ku edhe dëshirojmë, në Europë. Rruga e nisur, drejtë një shoqërie me të vërtetë demokratike, ka qenë dhe është një rrugë e gjatë, por dhe shumë e vështirë. Përshkohet me sukses dhe arrihet në destinacion vetëm me punë, këmbëngulje të vazhdueshme, shumë sakrifica, deri edhe në ato supreme. Për këtë, një gjë duhet të jetë shumë e qartë dhe duhet ta kuptojmë mirë, tani për tani që të gjithë, se kjo rrugë, ku duhet të kalojmë, është e vetme dhe me një kalim. Kushdo që predikon rrugë të tjera, i bënë nder stanjacionit të deritanishëm, kësaj situate pa emër, që mbretëron tashmë tek ne, rreth 23 vjet të tëra. Duke rikujtuar dhe analizuar në thellësi të gjitha fushatat elektorale, arrijmë në një konkluzion të vetëm dhe shumë deziluzionues. Demagogjia dhe perfeksionimi i vazhdueshëm i saj deri më sot, ka qenë dhe mbetet shkaku kryesor dhe epiqendra e këtij konkluzioni.
Politika e demagogjisë, është përdorur me efikasitet dhe ka arritur të indoktrinojë pjesën më të madhe të popullsisë, duke e detyruar atë, të shndërrohet në një masë krejtësisht pasive dhe të varur plotësisht prej saj. Varfëria ekstreme e trashëguar nga regjimi monist, u shfrytëzua mirë taktikisht nga të gjithë ata, që u futën dhe e shndërruan politikën në një biznes shumë fitimprurës. Të ashtuquajturit deputetë, të paktën deri tani ky është emri më i përshtatshëm i tyre, janë të vetmit, që meritojnë Master-in në këtë vend, në përdorimin me sukses të plotë të metodave indokrinuese. Ky është një “sukses” tjetër i madh dhe i papërsëritshëm në botë, ku organizmat ndërkombëtarë, të cilët merren me këtë punë, duhet ta kenë parasysh për ta shkruar në librin Guinness. Këta, “Deputetët” tanë, duke mos i njohur asnjë herë detyrat dhe detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe Atdheut të tyre, në çdo fushatë elektorale kanë përsëritur të njëjtat premtime. Me ndihmën e njerëzve të rekrutuar prej tyre, premtojnë, ripremtojnë, ofrojnë vende pune, riofrojnë përsëri, gënjejnë dhe rigënjejnë në mënyrë të tillë që, gënjeshtra e parë të kuptohet si e vërtetë edhe nga vetë ata. Kanë ofruar dhe ofrojnë zgjidhjen e padiskutueshme për dritat, ujin, premtojnë lumenj dhe mbi to edhe ura të mrekullueshme. Lum si ne, që i kemi dëgjuar e stërdëgjuar shumë herë këto gënjeshtra dhe tani i besojmë me të vërtetë. Dhe kur na pyesin të huajt se ku i keni këto “arritje në shumë fusha”, që thoni se keni? Ne, me një gëzim të ligjshëm, u themi: do t’i kishim po qe se do të kishim para. Po pse, ku i keni paratë? Dhe ne me një mburrje po aq të ligjshme u themi: paratë na i kanë Ata, se ne nuk i njohim, as dimë t’i përdorim dhe as kemi se ku t’i mbajmë…!
Pak a shumë kështu ka rrjedhur, deri më tani, historia jonë e “lavdishme” 23 vjeçare. Por, problemi vazhdon të mbetet problem. Thonë ca, se nuk ka problem që s’ka zgjidhje dhe vërtetë ashtu është dhe unë e besoj këtë thënie të mençur. Po, a i kemi ne këta njerëz? Se “potencialet dhe kapacitetet” të përdorura shpesh, janë fjalë të mëdha, por njerëz, që të ulin kokën mbi tavolinë, me vullnet dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme të vrasin mendjen e të gjejnë të panjohurat me ndihmën e të njohurave dhe të zgjidhin problemin, a kemi?
Shkollat tona në këtë periudhë famëkeqe, në të gjitha nivelet e tyre, jo vetëm nuk kanë prodhuar profesionistë me kapacitete dhe potenciale të mëdha, por kanë bërë dhe një të keqe të pallogaritshme. Ato kanë përpunuar karaktere të tilla nxënësish dhe studentësh, që me analfabetizmin e tyre të gjithanshëm, shoqëror dhe profesional, se shkencor nuk bëhet fjalë, të jenë sa më të kompromentueshëm dhe të dirigjueshëm lehtësisht nga politika.
Që nga Fillorja e deri në Shkollat e Larta, sidomos ato të krijuara apostafat për të mbështetur politikisht partinë-shtet, është një sistem i tërë fals, i bukur nga jashtë dhe i krimbur plotësisht nga brenda. Pikërisht ky sistem, prodhoi dhe prodhon akoma “diploma” për tregun e punës, shprehje e përdorur shpesh kohët e fundit. Këto diploma ngjajnë katërcipërisht me ato dikur, të Shkollës së Lartë të Partisë. Ke parë ti, shkollë e lartë e partisë…?! Bo, boooo, ç’kujë e madhe…! Mos u çudisni fare, ata e drejtuan shtetin dhe ekonominë tonë atëhere, dhe ranë për tokë të dyja, si karton. Mbi këto gjurmë kemi arritur dhe ecim edhe sot. Me po të njejtat mënyra dhe mbi të njejtat kallëpe, prodhojmë sot “lingotat” e pseudodemokracisë, ata të “diplomuarit”, që do e rrëzojnë Shqipërinë nesër, po qe se e sotmja nuk është vonë. Këta të përzgjedhur me shumë kujdes, për sot dhe për nesër, marrin përsipër të bëjnë çdo lloj pune. Se tek ne është e aprovuar me ligj, njeriut i gjejmë punë dhe jo si jashtë nesh, ku s’dinë dhe punës i gjejnë njeriun. Kjo është arsyeja, që ne jemi të parët në botë. Më falni të tretët në Europë. Duke marr shkas edhe nga iniciativa shumë shpresëdhënëse e mjekëve të rinj, të cilët studiojnë jashtë vendit dhe guxuan të thonë edhe ata, hapur dhe pa ndrojtje, mendimin e tyre në shërbim të instalimit të një demokracie të vërtetë. Duke përsëritur edhe një herë mendimet e mia, të shprehura para ca kohësh në lidhje me gjendjen e arsimit tonë, them me bindje të plotë, se e kemi shumë të vështirë të ecim kështu. Pa dashur të fyej njeri, të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë punë dhe të punësohen. Për këtë, natyrshëm lindin dhe shumë pyetje. Natyra vallë, u ka dhënë të tërëve aftësi shkëlqimi dhe duhet të jenë të parët kudo?
Të gjithë këta të rinj, që u vajtën nga pas kandidatëve partiakë, duke u dhënë vërtetë gjallëri fushatave, i mbështetën se besonin tek ata?
Apo besonin tek kauza që ata mbronin, e majtë apo e djathtë qoftë ajo?
Të gjithë këta kandidatë, kishin punuar me kohë me këta të rinj dhe kërkonin këtë kulturë politike të “zbuluar” prej tyre, ta orientonin e ta vendosnin në shërbim dhe në zhvillim të Atdheut?
Për të gjitha pyetjet ka vetëm një përgjigje: Jo dhe vetëm jo!
Këtu kemi të bëjmë pastër, me afera politiko-ekonomike.
Ideologjitë partiake dështuan që kur lindën. Ato dhe emërtimet e bukura të partive, ishin fasada të lyera mirë, për të mbuluar këtë përçarje të madhe në popull gati në armiqësi, që për mua ishte e orientuar, e mirë detajuar dhe e qëllimshme. Fasadat e ideologjive dhe emrat e bukur të partive, mbuluan këtë katrahurë politike, duke patur si udhërrëfyese vetëm mjegullën, të cilën e do kaq shumë edhe ujku. Politika dhe antagonizmi i pakulturë i saj, u pa në shumë drejtime, por ajo që i çorri maskën plotësisht ishte prezantimi i saj, gjatë aktivitetit 23 vjeçar të Parlamentit. Pasqyrë e degradimit të shoqërisë ishin shumica e të zgjedhurve të saj. Atje humbi etika, humbi respekti, atje bëheshin pazaret, aty lindi korrupsioni dhe të gjithë shtireshin, se luftonin që ai të mos futej brenda. Sa qesharake ishin bërë shpesh seancat parlamentare dhe nuk e di nëse do të jenë të tilla edhe në të ardhmen. Fatkeqësia ishte, se kjo e keqe e gatuar nga politika, u përhap gjithë andej me shpejtësi. Ajo arriti deri aty, sa dhe ngjarje të tilla, që duhen të konsiderohen ashtu si edhe e meritojnë të jenë të mëdha, të festohen kaq keq e dilentatiste, sa zbuluan në dritë të diellit paaftësinë e gjithanshme të shumë “politikanëve”, të cilët ishin ofsajt në politikë. Me turpe të tilla, që do të mbetën si njollë e zezë, në Festën e Madhe të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, si Torta e Madhe, apo “parada madhështore ushtarake” në qendër të kryeqytetit, duhet të nxihen të tërë nga turpi. E megjithatë, askujt nuk i bëri përshtypje. Armata e madhe e mbështetësve të këtyre parodive, të mbrujtur me idealet militantiste dhe me devotshmëri partiake, vazhdojnë të jenë protagonistë dhe rreziku i madh dhe i vetëm, për t’u marrë në konsideratë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Me ç’po shoh, do vazhdojë ajo thënie sarkastike e popullit filozof, duke uruar dikur një drejtor, i cili pas emërimit në detyrë, mori shpejt e shpejt një diplomë të shkollës së lartë, i thanë sigurisht me ironi, “futi tani dhe një bumje shkollës së mesme dhe kiçeliga”...!
Fatkeqësisht, në këtë fazë jemi tani, të nderuar miq. A nuk është e logjikshme të shqetësohen qytetarët, një pjesë e të cilëve me një gjykim të jashtëzakonshëm, për këtë “show” (teatër), që luhet para syve tona? Nuk ka pyetur dhe as pyet njeri për aftësitë profesionale, që kanë të emëruarit, për aftësi drejtuese dhe menaxhuese të tyre, pa lë për përvojën, që as bëhet fjalë. Që ta kuptoni më mirë, se nga çfarë parimesh udhëhiqen këta tipa karrieristë, do ju them një diçka edhe për të qeshur, se këto që thamë deri tani, në fakt janë për të qarë. Një drejtor i sapo emëruar dikur, tha me një kënaqësi të veçantë: “ore, qenka mirë drejtor, një firmë e një vulë përsipër dhe shko tutje”! “Moreee, ata ishin nuuurë, ç’të bëjmë me këta të sotmit, që s’dinë, as se si hidhet firma dhe as ku vendoset vula”, më thotë si me të qeshur, një miku im i vjetër. Për këto “halle” duhet të shqetësohemi të gjithë në vazhdim, se këto janë halle mbi halle, për të ardhmen e vendit tonë. Këto kanë ndodhur dhe për fat të keq, po ndodhin edhe sot, me Administratën Publike dhe me Shtetin, që kërkojmë të ndërtojmë dhe biles, nën monitorimin e institucioneve ndërkombëtare.
Comments (0 posted)
Post your comment