* * *
Mirëpo, Gjermania herë pas here ka qenë ngurruese që t’i çojë çështjet e krizës në selinë e NATO-s. Dhe kur bëhet fjalë për garantimin e sigurisë ushtarake dhe civile përtej asaj që marrëveshja e koalicionit e quan "fqinjësi jona gjeografike", qeveria në ardhje do të ofrojë miratim, duke krijuar kështu mundësinë që organizatat e tjera rajonale ta kryejnë detyrën.
Wolfgang Ischinger
Munih – Më se dhjetë javë pas zgjedhjeve të përgjithshme, Gjermania vazhdon të mbetet pa një qeveri të re. Mirëpo, ndonëse negociatat postzgjedhore të koalicionit janë zgjatur në mënyrë të pazakontë, ka pak mospajtime ndërmjet partive lidhur me politikat e jashtme dhe ato të sigurisë. Në të vërtetë, kur unioni demokristian i kancelares Angela Merkel dhe Partia Socialdemokrate (SPD) më në fund e bënë të ditur arritjen e marrëveshjes së koalicionit më 27 nëntor, grupi punues për politikat e jashtme dhe të sigurisë kishte më se dy javë që kishte përmbyllur punimet. Përveç disa fragmenteve që kanë shumë më tepër rëndësi në vend sesa te partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë të Gjermanisë (siç është kërkesa që Qeveria të jetë më transparente lidhur me eksportet e armëve për regjimet autokratike), kontinuiteti dhe kujdesi do të mbesin parullat kryesore të politikave të jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë.
Vëzhguesit mund të mos pajtohen rreth asaj nëse qëndrimi i liderëve gjermanë ofron një shenjë të mirëpritur të besueshmërisë apo pasqyron një mungesë të mjeruar të ambicies diplomatike. Ata që shpresojnë për një lidership më aktiv gjerman munden më se të zhgënjehen nga qeveria e re.
Idetë e mëdha, apo pyetjet edhe më të mëdha, janë veçanërisht të munguara në marrëveshjen e re të koalicionit. Kjo pak a shumë është reflektim i qëndrimeve të shumë gjermanëve për veten dhe të ardhmen e tyre: ata ndihen rehat me status quon, nuk shohin ndonjë nevojë për propozime të mëtutjeshme për reformim, nuk janë të interesuar për strategji të mëdha dhe do të preferonin me të madhe që të lihen rehat.
Kijeni parasysh NATO-n. Qeveritë e mëparshme gjermane kanë pohuar se aleanca duhet të jetë, apo edhe është, vendi për të diskutuar dhe vendosur mbi sfidat kryesore të sigurisë. Mirëpo, Gjermania herë pas here ka qenë ngurruese që t’i çojë çështjet e krizës në selinë e NATO-s. Dhe kur bëhet fjalë për garantimin e sigurisë ushtarake dhe civile përtej asaj që marrëveshja e koalicionit e quan "fqinjësi jona gjeografike", qeveria në ardhje do të ofrojë miratim, duke krijuar kështu mundësinë që organizatat e tjera rajonale ta kryejnë detyrën. Apo kijeni parasysh çështjen e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. Mosmarrëveshja e vazhdueshme ndërmjet partnerëve të koalicionit nuk do të lejojë një rol proaktiv gjerman.
Në vend të kësaj, zgjidhja e kompromisit nuk do të jetë zgjidhje: as po e as jo.
Në të njëjtën kohë, disa perspektiva të reja interesante shfaqen në marrëveshjen e koalicionit. Për fillestarë “strumbullari” strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin Azi-Paqësor përshkruhet si një mundësi për Evropën që të mbrojë një politikë të koordinuar të jashtme që përfundimisht e luan një rol në zhvillimin e politikave bashkëpunuese në rajon.
Për më tepër, për inkurajimin e këtij rezultati marrëveshja e koalicionit premton se qeveria do të “adoptojë iniciativa të reja për forcimin dhe thellimin e politikave të përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë”, pas samitit të BE-së në dhjetor të vitit 2013. Në këtë iniciativë përfshihet një thirrje për mbajtjen e një seance vjetore të Këshillit Evropian për siguri dhe mbrojtje, si dhe për një debat strategjik mbi qëllimin e marrëdhënieve të jashtme të BE-së. Për më tepër, qeveria gjermane do të mbështesë integrimin evropian të mbrojtjes dhe të vazhdojë krijimin e ushtrisë evropiane, si një synim afatgjatë. E gjithë kjo mund të mos reflektojë shumë në praktikë, mirëpo gjuha e përdorur në këtë fushë është dukshëm më pak e nxehtë sesa në ato të tjera.
Dhe në fund, marrëveshja e koalicionit u përgjigjet shqetësimeve rreth aftësisë së Gjermanisë për të qenë një partner i qëndrueshëm i NATO-s dhe misionit ushtarak të BE-së në një organizatë potencialisht më të integruar të mbrojtjes të BE-së. sipas një vendimi të vitit 1994 të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë, Parlamenti gjerman e ka fjalën përfundimtare kur bëhet fjalë për vendosjen e ushtarëve. Sidoqoftë, partnerët e Gjermanisë zor se do të pajtohen të integrojnë më shumë forca, nëse Parlamenti gjerman do të vërë veto për vendosjen e trupave të saj.
Partnerët e koalicionit nuk pajtohen rreth asaj se sa urgjente është zgjidhja e kësaj çështjeje. Megjithatë, ata janë pajtuar që, brenda një vendi, një komision do të ofrojë opsione dhe modele të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të Parlamentit gjerman, ndërkohë që ofrohen garanci për partnerët evropianë të Gjermanisë se vendi do të jetë një kontribuues i qëndrueshëm për vendosjen e trupave në vatra të konfliktit.
Nëse SPD-ja, e cila do ta votojë marrëveshjen e koalicionit në fillim të dhjetorit, do të bllokojë formimin e qeverisë së re (një zhvillim ky jo fort i mundshëm, por edhe jo krejtësisht i paparamendueshëm), atëherë mospajtimet rreth çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes nuk do të jenë fajtore.
Përveç në disa imtësi të vogla, mbizotëron konsensusi.
Për disa kjo është një arsye për ndarje në dysh. “Nuk më pëlqen ideja se Gjermania shtiret si më e madhe për të imponuar vullnetin e vet te të tjerët”, ka thënë presidenti gjerman, Joachim Gauk, kohë më parë. “Për më tepër, nuk më pëlqen as ideja që Gjermania shtiret si më e vogël për të qëndruar larg rreziqeve apo solidaritetit”.
Nëse politikat e jashtme gjermane mund dhe duhet të bëjnë më tepër, është kjo një pyetje e arsyeshme. Deri në një shkallë, koalicioni i ri do ta ndiejë presionin dhe do ta shqyrtojë domosdoshmërinë për të marrë më shumë përgjegjësi për sa i përket lidershipit ndërkombëtar. Mirëpo përgjigjet do të jenë të ngadalshme dhe tejet të matura.
Konstatimi përfundimtar është ky: mos prisni befasi nga Gjermania. Duke e pasur parasysh faktin se sa e vështirë ka qenë për disa, nëse jo për shumicën, e shteteve të tjera të BE-së që të merren me sfidat e pesë vjetëve të fundit, atëherë ky është më shumë një lajm i mirë.
Comments (0 posted)
Post your comment