Krenohu përnjëmend me Kosovën!
Humbja pa dyshim është faktorizimi ekstrem i Beogradit, i pushtetit të Serbisë, brenda Kosovës, falë “negociatave” që kryeministri i Kosovës i udhëhoqi në mënyrë legjendare në Bruksel. Këto ishin negociata që ai i bënte për të shpëtuar e mbijetuar politikisht në emër të një “bashkëpunimi” me bashkësinë ndërkombëtare.
Enver Robelli
1. Fuqia e votës
Të dielën, më 1 dhjetor, qytetarët shqiptarë të Kosovës ishin edhe protagonistë, edhe shikues të një shfaqjeje të bukur demokratike: me votën e tyre ata në shumë komuna të Kosovës ndryshuan ku më pak e ku më shumë vetë historinë. Kur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve për kryetarë të komunave qytetarët patën rastin të shihnin se sa e fuqishme është vota e tyre. Këtu qëndron vlera e zgjedhjeve të së dielës dhe këtu qëndron shpresa e emancipimit politik, shpresa se tash po fillon një garë për cilësi në politikë. Për këtë duhet t’i përgëzojmë të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, përfshirë edhe kandidatët, ata që iu afruan zgjedhësve me maturi e respekt, por edhe ata që me arrogancë, me afera dhe njolla të tjera morën guximin të kërkojnë votën e qytetarëve. Sa ua keni lehtësuar vendimin qytetarëve! Urime, suksese dhe faleminderit!
2. Fituesi më i madh
Nuk ka asnjë dilemë se ai është Gazmend Muhaxheri, kryetari i ri i Pejës. Ai që në një atmosferë të linçimit politik nuk u dorëzua dhe ia ktheu dinjitetin qytetit dhe gjithë Kosovës perëndimore. Sundimi i AAK-së në këtë qytet do të hyjë në histori si aksident fatal politik. Kështu, siç është AAK-ja, nuk e merr dot më këtë qytet. Dhe ky është shans që edhe AAK-ja të ndryshojë, larg imazhit të komandantëve me muskuj e kallashnikovë, larg imazhit të partisë së tenderëve dhe haraçit. Të dielën Peja është çliruar edhe njëherë në mënyrë simbolike. Për këtë e dha një kontribut të vogël edhe kryetari i deritanishëm Ali Berisha, duke ia uruar fitoren Gazmend Muhaxherit. Ramush Haradinaj mori një flakaresh të rreptë politik për shkak të kursit të tij skandaloz pas lirimit nga Gjyqi i Hagës – një kurs që lëvizte mes premtimeve për ndryshim dhe koketimit me sistemin e korruptuar. Në vend se t’i merrte seriozisht paralajmërimet se në ç’drejtim fatal po ecte, Haradinaj lejonte zëdhënësit e tij t’i shajnë kritikët.
3. Fituesi i radhës
Fituesi tjetër i së dielës është Muharrem Sfarqa. Një aktivist i madh për lirinë e Kosovës, i cili solli në Ferizaj disa vlera nga kultura politike e Gjermanisë, ku kishte jetuar e vepruar për disa vjet. Ai është kryetar i ri i Ferizajit. Në Ferizaj nuk ka humbur vetëm PDK-ja, në Ferizaj ka humbur shërbimi ilegal dhe sekret i kësaj partie. Dhe ky është kryelajmi sot. Dhe ky është çasti që edhe PDK-ja të fillojë të bëhet parti normale. Në Ferizaj dhe në Pejë është mundur frika nga partitë që me shërbime ilegale mbikëqyrin dhe kërcënojnë qytetarët e lirë.
4. Shpend Ahmeti
Është shumë normale që edhe Prishtinën e përfshiu vala e ndryshimeve. Prishtinën sikur ta kishte qeverisur edhe CDU-ja gjermane për 13 vjet njerëzit kishin përqafuar opsione të tjera politike, herët apo vonë. LDK-ja nuk arriti ta kuptonte se elektorati po ndryshon, po ndryshojnë edhe kërkesat dhe njerëzit, sidomos të rinjtë, të cilët kanë filluar të emancipohen politikisht. Pas raundit të parë të zgjedhjeve kryetari Isa Mustafa në pyetjen e gazetarëve se përse nuk fitoi në raundin e parë, pa balotazh, tha hapur: “...sepse kësaj radhe pati konkurrencë”. Kjo konkurrencë e kishte emrin Shpend Ahmeti. Fakti që Isa Mustafa e pranoi këtë konkurrencë ishte jo vetëm paralajmërim i një gare të ashpër, por edhe i cilësisë së re në politikën e Kosovës. Dhe gara për cilësi fillon përherë aty ku masa kritike është më e madhe, në kryeqytet. LDK-ja dhe Isa Mustafa injoruan faktin se partia e tyre mori një goditje të rëndë në qytet. Pothuaj në të gjitha lagjet e mëdha LDK-ja pësoi debakël mesatar. Askush nuk u bë përgjegjës për këtë. Si përherë u tentua që problemet të kalohen në heshtje ose duke fajësuar të tjerët. Megjithatë, LDK-ja duhet të gëzohet: në rrethana normale Shpend Ahmeti do të ishte kandidat i saj për kryetar të kryeqytetit. Kur e huq ndërrimin e gjeneratave si LDK, atëherë befasia për humbjen është vetëm shtirje e hipokrizi. Në një mënyrë humbja në Prishtinë Isa Mustafës i jep krah që në parti të luftojë për ndryshime të mëdha. Pa Isa Mustafën, LDK-ja në Pejë ende do ta kandidonte Ali Lajçin. LDK-ja falë Mustafës në Gjakovë kishte një kandidat shumë të mirë, Luan Golën. Ai humbi për shkak të rrethanave specifike në Gjakovë, por me politikanë të tillë LDK-ja mund të ketë perspektivë politike. Mustafa po ashtu e mbështeti dhe e katapultoi në krye të LDK-së në Ferizaj Muharrem Sfarqën. Aty ku degët e LDK-së e kuptuan domosdoshmërinë e ndryshimit, aty edhe Mustafa e kishte më lehtë. Dega e LDK-në në Prizren nuk e kuptoi se kaloi koha kur zgjedhjet fitoheshin me Eqrem Kryeziun dhe anekdotat e tij për Sylejmanin e Madhërishëm. Në perspektivën afatmesme politike LDK-së i duhet një lider apo (pse jo!) lidere e re politike. Nëse LDK-ja u ka paraprirë shumë proceseve të rëndësishme, pse në të ardhmen të mos jetë një grua në krye të partisë?
Për Shpend Ahmetin dhe sidomos për “Vetëvendosjen” tash fillojnë vështirësitë e ecjes nëpër rrafsh. Ose siç thonë gjermanët: “liefern statt lafern” – “duam të shohim punë dhe jo llafe”. Retorika e zjarrtë dhe e mbuluar me flamuj duhet të zëvendësohet me punë të mençura. Tash fillon edhe procesi i përkthimit të programit të VV në rezultate të prekshme. Partitë në pushtet shpejt e humbin magjinë. Tash kur votuesit kanë fituar vullnet dhe e kanë parë sa e fuqishme është vota, ata do të jenë edhe më të gatshëm për eksperimente të reja politike. Cinizmi ndaj LDK-së nuk është aq befasues, por as i dobishëm, sepse numri i votave që VV ka marrë në Prishtinë si parti nuk është garanci për qeverisje pa probleme. Të mos flasim pastaj për numrin e votave në nivel të Kosovës. (Më shumë vota ka AAK-ja se VV-ja!). Tash nga VV-ja kërkohet jo rrëzim kamionësh, jo përralla për bashkim kombëtar, por maturi, gatishmëri për kompromis, bashkëpunim dhe gjakftohtësi. Në Prishtinë VV-ja ose e jep testin, ose dështon në testin kryesor për t’u ngjitur në të ardhmen në pushtetin qendror. Shpend Ahmeti ishte konkurrent dinjitoz, këtë duhet përsëritur edhe sot, pas fitores së tij. Ka filluar një kapitull i ri dhe një shans për Prishtinën dhe Kosovën. Por, jo më shumë. Vetëm një shans. VV-ja ka ditur në të kaluarën t’i djegë jo pak shanse.
5. PDK
Shumë e mundshme që disa në PDK tash akuzojnë kritikët e tyre për „Schadenfreude“ (kjo i bie: të gëzohesh në fatkeqësinë e tjetrit). Zakonisht humbësit jodinjitozë kështu e kanë. Por, debakli nganjëherë është mësim. Është ilaç. Nga sot për PDK-në fillon procesi i mësimit. Nuk mund të qeverisësh me arrogancë, siç bëri dhe bën kryeministri Hashim Thaçi prej vitesh. Nuk mund të qeverisësh me “pragmatizëm” aq të madh, saqë partinë ta shndërrosh në thes që pranon çdokënd vetëm e vetëm për të siguruar vota dhe pushtet. Nuk mund të qeverisësh duke shantazhuar popullin në stilin: voto për mua, pastaj në komunë do të investohen kaq milionë euro! Kështu veproi PDK-ja. Para disa ditësh Hashim Thaçi vajti në Gjilan në përpjekjen e radhës për të mashtruar dhe tha se ky qytet - i injoruar edhe me fajin e politikanëve shpeshherë qesharakë e absurdë të Anamoravës - do t’i ketë jo një, por dy autostrada. A thua tash Gjilani nuk do ketë asnjë xhade të re turke, sepse kryeministri nuk jep para. Thua se janë paratë e tij. Dhe jo të popullit. Humbja historike e PDK-së është fat i madh për vetë PDK-në dhe sidomos për një rreth të ngushtë njerëzish në këtë parti që nuk janë pajtuar me Thaçin dhe stilin e tij të qeverisjes me cinizëm e mashtrim permanent. Tash ata duhet të fillojnë debatin për përgjegjësinë. Dikush është përgjegjës jo vetëm për humbjen, por edhe për ndërtimin e sistemit të egër dhe korruptues, për qindra afera dhe plot batërdi. Përgjegjësit i keni në parti. Fillojeni debatin edhe për shkak të higjienës publike dhe politike. Me Adem Grabovca e Latif Gasha, Kamisha e Shaip Muja, Rrustem Mustafa e Azem Syla, Shukri Buja dhe Sami Lushtaka mbylleni zadrugën!
6. Humbja e Kosovës
Humbja pa dyshim është faktorizimi ekstrem i Beogradit, i pushtetit të Serbisë, brenda Kosovës, falë “negociatave” që kryeministri i Kosovës i udhëhoqi në mënyrë legjendare në Bruksel. Këto ishin negociata që ai i bënte për të shpëtuar e mbijetuar politikisht në emër të një “bashkëpunimi” me bashkësinë ndërkombëtare. Por, barra e përgjegjësisë bie edhe mbi ata deputetë që me diplomaci të strucit miratuan çdo gjë që u vihej në tavolinë. Pas partisë “Srpska” tash fillon realizimi i projektit të Republika Srpska në Kosovë. Liderët serbë nuk kanë pse të kërkojnë ndarjen e Kosovës, atë e arritën falë largpamësisë së udhëheqjes sonë madhështore. Ndarja është e brendshme dhe më fatale se ndarja faktike. Modeli i Bosnjës u instalua. Falë edhe cinizmit të disa diplomatëve dembelë në Bruksel, të cilët problemet i zgjidhin duke i shtyrë dhe duke ia lënë kohës. Koha i zgjidh problemet, por jo në favor të Kosovës.
7. Prokurorja e popullit!
Dhe për fund edhe një fitimtare: Laura Pula, prokurore e shtetit, e cila me paralajmërimet e saj se vjedhësit dhe manipuluesit e votave do të arrestohen dhe ballafaqohen me drejtësinë i dha kuptim shtetit dhe demokracisë. Nuk përjashtohet mundësia që aty-këtu të jenë vjedhur vota, por falë profesionistëve të përgjegjshëm si Laura Pula, dëmi nuk ishte i madh dhe tash pothuaj askujt nuk mund t’i kontestohet legjitimiteti demokratik. Kjo është mirë: kryetarët e rinj me mandat të pastër tash duhet të qeverisin me duar të pastra. Ndryshe – shpresojmë! – se zonja Laura Pula do të jetë vigjilente edhe në 4 vjetët e ardhshëm. Dhe ne s’do të ndalemi duke i duartrokitur për punën e saj sa herë që është në shërbim të qytetarëve.
Comments (0 posted)
Post your comment