Home | Opinion | Çdokush të tijën

Çdokush të tijën

image
Drejtësia nuk mund të mbillet me ‘kubik’ dhe nëse duam që të jetë si në perëndim, le t’i japim shansin të vetëngrihet, ndërkohë që ne të tjerët bëjmë mirë të fillojmë të sillemi vetë siç standarti demokratik e lyp, para se t’i vëmë ‘lupën’ asaj.

 

 

 

Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. DUKA

 

 

 

 

 

Asnjëherë nuk bëhet mbarë! Vota e qershorit ishte më së pari votë proteste ndaj abuzimit elitar flagrant në tranzicion. Me drejtësinë si pritshmëri, dilema tashmë shtrohet ‘kur’ dhe ‘qysh’ do vihet ajo në vend. Një debat ky që mund të shkasë në qasjen ‘pula vezën apo veza pulën’ (nëse është politika ajo që duhet të reformojë drejtësinë apo drejtësia duhet të ‘pastrojë’ fillimisht politikën) që aq sa mund të marrë kohë të vyer për mirëqeverisjen, po aq shndërrohet në bonusin kohor të rradhës për abuzimin e djeshëm në tentativën për të fshirë gjurmët dhe politizimin e drejtësisë si rrjedhojë e gabimeve eventuale të vetë qeverisjes në vijim. Dilemat nëse duhet bërë sot apo mot drejtësi, duhet arrestuar apo jo syresh, kosto politike e inicimit të drejtësisë, reagimi në Bruksel etj., nuk shprehin veçse kompleksimin tipik të tranzicionit ndaj emrave ‘tabu’ në politikë dhe faktorit të jashtëm. Përveçse paragjykojnë dhe nëpërkëmbin drejtësinë, ato mund të provokojnë precedentë kontradiktorë për të ardhmen (çdo mazhorancë do të ishte ‘fillim i ri’) ndaj dhe qeverisja e rilindjes, në respekt të Kushtetutës, duhet t’i japë fund trajtimit të drejtësisë si derivat i marketingut politik dhe kalkulimeve të ditës. Inicimi pa vonesë i saj do të zhbënte çdo lloj paragjykimi ‘korbi korbit nuk ia nxjerr sytë’ aq jetik për integritetin e qeverisë së rilindjes në sytë e opinionit publik.‘Burgu’ virtualDrejtësia nuk është e përsosur (asnjëherë nuk do të jetë e tillë) por hedhja sot e ‘topit’ në fushën e saj me dosjet e abuzimit elitar, përveçse respekt ndaj Kushtetutës, do të shërbente dhe si ‘filtër’ shtesë për integritetin e drejtësisë në kushtet e reja politike të një mazhorance që nuk intimidon. Edhe një verdikt gjyqësor që ‘mbulon diellin me shoshë’ rreth abuzimit elitar, përveçse një premisë për pastrimin në vijimësi të drejtësisë, nuk zbeh efektin në vetvete të ‘uljes’ së syresh (deri dje e paimagjinueshme) para togave të zeza. Sa rëndësi ka verdikti apo ‘criminal record’ eventual ndaj tyre, ka dhe zhbërja e ‘miteve’ rreth atyre që të përfolur gjatë, nuk e kapërcyen kurrë pragun e gjykatave deri më tani. Sesa burgu, për ta ‘vret’ më shumë ekspozimi i bëmave në gjykatë dhe ‘burgu’ virtual në mendjen e publikut që kur të ‘kyç’ brenda, e flak ‘çelsin’ tej.

Mazhoranca të sajën

Përtej performancës së gjyqësorit, qeveria bën të vetën. Nga përpilimi në kohë e me kompetencë i dosjeve të abuzimit elitar dhe vënia në dispozicion të drejtësisë, asistimi i denoncimit që vjen nga publiku ndaj abuzimit ende nën ‘rrogoz’, inicimi apo rihetimi në komisione parlamentare i kulmeve të abuzimit elitar nga marrëveshja antikombëtare e ujrave, transparenca e Rrugës së Kombit, Gërdeci, 21 janari, 8 maji etj.Pjesë e mirëfunksionimit të drejtësisë është dhe përsosja e kuadrit ligjor, përfshi konsiderimin e zgjedhjes së gjykatësve përmes votës së publikut apo votimit të cilësuar në parlament, prezantimi i jurive në seanca gjyqësore etj. Deri të ashtuquajturat vendime kolegjiale (lexo: abuzime kolegjiale si psh. VKM e përfolura) duhet të zhvishen nga imuniteti nëse provokojnë abuzim dhe,nëse jo grupi, titullari më së paku nuk duhet t’i përvidhet drejtësisë (analogji me një bandë grabitësish të zënë në flagrancë por që apelojnë pafajsi sepse e ndërmorën në grup(!)‘Traseja’ më vete e drejtësisëDrejtësia nuk bëhet se e kërkon Brukseli por se e lyp dinjiteti demokratik. Në demokraci ajo nuk bëhet me ‘aksion’ (Dita e Pastrimit muajin e kaluar, përveçse një reminishencë patetike e së shkuarës, nuk e zgjidh ndotjen e 364 ditëve që pasojnë) por në vijimësi, rutinë kjo që për një shtet ligjor nuk ka lidhje me konjukturat politike, datat për integrimin në BE, sondazhet publike etj. Kalkulimi i drejtësisë mbi bazën e pritshmërive të Brukselit, përveçse i padenjë për kursin e drejtësisë, mund të provokojë bumerang për vetë integrimin si në rastin e zvarritjes së drejtësisë për hir të fasadës pushtet-opozitë për sytë e botës, ashtu dhe në rastin e inicimit të drejtësisë por që në kushtet e pamundësisë së qeverisë për të menaxhuar demokratikisht kriza artificiale politike, mund të destabilizojnë situatën në vend. Drejtësia nuk mund të bëjë përjashtim nga e gjithë ngrehina e shtetit ligjor. Në demokraci fati i zhvillimit nuk varet nga ‘superheronjtë’ por nga sistemi që i mundëson kujtdo të bëhet ‘hero’ çdo ditë për vlerat e saj. Për rrjedhojë, fati i drejtësisë, përtej voluntarizmit politik partiak apo individual, diktohet nga po ato premisa bazë për vetë shtetin ligjor që janë vota e lirë dhe prona e ligjshme, garantuar nga konteksti i duhur gjeopolitik që mundëson sendërtimin e tij.Drejtësi me votëNdërsa nuk është e imunizuar nga abuzimi, demokracia ofron mekanizmat për ndëshkimin e tij. Që në mos drejtësia, është vota e lirë. Kjo e fundit domosdon një sistem të ndryshëm zgjedhor nga ky i sotmi që kompromenton integritetin e parlamentit dhe bashkë me të dhe monitorimin prej tij të pushteteve që pasojnë. Respektimi i votës ka nevojë jo për retushime të ligjit aktual zgjedhor por për ligj të ri që garanton votë të lirë, rivalitet real politik dhe kosto minimale zgjedhjeje për votuesin. Listat partiake zhbëjnë besnikërinë ndaj zgjedhësit dhe kjo e kombinuar me oligopolin në politikë dhe status-kuonë e emrave, kompromenton premisat për shtet ligjor. Nëse politika kërkon një zgjidhje afatgjatë për drejtësinë, ta fillojë nga vetja duke adaptuar një sistem zgjedhor që promovon përgjegjshmëri në politikë.

Qoftë mazhoritar (me apo pa korrektim) apo STV irlandez (votuesi voton për më shumë se një alternativë duke minimizuar koston e zgjedhjes). Një votë e tillë, e kombinuar me votën direkte të publikut për pozicionet në gjyqësor, duke diktuar efektivisht fatin e karrierave në politikë dhe gjyqësor, bën që herët a vonë, çdo gjë, drejtësia përfshirë, të shkojë në vendin e saj.Gjeopolitika që shmang shkopinjtë nën rrotaFati i shtetit ligjor (drejtësia përfshirë) përtej zotësisë apo pazotësisë sonë për ta ngjizur atë, ndikohet ndjeshëm nga gjeopolitikat përreth. Shteti ligjor në Shqipëri nuk mirëpritet nga gjeopolitikat antishqiptare në rajon dhe kosto absurde e tranzicionit të stërzgjatur nga piramidat tek degradimi urban e mjedisor, kaosi me pronën, tensionimi politik deri në tentativa përçarje si komb etj zor të shpjegohet vetëm me pazotësinë e grykësinë e politikës këto 20 vjet. Nëse duhen shmangur shkopinjtë nën rrota, sesa largimi i ‘limonëve të shtrydhur’, enigma mbeten ‘limonët’ e rinj. Kjo domosdon sa konsolidimin e shërbimit të inteligjencës ashtu dhe thellimin e partnershipit me ato vende që kanë promovuar historikisht kauzën e shtetit shqiptar.

Në këtë kontekst, partnershipi unik me SHBA mbetet garanci kryesore për një mundësuar një gjeopolitikë që të lejon të bësh shtet teksa vetë proamerikanizmi, në thelb është interes kombëtar. Sfida mbetet konsolidimi i këtij partnershipi duke respektuar si duhet ndjeshmëritë e aleatit tonë strategjik. Gjeopolitika e favorshme lidhet ngushtë edhe me avancimin e integrimit drejt BE, marrëdhëniet specifike me politikën anglosaksone, gjermanike etj dhe vendet në rajon (Italia, Turqia etj) që të zhveshura nga çdo reminishencë shovinizmi, ofrojnë bashkëpunim luajal. Drejtësia nuk mund të mbillet me ‘kubik’ dhe nëse duam që të jetë si në perëndim, le t’i japim shansin të vetëngrihet, ndërkohë që ne të tjerët bëjmë mirë të fillojmë të sillemi vetë siç standarti demokratik e lyp, para se t’i vëmë ‘lupën’ asaj.

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0