Allegra
Saas Fee gjendet buzë zonave të akullnajave. Këtu akulli shkrihet dhe vazhdon rrugëtimin: vadat e holla bëhen përrenj, përrenjtë lumenj, e lumenjtë derdhen në liqene.
Enver Robelli
Zvicra nuk ka det, nuk ka pasuri nëntokësore, nuk ka as shumë toka pjellore, por megjithatë është ndër vendet më të bukura në botë. Përse? Lexoni në vazhdim...
1. Ngjyra vjeshte në Saas Fee, një perlë mes 13 kodrave
Të rralla janë fshatrat alpine zvicerane që janë kënduar e lavdëruar, lartësuar dhe himnizuar më shumë se Saas Fee. Ky fshat gjendet në kantonin e Wallis-it, banorët e të cilit flasin një dialekt të zorshëm të gjermanishtes, të cilin – për shembull – gjermanët apo austriakët në të shumtën e rasteve nuk e kuptojnë fare. Me gjithë dialektin izolues Saas Fee tërheq turistë nga mbarë bota. Kinezë, britanikë, amerikanë, rusë, japonezë, australianë, çekë... Fshati nisi të bëhej i njohur në shekullin e 19-të kur erdhën poetë e piktorë dhe adhurues natyre për të parë e për t’u kënaqur në natyrën mahnitëse. Pas tyre erdhën alpinistët, kryesisht britanikë. Pasi kishin pushtuar gjysmën e botës britanikët me gjasë mendonin se tani ishte momenti për t’i pushtuar simbolikisht kodrat më të larta të Zvicrës. Në mungesë të hoteleve deri në fund të shekullit 19-të shumica e vizitorëve flinin në shtëpinë e priftit lokal. Johann Josef Imseng (1806-1869) ishte një dinjitar i kishës me dashuri të madhe për malet e kodrat. Imseng shpesh i shoqëronte turistët gjatë ngjitjes në kodra. Prifti kishte edhe sens për biznes. Ai e pa se turizmi mund të jetë një burim i mirë financiar për bujqit e varfër të Saas Fee-s, andaj i luti ata që në shtëpitë e tyre të rregullonin dhoma për turistë. Kështu nisi zhvillimi i turizmit në Saas Fee.
Më 1881 në Saas Fee u hap hoteli i parë. Sot këtu presin mysafirë dhjetëra hotele. Meqë në shekullin e 19-të Saas Fee nuk ishte e lidhur me botën përmes rrugëve moderne, siç është sot, vizitorët silleshin në fshat me vigje dhe me kuaj. Më 1951 u hap rruga që lidhë Saas Fee-në me qendrat më të mëdha të kantonit të Wallis-it. Po më 1951 në Saas Fee u mbajt një referendum historik: të gjithë banorët votuan që fshati të ndalonte çdo qarkullim veture. Në hyrje të fshatit mund të lini veturën dhe pastaj do bëni hapat e parë drejt fshatit pa veturë. Shumica e turistëve dhe vizitorëve vijnë me autobus nga Visp-i, qyteti i afërt. Autobusët e famshëm të postës zvicerane (disa prej tyre Zvicra na i ka dhënë dhuratë, andaj i shohim në rrugët e Kosovës) qarkullojnë pandërprerë dhe lidhin fshatrat alpine me qendrat kryesore. Autobusët kanë edhe internet falas. Kështu turistët japonezë, ta zëmë, lidhen në skype dhe nga autobusi u tregojnë miqve në Tokio se ku gjenden momentalisht në Zvicër. Saas Fee përveç se është zonë e mrekullueshme për bjeshkatari, natyrisht pëlqehet edhe nga skiatorët. Zviceranët janë komb skiatorësh. Fshati është i lidhur me kodrat përreth me disa teleferikë.
Në Saas Fee jetoi mbi 20 vjet shkrimtari i njohur gjerman Carl Zuckmayer. Pranë një shtegu që bart emrin e tij janë të vendosur gurë me porosi të Zuckmayer-it. Për shembull: “Atdheu nuk është atje ku ke lindur, por atje ku ke dëshirë të vdesësh”. Zuckmayer është i varrosur në Saas Fee. Ai ishte një dramaturg i suksesshëm. U largua nga Gjermania për shkak se regjimi nazist ndaloi vënien në skenë të dramave të tij. Për herë të parë erdhi në Saas Fee më 1938. Ishte, siç e kishte thënë vetë, një dashuri në shikim të parë. “Çdo ditë që e kaloj këtu në Saas Fee për mua është vetëm gjysmë dite. Këtu jetoj tamam”. Zuckmayer-it i pëlqente të shëtiste sidomos mes drunjve të larshit, të cilët në vjeshtë marrin një ngjyrë mahnitshëm të verdhë. Mbi një gur gjendet e gravuar kjo thënie e shkrimtarit: “Heq kapelën me frikë e respekt para këtyre drunjve të lashtë të larshit”.
Në Saas Fee mund të dëgjohen e lexohen jo vetëm rrëfime për Carl Zuckmayer-in, por edhe legjenda nga e kaluara e bujqve. Ja një prej tyre: “Në livadhet alpine të luginës së Saas Fee-së dikur rritej bari islandez, i cili ishte i lëngshëm si në Islandë, Grenland dhe Alaskë. Fijet e barit dhe petalet ishin ushqim i pëlqyer nga lopët. Ato hanin aq shumë nga ky bar, saqë duhej të mileshin tri herë në ditë. Një ditë të bukur barinjtë dhe bareshat organizuan një festë në mal me valle e lojëra, e cila u pëlqeu shumë barinjve qejfli. Njëri prej tyre u largua me shumë përtesë nga sheshi ku zhvillohej festa dhe shkoi t’i mjelë lopët. Rrugës ai lëshoi një mallkim, i cili solli fatkeqësi. ‘U thaftë ky bar’, tha ai. Ditën tjetër bari u tha, fijet dhe petalet nuk kishin më lëng. Bujqit shikonin njëri-tjetrin të habitur. ‘U tha ky pleh’, thoshin ata me zemërim dhe pendim. Tani e tutje lopët duhej të mileshin vetëm njëherë në ditë”. Sipas legjendës pasojat e këtij mallkimi shihen edhe sot: bari në Saas Fee është i thatë.
Saas Fee gjendet buzë zonave të akullnajave. Këtu akulli shkrihet dhe vazhdon rrugëtimin: vadat e holla bëhen përrenj, përrenjtë lumenj, e lumenjtë derdhen në liqene. Nuk është rastësi që Zvicra quhet “kështjella ujore e Europës”. Në njërën nga tabelat me informata të vendosura përgjatë një shtegu shihen tre djem me trasta mbi shpinë. “Fëmijët bartin akull nga akullnaja dhe e çojnë në hotele”, tregon legjenda e fotografisë së vjetër. Para më shumë se një shekulli nuk kishte frigorifer, andaj fëmijët e Saas Fee-së e bartnin akullin nga malet dhe e hidhnin në arka me mish... Që turistët të kenë mish për të ngrënë!
Saas Fee e dikurshme ma kujton Thethin e sotëm: në këtë fshat alpin shqiptar po bëhen përpjekjet e para për të zhvilluar turizmin. Si dikur në Saas Fee sot në Theth mund të flini në shtëpi private, të shijoni ushqimet pa helm dhe të kënaqeni duke shikuar dhe shijuar natyrën e bukur, atë natyrë që Martin Camaj e ka përjetësuar në poezitë dhe prozën e tij të shkruar në gegërishte që të ther në zemër.
2. Preda, kantoni Graubünden
Para se të hapej tuneli i Albulas Preda kishte vetëm disa stane dhe ahure. Këtu bujqit e fshatit Bergün gjatë dimrit e linin sanën që e mblidhnin në kodra. Preda po ashtu ishte vendkalim për kafshët që në pranverë dërgoheshin në stane dhe në vjeshtën e vonshme silleshin në luginë. Deri në fillim të shekullit XX e vetmja lidhje me botën e jashtme e lokaliteteve si Preda ishin karrocat e postës, të cilat sillnin dërgesat postare dhe vizitorët (me pagesë). Situata ndryshoi nga viti 1898, kur nisi hapja e tunelit të Albulas. Në Preda u hap një hotel, u ngritën strehimore për punëtorë dhe një spital. Tuneli u ndërtua nga 1.300 punëtorë italianë. Për fëmijët e tyre u hap një kopsht, ndërsa nxënësve u jepte mësim një mësues i ardhur nga Bergün-i. Në një tabelë afër stacionit të trenit në Preda gjendet edhe ky shënim: “...këtu tani ishte e pranishme edhe policia. Për këtë kishte arsye: thuhet se të dielave dhe ditëve të pushimit në Preda ndodhnin shpesh kacafytje dhe therje me thikë. Për djemtë e këqij u ndërtua enkas një burg në Bergün”.
3. Një udhëtim nëpër fshatrat e kantonit Appenzell Ausserrhoden
Nga Stein në Trogen, distanca: 16,3 kilometra, koha: rreth 6 orë. Ky udhëtim ofron një pamje të gjithanshme të kantonit Appenzell Ausserrhoden, një rajon që ruan traditën dhe njëkohësisht s’ka mbetur prapa sa i përket zhvillimit modern. Këtu bashkëjetojnë bujq dhe inxhinierë, zejtarë dhe punëtorë ndërtimtarie. Në dalje të Stein-it gjenden Muzeu Etnografik i Appenzell-it dhe një djathore. (Rajoni është i njohur për prodhimin e djathit cilësor). Tutje gjatë rrugës shfaqet paksa diskret Manastiri Wonnenstein (i themeluar më 1379). Rruga nëpër livadhe dhe male të shpie drejt komunës Teufen. Ky toponim për herë të parë përmendet në një dokument të vitit 1272 – Tiuffen (që në gjermanishte të vjetër d.m.th. “në thellësi”). Zhvillimi ekonomik i Teufen-it filloi nga mesi i shekullit 18-të, kur u hapën disa punëtori për përpunimin e pëlhurës dhe pambukut. Në vitin 1859 në Teufen u montuan makinat e para për qëndisje. Kriza ekonomike botërore në fillim të shekullit XX e goditi rëndë industrinë e tekstilit të këtij rajoni. Në vitin 1993 u mbyll ndërmarrja e fundit e tekstilit në Teufen. Shumë banorë të Teufen-it dhe të komunave përreth punojnë në zonat industriale të St. Gallenit, kryeqendrës së Zvicrës lindore.
Pas disa vendbanimeve të vogla afrohet pika e fundit e udhëtimit: Trogen. Njëjtë si Teufen edhe Trogen u zhvillua ekonomikisht përmes industrisë së tekstilit, të cilën e kontrollonte në pjesën më të madhe familja Zellweger. Kjo familje ndërtoi në qendër të qytezës disa pallate madhështore prej guri, të cilat sot i përkasin trashëgimisë kombëtare të Zvicrës. Nga Trogen ofrohet një pamje mahnitëse e liqenit të Konstancës, i cili bashkon tri shtete: Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë. – Transporti publik në Zvicër është aq i organizuar, saqë në çdo cep ose qarkullon autobusi, ose treni. Nga Trogen në St. Gallen më së miri shkohet me tren (Appenzeller Bahnen).
4. Një spektakël alpin
Ura Triftbrücke është 100 metra e lartë dhe 170 metra e gjatë. Është e varur mes shkëmbinjve mbi akullnajën e Trift-it në Malësinë e Bernës. E ndërtuar sipas modelit të urave të Nepalit, ajo është një magnet për turistë nga mbarë bota. Shtegu deri tek ura është po ashtu një atraksion natyror mes bimëve, shkëmbinjve, gurëve, liqeneve të vogla, vadave dhe përrenjve. Në fund të tetorit udhëtimi është i mundimshëm, sepse nuk punon më teleferiku. Udhëtimi nga Gadmen (Fuhren) deri te Triftbrücke zgjat mes 3 deri 4 orë. Po aq zgjat edhe kthimi. Mundimi ia vlen, jo vetëm për shkak të urës. Për ata që kanë nge, ofrohen disa mundësi: alpinistët mund të vazhdojnë shtegtimin nëpër shkëmbinj (dhe dikur do të mbërrijnë në një kasolle për të kaluar natën), të tjerët mund të zgjedhin mes dy kasolleve (shtëpive të bjeshkatarëve), të cilat ndodhen afër urës. Ata që nuk kanë kohë të flenë mes akullnajave kthehen me shpejtësi teposhtë, në Gadmen (Fuhren), marrin autobusin e verdhë të postës zvicerane dhe pastaj trenin...
5. Shpjegimi i titullit
Në rajonin Oberengadin të kantonit Graubünden vendasit përshëndesin me fjalën “Allegra”. Gjatë një dite nëpër natyrën e mrekullueshme të Oberengadin-it pothuaj çdokush që kalon pranë jush do t’ju thotë “Allegra”. Kjo fjalë i takon gjuhës retoromane: në këtë pjesë të Zvicrës jeton pakica retoromane, pjesëtarët e së cilës flasin edhe gjermanisht. Përshëndetja burimore tingëllonte kështu: “Dieu t’allegra”, që në shqip domethënë: “Zoti të gëzoftë!” Ndërkohë zoti është larguar nga përshëndetja dhe ka mbetur vetëm “Allegra” (“U gëzofsh!”, “Qofsh i gëzuar!”). Kjo përshëndetje ka një ton demokratik dhe sinjalizon barazi mes njerëzve. Në Fjalorin e Gjuhës Retoromane në lidhje me këtë përshëndetje thuhet: “Ajo shkëmbehet mes personave të nivelit të njëjtë social”.
Comments (0 posted)
Post your comment