Të diplomuarit dhe komisionet mediokre...
Që të gëzosh titullin e lartë “doktoraturë” duhet të jesh ndryshe nga të tjerët, shumë i ditur, duhet vërtet sakrificë. Kjo fjalë është risi që shtyn fuqishëm shoqërinë në të gjitha fushat. Orteku i kësaj sëmundje ka mbërritur edhe tek ne, në fushën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes...
Nga Zaim KUÇI
Shumë shekuj më parë Wlliam Shakespeare me madhështinë e intelektit që e karakterizonte do të arrinte në përfundimin se: “Mendja e një kombi është arsimi. Zemra e një kombi është morali”, thënie lapidare që i mbijetoi kohës në shekuj madje u vërtetua prej saj. Në mënyrën tonë, morali i kësaj thënie është preludi i çdo gjëje, duke preferuar më shumë varfërinë përballë kërkesës për t’u arsimuar, ky është virtyt i bukur shqiptar. Por tranzicioni i tejzgjatur shqiptar, kësaj tradite të bukur duket se po i thyen më kryesoren –Moralin. Preferuam një masivizim të pamerituar duke ngritur “piramidat” fiktive të zhvillimit të arsimimit. Në një dialog ironie shokësh dëgjova të “kritikonin” negociatorin në BE për RSH Stefan Fyle, i cili në intervistën e para pak ditësh paska thënë se RSH i duhen 8-10 vite për t’iu bashkuar Europës. Po përse kjo vonesë për të mbërritur në stacionin e shumëpritur evropian? Në se shikojmë nivelin e të arsimuarit, statistikisht në “letra” për numër popullate, ne qëndrojmë goxha lart edhe mbi ato vende që kanë krijuar BE-n dhe padyshim ky është një vizion i “gabuar” i këtij kancelari evropian. Ai, ndoshta nuk e ka lexuar vizionin shekspirian për të vlerësuar një vend, ose ndoshta nuk është mirëinteresuar për “bumet” shqiptare në këtë fushë përcaktuese për përparimin e kombit dhe shtetit, që ne i kemi kaluar ata dhe vazhdojmë të ecim në korsinë e nxituar, madje më shpejt se vendet e zhvilluara evropiane… më e papranuara, ka gjasa që ai di të vërtetën e kësaj piramide false. Më ngacmojnë disa të dhëna interesante për vendin tim në lidhje me çfarë kemi ndërtuar për të humbur këto kohët e fundit me vlerën përcaktuese se si përparon një komb. Pa u futur në analizën e kësaj fushe kaq të ndjeshme, duhet të pranojmë faktin vërtet shqetësues: sa shumë universitete, sa shumë mastera shkencorë, më keq se kaq sa shumë “doktorantë” kemi në RSH… a thua se jemi më shumë se Parisi apo Berlini, a thua se jemi vërtet në pararojë të zhvillimeve ekonomike, shkencore, kulturore evropiane…
Po shkëputem nga e përgjithshmja për t’u ndalur tek një fenomen tjetër, tek “të doktoruarit” që, edhe pse në vendet e zhvilluara demokratike kalohet në vrimë të gjilpërës, pasi konsiderohet si pasuri kombëtare, për fat të keq tek ne të qënit doktor i shkencave është kthyer si “sport i masave”. Që të gëzosh titullin e lartë “doktoraturë” duhet të jesh ndryshe nga të tjerët, shumë i ditur, duhet vërtet sakrificë. Kjo fjalë është risi që shtyn fuqishëm shoqërinë në të gjitha fushat. Orteku i kësaj sëmundje ka mbërritur edhe tek ne, në fushën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes … kemi edhe ne shumë, a thua që po drejtojmë gjeostrategjinë rajonale dhe atë globale. Në këtë tranzicion na është dashur vërtet mendja e artë e këtyre “doktorantëve” por rrallë i pamë qofshin ata fizikisht apo dhe me punimet e tyre vizionare se si të zhvillohej siguria dhe mbrojtja në RSH. Gjatë tranzicionit janë formuluar strategji, doktrina dhe koncepte në nivel kombëtar, por nuk pamë asnjë referencë nga punimet e këtyre të “diturve” me shumicë të miratuar nga ju. Do desha të trajtoja këtë problem duke e kaluar paksa tërthorazi me informacionin se kush janë dhe kush kanë të drejtë të promovojnë këto diploma me shumicë dhe këtë aset kombëtar për shoqërinë shqiptare. Ata që vulosin këtë medalje të artë të jetës sonë, sipas meje janë dy kategori komisionerësh, të eturit për fitime dhe të paaftët për vlerësim: për të dy rastet ata janë mediokër. Le të vlerësojmë paaftësinë e atyre “komisionerëve” që kanë mbetur me formimin e viteve 90-të. Personalisht mbetem në respekt të asaj pune kaq të vyer që ata kanë bërë deri në këto vite, ata janë të nderuar. Por çfarë ka ndodhur më vonë? Post 90 -ta solli ndryshime rrënjësore, zhvlerësoi strategji, koncepte e doktrina duke kthyer në domosdoshmëri ndërtimin e strukturave, të tjera mentalitete studimore e kërkimore që evoluuan me kohën.
Padyshim, kërkesat e kohës për zhvillim imponuan të tjera sjellje studimore, të tjera kërkesa të domosdoshme për t’u arsimuar, përvetësuar e zhvilluar. Për të gjithë specialistët e fushës dihet që hapi i parë në këtë aspekt është përzgjedhja e temës studimore e cila duhet që t’i shërbejë minimalisht interesave të komunitetit dhe maksimalisht mbarë shoqërisë. Fakt është se ... niveli i temës studimore nuk varet vetëm nga ai që e përgatit, përpunon dhe e prezanton atë për t’i shërbyer shoqërisë drejt një zhvillimi të mirë përcaktuar për të hapur perspektiva të reja, më shumë do të thoja nga niveli dhe kërkesat e atyre që kanë të drejtën të vlerësojnë punimin e bërë. Që të vlerësosh një punim të vlershëm apo jo në një fushë të caktuar duhet të ngrihesh disa herë mbi nivelin e atij që të paraqitet për t’u vlerësuar. Po cila është ajo forcë vlerësuese që mat punën e bërë? Sa, si dhe kur ky punim do ti shërbejë fushës përkatëse? Temat studimore janë të matshme, kanë një përfundim, një rezultat për t’u aplikuar, ndryshe ato nuk janë të tilla por leksione akademike. Këtë e selektoni vetëm ju. Duket se të gjithë ne shqiptarët vrapojmë, me/pa të drejtë, për të marrë një dëshmi titullimi, tashmë për turp e kthyer si CV për të marrë një funksion i cili në fund të fundit përkthehet vetëm në një vlerë më të lartë monetare. Po kush e ka të drejtën për të bërë seleksionimin e këtyre vrapuesve të pandershëm? Të diturit, të seleksionuarit nga të arsimuarit në universitet dhe akademitë prestigjioze perëndimore. Ata janë formuar dhe kanë marrë kapacitete shkencore në nivele të larta që të afrojnë këto ambjente studimore, konkuruese me homologët e vendeve të zhvilluara. Ata dinë mirë të krahasojnë vlerën dhe jovlerën studimore në interes të zhvillimit, civilo-ushtarak. Peshorja është një, metoda e krahasimit të dijeve, ajo ka dy anë vlerësimi si për “kungujt” dhe për ata që janë në garë vrapimi për tek “doktoratura”, më Pak dhe më Shumë, i Vlershëm dhe i Pavlershëm. Studimet për të marrë gradën shkencore janë për vlera zhvillimi afatmesëm/gjatë.
Si mund të vlerësosh një temë studimore të vitit 2013 me njohuritë e fituara të para viteve 90-të, aq më keq mungesa të theksuara në zotërimin e gjuhëve të huaja për një përvetësim autoditat njohurisht. Në akademinë prestigjioze franceze, programi mësimor i vitit 1999 kishte evoluar plotësisht në vitin 2006, nga francezët ai program vlerësohej si një eksperiencë e bukur dhe mbaronte këtu. E pata shumë të vështirë të hidhja këtë opinion, por ata që do të lexojnë këtë informacion, do të thonë: edhe unë, edhe unë, ndaj të njëjtin mendim, shoqëria ka evoluar.
A është bërë nga ju të nderuar pedagogë një analizë për temat (doktoraturash) që ju keni miratuar të cilat janë, apo po i shërbejnë fushës kaq delikate – Siguria dhe Mbrojtja-, që edhe ju vërtet të shijoni dhe të ndjeheni krenarë për veprën e bërë nga ju? Ju siguroj se nuk do të gjeni edhe aq shumë, për mos me thënë jo-n kategorike. Edhe një kritikë për ju të nderuar, vërtetë të lauruar, që në pjesën rutinë “mirënjohje’’ të temës tuaj, jo të ndërgjegjshëm, por të imponuar thurni vlerësime dhe respekte kortezie për ata që zor e njohin atë që ju e keni sjell me mundim për t’u vlerësuar. Kurajo ju mungon, ajo është në kundërshtim me atë, që ju me temën e përgatitur kërkoni ti sillni shoqërisë. Napoleon Bonaparte e kërkoi ndryshimin e kësaj bote duke akuzuar heshtjen…"Bota vuan shumë, jo për shkak të shumicës së njerëzve të këqinj, po për shkak të heshtjes së njerëzve të mirë!! Miq të mi, ju jeni të nderuar deri në këtë vit reference, më mbrapa …vetë apo struktura shtet duhet të rigjejë zgjidhje të pranuara për një vlerësim ndryshe. Shumë shqiptarë kanë mbrojtur tema dhe janë vlerësuar nga më të mirët në universitetet elitare të botës “Harvard”, Dhauphine apo René Descartes”, por, ata do të ndihen keq përpara shumë të titulluarve “falsë” të dhënë nga ju, edhe pse kanë rrudhur jetën e tyre për të marrë përsipër ide të reja shkencore për këtë një çik vend. Do të ishte mrekullia e botës në se vërtet kaq shumë shqiptarë të certifikuar me këta tituj do t’i meritonin kaq shumë diploma të universiteteve, kaq shumë tituj shkencorë që plotësojnë CV modern që tashmë me to është mbushur me shumicë mjedisi i ri shqiptar. Në këtë rrumpallaje CV-ish, zor se gjendet i vërteti, i dituri për ta përzgjedhur për të bërë punën dhe për të na drejtuar. Le të shpresojmë për një zgjidhje ndryshe.
Comments (0 posted)
Post your comment