Home | Opinion | Lehtësia e tmerrshme

Lehtësia e tmerrshme

image
Mungesës së legjitimitetit të negociatorëve kosovarë të dalë nga zgjedhjet e vjedhura, i shtohet edhe lehtësia me të cilën neglizhohen e kaluara, e tashmja edhe e ardhmja e Kosovës për interesa të ngushta personale ...

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 

 

Do të ketë qenë fundi i vitit 1998 ose fillimi i 1999 – nuk po më kujtohet saktësisht, por e di se ka qenë shumë ftohtë, se kishte rënë borë dhe rrugët e fshatrave ishin bërë krejt akull. Ishim nisur së bashku me ekipin e UNICEF-it për ta furnizuar me barna ambulancën e improvizuar në fshatin Sferkë të Klinës. Që nga marrëveshja Millosheviq-Holbrooke, postblloqet e policisë serbe kryesisht ishin tërhequr prej rrugëve magjistrale. Mirëpo, kishte pika të caktuara ku numri i policëve ishte i shtuar, posaçërisht aty ku kishte përqendrim të popullatës serbe, siç ishte rasti te Dollci. Për të mos u dhënë rast që të na maltretonin siç kishin zakon, vendosëm t’i binim trup nga Gllareva për në Përçevë, e që prej aty të dilnim në Sverkë. 

 

 

Teksa ngjiteshim me vështirësi kodrës do të na afronte te disa nga kullat e bukura të fshatit që serbët i kishin shkatërruar me tanke, përnjëherë dhe papritmas pamë se si nga ana e shoferëve të të dy xhipave ishin mbështetur nga disa ushtarë të UÇK-së, gati fare pa armatim. Teksa në panik na thoshin të ecnim përpara duke iu dhënë mburojë, nuk mundëm të ecnim tutje sepse në rrugë na dolën civilët, kryesisht fëmijë. Ata na thoshin që t’i ndalnim veturat në mes të rrugës, ashtu që ta bllokonim qasjen. Arsyen e kuptuam me të dalë nga veturat: nga kodra ku ishte vendosur një antenë telekomunikimi, po zbritnin të uniformuar të armatosur – sipas fshatarëve, ishin ushtarë serbë. Ne nuk kishim arsye të dyshonim në vërtetësinë e asaj që na e thoshin fshatarët: ata jetonin aty dhe ballafaqoheshin me tmerrin që po ua shkaktonin sistematikisht “ata të kodrës”.

 

 

E kuptuam që kishim hyrë në sandviç – civilët dhe ushtarët UÇK-së qëndronin nga ana e majtë jona, përderisa serbët na vinin nga ana e djathtë. Në atë kohë, kishim instruksione që t’u qaseshim zyrave të vëzhguesve të OSBE-së (atyre që silleshin në vetura të portokallta), porse atë ditë e kishim të pamundur komunikimin me radio, kurse telefonia mobile nuk funksiononte jashtë Prishtinës. U nisëm për në Klinë, për t’i lajmëruar vëzhguesit. Serbët na përcillnin lëvizjet me dylbi dhe e shihnin qartë se nga ishim nisur. Vëzhguesit erdhën, ndërkohë që serbët ishin tërhequr. E edhe ushtarët e UÇK-së ishin larguar prej aty. Kishte mbetur popullata civile. E vetmuar. Ashtu siç do të mbeste pas tërheqjes së misionit të OSBE-së: në mëshirën e policëve dhe paramilitarëve serbë, të cilët mu te Dollci, pesë ditë para bombardimit më kishin thënë: “Ako NATO bude napao, biće krvi do kolena!” (“Po qe se NATO-ja do të sulmojë, do të ketë gjak deri në gjunjë!”).

 

 

Po supozoj që do të kishte qenë fakti se jemi në dimër dhe se dje isha nisur për në Pejë ajo që ma ktheu këtë kujtim nga i cili mbaj mend fytyrat e tmerruara të fëmijëve tek i shikonin ushtarët serbë duke zbritur nga kodra; fytyrat e burrave të pashpresë që nuk e dinin se si do të mund të mbroheshin nga ata që ishin shumëfish më të fuqishëm si me armë ashtu edhe me ushqim e përkujdesje; fytyrat e nënave që kishin dalë në xhade krahas fëmijëve të tyre, me sy të përlotur, përderisa frikoheshin se këta nuk do t’ia dilnin ta mbijetonin luftën. 

 

 

Ko to tamo laže? 

 

 

Ky kujtim mu bë edhe më i rëndë kur e kuptova se në Rashkë ishin zbuluar teshat dhe eshtrat e njerëzve në një vend që dyshohet se është varrezë masive. M’u shfaq një ndjenjë e thellë pikëllimi dhe hidhërimi njëkohësisht. M’u ngjall një ndjenje neverie që pa vetëdije ma nxiti përsëritjen e pandërprerë të fjalëve “pisa” e “sadista”. Tamam si te njeriu që të keqen  s’ka ndryshe si e lufton pos duke e përsëritur një fjalë, se nuk gjen të tjera për t’u shprehur. 

 

 

Kanë kaluar muaj prej herës së fundit kur është gërmuar te i njëjti vend. Autoritetet serbe e kanë ditur shumë mirë se aty gjendet varreza masive ku dyshohet se janë varrosur 250 veta, në mos shumë më shumë. E kanë ditur, sepse së pari i kanë mbuluar me gurë e më pas qëllimisht kanë lejuar edhe shtrimin e asfaltit e edhe ndërtimin e një ndërtese për vendosjen e mjeteve për mirëmbajtjen e rrugëve të cilën e kanë quajtur, e besoni apo jo “Kosmetput” (demek rruga e Kosovës e Metohisë). E kanë ditur se aty është vendi i asaj varreze për shkak se dy ditë me radhë kanë refuzuar t’i dërgonin ekskavatorët në atë vend, derisa mbase dikush u ka dhënë instruksionin se duhet lëvizur, sepse nga kjo mund të varet lëvizja përpara e Serbisë në BE. Ko to tamo laže? (Kush rren, bre?) Serbët dhe shteti i Serbisë. Ashtu siç kanë gënjyer deri më sot. Ashtu siç e kanë zanat të bëjnë. Ashtu siç vazhdojnë ta bëjnë, pa ndëshkim.

 

 

Po sa larg mund të shkojnë mizoria dhe sadizmi? Po çfarë njerëz janë ata që më së pari vrasin; varrosin; zhvarrosin, i bartin kufomat me kamionë, i hedhin si të ishin sende në gropa të mëdha e që përfundimisht e mbajnë të fshehur informatën deri në kohën kur iu hyn në përdorim për motive politike? Janë po ata njerëz, eksponentët e të cilëve janë të ulur në pozitat më të larta shtetërore të Serbisë tash, e me të cilët kryeministri i Kosovës negocion pa kushtëzime. Janë po ata njerëz që pa fije pendimi, shtrëngojnë duart dhe zgërdhihen në Bruksel, duke e dëshmuar gjithë superioritetin e tyre, edhe shtetëror, edhe intelektual, në një proces që vetëm po e degradon shtetësinë e Kosovës. Janë po ata njerëz që ia kanë dalë ta kthejnë veten nga viktimizues në viktima. E shtosin e ka hëngër Evropa. E ne do t’i hamë pasojat edhe të kësaj, e edhe të injorancës së pushtetarëve tanë.

 

 

Ahtikush?

 

 

Kur ishte zgjedhur kryendërmjetës i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për statusin e Kosovës, nuk i kishte mbushur ende të shtatëdhjetat, porse, meqë kishte vështirësi në të ecur, kosovarët, qysh e kanë zakon, e quanin “plaku”. Ia kishin themeluar një zyrë në Vjenë; kishte ardhur dhe vajtur shumë herë nga kjo anë e Ballkanit; dhe përfundimisht e kishte ofruar një dokument në të cilin kishte paraparë hapat e pavarësimit të kushtëzuar të Kosovës.

 

 

Aq shpesh na binte ta shihnim në televizor e t’ia dëgjonim emrin, sa edhe fëmijët e mësuan se kush ishte. Aq ishte mistifikuar dokumenti të cilin e kishte përgatitur, saqë gati sa nuk u shndërrua në libër të shenjtë në të cilin të gjithë bënim be. Dhe, dokumenti i tij, u bë pjesë përbërëse e Kushtetutës. Madje, dokument, i cili mbizotëronte po qe se kishte konflikt interpretimi të neneve të caktuara të aktit më të lartë juridik në vend.

 

 

Plani i plakut shërbeu për formimin e komunave të reja; falë planit të tij, u imponua miratimi i madje 100 ligjeve për më pak se 40 ditë, pa i lexuar askush e me pasoja shumë të rënda zbatimi në praktikë. Duke iu falënderuar atij plani, u miratuan dy ligje absolutisht diskriminuese për Hoçën e Madhe dhe Qendrën Historike të Prizrenit, për shkak se qartë e favorizojnë Kishën Ortodokse Serbe... kjo sa për t’i përmendur disa gjëra. Por esenca e gjithë muhabetit të Kushtetutës është se ajo është ndërtuar mbi Planin e Ahtisaarit dhe se në fakt, ajo që po ndodh tash me negociatat në Bruksel është shkelje e saj. 

 

 

Do të ketë të tillë që do të më thonë se s’është ashtu dhe se marrëveshjet ndërkombëtare kanë fuqi mbizotëruese mbi Kushtetutën, pra s’është shkelje. Problemi me marrëveshjen të cilën e ka ratifikuar Kuvendi i Kosovës (me gjithë opozitën, minus VV) është se ajo marrëveshje është gjithçka pos marrëveshje, se po të ishte marrëveshje e mirëfilltë, siç do të thoshte një mik imi, nuk do të kishte nevojë që delegacionet të mblidheshin aq shpesh në Bruksel për të dhënë interpretimin e interpretimit të interpretimit. 

 

 

Për më tepër, kur as Brukseli nuk di të japë interpretim, atëherë vijnë në ndihmë amerikanët, siç ishte rasti me drejtorin për Evropën Qendrore dhe atë Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, i cili na tregoi se “Zajednica” nuk është OJQ, porse nuk është as entitet politik. Atë që nuk na tregoi është se çfarë është. Sa për ta freskuar memorien, kur është përmendur për herë të parë puna e këtij asociacioni, është folur për mbledhjen e katër komunave veriore në të. Më pas, nga goja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Kuçi, kishte dalë formulimi, po e parafrazoj, “pse mos të jenë në asociacion të gjitha komunat serbe edhe ashtu ajo është OJQ, sikurse që është Asociacioni i Komunave të Kosovës”. Po pasi paska ekzistuar një Asociacion, çfarë u desh i dyti pra? Për më tepër, çfarë u desh të formohej mbi baza etnike? Nga ana tjetër, nëse nuk qenka entitet, pra njësi autonome, a paraqet pra ky send shtresën e tretë të pushtetit, të cilën gjithkush po e mohon kategorikisht? Unë me sa po shoh, me buxhetin e ndarë, me pushtetin lokal të ndarë dhe me Zajednicë të mbështetur edhe nga Kushtetuta e Serbisë, kësaj po i vjen era Autonomi, për  të mos e quajtur Republikë. Serbe, bile. 

 

 

Dikush do të thotë se këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës. Nuk e lejon as Pakoja e plakut me biçikletë, sepse plani i tij e kishte paraparë një zgjidhje tjetër, më të thjeshtë që tash nuk ka më shans të zbatohet. Po kujt po ia ndien për Kushtetutën a Pakon, shtrohet pyetja. Paramendojeni se çfarë shteti i çuditshëm jemi (për të mos e quajtur të mbrapshtë) kur mbrojtësit kryesorë të Kushtetutës janë ata që më së shumti e kanë kundërshtuar Pakon e Ahtisaarit – deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje? Paramendojeni se për çfarë shteti bëhet fjalë kur për çdo vit të lum kontrabandohet ndonjë nen me të cilin planifikohet shitja e PTK-së; apo për çfarë shteti bëhet fjalë, kur minoritetet, duke e shfrytëzuar faktin se ia japin shumicën e nevojshme në kuvend koalicionit qeveritar, janë në situatë ta shantazhojnë këdo, e të kërkojnë edhe ruajtjen e vendeve të rezervuara edhe për dy mandate (pra nja tetë vjet) e edhe rritjen e vendeve të rezervuara edhe për pesë, a për dhjetë, apo për sa t’ua merr mendja. Kushtetuta është send që ndërrohet sa ora, veç a duhet për ta rehatuar dikë në pushtet. E sa për plakun, Ahtikushi ke bre, se tybe asnjëri s’ia mban më as emrin në mend, e lëre më njëfarë dokumenti që e ka shkruar para gjashtë a shtatë vjetësh...

 

 

Lajmi për Rashkën do t’i lërë pa gjumë familjarët e më se 1.700 personave që mungojnë qe gati 15 vjet. Do t’i lërë pa gjumë edhe të gjithë ata që do ta rijetojnë ankthin e Sfërkave, Strellcave, Çikatovave, Pastaselave, Mejeve..., që do t’u mbetet vragë e pashlyeshme. Do t’i lërë pa gjumë ata që kanë bile një grimë ndërgjegje dhe të cilët do të mund t’i falënderohen jetës që kanë mbijetuar pa kaluar nëpër tmerret e të tjerëve. Mbase nuk do t’i lërë pa gjumë vetëm ata që tmerrësisht lehtë e harrojnë tmerrin që e kanë përjetuar të tjerët. Sepse munden. Sepse veten e donë më shumë sesa popullin e vet. 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00