Home | Opinion | A pritet rritje punësimi për të rinjtë në vitin 2014?

A pritet rritje punësimi për të rinjtë në vitin 2014?

image
Në këtë optikë, perspektiva e punësimit të rinisë mbetet e dobët, sepse edhe në vende të Europës ku konstatohen shenja të rritjes ekonomike, procesi i rimëkëmbjes është i pamjaftueshëm në fuqizimin e tregjeve të punës...

 

 

 

Rexhep Mejdani

 

 

 

 

 

  Një nga premtimet e zhurmshme të programit të PS-së, fushatës elektorale dhe programit qeverisës, ka qenë hapja e 300.000 vendeve të reja të punës brenda 4 vjetëve të qeverisjes. Por, a do të mbahet dot ky premtim, me paketën fiskale dhe projektbuxhetin për vitin 2014? Apo, gjysma e tij? E katërta e tij? Apo…?! Sidoqoftë, me sa duket, situata aktuale financiare ka filluar t’i kthjellojë edhe mendjet e nxehta apo ndjekësit naivë të tyre! Akoma më problematik duket se mbetet punësimi i rinisë, sidomos në kushte europiane e globale të pafavorshme…  

Kriza ekonomike dhe punësimi i rinisë

Kriza ekonomike globale e ka goditur rëndë, pothuajse në të gjitha vendet, punësimin e rinisë. Madje, sot, gjetja e një vendi pune për të rinj (meshkuj e femra) të kualifikuar apo pjesërisht të kualifikuar është bërë tepër e vështirë si në vendet në zhvillim, ashtu dhe ato të zhvilluara. Edhe në rastin kur gjendet punë, ajo, shpesh, është e përkohshme apo e paguar dobët. Situata rezulton akoma më shqetësuese kur konstatohet se, në mjaft vende, sistemi i mbrojtjes sociale nuk ofron asistencë, mbështetje apo pagesë për të rinjtë e papunë (aq më keq për ata që nuk e kanë nisur ende punën). Shpesh opsion mbetet puna në të zezë, që nënkupton orë të gjata pune, pagesë të ulët dhe mungesë mbrojtjeje legale. Në kushte të tilla, rreziqet sociale, ekonomike e politike, sidomos pas kësaj periudhe tepër të zgjatur të krizës globale, janë shumë të mëdha. Ato duhet të trajtohen me kujdes; duhet të jenë pjesë thelbësore e agjendës së një qeverie demokratike. Sepse, një nivel i lartë frustrimi, dëshpërimi e deziluzioni në radhët e rinjve, sidomos në një kontakt e ndërveprim të fuqishëm nëpërmjet medias sociale, përbën një shqetësim serioz për vetë demokracinë, ecurinë e saj.

Një rini e papunë – sfidë për politikën

Sipas disa vlerësimeve relativisht optimiste, niveli i papunësisë për moshat e reja në botë, në vitin 2009, është vlerësuar i rendit 12.7%; në vitin 2011 afro 12.3%; në vitin 2012 një ngritje e vogël deri në vlerën 12.4%; dhe më tej, një rritje tjetër deri në 12.6% në vitin 2013. Pra, krahasuar me përqindjen prej 11.5% para fillimit të krizës financiare (në vitin 2007), papunësia ka pësuar një rritje prej 1.1%. Pritshmëria është akoma më e zymtë për vitet që vijnë. Në fakt, në nivel global, aktualisht raporti i papunësisë së moshave të reja ndaj moshave të pjekura ka kapur vlerën e 2.7. Pra, ai është afërsisht 3 herë më i lartë, me një pritshmëri akoma më shqetësuese… 

Edhe në kushtet e Shqipërisë, të rinjtë shqiptarë duket se e kanë të vështirë të gjejnë punë, njëlloj si në mjaft shtete të eurozonës (p.sh., Greqia, Spanja e Italia). Konkretisht, shkalla e papunësisë në Shqipëri për grupmoshën 15-29 vjeç, në tremujorin e parë të vitit 2013, është vlerësuar afro 25%; por ka shumë fakte, që flasin për vlera shumë më të larta (duke pasur parasysh mos regjistrimin e mjaft të papunëve në zyrat e punës, regjistrimet formale në shkolla të larta, mungesën e statistikave të punësimit në zonën rurale, punësimin në të zezë etj.). Pra, dhe te ne, po të përfshihen në përqindje të papunësisë të gjithë individët e papunë, kjo përqindje ashtu si në shumicën e vendeve me të ardhura të ulëta mund të rezultojë dy herë më e madhe nga ajo e vendeve me të ardhura të larta. Një problem tjetër, në mjaft raste, është një mbrojtje sociale e dobët apo mungesa e saj, situatë që e ndeshim dhe në Shqipëri për të papunët e rinj, apo për ata që punojnë në të zezë. A mund të vazhdohet kështu? Në asnjë mënyrë! Madje, punësimi i rinisë duhet të jetë sfida e madhe e politikës shqiptare, sidomos i asaj qeverisëse.

Prirje në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim

Edhe në ekonomitë e avancuara, në periudhën 2008-2012, numri i të rinjve të papunë është rritur me disa milionë, duke provokuar, kështu, një rritje të papunësisë në afro 25%. Për fat të keq, edhe pse që nga viti 2009, në ekonomitë e zhvilluara, përfshirë dhe ato të BE-së, përpjekjet për punësimin e rinisë kanë qenë të konsiderueshme, ato nuk kanë rezultuar të suksesshme. Konkretisht, nga vlera afro 18% në vitin 2012, kjo përqindje në shtator 2013 ka arritur vlerën mesatare rreth 24.1% në zonën euro, por ama me disa nivele pikiatë papunësie për rininë si në Greqi (mbi 60%), në Spanjë (afro 55%), në Itali e Portugali, (afro 40%) etj. Kurse, në rastin shqiptar, vlerësimi real, ndryshe nga ai zyrtari, duhet të jetë shumë më i lartë.   

Edhe në vende në zhvillim ka rritje papunësie në moshën rinore. Megjithatë, variacionet atje janë të dukshme. Kështu, në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, kjo papunësi në moshat e reja, në vitin 2012, vlerësohej përkatësisht 28.3% dhe 23.7%; gjë që u pasqyrua, në një mënyrë apo tjetrën, në Pranverën Arabe. Kurse, në mjaft vende të Azisë Lindore e Jugore ajo sillej rreth vlerës 9%, gjë që është relativisht e kënaqshme. 

Një vonesë në rritjen ekonomike globale – sinjal negativ

Edhe pas 6 vjetësh nga fillimi i krizës financiare globale, ekonomia botërore vazhdon të mbetet në depresion. Pavarësisht variacioneve të dukshme, FMN parashikon një ngritje të dobët të ekonomisë globale. Ajo është relativisht e vonuar në ekonomitë e zhvilluara, kurse në ekonomitë në zhvillim apo ekonomitë emergjente pritet një ngadalësim në ritmin e rritjes. P.sh., rritja ekonomike në Kinë dhe Indi, për vitin 2013, rezultojnë të jenë përkatësisht 7.6% dhe 3.8%, ndërkohë që, në vitin 2010, vihej re një rritje prej mbi 10%. Për Brazilin pritet aktualisht një rritje prej 2%, ndryshe nga vlera 7.5% në vitin 2010. Siç duket, ekonomi të tilla si ajo kineze, indiane, braziliane etj., nuk mund të mbajmë më peshën e deritanishme në rritjen ekonomike globale. Këto tkurrje të konstatuara kanë bërë që FMN-ja ta ulë 7 herë rresht parashikimin për rritjen ekonomike, nga vlera 4.1% në atë 2.9%. Kjo rënie në rritjen ekonomike është një sinjal negativ edhe për punësimin, pra dhe nivelin e papunësisë në moshat e reja.

Rrezik për humbje të një gjenerate

Në këtë optikë, perspektiva e punësimit të rinisë mbetet e dobët, sepse edhe në vende të Europës ku konstatohen shenja të rritjes ekonomike, procesi i rimëkëmbjes është i pamjaftueshëm në fuqizimin e tregjeve të punës. Nga ana tjetër, në SHBA, me gjithë një rritje inkurajuese, përplasja midis dy kampeve politike ka penguar marrjen e vendimeve të duhura ekonomike. Por, kjo e godet besimin e biznesit dhe të konsumatorit, duke mos dhënë kontributin përkatës në krijimin e vendeve të reja të punës. Situata të ngjashme me humbje besimi biznesi e konsumatori ndeshen dhe në vende të tjera. E tillë mund të konsiderohet edhe situata ekonomike shqiptare…

       Kriza e zgjatur për hapjen e vendeve të punës ka detyruar gjeneratën aktuale të rinisë të jetë më pak përzgjedhëse për vendin e punës. Një gjë e tillë po e prek kapitalin njerëzor, po shkakton një erozion të tij. Madje, ajo që është bërë shqetësuese, deri tepër kritike, është mosbesimi në rritje i rinisë ndaj sistemeve socio-ekonomike e politike. Kjo është pasqyruar në protesta të fuqishme të tilla si lëvizjet kundër masave ekonomike shtrënguese në Greqi e Spanjë, lëvizja “Occupy Wall Street (OWS)” në SHBA etj. Situata është më problematike në rajonet në zhvillim, ku strukturat e tregut të punës apo të sigurimeve sociale ose nuk ekzistojnë, ose janë fare të dobëta. Kjo e ka bërë shumë më të favorshme përfshirjen në ekonominë informale, punësimin në të zezë në shkelje të legjislacionit kombëtar të punës, mosrespektimin e marrëveshjeve individuale e kolektive etj. Akoma më të dhimbshme janë format e ndryshme të shfrytëzimit, subjekt i punës së detyruar nëpërmjet skemave të migrimit e trafikimit etj. Në thelbin e vet, si papunësia ashtu dhe punësimi në të zezë përbëjnë një rrezik serioz për gjeneratën e re, gjë që e bën reale humbjen e një pjese të konsiderueshme të saj apo shkëputjen e saj që në embrion prej tregut të punës.  

Ç’duhet bërë?

Pranohet sot se kusht i nevojshëm për përmirësimin e tregut të punës për të rinjtë është rikthimi sa më shpejt te ritmet e rritjes ekonomike të mëparshme; në rastin e Shqipërisë në rritjen ekonomike në intervalin 7-8%. Por si të arrihet aty? Mbështetur në evidenca konkrete, në shumë vende, përfshirë dhe Shqipërinë, fokusimi mbi konsolidimin fiskal dhe aplikimi i reformave përkatëse nuk ka arritur të prodhojë rezultatin e pritur, përkundrazi, ka dështuar në gjenerimin e atij niveli rritjeje, të domosdoshëm për të kapërcyer krizën e punësimit të rinisë. Kjo duket akoma më qartë në ekonominë shqiptare. Edhe zhbalancimet ekonomike mbeten pengesë për rimëkëmbje, ndërkohë që në rastin tonë pengesë serioze ka qenë dhe mospagimi i biznesit për punën e kryer. Nga ana tjetër, rënia e konsumit e ka bërë të nevojshëm ripërkufizimin e pagave, të paktën në linjë me produktivitetin, sidomos për pagesa të ulëta në çiftëzim me fuqizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore. Mund të arrihet, kështu, një rritje të ardhurash për shtresat më të varfra, dhe, si rrjedhojë, mund të rriten shpenzimet e konsumit apo për kërkesa të tjera të brendshme. Pretendohet se gjë e tillë po tentohet në paketën fiskale dhe në projektbuxhetin shqiptar, por në thelbin e vet ka shumë mundësi që diçka e tillë të ketë ndikime të papërfillshme, në mënyrë të veçantë për punësimin e rinisë.

      Në fakt, në një nivel më mikro, disa vende kanë rezultate më të mira se vende të tjera për punësimin e rinisë. Kështu, në disa prej tyre, skema të përpunuara dhe të mirorganizuara të shkollimit e trajnimit profesional, formimit permanent, dhënies së zanateve të ndryshme etj., kanë dhënë rezultate shumë më të mira se ato, ku gjithçka fokusohet vetëm tek arsimi i lartë; aq më keq me teprime të pafalshme (si ato në Shqipëri) në specialitete të tilla si ai i juristit, ekonomistit etj. Të rëndësishme janë dhe programet e ndryshme publike, skemat e mikrokreditimit dhe financimit për krijimin e bizneseve të vogla e familjare, promovimin dhe mbështetjen e tyre. Pjesë e këtij procesi, krahas garantimit të legjislacionit të punës, rritjes së fondeve dhe investimeve, rregullimeve të domosdoshme të pagesave dhe garantimit të sigurisë sociale, është transformimi i aktiviteteve informale në ato formale si përbërëse e domosdoshme në rritjen e cilësisë dhe sasisë së punësimit për të rinjtë. Po ashtu, duhet të synohet një pjesëmarrje në rritje e moshave të reja të punësuara apo anëtarësim i tyre në lëvizjen sindikaliste, pikërisht për të fuqizuar zërin real të punonjësve të rinj, gjë që në Shqipëri, sot për sot, as që bëhet fjalë… 

* * * 

Në qershor 2012, Konferenca Ndërkombëtare e Punës (ILC) ka adoptuar një rezolutë të titulluar: “Kriza e punësimit të rinisë: një thirrje për veprim”. Pesë fushat e identifikuara aty janë: 1) punësimi dhe politikat ekonomike për të rritur kërkesën agregate dhe përmirësimin e financimit; 2) edukimi dhe trajnimi për të lehtësuar kalimin nga shkolla në punë dhe shmangien e konfuzionit e tregut të punës; 3) politika të tregut të punës që kanë për synim punësimin e rinisë, përfshirë dhe persona të rinj me aftësi të kufizuar; 4) sipërmarrja dhe vetëpunësimi në asistimin e sipërmarrësve të rinj potencialë; 5) të drejtat e punës që bazohen në standarde ndërkombëtare të punës për të garantuar që të rinjtë të arrijnë të përftojnë një trajtim të njëjtë. Por, po aq të rëndësishme janë investimet publike që rrisin produktivitetin e kapacitetin ekonomik, në këtë kuadër edhe përmirësimin e mjedisit ligjor e politik, që garanton rritjen e burimeve për edukim e trajnim. Ka ardhur koha që me këto çështje të merret seriozisht dhe politika shqiptare, mbi të gjitha ajo qeverisëse, përndryshe pakënaqësitë, reagimet dhe protestat e mbështetura nga media sociale, të ngjashme me ato kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, do të shënojnë dhe daljen nga skena, pse jo dhe mbylljen e ciklit të klasës politike të tranzicionit shqiptar…

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00