Home | Opinion | Gabo e vajto!

Gabo e vajto!

image
Dhe nisi sezoni i kinezëve në Kosovë. Nëse ende nuk ju ka lëshuar zemra nga shpërthimet e petardëve, është se ose ende e keni zemrën e fortë, ose jeni bërë aq imunë ndaj tyre, sa më nuk ju lënë asnjë përshtypje.

 

 

Flaka Surroi 

 

 

 

 

 

Dhe nisi sezoni i kinezëve në Kosovë. Nëse ende nuk ju ka lëshuar zemra nga shpërthimet e petardëve, është se ose ende e keni zemrën e fortë, ose jeni bërë aq imunë ndaj tyre, sa më nuk ju lënë asnjë përshtypje.

 

Kështu ia pati nisur 2013-a -- me petardë e me skandale të vjedhjes dhe keqpërdorimit. Kështu duket se do të përfundojë, por edhe me një ngarkesë shtesë – me “marrëveshjen” me Serbinë dhe me problemin se humbëse në këtë proces është Kosova, e cila do të presë gjatë e gjatë për të ardhur te pika ku, falë pushtetarëve kosovarë, ka mbërritur Serbia që nga java që po e lëmë pas. Rrugës për në Evropë me negociata.

 

 

Universiteti i mjerë

 

 

Po të nisja t’i elaboroja të gjitha skandalet që kanë ndodhur gjatë këtij viti, nuk do të më mjaftonte as e gjithë gazeta. Prandaj kësaj radhe do të kufizohem me veçimin e dy syresh që u dalluan gjatë javës së shkuar. Njëri ishte skandal korrupsioni – marrje parash për regjistrim, e për nota, e për kush e di çka tjetër në Universitetin Publik të Prishtinës. Me arrestimin e 11 personave të dyshuar për krim të organizuar dhe rrjet keqpërdoruesish, u “materializua” tema, të cilën tashmë e kishte trajtuar gazeta para dy vjetësh. U desh një përpjekje e organizuar e përcjelljes dhe vëzhgimit policor për t’i kapur ata që ia panë hairin punësimit në një institucion që është politizuar maksimalisht.

 

 

Prej një institucioni që me siguri nuk do të ketë qenë më i përkryeri, porse që kishte prodhuar kuadro të mjaftueshme cilësore për ta çuar atë përpara, Universiteti i Prishtinës është shndërruar në një institucion ku punësimi dhe gradat shkencore merren me më shumë “njoftësi” se kurrë; ku emërimet e mësimdhënësve bëhen me direktiva prej së larti dhe ku rektorët zgjidhen me sms-a. Dhe sikur të mos na dilte boll ky degradim, është shkuar drejt hapjes së universiteteve të tjera nëpër qytete të caktuara të Kosovës, në të cilat përsëri japin mësim (së paku nominalisht) të njëjtët profesorë. 

 

 

E që telashi të mos mbetej vetëm këtu, përkujdesen edhe universitetet private, që edhe ato punësojnë një numër të caktuar mësimdhënësish që janë të angazhuar në universitetet publike, e njëkohësisht edhe në politikë, e që kështu ta mbyllin rrethin dhe të nxisin dyshime të thella në mos i gjithë sistemi i arsimit sipëror në Kosovë është kalbur ende pa u çuar në këmbë të veta.

 

 

Sido që të jetë, kjo që ka ndodhur në UP, po qe se përfundon me konfirmimin e fajësisë dhe mbylljen e hajnave prapa grilave, është lajm i dyfishtë i mirë për Kosovën: një, për shkak se kjo do të jetë mbase ndjekja e parë serioze e një grupi të krimit të organizuar që mund të përfundojë me dënime dhe konfiskime pasurie. Dy, për shkak se mund të jetë fillimi i pastrimit të Universitetit të Prishtinës nga kuadro që nuk e meritojnë të quhen as mejtepxhinj e lëre më profesorë. Do të ishte fantastike po të ndodhte kjo e dyta dhe madje fillimisht me pastrimin e Universitetit nga politika. Shumëkush do të thoshte nga kush? E besoj se ende ka njerëz që punojnë aty e që nuk e duan politikën, por punën akademike. Edhe këta mund të mos jenë më të përkryerit, por së paku trurin nuk do të lejojnë t’ua manipulojnë njerëz me diploma të blera dhe tituj akademikë të falur. Me fjalë të tjera, injorantët.

 

Marsianët e Daçiqit

 

Për “injorant” merret personi, i cili nuk ka dituri apo nuk është i vetëdijshëm për ndonjë fakt të caktuar, sepse, ose është i painformuar, apo është i informuar keq, apo është i paarsimuar, apo është i padijshëm, apo është naiv... Kur një i tillë ka në duar vendimmarrjen, punët shkojnë ters. Porse, kur vendimmarrjen e kontrollon dikush që injorancën e ngatërron me mençurinë dhe arrogancën me guximin, atëherë ndodh diçka ngjashëm me këtë që i ka ndodhur Kosovës me përfundimin e këtij cikli të dialogut politik që ishte “teknik”; e që nuk duhej të lidhej fare për Mitrovicën e ndarë, por që doli të lidhej me një Asociacion të tërë komunash serbe me autonomi “që brina s’ka”; e që dikujt duhej t’i shërbente për mbetje në pushtet, e tjetërkujt për hyrje në Evropë.

 

Gjatë javës së shkuar na doli baronesha Ashton me një raport që përshkruante një situatë imagjinare në këtë trevë të Ballkanit. Aty ajo përshkruante se si kishin qenë dy njerëz që ishin marrë vesh për disa gjëra, e se ato ishin zbatuar pa kurrfarë problemi e, sipas planit që e kishte përshkruar vetë kjo zonja. Aty ajo përkufizonte si zbatim të suksesshëm edhe kur dikush thotë për diçka se “është në vazhdim e sipër zbatimi i marrëveshjes për energji” apo edhe “së shpejti do të nisë zbatimi i marrëveshjes për telekomin”..., natyrisht, e gjithë kjo me qëllimin e vetëm që Serbisë t’i njihej statusi i shtetit kandidat për BE. E që Kosovës t’i thuhet “faleminderit që ia mundësove këtë Serbisë”.

 

Dhe duke iu falënderuar këtyre “sukseseve” është se u realizua edhe një ekspozitë në Beograd – ajo e tre të mbijetuarve të familjes Bogujevci, të masakruar gjatë luftës. Supozoj se do të ketë një kushtëzim, të cilin do t’ia kenë bërë evropianët Daçiqit – çmim i vogël kur merret parasysh se këtë ngjarje e shfrytëzoi për mrekulli Slloba i vogël: u shprehu ngushëllime viktimave të luftës (pa e specifikuar cilën luftë) dhe e tha edhe këtë: “Krimet në Kosovë nuk i ka kryer Serbia”. Reagimi i vonshëm erdhi nga zëvendëskryeministri Kuçi, i cili deklaroi se “është vështirë që të ndërtohet e ardhmja në paqe me Serbinë”. Këtë është dashur ta ketë thënë para se t’ia nisnin negociatat në të cilat kosovarët u futën si “pula pa kry”. Ajo që mungoi ishte reagimi i Evropës – që kapërceu edhe një herë mbi deklaratat serbe, thuajse asgjë s’ka ndodhur. As vrasjet së cilave u referohej Daçiqi.

 

E mira e kësaj deklarate, nëse mund të thuhet kështu, është se Daçiqi nuk i mohon krimet. E keqja është se mundohet të na bindë se ishte Marsi, ai i cili i kishte urdhëruar marsianët e Daçiqit dhe të shefit të tij dhe babait politik Millosheviq, që t’i kryenin krimet dhe masakrat në Kosovë. Është neveritëse të dëgjosh se si me një lehtësi të tillë dikush mund të insistojë se një makineri e tërë ushtarake e policore të ketë vepruar kokë më vete, e që më pas të dëgjosh se si përfaqësuesit e një regjimi fashist janë transformuar në njerëz paqedashës që falë “kooperativitetit” me Evropën i hapin shteg vetes për t’u bërë edhe zyrtarisht pjesë e Evropës.

 

Dhe çka i mbetet Kosovës? T’i shkruajë Evropës dhe të ankohet se pse u favorizua Serbia e u anashkalua Kosova. I mbetet të qajë se pse ka një ekip negociatorësh që injorancën e ngatërrojnë me mençurinë dhe arrogancën me guximin. I mbetet ta qajë veten edhe për lëmshin në të cilin e kanë futur “ata që i dinë të gjitha” – përfshirë edhe “Zajednicën që do të jetë OJQ pa pushtet legjislativ dhe ekzekutiv” dhe për ndryshimin e Kushtetutës për nevojat e akomodimit të minoriteteve peng të të cilëve është bërë kryeministri bashkë me partinë e vet që nuk i ka numrat në Kuvend.

 

Pranverat vijnë e shkojnë, fusnota editiane mbetet 

 

Njëri motiv i vajit është natyrisht fusnota editiane, e cila na është shfaqur në formatin më të ri gjatë javës së shkuar. Të zgjedhurit për udhëheqës komunalë në komunat e Zajednicës, e që janë deklaruar se nuk do ta pranojnë as shtetin, as institucionet e Kosovës, kanë nisur ta demonstrojnë në praktikë. I kanë nisur ftesat për konstituimin e asambleve komunale me logo të Car Lazarit dhe me vulë memorandumi që në fund e mban emërtimin Kosovo* (demek me fusnotë, sa për qartësim). Dhe e dimë çka do të ndodhë – Ministria përkatëse do të thotë s’ka lidhje përderisa e respektojnë ligjin dhe e bëjnë betimin ashtu siç është paraparë. Aty ku nuk e respektojnë ligjin, ata do të konsiderohen ilegalë. Por problemi mbetet, e si do t’ia bëjë Qeveria e Kosovës që ta sigurojë zbatimin e ligjit edhe në komunat në të cilat fizikisht nuk mund të shkelë. Duket se e ka gjetur formulën magjike – do ta thërrasë Brukselin në ndihmë, si palë të tretë, ndërmjetësuese mbase.

 

Mohuesit e shtetit të Kosovës tallen me Kosovën me armën që në emër të Kosovës ua dha zëvendëskryeministrja me atë farë fusnote, që nuk i shërbeu Kosovës as për t’u anëtarësuar në të gjitha forumet regjionale sa ishin premtuar, e lëre më për të bërë diçka më shumë. Me lëshimin pe gjatë gjithë procesit të negociatave në Bruksel, mohuesve dhe “të integruarve” serbë ua dha edhe fuqinë për të insistuar që t’i mbajnë vendet e rezervuara për aq kohë sa të munden “me nxjerrë” në proces pazarllëqesh në nivel lokal. Po insistojnë që këto t’i mbajnë edhe tetë vjet, dhe për më tepër, që t’i shtojnë edhe ca vende, për t’i akomoduar ata të veriut. Porse në asnjë moment nuk e përmendin se vendin e rezervuar në Kuvendin e Kosovës mund ta fitojë dikush madje me vetëm 50 vota, dhe as nuk e përmendin se pos këtyre vendeve të rezervuara, me pjesëmarrje të shtuar në zgjedhjet e ardhshme do të mund të fitonin vende shtesë në Kuvend, sikurse kishin bërë herën e parë – atëherë kur kishin qenë grupi i dytë më i madh parlamentar.

 

E gjithë simbolika e fusnotës është mohimi i vetë shtetësisë së Kosovës duke ia shtuar edhe shtatëmbëdhjetë atribute të kota një emërtimi që mezi u bë mbas gjithë atyre vjetëve lufte dhe pritjeje. Për pasojë, nuk ka dyshim se kjo kërkesë për vende të rezervuara do të kalojë, për shkak se verdikti tashmë është shqiptuar nga “miqtë ndërkombëtarë” dhe do të shërbejë për “paqësimin” e situatës deri në kalimin reformës zgjedhore, që do të duhej të shpinte te zgjedhjet e reja në vjeshtë. Dhe e gjithë kjo fizkulturë do të vazhdojë të na i shkundë nervat dhe të na e dridhë zemrën, posaçërisht sa herë që ndonjëri nga zyrtarët politikë të Kosovës do t’ia nisë ndonjë fjalie të ardhshme me negacion. 

 

Por, në gjithë këtë rrëfim, do të na dalin në ndihmë kinezët. Zemra do të na dridhet, por nuk do të na lëshojë, sepse gafat e politikanëve tanë janë bërë si petardët që, megjithatë, nuk bëjnë të na lëshojë zemra: sepse jemi bërë imunë ndaj tyre. Kush e di sa do të shtohet ky imunitet deri në zgjedhjet e ardhshme...

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0