Home | Opinion | Ideologjia e mashtrimit

Ideologjia e mashtrimit

image
Demagogjia, rrena dhe pafytyrësia janë ndër gjërat më të shëmtuara me të cilat ballafaqohet ky popull i mjerë i Kosovës sa herë që i shikon politikanët e vet në televizor. Aq i kanë rafinuar, saqë i kanë shkrirë ato në ideologjinë me të cilën e sundojnë këtë vend...

 

 

 

Flaka Surroi 

 

 

 

 

Shkoi edhe java e fundit për këtë vit.

 

 

Javën vijuese shumica nuk do të punojnë gjë – për shkak se i 30-i i bie e hënë, e meqë është shumë afër 31- shit, të cilin askush në administratën publike nuk e punon si duhet (posaçërisht gratë se duhet me shku me përgatitë “ruska sallata”), s’ka përse të mos lidhen ato dy ditë me të shtunën e të dielën (demek me sot dhe nesër). Arsyeja është shumë e thjeshtë: sepse ato dy ditë mund të lidhen edhe me të mërkurën e enjten (si pushime zyrtare që janë).Kështu do të mbeste në opsion edhe e premtja – që do të mund të shfrytëzohej si ditë pushimi mjekësor për ta shëruar mahmurllëkun dhe mbufatjen me ushqim turli-turli — për të dalë natyrshëm te vikendi i ardhshëm, i cili është pushim ligjor pune. Por, për të mos e humbur hapin e pushimit, dhe meqë Kosova laike i feston një grumbull festash fetare, përfshirë edhe Krishtlindjet ortodokse, që i bien të martën tjetër, e hëna para kësaj të marte, do të jetë gjithashtu shans i mirë për pushim mjekësor shtesë, ngase mbufatja me siguri nuk do të mund të stabilizohet, për shkak të konsumit të mëtejmë të mishit, të piteve, birrave, dhe natyrisht “ruska sallatave” edhe në ditët vijuese.

 

Kështu me gjasë do t’ia nisë 2014- a, plot entuziazëm për pushime, krejt pak interesim për punë..., për shkak se dihet: puna është me Qeverinë e devotshme që do ta sakrifikojë këtë rehati për të mirën e popullit dhe për të mirën e këtij vendi. Do të vazhdojë të përkushtohet me gjithë shpirt për t’i realizuar planet për t’i shkatërruar “matrapazët’ e zbuluar në çastin e fundit dhe për ta bërë këtë shtet çirak me heqjen qafësh të aseteve të mbetura ende pa dalë në privatizim, si dhe me planifikimin e përfshirjes së tyre në agjendën e asaj që quhet çështje teknike diskutimi me Serbinë, ku mund ta humbim edhe Trepçën e edhe Gazivodën (a Ujmanin, si të doni e quani, se edhe ashtu nuk mund t’i qasemi) e edhe kush e di çka tjetër që nuk po e dimë se po u sillet ndër mend.

 

Do të vazhdojë me diskutimet për ndërrimin e Kushtetutës, për shkak se qashtu po thotë shefi i shefit të shefave dhe gjithashtu për shkak se, siç po e thotë ministri i Jashtëm, “partitë ua kanë premtuar mino - riteteve, atëherë kur është diskutuar për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë”. 

 

Se në emër të kujt janë bërë premtimet, ministri nuk po e thotë, ani që Kushtetuta u takon të gjithëve, dhe për ndryshime, në shtetet normale në botë, mbahen referendume. Te ne, mjafton me e thënë fjalën e fundit të parën madje duke pirë çaj rusi me plot sheqer, që ta ushqen trurin, natyrisht. Dhe mbase do të përfundojë me lajme të mira për këtë vend – me zhvillimin e zgjedhjeve fer dhe të pastra ku do të fitojnë ata që do të mbledhin më shumë vota për shkak të programit e jo për shkak se i kanë vjedhur ato për t’u bërë me pushtet.

 

 

 

Telenovela PTK

 

 

 

Kur të botohet kjo kolumne, do të mbesin edhe katër ditë deri në fund të vitit, i cili nga aspekti i ngjarjeve politike i ka ngjasuar një telenovele të gjatë ku që nga fillimi dihet se kush janë personazhet pozitive, e cilat negative, cilat simpatike e cilat antipatike. E ky vit është një nga ato telenovelat që për shkak të suksesit të shikueshmërisë (që zakonisht ndodh për shkak të intrigave që duhet të zgjidhen me skenar), producentët ia zgjasin jetën duke ia shtuar edhe nja shtatëdhjetepesë episode atyre treqindepesëdhjetë të tjerave që e kanë mbajtur publikun në ankth.

 

Pjesë e telenovelës, natyrisht, kanë qenë sesionet e Kuvendit të Kosovës – institucionit më të papërgjegjshëm politik sivjet. Dhe paradoksalisht, në sesionin e fundit për sivjet ndodhi e pabesueshmja: miratimi i buxhetit për vitin 2014 pa klauzolën tashmë të bajatshme të shitjes së PTK-së, e cila përherë kontrabandohet sa herë që procesi i shitjes së këtij aseti ngec diku rrugës. E kjo ngecje ndodh ka nja katër vjet që po i mbaj në mend unë.

 

Si institucion, të cilit Kushtetuta ia jep fuqinë më të madhe për t’i kontrolluar rrjedhat në shtet, Kuvendi këtë duket se e bëri vetëm një herë të vetme sivjet – dhe kjo duke iu falënderuar opozitës (sic!). Do të mbetet për mbamendje veprimi i përbashkët dhe i koordinuar i të gjitha partive opozitare në raport me Ligjin e Buxhetit, që për herë të parë vepruan si opozitë e vërtetë – dhe e votuan kundër edhe njërit nga buxhetet “zhvillimore” të kësaj Qeverie.

 

Por, megjithatë, çështja e PTK-së nuk është mbyllur. Kështu, në ato katër ditë të mbetur do të vendoset se çfarë do të ndodhë me të. 

 

Pavarësisht këmbënguljes së Kuvendit, kjo Qeveri mund të vendosë ta shesë, sepse do të thirret edhe në ndonjë mashtrim vetëm për ta arritur qëllimin. Pavarësisht kundërshtimit të publikut, e vetmja kompani që i sjell fitim dhe të hyra ekstra buxhetit, mbase do t’i falet anonimusëve në sferën e telekomunikacionit, për shkak se ka diçka shumë të dyshimtë në të gjithë procesin e privatizimit të tri të katërtave të PTK-së.

 

Ajo që vlen të theksohet është se prolongimi i afatit herën e fundit është bërë me kërkesën e Qeverisë. A do të thotë kjo se nëse nuk lidhet kontrata, tash duhet t’u paguajmë dhe dëmshpërblim atyre që me muaj të tërë nuk i mblidhnin ata 234 milionë, që u dukeshin shumë të shtrenjtë? 

 

Nuk e di çfarë klauzole ka - porse jam e mahnitur sa larg mund të shkojë mendja që nuk punon pastër dhe që di vetëm për mashtrim dhe humbje të parasë publike: po të mos ishte kërkuar shtyrja nga Qeveria, Kosova do të mbetej me depozitën e ofertuesve që i kanë qëndruar besnikë ofertës së tyre. Kështu, tash ata mund të kërkojnë dëmshpërblim, sepse do të shfaqet Qeveria e cila do të thotë se për faj të Kuvendit humben ca milionë. E që nuk dihet, porse supozohet, se në xhepat e kujt do të shkojnë.

 

 

 

Shefi i shefave dhe nënkryetari i shefit të shefit te shefave 

 

 

 

Skandaloze ishin dy gjëra që u përmendën e u diskutuan në raport me PTK-në. Gjëja e parë ishte shqyrtimi madje i mundësisë, nga ana e Qeverisë, që të nënshkruhej kontrata me fituesin e privatizimit të PTK-së, për shkak se zyrtarët politikë tash thonë se konsulta me Kuvendin ka pasur natyre politike e jo ligjore. Pra, gjashtë muaj ditë, Qeveria është tallur me Kuvendin, për pasojë edhe me qytetarin, duke e shtyrë në agjendë njëfarë vendimi/konsultimi/mendimi/konfu zioni politik për raportin për shitjen e PTK-së. Gjashtë muaj ditë deputetët janë bërë copë duke u sharë; e partitë politike opozitare, në rend të parë AAK-ja, kanë ndërruar qëndrime sa herë dikush e ka përmendur fjalën koalicion qeveritar/kryeministër, si kusht për realizimin e këtij konsultimi politik. 

 

Gjëja e dytë – deklarata skandaloze e shefit të shefave që i akuzoi partitë opozitare për interesa meskine, dhe për matrapazllëk. Sa për sqarim, mbase duhet të na dalë në ndihmë fjalori i gjuhës së sotme shqipe që për matrapazin thotë se është “tregtar i vogël, që bën tregti me mashtrime, që është spekulator; apo se është njeri pa parime, që kërkon t’ua arrijë qëllimeve me pazarllëqe e mashtrime”. Për dikë që e udhëheq grupin e vet parlamentar dhe kundërshton formimin e komisionit hetimor për privatizimin e postës jo njëherë, por dy herë - e që më pas del e thotë “ne jemi dhe kemi ofruar bashkëpunim edhe për punën në komisionin hetimor”, nuk mund të thuhet e është njeri i sinqertë. 

 

Përkundrazi, mund të thuhet se shërbehet me deklarata demagogjike dhe se derisa i shqipton ato, as nuk skuqet e as nuk zverdhet. Mbase duhet kujtuar shefit të shefave se mashtrim është kontrabandimi i nenit; mashtrim, është kur thuhet po e shesim PTK-në për 277 milionë veç do të na i paguajnë 35 milionë më pak; mashtrim është kur të thuhet se shitja e këtyre aksioneve ka me na sjellë zhvillim ekonomik. Nuk e di a është mashtrim edhe ky fakt: prishjen e kuorumit për të vendosur për komisionin hetimor për privatizimin e PTK-së e ka bërë PDK-ja, pra grupi parlamentar që e udhëheq ai. Me gjasë do të mund të kualifikohej si matrapazllëk. 

 

Por, për të mos e lënë vetëm në këto aktivitete të agjitimit dhe të propagandës, shefit të shefave të cilin nuk e ka shef, iu bashkua edhe nënkryetari i shefit të shefit të shefave, dhe ministër i Jashtëm aktual, i cili e akuzoi LDK-në se tash po e kundërshtonte ndryshimin e Kushtetutës, ani që në shtator vjet kishte premtuar se do ta votonte vazhdimin e mandateve të rezervuara për minoritetet. Pra, kemi një zyrtar të lartë politik dhe partiak të pozitës që tregon se janë bërë pazare për ta ndërruar një akt juridik, i cili edhe ashtu ka qenë kompromis i dhimbshëm dhe, i cili, natyrshëm duhet t’i shuajë prerogativat shtesë që u janë dhënë komuniteteve me Ahtisaarin. Për më tepër akuzon se edhe partitë e tjera janë pajtuar – e që atë tash këtë e mohojnë, sepse me gjasë nuk ka dokument me shkrim për këtë punë.

 

Sido që të jetë - po flitet për ndryshimin e Kushtetutës, thuajse bëhet fjalë për ndërrimin e statutit të një OJQ-je që i përshtatet drejtorit ekzekutiv në një çështje kaq të rëndësishme siç është bllokimi i mbarëvajtjes së punës së legjislativit me ruajtjen e vendeve të rezervuara. Nuk e di çka kanë menduar kur kanë folur për këtë punë, porse nuk e di nëse e kanë llogaritur se dy të tretat e 20 vendeve, plus ndoshta edhe 15-20 vendeve të tjera që do të fitoheshin me vota të përgjithshme, janë shumë më shumë sesa dy të tretat e 15-20 vendeve, që do të nevojiteshin për t’i votuar ligjet e “interesit vital”. Nuk e di a kanë menduar fare për faktin se po i hyjnë ndryshimit të kushtetutës, pa konsultim paraprak me popullin dhe në bazë të një marrëveshjeje të imponuar e që fillimisht nuk e ka pasur fare çështjen e minoriteteve në agjendë.

 

Hoxhaj, duke qenë nënkryetar për çështje programore dhe reforma i PDK-së, do të duhej ta dinte se shefi i tij ka nënshkruar marrëveshje me Mustafën e Pacollin nën diktatin e Dellit, që ta bëjnë reformën zgjedhore dhe ta ndërrojnë Kushtetutën ashtu që të zgjidhet kryetari i shtetit drejtpërsëdrejti. Të mos e përmendim tash çështjen e zgjedhjes së kryetares nga zarfi me mandat të kufizuar dhe antikushtetues. E ka ditur atëherë, dhe e di edhe këtë herë se krejt çka po flitet dhe çka po flet ai është paralajmërim i veprimeve që do të ndërmerren ashtu që me çdo kusht të sigurohet pushteti i partisë së tij, përderisa dita më ditë, mbesim larg e më larg edhe perspektivës evropiane e edhe OKB-së. 

 

Është shumë e dhimbshme të shihet se si gati pas pesëmbëdhjetë vjetësh veprimi politik që nga fundi i luftës, është ideologjia e mashtrimit ajo mbi të cilën është ndërtuar pushteti në Kosovë. Janë demagogjia, rrena dhe pafytyrësia që e karakterizojnë këtë kastë politike të komprometuar aq shumë me gjithë atë dëm që ia ka shkaktuar kësaj shoqërie, e që fatkeqësisht ende mbahet në pushtet falë mashtrimit dhe vjedhjes.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00