Shtet ligjor për vete dhe bonusi BE
Politika e tranzicionit ka luajtur pafund lotari me dinjitetin e shoqërisë me ‘lutjet’ ndaj BE dhe sot, përveçse të refuzuar, jemi dhe qesharakë. Obsesioni ynë duhet të jetë shteti ligjor dhe gjeopolitika e favorshme për të garantuar shansin, dashamirësinë dhe mirëkuptimin perëndimor në konsolidimin e tij, duke shmangur çdo interferencë ‘kali troje’ prej gjeopolitikës ...
Nga Prof. As. Dr. Artan Duka
Shtyrja e vendimmarrjes rreth statusit kandidat prej BE nuk mund të mos pezmatojë. Nga 1990, 2023 hipotetik i pranimit, plus ca vite deri në integrim real (sikurse rumunët e bullgarët), i bie 35-40 vjet ‘mollë e ndaluar’ por që nuk mund t’i faturohen më monizmit si dikur. Edhe më pesimisti në 90 nuk do e imagjinonte një rrugëtim kaq të gjatë drejt BE dhe fakti që rilindja artikulohet sërish si fjalë pas 23 vitesh pluralizëm dëshmon se fitorja e 23 qershorit ishte fitore ‘pirroje’. E keqja ndodhi dhe për më tepër politika që e polli atë, ende bën karshillëk. Plot dy dekada shteti ligjor u nëpërkëmb dhe pjesë e ‘faturës’ është edhe integrimi europian. Integrim me ‘limon’ nëpër këmbë Mbrapshtia e 20 viteve nuk shpjegohet vetëm me mungesën e kulturës demokratike, tundimin për abuzim apo egon e syresh në politikë. E keqja ‘brenda’ nesh shpesh ‘gatuhet’ jashtë ndaj nëse përflitet se lëvizja e dhjetorit u mor peng nga ‘Katovica’ dhe interesat antishqiptare, shteti ligjor do të mbetet iluzion sa kohë nuk reagohet ndaj ‘gjakut të shprishur’ të ‘esadpashëve’ modernë.Kudo në rajon hiqen ‘vija të kuqe’ nacionaliste; tek ne asaj i ka dalë ‘boja’ dhe zbythet sipas oreksit të interesave antishqiptare në rajon (mungesa e reciprocitetit, klientelizmi në ekonomi, kufiri detar, helenizimi absurd etj). Përtej prekjes së xhepave, vjedhjes së votës apo vrasjes së shtetasit, interesi kombëtar merr prioritet dhe drejtësia duhet të zhbëjë idhujt e rremë duke vënë diçiturën e duhur në librin e historisë ndaj çdo ‘limoni’, i ‘shtrydhur’ apo ende në ‘pemë’ qoftë ai. Me ‘mik’ në BE! Integrimi do dy palë dhe përtej sjelljes së BE, fillohet nga vetja. Ne jemi europianë edhe pa qenë formalisht në BE dhe obsesioni i integrimit si qëllim në vetvete, provokon formalizëm dhe ngut në sendërtimin e shtetit ligjor që rezulton i brishtë pafund. Përtej kompromiseve në sovranitet, integrimi drejt BE, nuk i paraprin zgjidhjeve të problemeve; mirëqenia nuk ka përse të lidhet me ‘etiketën’ e BE (mjaft vende në perëndim nuk janë në BE sikurse të tjera mund ta lënë atë).Integrimi, nëse ndodh (ndoshta BE shpërbëhet, ndoshta referendumi e refuzon), duhet të jetë finalizim i natyrshëm i zhvillimit ndryshe avancimi me ‘mik’ drejt BE jo vetëm nuk eviton statusin e ‘bishtit të kavallit’ brenda saj por rrezikon t’i japë alibi politikës abuzive në vend (kreditim politik sikurse me NATO-n) sikurse vetë paketat financiare mund të shpërdorohen në kushtet e shtetit të brishtë ligjor.
Politika e tranzicionit ka luajtur pafund lotari me dinjitetin e shoqërisë me ‘lutjet’ ndaj BE dhe sot, përveçse të refuzuar, jemi dhe qesharakë. Obsesioni ynë duhet të jetë shteti ligjor dhe gjeopolitika e favorshme për të garantuar shansin, dashamirësinë dhe mirëkuptimin perëndimor në konsolidimin e tij, duke shmangur çdo interferencë ‘kali troje’ prej gjeopolitikës antishqiptare përmes bashkëpunimit me vendet historikisht dashamirëse, SHBA në rradhë të parë. Dy kutet e BE Përtej ‘pengimit me këmbët tona’, reagimi i BE, nuk mund të mos shihet si qasje me dy kute prej saj teksa bie në sy se:(a) ajo nuk flet me një zë rreth vlerësimit të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Apelit të PE, komisionerit për zgjerim, 8 ministrave të jashtëm të BE etj, iu kundërvu apeli i një vendi të vetëm, sikurse të tjera ndërruan mëndje në fund ndërkohë që ‘metri’ i vlerësimit duhet të jetë standard për mbarë BE. Këto divergjenca publike provokojnë konfuzion në publikun shqiptar e testojnë vokacionin e tij perëndimor ndaj shmangja e tyre përmes konsultimeve paraprake do ishte një qasje më racionale.(b) për vende aplikante në të shkuarën e afërt, ‘steka’ e vlerësimit ka qenë më poshtë teksa Serbisë iu hap drita jeshile megjithë trashëgiminë e luftrave, mosnjohjes dhe pendesës ndaj genocidit në Kosovë, marzhinalizimit të shqiptarëve në jug etj. Po kështu të tjera u futën në BE megjithë problematikat të cilat sot përdoren si alibi ndaj aplikimit të Shqipërisë. Qasja ‘të mos përsëritim gabimin’ po rëndon artificialisht aspiratën proeuropiane të një shoqërie me vokacion unik perëndimor për më tepër kur vërehet qasja ‘fshij këpucët pa të hysh pastaj bëj pis sa të duash brenda’ (korrupsion elitar, krim i organizuar deri skllavëri etj në disa vende të BE) ku të njëjtat kritere që aplikohen për pranim, as nuk mendohet të aplikohen për përjashtim(!)(c) alibia e rradhës për statusin ishte testimi i vullnetit për reforma deri në qershor(!) (qeveria e korruptuar abuzon dhe më pas, bile edhe kur të jemi në BE).
Nuk ndodhi kështu me Serbinë të cilës iu përshpejtua integrimi ende pa u testuar në marrëdhëniet me Kosovën dhe respektimin e të drejtave të krahinave shqiptare në Serbi (edhe negociatat po fillojnë në kushtet e paqartësisë së qëndrimit të Serbisë ndaj të kaluarës ndërkohë që Shqipëria ka qenë përherë faktor stabiliteti).Shpërfillja e BE ndaj një vendi që ka investuar veç paqe dhe kontribut prej lashtësisë në ngjizjen e qytetërimit europian nga adoptimi i Krishtërimit si fe zyrtare në Romën e lashtë me efekt në identitetin europian, ‘termopilja’ e Skëndërbeut në ruajtjen e këtij identiteti, Nënë Tereza, promovimi i stabilitetit në kushte krizash (Lufta e Ftohtë, luftrat ballkanike, mosmbështetja e invazionit fashist ndaj fqinjëve, refuzimi i ofertës nazi-fashiste për shtetin etnik, vuajtja e genocidit ndaj Çamërisë dhe Kosovës, denoncimi i Traktatit të Varshavës dhe zbuarja e flotës ruse etj), ndërkohë që vuan ende pasojat e coptimit të 1913, nuk duhet të gëlltitet me servilizmin tradicional të klasës politike në tranzicion. Nëse BE dikur ka hapur dyert për arsye gjeopolitike (rasti i Greqisë), ajo nuk mund të shpërfillë borxhin e 1913 dhe shlyerjen sadopak të tij. E njëjta BE që më 1990 hapte dyert e ambasadave, sot vë kushte pas kushtesh për lëvizjen dhe punësimin e qytetarit shqiptar ndërkohë që Shqipëria nuk është Rumani dhe për një hapësirë të stërmadhe ekonomike si BE, futja e një vendi modest nuk përbën lajm dhe çdo merak për tregun e punës apo abuzime sociale, është alibi, për më tepër për diçka me gjasa një dekadë më pas. Retorika antizgjerim e provokuar nga nacionalizmi në BE, nuk duhet të ndikojë ritmin e zgjerimit kur vetë statusi nuk është hapje dyersh por paradhoma e një procesi të gjatë negocimi për të zhbërë çdo dyshim. Alibia e korrupsionit elitar prej BE, nuk zhbën faktin se këto 20 vite ajo vetë ka certifikuar manipulimin e votës duke vijuar partnershipin me qeveritë e korruptuara me ato pasoja në sendërtimin e shtetit ligjor që sot serviren si alibi për shtyrjen e statusit në fjalë. Reciprocitet me BE! Ndoshta BE e merr të mirëqenë një shoqëri pothuaj 100% pro integrimit teksa favorizon nga paniku gjeopolitik apo patronazhi historik (që daton nga 1913) vende që dje mbillnin luftra në rajon.
E nëse ‘dera’ mbyllet në fytyrë, sa kohë jashtë, të rrimë me dinjitet dhe reciprociteti është pjesë e tij. Qytetari shqiptar nuk është më inferior se ai i BE dhe nëse viza apo rregulla punësimi aplikohen ndaj nesh, e njëjta gjë duhet bërë dhe prej nesh. Ekonomia jonë nuk ka nevojë për ‘investitor’ pare-xhepi por për biznese serioze që nëse tuten nga një vizë, ndoshta nuk janë të tillë dhe nëse vetë BE fton investime nga gjithë bota, të njëjtën gjë të bëjmë dhe ne.Shtyrja e statusit provokon ndërkohë spekullime plot ku më i papranueshmi është artikulimi i ‘hakmarrjes’ amerikane për odisenë e armëve kimike në vend. Qeveria u kap vërtet ‘gafil’ në këtë çështje duke rënë në panik nga ‘Po’-ja në parim tek ‘Jo’-ja nën presionin e protestës ndërkohë që nëse ‘Po’ në parim, mund ta çonte çështjen në parlament. SHBA janë sponsor historik të Shqipërisë dhe interesi amerikan është të shohin vendin në BE sepse përtej qeverive, partnershipin e ka me kombin shqiptar. Aksioma e miqësisë me SHBA është aset për vetë integrimin në BE dhe çdo ‘shkop nën rrota’ këtij partnershipi unik, çon ‘ujë në mullirin’ e gjeopolitikës antishqiptare në rajon. Shembujt nga rajoni dëshmojnë se vënia e interesit kombëtar në plan të parë, përveçse respekt ndaj vetes, krijon respekt dhe tek të tretë, duke katalizuar vetë integrimin drejt BE. Sesa ‘tuneli’ i gjatë i integrimit, ajo që zhgënjen qytetarin shqiptar është ngurrimi i BE për të ndezur ‘dritat’ përgjatë tij. Për të ditur ku të hedhim hapin sepse nëse na lënë të ‘çapitemi’ në ‘terr’ deri në daljen me ‘diell’ (demokraci dhe shtet ligjor më në fund), nuk mbetet veçse ‘faleminderit, por jo’.
Comments (0 posted)
Post your comment