Home | Opinion | Partia e falsifikimeve të mëdha?

Partia e falsifikimeve të mëdha?

image
Megjithëse, Shqipërisë qysh 20 vjet më parë ju vu zjarri, u rrafshua e gjithë ajo industri që u ngrit me thonj e gjak për 40 vjet, u shkretua, u coptua çdo fushë e mbjellë, u përtha çdo rezervë e burim uji ndërtuar nga dora e njeriut, u tha çdo pemë qysh në fidan, u shkul e u ça çdo pyll nga fusha e deri në mal, llurba e llumi mbushi lumenj e delta, kënetat festuan “ringjalljen” e tyre, bregdeti u ndy e vija e tij përmbyti e drobiti brigje të tëra.

 

 

 

Nga Bardhyl Ermini  

 

 

 

 

Kriza morale nuk është shumë e rëndë kur kërcënon, ajo është e tmerrshme kur thelbin e vet e paraqet si normë morale. Ndërkohë që duket krejt qartë se politika e vendit kërcënohet me paralizë celebrale, përfaqësues të opozitës, që ngandonjëherë duken se kanë vlerë, zhvlerësohen deri në zero, e bashkë me vete marrin përpara edhe atë pak etiketë demokratike, e cila ka mbetur si i vetmi ngushëllim për të mos e qelbur të ardhmen. Disa ndodhi politike të muajit që lamë pas, të bëjnë të mendosh se gjendja është ndofta edhe më e rëndë se ajo që parashikon Sali (Baba) Berisha me 49 “hajdutë”. 

 

 

Pa pasur asnjë nxitje të qenësishme, pa pikën e kuptimit, 3-4 javë më parë deputetja Mesila Doda, “sulmon” në mënyrën më idiote, pikërisht atë që sot, të paktën sot, është bërë modeli më adekuat për shqiptarët që duan të jetojnë si europianë dinjitozë, profesorin fjalë urtë e vepër madh, Rexhep Qosen. E quan as më pak e as më shumë “ish marksist-leninist”, të cilit i “janë prekur mitet diktatoriale, e në vend të merret me prangat e proletariratit, tani merret me frizurat e deputetëve të opozitës”. E gjitha kjo, meqenëse profesori e ka quajtur jo normale sulmin ndaj kryeministri Rama, kur një turmaxhiu ju tek të ekspozojë portretin e Enverit të paharrueshëm të papafillos së partisë të saj, tamam kur zoti Rama përkulej me nderim para monumentit të dëshmorëve të kombit. Megjithëse me durim, profesori përpiqet ti mbushi mendjen asaj e kujtdo tjetër, se veç të tjerash, krahasimi gjithmonë bëhet mbi baza njohje e logjike, si dhe të vesh shenjën e barazimit ndërmjet Hitlerit dhe Enverit është “akuzë poshtëruese e popullit të vet”. Sepse për këtë nuk mjafton vetëm të dëgjosh seç thotë doktori i bërë i tëri “synet”, por më se pari ç’thotë historia e historianët. Se ja, përshembull unë mund të bëja një krahasim të tillë: Sali-Stalin, por a qëndron? Të dy kanë vrarë. Të dy kanë persekutuar. Të dy e kanë mbështetur fuqinë e tyre te policia sekrete.

 

 

Të dy e kanë mbështetur demagogjinë e tyre mbi një drejtësi kriminale. Por, kjo mund të jetë “poshtëruese për popullin”, pasi nëse Stalini ka udhëhequr luftën e dytë botërore kundër fashizmit, i pari, Sali derëziu, jo vetëm që nuk ka lidhje me këtë luftë, por përkundrazi, si askush tjetër udhëheqës në çdo cep të globit, ju ka bërë një nder të pakrahasueshëm bashkëpunëtorëve të fashizmit, si dhe në përgjithësi figurave që historikisht populli i ka quajtur tradhtarë. “T’i dukesh budalla të urtit nuk është ndonjë tmerr”, thotë Eskili. E natyrisht, këtu do ta ndërpres këtë hulumtim në katakombet e mendjes së Mesila Timoshenkos shqiptare, e cila në vend ta marrë më me të lehte jetën, tmerrohet pa asnjë lloj shkaku, ndërkohë që edhe mua më duket sikur kam marrë mision polemik në mbrojtje të mendimeve të profesorit, kur ndërkohë jo vetëm që nuk ma ka nevojën, por më bën ndofta edhe qesharak. Si thotë një fjalë e urtë, “nuk pyet ariu për miza”! Interesant në këtë palaçollëk, është se një përfaqësuese e politikës zyrtare opozitare, një “ish pjesëmarrëse në lëvizjen e dhjetorit 1990”, flet për “marksistë leninistët e vjetër”, e kruhet kështu si lopa në grazhd. Me cilin e ka vallë? Sepse edhe një fëmijë e di se profesor Qosja mund të ketë lidhje me marksizëm- leninizmin, aq sa ç’mund të ketë lidhje Sali Berisha me tabelën e Mendelejevit.

 

 

Opozitarja leshra verdhë ose ka luajtur mendsh, ose ka filluar ta marrë kthesën, por kaq ëmbël e kaq larg sa kur të dalë, do të gjejë e dëgjojë vetëm cicërima zogjsh. Sepse me sa duken bathët, “pashkët” e kësaj partie janë fare afër, e jo vetëm Basho bandilli 250 milionësh i “Rrugës të Kombit”, por edhe Gjeto Basho Muji të ngrihet nga varri, nuk bën më derman. “Bajlozi” ka pllakosur ngado, kusaria e hajdutëria kanë buruar nga çdo majë zyre, bashkie, e dikasteri. Vendi, nga ana e qeverisë së kësaj partie është grabitur në formën e një borxhi kriminal, fiks aq se grabitën kompanitë piramidale të marksist-leninistit më të madh të vitit 1997. Vetë ky “kapedan” tru shkulur, ka mbi tre muaj që nuk po lë “halé” pa pastruar, nuk po lë njeri pa kërcënuar, nuk po lë institucion pa anatemuar. Vepra më e mirë e një të marri nuk mund të jetë vetëm se marrëzi. Por, kur ajo kushton kthehet në krim. Me kërcënimet që ai i adreson opozitës, të cilat ashiqare flasin për dhunë e terror, e me “thirrjet” krejt fashiste që përpiqet ti drejtojë popullit, duket fare hapur se ai e ka përgatitur tashmë “mina surprizën” e vet ndjella keqe. Ky njeri që duket sikur ka dalë direkt nga brigadat e kuqe të “revolucionit kulturor”, kjo krijesë fatkeqe që gjykon me instikte, ky prind primitiv që nuk i mjafton më çifti Rama, por (për llogari të një ministri të këtij të fundit) mori nëpër gojën e tij me erë një palë prindër të tjerë që janë në punë e në hall të tyre, ky monstër shoqërore, ky politikan i ngujuar, kërkon ende me insistim pushtetin që e uzurpoi 8 vjet më parë me matrapazllëk, e që e humbi 6 muaj më parë me një “knockdoën” që populli ja plasi mu në lule të ballit. Ka tre muaj që shumica qeverisëse sulmohet pa pikën e logjikës e principit nga ky ish kryeministër, me argumentat më qesharake.

 

 

Ky mizë kali nuk ndahet, sulmon e sulmon, shpif e trillon, gënjen e mashtron, skuqet nga urrejtja për kundërshtarin, e cila e ushqen për të sfiduar moshën e sklerozën që i ka kapur kokën. Kjo kufomë e viteve të socializmit, ky anëtar partie komuniste që historinë e njerëzimit asnjëherë nuk e ka kuptuar si një realitet në zhvillim të pandërprerë faktesh, ngjarjesh e dukurish, por si një abstraksion koincidencash të haluçinacioneve të tij, mendon se ajo ç’ka ai thotë duhet të jetë ligj, jo vetëm për familjen e vet natyrale e politike, por për krejt shoqërinë shqiptare. E kjo, duket, se nuk vjen nga ndonjë farë përkëdheljeje që mund ti ketë bërë koha. Të përkëdhelurit nuk ka lidhje me krijesat e hurit e të litarit. As nga ndonjë lloj “niveli” që mund të ketë arritur kjo “copë guri” rrokullisur nga malësia e Tropojës, drejt e në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Kultura në trurin e tij, qëndron si galloshja në vend të kapelës, e librat që ai ka lexuar ose ju kanë “vdekur” shkrimtarët që jetojnë, ose janë “rivarrosur” ata që kanë vdekur. Mund të radhiten një sërë karakteristikash të demonstruara nga kjo figurë kaq komplekse në injorancë, e kaq të rëndomtë në dukurinë e vet. Sepse me një thjeshti të “mahnitshme” ai këmbëngul çdo ditë se ende nuk e ka kryer misionin e tij.

 

 

Megjithëse, Shqipërisë qysh 20 vjet më parë ju vu zjarri, u rrafshua e gjithë ajo industri që u ngrit me thonj e gjak për 40 vjet, u shkretua, u coptua çdo fushë e mbjellë, u përtha çdo rezervë e burim uji ndërtuar nga dora e njeriut, u tha çdo pemë qysh në fidan, u shkul e u ça çdo pyll nga fusha e deri në mal, llurba e llumi mbushi lumenj e delta, kënetat festuan “ringjalljen” e tyre, bregdeti u ndy e vija e tij përmbyti e drobiti brigje të tëra. Sepse në fakt, kanë mbetur edhe disa gjëra të tjera që mund të “transformohen”. Nëntoka, pjesa më e madhe e saj është e paprekur e aty mund të futen deri në fyt gospadin Fazlliç e kolegët e tij. Turizmi bregdetar e sidomos ai i jugut, nuk mund të menaxhohet nga shqiptarët, ai është një aktivitet ku biznesmenët me origjinë sllave janë të “lindur” për këtë aktivitet. Tirana, nisi por nuk bitisi të “gëzonte” realisht projektin “gjigant” të realizimit të qendrës më të madhe ballkanike të lodrave të fatit e bixhozit, të menaxhimit e shpërndarjes të marijuanës “made in Albania”, si dhe shtrirjes të rrjetit universitar deri në lagjet e blloqet e banimit të popullit tonë universitet dashës.

 

Të kthehemi në fillim. Nëse, deputetja Doda me bashkëkohasit e saj, si protagonistë të dhjetorit të vitit 1990, kur me në krye “themeluesin” e PD, përmbysen një nga diktaturat më të egra në botë” (megjithëse egërsira kishte 6 vjet që kishte vajtur te të shumtit), e kanë rastin për të vërtetuar dekoratën që i kanë dhënë vetes.

 

 

Ta përmbysin me “trimërinë” e tyre që i karakterizon edhe këtë të fundit diktaturë, atë më të “ëmblën” në botë, kur “ëmbëlsirën” e kanë fringo të gjallë e në mes të të paktëve. Sepse vendi ka nevojë për paqe e ai i nxit urrejtjen, vendi ka nevojë për energji e ai stimulon shkatërrim, vendi ka nevojë për zhvillim e ai predikon dinamit, vendi ka nevojë për të ardhme e ai reciton Nastradinin. Me këtë figurë të “ëmbël” por të neveritshme për shoqërinë tonë, nuk mund të vazhdohet më. Pa opozitë vendi rrezikon kolaps shoqëror. Me “opozitën” e Berishës ai padyshim që po futet në rrugën pa krye të prapambetjes e të diktaturës të bandave. Respekt e konsideratë për Kryeministrin Rama, por, mendoj se pa një kundërshti të natyrshme, pa një forcë që të përfaqësojë denjësisht çdo lloj pasaktësie apo gabimi që mund dhe bën ciladoqoftë qeveri, pa një përballje të denjë platformash e jo farse, qeveria e sotme do të amortizohet fare shpejt nga “dimri i vetmisë të madhe” e për rrjedhojë vendi do të shkojë keq, në mos në dekompozim.

 

 

Një vend i lodhur, pa punë, me borxhe katastrofike, i grabitur pa mëshirë, me ambient të egër, pa perspektivë e i mashtruar me dhjetra e dhjetra vite, nuk mund të rezistojë dot. Kanë rënë përtokë vende krejt të ndryshme e shumë më të fuqishme se ne, megjithëse nen sqetullën e aleatëve nën të cilët mburremi pa pikën e turpit. Amerika e Bashkimi Europian janë vendet e punës e të qëndrueshmërisë. Dembelët e mburravecët ato i bëjnë për të vjellë, jo vetëm deri në pranverën që vjen, por edhe pas 100 pranverave si kjo që presim këtë vit. Nëse në Partinë Demokratike, ende nuk gjenden forcat e duhura për të pastruar veten nga mbetjet e të kaluarës, në se ajo nuk merr me plot dinjitet rrolin e saj natyral, ajo shkon drejt fundit të pashmangshëm të saj, e tërheq pas vetes krejt vendin, që në fund të fundit ka bërë aq sa të shohë përpara e të pretendojë për mirëqenie. Nëse muaji mars këtë parti e gjen siç e filloi këtë vit, ajo nuk është e nuk ka qenë asnjëherë partia e ndryshimeve të mëdha, por partia e falsifikimeve të mëdha, partia e injorancës dhe e errësirës.....

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0