Home | Opinion | Lëvizja e ndërgjegjes

Lëvizja e ndërgjegjes

image
Është thënë shumë në luftimin e korrupsionit, e krimit të organizuar e kështu me radhë, që për mendimin tim, po pati vullnet politik kjo mund të zgjidhet fare lehtë, ngase dua të besoj se shteti është më i fortë se çdo ”organizëm” tjetër ilegal.

 

 

 

Muharrem Miftari  

 

 

 

 

 

Me fitimin e pavarësisë së Kosoves nuk është zgjidhur gjithçka. Kjo s’do koment.

 

Kosova si identitet i ri shtetëror në vetvete ngërthen probleme që rëndojnë në hapërimin e saj drejt prosperitetit, ndonëse si komb, duke qenë ende të ndarë, gjithashtu çalojmë rëndë në drejtim të prosperitetit.

 

Duke qenë probleme të trashëguara, disa procese me një të rënë të shpatës nuk qe e mundur të zgjidhen të gjitha njëherësh, por me një organizim të drejtë e me një energji të bashkërenduar, çështjet që prisnin zgjidhje, nisën të zbërthehen në proces. Kështu, arritëm deri këtu ku arritëm.

 

Por, në perspektivën e kohës a mund të thuhet se jemi në koherencë. Megjithatë, disa nga problemet që kanë ngelur pa u zgjidhur sikur ngërçojnë procesin e zhvillimit tonë si shoqëri e si komb.

 

Ndërkaq, nga BE-ja me një zë ngjyrëpërzier na ndëshkojnë se ende nuk janë kryer punët në renditjen e duhur që do të plotësoheshin sipas kërkesave të standardeve të tyre. Ndër ato kërkesa ishte edhe arritja dhe zbatimi i marrëveshjes mbi fqinjësi të mirë mes Kosovës e Serbisë, për çfarë nuk denjoj të hyj në shkoqitjen e kësaj marrëveshje.

 

Pa kthyer optikën kundrejt BE-së, së pari duhet parë se ku janë gjërat që na bëjnë të çalojmë në hapërimin tonë drejt BE-së.

 

Është thënë shumë në luftimin e korrupsionit, e krimit të organizuar e kështu me radhë, që për mendimin tim, po pati vullnet politik kjo mund të zgjidhet fare lehtë, ngase dua të besoj se shteti është më i fortë se çdo ”organizëm” tjetër ilegal.

 

Por, një gjë mua më intrigon prej kohësh.

 

Duke parë për së afërmi mënyrën e tejkalimit të një plage aq të rendë kombëtare të finlandezëve që nga koha e paspavarësisë së vendit, ku janë vrarë mes vete mëse një milionë njerëz, politika finlandeze gjeti forcën dhe dijen dhe bëri zgjidhjen e kësaj plage; duke parë përvojën e gjermanëve të cilët gjetën rrugëdaljen e këtij procesi, thuajse menjëherë pas bashkimit të trojeve të tyre; duke parë përvojën e jugoafrikanëve të cilët gjetën kurajon dhe bënë zgjidhjen më të mirë të mundshme mbi pajtimin mes racave; duke parë rrethanat që po zhvillohen përreth vendit tonë dhe kërkesat që po iu shtrohen, që mbingarkojnë edhe më procesin, sikur të pyetesha do t’u lutesha për një kërkesë, një lutje, sidomos mbi ata që kanë mundësinë, fuqinë, dijen për të vënë në jetë një veprim sa humanitar, po aq më shumë kombëtar. E kjo do te ishte të thuash një Lëvizje e Ndërgjegjes.

 

Hapja e dosjeve në hapësirën tonë po përmendet si me rrëqethje dhe hera-herës kalon në heshtje, duke shkaktuar një lloj zjarrmie të brendshme. Pse të ndodhe kjo? Ngase kanë frike që të hapen dosjet? A mund të shkojmë në botën tjetër, para Zotit me të fshehtat tona? Fundja, pse të shkojmë atje me një barrë të tillë që fut në mëkat edhe të palindurit?!

 

Se, si thamë më lart, liria nuk është petk me të cilin mbuloj vetëm trupin tim. Liria është drita a horizonti që mund të shohin me sytë e tu edhe të tjerët. E, kjo do të thotë që edhe ne si popujt tjerë që lartpërmendëm të bëjmë një hap të tillë drejt pajtimit, që do të thotë se ata që sollën lirinë e vendit, ata që u burgosën për një ditë të tillë kanë për obligim që trimërinë ta zbërthejnë në urti.

 

E kjo do të mund të arrihej sikur:

 

a) të formohej një këshill, në përbërje të së cilës mund të jenë intelektualë të profileve të ndryshme, avokatë, gjyqtarë me të kaluar të pastër, përfaqësues të konfesioneve të ndryshme fetare (hoxhë, prift, dervish...);

 

b) ky këshill të ishte i sendërtuar me nënkëshilla nëpër qytete tjera dhe lokacione tjera në gjithë territorin.

 

Atëherë, pastaj, me një vullnet të mirë, me një detyrim të ndërgjegjes të arrihej të shpalosej e gjithë e shkuara e njerëzve tanë, në mënyrë që ndërgjegjja e kombit të flinte e qetë në ardhmërinë që na pret.

 

Ata që refuzojnë të hapin librin e ndërgjegjes, të refuzohen edhe nga Zoti edhe nga kombi.

 

Me këtë hap, bartësit e këtij veprimi do të jepnin një porosi të shenjtë: se ne, që sollëm lirinë, sikundër kemi thënë të vërtetën mbi Atdheun dhe lirinë, e kemi bërë atë, pra Atdheun, lirinë, jo vetëm për vete, por edhe për të gjithë, pa dallim.

 

Ndërkaq, më vije ndërmend një thënie: ç’faj ka trupi për shpirtin e sëmurë?

 

Le të bëhet e gjithë kjo vetëm e vetëm që urtia të shpëtojë nga intrigat, se, siç thuhet në librat e shenjtë: të vrasësh një njeri të pafajshëm, është sikur ta vrasësh tërë njerëzimin!

 

Kështu, bota do të bindej se jemi populli që ka lindur personalitete të kalibrave planetar, që, mbase, s’është e udhës t’i përmendim me këtë rast.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0