Home | Opinion | Nëse së bashku me SHBA, së bashku për çdo gjë

Nëse së bashku me SHBA, së bashku për çdo gjë

image
Qeveria duhet të respektojë mendimin qytetar për këtë çështje duke ia deleguar vendimarrjen parlamentit në komunikim të vazhdueshëm me shoqërinë civile duke mos rënë pre e intimidimit të histerisë së provokuar nga politika e mbrapshtë apo interesat antishqiptare.

 

Nga Artan Xh. Duka 

 

 

 

 

‘Nusërim’ sërish! Nëse çështja e armëve kimike risillet në skenë, qeveria, politika dhe shoqëria shqiptare ka shansin të dëshmojë përgjegjshmërinë e pritshme për një vend të NATO dhe aspirant në BE. Apeli për kontribut në këtë çështje është apel për kauzën e paqes, si i tillë parimor dhe kombi ynë asnjëherë në histori nuk ka bërë ‘strucin’ pavarësisht kostove dhe përfituesve real (nga qëndresa e Skënderbeut për mbrojtjen edhe të qytetërimit të krishterë, kontributi në revolucionin grek, antifashizmi i pa tunduar prej ofertave etnike të okupatorit, denoncimi i Traktatit të Varshavës etj). Kontributi ndaj një sfide të tillë parimore është domosdoshmëri për ‘CV’ e çdo vendi demokratik dhe kjo vlen edhe për ne. Sfida e përbashkët në këtë rast është balancimi i ndjeshmërive të një shoqërie në emancipim e sipër demokratik (ecja me këmbët tona, kujdesi ndaj mjedisit, pesha e shoqërisë civile etj) me përgjegjësinë e pashmangshme për të bërë tonën për paqen në botë.  

 

 

 

‘JO’ e një konteksti të tejkaluar 

 

Për një çështje parimore, përgjigja në parim nuk mund të jetë JO. Verdikti i paradokohe qeveritar rreth kësaj çështje mbetet kontekstual dhe për rrjedhojë nuk kompromenton konsistencën e qasjes qeveritare ndaj problemit në fjalë përballë dinamikave të reja. Kontekstual sepse: qeveria u gjend jo vetëm (a) nën presionin e protestës qytetare por dhe të tentativës për manipulim prej lidershipit opozitar që për interesa të ditës paragjykoi çështjen në fjalë; vendimmarrja u (b) u kushtëzua nga afate strikte kohore që lanë pak mundësi për marrëdhënie efikase me publikun, veçanërisht në kushtet e imponuara të konfidencialitetit (faktikisht, ndonëse afati ‘skadoi’ sërish më pas dolën skenare të reja si Kroacia, Italia, Britania, Gjermania etj), qeveria u (c) kushtëzua (panevojshmërisht) nga sindroma ‘i vetëm trim në luftë’ që për një qeveri sefte që sapo kishte bllokuar importin e plehrave, mjaftoi për të rënë në panik.  Çmontimi i arsenalit kimik të Asad nuk është import plehrash dhe destinacioni final i mbetjeve nuk do të ishte vendi ynë por ndërkohë akuza për shkelje premtimesh elektorale ndaj qeverisë, ndonëse e pabazë, në mos spekulative, dha efektin e saj. Qeveria lëshoi pe ndaj protestës, por ndërkohë që opinioni korrekt qytetar e interpretoi këtë tolerancë si risi demokratike, lidershipi opozitar e interpretoi si ‘dobësi’ për të provokuar dhe intimiduar më tej sikundër po ndodh realisht – mbrojtja e militantizmit në administratë, kontrolli i drejtësisë, rigrupimi pas panikut post 23 qershor etj. 

 

 

 

Besa në një partnership unik 

 

Ky apel nuk vjen thjesht nga komuniteti ndërkombëtar por nga vetë partneri ynë shekullor SHBA dhe për rrjedhojë, meriton vëmendjen dhe respektin maksimal. Jo për pragmatizëm (ndonëse u bë e qartë se Shqipëria do të dilte më e pastër pas përfundimit të këtij procesi) por për konsekuencë dhe respekt ndaj vetvetes. Kjo nuk nënkupton as vasalitet apo ‘futje në lumë’ për tjetrin por mirëbesim reciprok dhe racionalitet në gjetjen e mënyrave sa më efikase dhe të sigurta të bashkëpunimit me finale përmbushjen e pritshmërive ndaj nesh, forcimin e rolit të vendit në rajon dhe ngjizjen reale të shtetit ligjor.  Përtej interesit të ngushtë të politikës së ditës, ‘pykat’ ndaj kësaj çështje parimore që lidhet me partnerin strategjik SHBA, provokojnë jo thjesht ftohjen e qeverisë me Shtëpinë e Bardhë dhe ‘izolimin’ që pamundëson ndërmarrjen e reformave për të cilat mbetet jetike ‘urata’ amerikane (spastrimi i gjyqësorit, lufta ndaj abuzimit elitar etj) por dhe nëpërkëmbjen e vetë interesit kombëtar ku të fituar mbeten vetëm qarqet antishqiptare në rajon që historikisht kanë investuar në sabotimin e çdo shansi historik nga periudha pas prishjes me kampin e lindjes, oferta Shtraus e së fundi dora e shtrirë e SHBA për partnership strategjik.  Gjeopolitika qindravjeçare antishqiptare në rajon (e sponsorizuar në gjenezë nga vetë politika europiane) nuk ka ‘brirë’. Mitrovica e Veriut, Serbia e jugut, toponimet, varrezat, meshat greqisht në kishën e Nolit, Ohri, kufiri detar, censusi, arvanitasit, refuzimi i ndjesës apo brengosjes për 1913, genocidin ndaj Çamërisë dhe Kosovës etj flet ende për mentalitet arkaik në Ballkan ku paradoksalisht jemi ne ata që ndërmarrim inisiativa për ‘simbiozë’ me fqinjët tanë. E nëse qasja europiane në rajon ka zhgënjyer historikisht (me përjashtim të politikës Blair), avancimet e prekshme të kauzës shqiptare në vite i dedikohen mirëfilltazi SHBA. SHBA kujdeset vetë për interesat e saj, përfshirë këtu dhe qasjen ndaj lidershipit opozitar që tenton të ‘faktorizohet’ duke guxuar të spekullojë me një çështje që nuk e kemi luksin të spekullojmë. Ndërkohë qeveria duhet të bëjë të sajën për të mos lejuar provokimin e këtij partnershipi dhe kjo duke mos u kompleksuar apo intimiduar nga kori i ‘sorrave’ që ndonëse të rëna nga fiku, kanë lënë plot litarë jashtë. Jo për ego pushteti por për t’i dhënë një shans shtetit ligjor parakusht për të cilin është stabiliteti dhe shmangja e ‘shkopinjve nën rrota’ që garantohet prej partnershipit me SHBA.

 

 

 

Guxim për të bërë histori

 

Qeveria duhet të respektojë mendimin qytetar për këtë çështje duke ia deleguar vendimarrjen parlamentit në komunikim të vazhdueshëm me shoqërinë civile duke mos rënë pre e intimidimit të histerisë së provokuar nga politika e mbrapshtë apo interesat antishqiptare. Nëse qeveria, me informacionin që ka, është i bindur se çështja në fjalë i shërben interesit kombëtar e publik, duhet të guxojë dhe dëshmojë burrështetësi jo duke imponuar por duke bërë për vete me argumente palët përballë. Ndryshe, një ‘jo’ prej saj nuk shihet veçse si alibi.  Çështja e armëve kimike nuk duhet parë si detyrim ndaj SHBA por si detyrim ndaj vetes. Nëse ‘vrasim lart’, të sillemi si të tillë dhe nëse kemi detyrim t’i lëmë brezit të ri një Shqipëri të pastër, po aq detyrim kemi t’u lëmë pas si një Shqipëri dinjitoze dhe kontribuese aktive në kauzat e komunitetit ndërkombëtar ashtu dhe asetin e çmuar të partnershipit me SHBA. Ndjeshmëritë mjedisore dëshmojnë civilizim por çështja në fjalë, sesa një barrë shtesë, është një shans unik për rehabilitimin real të habitatit shqiptar. Problemet janë të panumërta por të zhytur në ‘moçalin’ e degradimit mjedisor, nuk mund të bëjmë qibarin ndaj ‘litarit’ që na nxjerr në breg. ‘Risku’ është bashkëudhëtar i zhvillimit për këdo dhe kurdoherë por ndryshe nga më parë, ky operacion do të ndërmerrej nga të tretë kompetentë dhe në këtë kuadër përvoja apo kapacitetet tona, nuk mund të përbëjnë argument. Ndryshe nga qeveria e PD që me pesë-gjashtë ujgurë etj tentonte të sfumonte sadopak bëmat e autokratizmit 8 vjeçar, qeveria e sotme ka shansin të dëshmojë dinjitet në këtë partnership me përfitues kauzën kombëtare dhe zhvillimin e mbarë shoqërisë. Partnershipi me SHBA nuk mund të jetë ‘part-time’ apo me ‘Terms&Conditions’, Ai është unik dhe mirëbesimi mes nesh dhe SHBA është tashmë një aksiomë. Ndaj nëse së bashku me SHBA, së bashku për çdo gjë. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0