Janari kosovar është një pellg me gjak
Ajo çfarë duhet t’i interesojë opinionit të Kosovës sot është zbulimi i rrjetit të gjerë të kriminelëve dhe të informatorëve që ishin aktivë në kuadër të logjistikës së shërbimeve sekrete jugosllave për vrasjen e tre aktivistëve kosovarë të të drejtave të njeriut në Untergruppenbach të Gjermanisë.
Enver Robelli
1. “Krimi që nuk ndëshkohet, përsëritet!”
Para një viti familja e Smajl Hajdarajt, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës i legjislaturës së parë të Kosovës pas çlirimit, iu drejtua opinionit me një letër proteste dhe me një thirrje për ndihmë, për shkak se ende nuk ishin zbuluar vrasësit e njeriut më të dashur të tyre. Vjet patën kaluar 11 vjet nga vrasja, sivjet 12 vjet, por vrasësit nuk janë arrestuar ende. Të premten, më 17 janar, do të mbushen 12 vjet prej se u vra Smajl Hajdaraj. Para një viti trashëgimtarët e Smajl Hajdarajt në “Kohën Ditore”, mes tjerash, shkruanin: “Si familjarë ne jemi të bindur se vrasja e Smajl Hajdarajt është kryer për motive politike. Me vrasjen e tij është synuar të përvetësohen meritat e luftës dhe të goditet një oponent politik, i cili gëzonte autoritet në trevën e Dukagjinit si politikan i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si ithtar i ndërtimit të institucioneve dhe kundërshtar i anarkisë dhe metodave staliniste të luftës për pushtet. Prindi ynë kishte sakrifikuar shumëçka për lirinë e Kosovës. Ai nuk i kishte borxh askujt, ai punoi me krejt qenien e tij për çlirimin e vendit. Shteti i Kosovës, Republika e Kosovës i ka borxh familjes sonë dhe mbarë shoqërisë për moszbulimin e vrasësve të Smajl Hajdarajt dhe urdhërdhënësve të tyre. Arrestimi dhe dënimi i vrasësve, i organizatorëve dhe i urdhërdhënësve ia kthen dinjitetin shtetit. Drejtësia duhet të angazhohet për këtë, në mënyrë që Kosova të mos mbesë arenë e vrasjeve të pasqaruara. Krimi që nuk ndëshkohet, përsëritet!”
Inxhinierin Smajl Hajdaraj, aktivistin e kryehershëm të LDK-së, komandantin e pathyeshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Rugovës, e vranë në terr, pak minuta para orës 20:00 në hyrje të banesës së tij në Pejë. E vranë derisa ai po u sillte qumësht familjarëve të tij, qumësht që ia kishte dhënë nëna në Fushë të Pejës. Të premten, më 17 janar 2014, kur do të mbushen 12 vjet nga likuidimi i Smajl Hajdarajt, ndoshta atë sërish do ta përkujtojnë disa nga partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndonjëri nga liderët e saj do ta përmendë vrasjen e tij për të fituar poenë politikë. Jo pak qytetarë të Kosovës edhe të premten – sërish - do t’i shikojnë lajmet në televizionet kombëtare e lokale dhe nëse këto televizione do të japin ndonjë lajm për përvjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt, shumëkush do të thotë me indiferencë bizare: “Ah, po ky i Rugovës që e patën vra këta...”! “Këta”, pra vrasësit, janë në mesin tonë, përfshirë edhe urdhërdhënësit, të cilët hiqen sikur po bëhen shumë merak për të ardhmen e Kosovës derisa përpiqen t’i heqin njollat e gjakut nga duart e tyre. Sivjet Lidhja Demokratike e Kosovës mbledhjen përkujtimore për Smajl Hajdarajn duhet ta mbajë para Shtabit të Policisë së Kosovës dhe të vazhdojë marshimin para Zyrës së kryeprokurorit të Shtetit, pastaj të ndalet për disa çaste para zyrës së EULEX-it, misionit më të shtrenjtë të Bashkimit Europian. Nëse mbledhja përkujtimore do të mbahet në ndonjë sallë teatri, është e mundshme që në mesin e pjesëmarrësve të jenë edhe urdhërdhënësit e vrasjes së Smajl Hajdarajt. LDK-ja prej vitesh në lidhje me vrasjet e pasluftës kryesisht loz lojëra teatrale: para opinionit bën parada viktimizimi, ndërsa në prapaskenë bën pazare me urdhërdhënësit e supozuar të këtyre vrasjeve! Sa shishe verë janë zbrazur në këtë hipokrizi mund ta dinë vetëm ata shtiracakë që na sillen si vulëmbajtës të “patriotizmit burimor shqiptar”.
2. Gjaku mbi borë në Untergruppenbach.
A ishin dy apo tre vrasës që më 17 janar 1982 shkrepën plumba mbi trupat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës – kjo është e parëndësishme. Ajo çfarë duhet t’i interesojë opinionit të Kosovës sot është zbulimi i rrjetit të gjerë të kriminelëve dhe të informatorëve që ishin aktivë në kuadër të logjistikës së shërbimeve sekrete jugosllave për vrasjen e tre aktivistëve kosovarë të të drejtave të njeriut në Untergruppenbach të Gjermanisë. Vrasësit mund të jenë serbë, por ndihmësit dhe informatorët, sipas të gjitha gjasave dhe informacioneve në dispozicion, janë shqiptarë. Ata sot mund të kenë status shoqëror në Kosovë, të sillen e mbështillen në opinion si kalemxhinj e patriotë të shpifur, të gëzojnë privilegje e poste publike dhe të ndukin ndonjë milion euro nga buxheti i Republikës, në themelet e së cilës qëndron veçanërisht gjaku i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Këtë shans të papërsëritshëm bashkëpunëtorëve e informatorëve të dikurshëm të UDB-së/SDB-së ua ka dhënë nomenklatura politike e Kosovës, e cila për të qëndruar në pushtet nuk zgjedh aleatë. Udbashët e djeshëm dhe pinjollët e tyre nuk kanë mundur të gjejnë vend më të përshtatshëm se Kosova për t’i “pastruar” biografitë e tyre. Dhe për këtë situatë të krijuar një pjesë të madhe të fajit e bart edhe shoqëria kosovare, e cila është bërë indiferente ndaj krimit e korrupsionit. Përvjetorët e atentateve politike kalohen me ceremoni rutinore dhe me fjalime shpeshherë bajate, ku dominojnë patetika dhe përbetimet patriotike. Për punë të mirëfillta hetimore duket se nuk ka askush as interesim, as kohë, as vullnet.
Para më shumë se një dekade Policia e Kosovës është dashur të themelojë një komision të veçantë, i cili në bashkëpunim me prokurorë të përgjegjshëm dhe me ndihmën e hetuesve në Gjermani, Zvicër, Belgjikë e gjetiu do të mblidhte pandërprerë të gjitha pjesët e mozaikut të krimit jo vetëm në Untergruppenbach. Në vend të kësaj ndodhi diçka tjetër: menjëherë pas luftës “persona të panjohur” vranë Selim Broshën, një inspektor milicie të rangut të lartë, i cili me gjasë ka pasur informata të dorës së parë për shumicën e atentateve politike në mesin e emigracionit politik shqiptar. Brosha ishte i ngarkuar për “përcjelljen e veprimtarisë armiqësore të emigracionit shqiptar në Perëndim”. Nuk mund të përjashtohet mundësia që atë e vranë pikërisht ata që frikësoheshin se Brosha mund të tregonte se kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimit sekret jugosllav. Kjo është një pjesë e tragjedisë së ish të burgosurve politikë shqiptarë në ish-Jugosllavi dhe aktivistëve të lëvizjes së ashtuquajtur “ilegale”: të përvuajtur, të keqtrajtuar dhe idealistë shpeshherë deri në naivitet ata sot nuk janë të sigurt se cili prej shokëve të tyre mund të ketë qenë dorë e zgjatur e UDB-së/SDB-së, cili mund të jetë keqpërdorur nga “diplomatët” e Shqipërisë komuniste për të “kontrolluar ideologjikisht” emigracionin dhe cili mund t’i ketë shërbyer Beogradit me informata, të cilat përfundonin në Tiranë apo anasjelltas. Si e morën vesh, ta zëmë, agjentët jugosllavë se Kadri Zeka do të udhëtonte nga mesi i janarit prej Zvicrës lindore në afërsi të Heilbronnit për t’u takuar me vëllezërit Gërvalla? Gjaku mbi borë në Untergruppenbach ende nuk është tharë, por dita-ditës po thahet kujtesa e shoqërisë kosovare, po thellohet dehumanizimi i saj dhe po zgjerohet gatishmëria për të bashkëjetuar me hiena politike, me kriminelë dhe me të njollosur nga krimet.
3. Përtej janarit...
Çka u thonë gjeneratave të sotme emrat Rasim Zenelaj, Vehbi Ibrahimi, Enver Hadri? I pari u plagos rëndë më 14 maj 1981 në banesën e tij në Frankfurt, kur atij tentoi t’ia merrte jetën bashkëpunëtorja e shërbimit sekret jugosllav (SDB) Zorica Aleksiqi, e cila gëzonte mbështetje nga zyrtari i Konsullatës së Jugosllavisë Salih Salihu, që ishte me origjinë nga komuna e Skenderajt. I dyti - Vehbi Ibrahimi – u vra më 10 tetor 1981 në Bruksel nga agjentët e UDB-së/SDB-së, sipas një analize të ekspertëve të sigurisë të një vendi të BE-së. I treti – Enver Hadri – u vra më 25 shkurt 1990 në Bruksel, sipas të gjitha gjasave nga kriminelë serbë të rekrutuar nga UDB/SDB. Të gjithë këta vepronin në organizata të ndryshme në emigracion, por synim të përbashkët e parësor kishin një Kosovë të lirë. Kjo Kosovë, gjysmë e lirë dhe gjysmë sovrane, siç është sot, kujtimin, nderimin dhe respektin e shpreh me bakër e kallaj. Kjo është epoka e bronzimit të historisë, jo e njohjes së saj dhe as e mirënjohjes.
Comments (0 posted)
Post your comment