Si të talleni me shtetin...
Shihni çfarë liderësh ka ky shtet. Një punë që thjesht do të duhej të ishte e brendshme dhe relativisht lehtë e zgjidhshme, ka nevojë për ndërmjetësim ndërkombëtar. Ashtu siç kanë nevojë që të huajt t’ua tërheqin vërejtjen se po qe se i vodhën votat, zgjedhjet nuk ka me na i njohtë askush.
Flaka Surroi
...ejani në Kosovë, jua mësojnë me një kurs të përshpejtuar. Falas
Kosovarët pos që e kanë kapacitetin mahnitës për t’u marrë me punë të kota, e kanë edhe kapacitetin e pabesueshëm me u tallë me shtetin e vet sa herë që të munden. Për të qenë plotësisht korrekte, këtë prerogativë kryesisht e kanë funksionarët publikë dhe politikë. Këta, nga ana tjetër, për ta plotësuar kushtin për të qenë politikanë, duhet ta përmbushin një kriter – që të jenë ose natyrshëm të papërgjegjshëm, ose që këtë tipar ta përvetësojnë me zgjedhje brendapartiake.
Vështirë kush do të mendonte se një javë që s’është as këndej (me janarin) e as andej (me dhjetorin), ashtu disi në mes kur shkollat sa zgjohen prej pushimit dimëror, e parlamentarët jo (se mos po lodhen kund), do të shënonte një sërë ngjarjesh, që të gjitha me një emërues të përbashkët – si me ia bâ bajat këtij populli, ose thënë ndryshe, si me bâ hajgare me këtë shtet.
Hajde tash te gjermani
Dhe u mbajt një mbledhje. Fshehtas, për t’u bërë publike. Gjithsesi në Dragodan, por nja dy rrugë a qashtu diçka më poshtë se zakonisht. Tema – a doni zgjedhje qetash, në qershor, a në shtator. Se hisja gjithqysh u bie në dhjetor, po hajt pak të luajmë me nerva, e të shohim çka po na përshtatet më së shumti.
Kësaj radhe nikoqir i takimit qe ambasadori gjerman, i cili publikisht u deklarua të ishte “lehtësues” i takimit ndërmjet liderëve të tri partive PDK, LDK dhe AAK. Nikoqiri lehtësues gjithashtu deklaroi se në këtë takim nuk ishte ftuar “Vetëvendosja” se nuk e kishte shumicën dhe se nuk e ndërronte qëndrimin. T’jua them të drejtën, edhe pse mund të ketë qenë problem me përkthimin, nuk e mora vesh se kush e kishte shumicën e çkaje ku, e aq më pak e mora vesh se çfarë qëndrimi duhej të ndryshonte “VV”-ja për të marrë pjesë në takime ku debatohet për të ardhmen e Kosovës, duke qenë subjekt jo i parëndësishëm parlamentar.
Sido që të jetë, u dol me njëfarë informate se zgjedhje do të ketë në qershor, se kështu mendojnë se duhet këta tre liderë të partive politike – ani që vendimi përfundimtar do të jetë i kryetares, natyrisht sipas instruksioneve që ajo do t’i marrë nga miqtë ndërkombëtarë. Më pas doli Ambasada gjermane me një kumtesë për të thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje për zgjedhje dhe se do të ishte fare e papëlqyeshme që ato të mbaheshin pa u kryer reforma zgjedhore. Nëse e keni vërejtur, më nuk flitet për reformën kushtetuese, e as për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit të shtetit nga qytetarët, që ishte marrëveshje e nënshkruar nga PDK, LDK, AKR nën mbikëqyrjen e Dellit. Atëbotë, ata që e kishin etiketuar atë marrëveshje si kundërkushtetuese ishin shpallur antiamerikanë. Kësaj radhe duket se ka e nuk ka marrëveshje, e meqë s’mund të etiketojmë gjë, shpëtuam nga atributet e zakonshme.
Shihni çfarë liderësh ka ky shtet. Një punë që thjesht do të duhej të ishte e brendshme dhe relativisht lehtë e zgjidhshme, ka nevojë për ndërmjetësim ndërkombëtar. Ashtu siç kanë nevojë që të huajt t’ua tërheqin vërejtjen se po qe se i vodhën votat, zgjedhjet nuk ka me na i njohtë askush.
Deputetë, a ju merr gjumi?
Gjynah që të huajt zgjodhën mos ta kishin këtë qëndrim më 2010 – se ani që këta tanët vodhën, e vodhën e nuk u nginë, na i njohën zgjedhjet dhe na i sollën hajnat e votave në pushtet, dhe aty te vendi, aty ku mbarohen ligjet.
U mbush Kuvendi me diletantë dhe me njerëz të pandershëm e të pandërgjegjshëm që e votuan, me gjithë argumentimin se hairin do t’ia shihnin kryesisht delinkuentët shqiptarë, Ligjin e Amnistisë. Dhe ja, katër muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit me gjithë vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, ndodh që me këtë tekst të jenë amnistuar rreth 1200 persona, prej të cilëve madje 1100 për armëmbajtje pa leje. Vlen të theksohet, sa për të evidentuar, se vetëm 59 persona të amnistuar vijnë nga rajoni i Mitrovicës (veri, jug, lindje, perëndim – zgjidhni).
Të shohim se çfarë do të jenë hapat e ardhshëm dhe kush do të jenë të amnistuarit që do të trajtohen, porse mbase duhet shtuar pyetjen nëse këta deputetë mund t’i zërë gjumi kur e dinë se me gishtërinjtë e tyre e kanë kaluar një ligj që mund t’i lirojë nga përgjegjësia penale një varg njerëzish që kanë paraqitur rrezik potencial sa herë janë sjellë me armë e sa herë kanë shtënë nëpër ahengje, e sa herë do të kenë mundur t’u kërcënoheshin zyrtarëve a qytetarëve...
Në vend se të merreshin me atë se si duhet liruar hajnat dhe kriminelët e tjerë, do të duhej të ishin marrë me ndaljen e trafikimit të armëve dhe me mënyrën se si duhet konfiskuar armët pa leje, për të cilat mendohet se janë rreth 300 mijë në Kosovë. Mbase do të duhej t’i brente ndërgjegjja edhe për 14 vjeçin që e vranë me armë zjarrin në oborr të shkollës, e edhe për qytetaren e Pejës që vdiq nga plumbi qorr, veç për shkak se ka dashur ta festonte Vitin e Ri në ballkon.
Por, më duket se po kërkoj shumë: ndërgjegje, nga shumë syresh aty që nuk e kanë. Se po ta kishin, ndryshe do të kishin votuar edhe “marrëveshjen” me Serbinë, edhe fusnotën, edhe krejt hajgaret që i ka bërë kjo Qeveri në llogari të popullit.
“Sticker Republic”
“Marrëveshja” të cilën e votuan dhe me të cilën Kosova ia futi vetes edhe obligimin që të jetë neutrale karshi statusit të vet e prodhoi situatën ndër më bizaret që janë regjistruar në sistemin bashkëkohor politik të Kosovës. U mbajtën zgjedhjet komunale edhe në veri (“Për herë të parë në të gjithë Kosovën”, do të krekosej kryeministri) dhe kur erdhi puna për ta dhënë betimin, për një arsye ose tjetrën afati shtyhej derisa më në fund BE-ja nuk nguli këmbë dhe i tha Serbisë: ose le ta japin betimin, ose keni me pasë probleme me neve gjatë procesit të anëtarësimit.
Dhe erdhi Serbia, bëri trysni te këshilltarët komunalë të katër komunave dhe iu tha; “hajt more jepeni betimin, se s’kemi hesap me i prishë punët tona për inate tuaja! Për punë të stemave, të emërtimeve e të gjërave të ndryshme mos t’ua ndien fare, se ia gjejmë çarenë”. Dhe çareja u gjet në formë të “stikersave”, demek etiketave vetëngjitëse. Dokumentet e betimit që mbanin stemën e Republikës së Kosovës u mbuluan me këta stikera. U nënshkruan dhe tash kemi kuvende komunale të themeluara në komunat e veriut. Shumë hajgare bre e gjithë kjo punë – dhe shumë ofenduese që një Qeveri t’i pranojë si legjitime.
Natyrisht, vendimin nuk e imponoi për zbatim as ministria e cila udhëhiqet nga një politikan serb. E imponoi Evropa, për t’i dëshmuar vetes se kjo që është arritur në Kosovë me ndërmjetësimin e Ashtones është gjë shumë e madhe. E bash po më intereson tash se si do t’ia bëjë po kjo e njëjta ministri për ta imponuar zbatimin e ligjit sa i përket përdorimit të simboleve shtetërore në këto katër komuna – a do të valëvisë flamuri i Republikës së Kosovës në ndërtesat komunale; a do t’i dekorojë ky flamur zyrat dhe sallat e asambleve dhe a do ta kenë logon (për të mos i thënë stemë) shtetërore dokumentet që lëshohen nga këto komuna. Apo jo, do të pretendojmë se ky nuk është ndonjë problem i madh, fundja edhe një hajgare me këtë popull, nuk bën shumë zarar. Ashtu siç na e luajti sërish Daçiqi, duke iu falënderuar “marrëveshjes historike”. I përcjellë nga madje 18 policë të armatosur që e kaluan kufirin e Kosovës me armë, erdhi për ta festuar Vitin e Ri ortodoks. Dhe për të na thënë se nuk e kishte as ndërmend të kërkonte falje për krimet që i ka kryer regjimi, pjesëtar aktiv i të cilit ka qenë, e që tash kjo Qeveri e papërgjegjshme i bën temena.
Mst: Hajde ta bëjmë rrugën, e në atë hallakamë ta shesim Postën
Sa e papërgjegjshme është e dëshmon paraqitja e sërishme e temës kinse tashmë të mbyllur – asaj të shitjes së aksioneve të PTK-së, “sa nuk i ka humbur vlera krejt”. Po vlerën vazhdimisht e cungon po kjo Qeveri që është aksionarja e vetme i institucionit në të cilin nuk lejon asnjë cent investim, për shkak se i ka bërë hesapet e veta që i kupton ajo vetë. Dhe përderisa sërish del në sipërfaqe madje ideja se PTK-ja mund të shitet edhe pa pëlqimin e Kuvendit dhe në kundërshtim me ligjin, ndërkohë, ashtu si heshtas, përmbyllet procedura për ndërtimin e autostradës së dytë. Dhe, qëllojani kush po fiton: rastësisht firma e cila tashmë i ka marrë krejt milionat që i patëm të buxhetit për ndërtimin e rrugës më të shtrenjtë në Evropë: “Bechtel&Enka”.
Dhe përderisa nuk i dimë detajet se sa ka kushtuar 100 kilometërshi i papërfunduar dhe i pështjellur i “Rrugës së Kombit”, atë që e marrim vesh për këtë rrugë është se mund të jetë 60 kilometërshe dhe se ndërtimi i saj do të zgjasë gjysmë viti më shumë sesa kjo vepra e parë artistike. Që ndoshta edhe kjo do të kushtojë nominalisht 600 milionë euro. Pra, prapë 10 milionë euro kilometri. Garant ndonjë përbërës të arit e ka ky bitumeni i këtyre rrugëve – meqë e ka gjithë këtë vlerë.
Pra, po ta analizonte dikush jetën e Kosovës në gjashtë vjetët e fundit, nën udhëheqjen e Qeverive të kryesuara nga ky kryeministër, do të konstatonte se gjithë këta muaj na kanë kaluar në kalitjen e sportit më të preferuar të kësaj kaste udhëheqëse – talljen me popullin, e për pasojë edhe me shtetin.
Në gjithë këtë ndërmarrje fizike e besa edhe mendore, u duhet pranuar një gjë: se këta janë ekspertët më të shquar të këtij lëmi. Këta do të ishin idealët për të mbajtur kurse të përshpejtuara për politikanë të rajonit dhe të botës se si duhet luajtur hajgare me popullin. Dhe duke e marrë parasysh mikpritjen tradicionale në të cilën thirremi përherë, kurset do t’i jepnin falas.
Uollkom!
Comments (0 posted)
Post your comment