Home | Opinion | Shfryrje për të mbytur të vërtetën

Shfryrje për të mbytur të vërtetën

image
Kosova dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë në Ballkan, përfshirë këtu edhe “kontribuuesit” kokëbosh nga diaspora, gati e kanë prekur pikën e fundit të moçalit digjital.

 

 

 

Enver Robelli

 

 

 

 

 

Pse ndaj çdo akuze politike disa politikanë apo parti në Kosovë reagojnë me shpifje? Përgjigjja është e dukshme: sepse thellë në vete e dinë se kritikët kanë të drejtë. Në vend se të ballafaqohen me argumentet e prezantuara brigadat partiake për njollosje merren me mbiemra njerëzish. Këtë e tregoi edhe shfryrja tepër primitive javën e kaluar kundër Donika Gërvallës...

 

 

Në intervistën e saj në emisionin “Rubikon” Donika Gërvalla bëri akuza politike. Opinioni mund të pajtohet me këto akuza ose jo, kjo është pjesë e debatit publik. Zonja Gërvalla nuk bëri asnjë akuzë që do të mund të quhej shkelje e dinjitetit apo karakterit njerëzor të ndonjërit protagonist të skenës politike apo kriminale të Kosovës. Gjuha e saj ishte e qartë, ndoshta tepër gjermane për rrethanat e Kosovës parademokratike dhe parapolitike, por gjithsesi ishte gjuhë politike në suaza të ballafaqimit të argumenteve. Pas intervistës grupe të organizuara me militantë partiakë, kryesisht të ndërmarrjes politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk u ballafaquan me argumentet e saj, por nisën një fushatë të pashembullt të fyerjeve, njollosjeve, shpifjeve më monstruoze kundër personalitetit të Donika Gërvallës. Një përgjegjës i një portali në Prishtinë më tregoi se ishte detyruar të mbyllte opsionin e komenteve të lexuesve për shkak të valës së “Shitstorm”-it, siç thuhet në anglisht, apo valës së bajgave me shkronja, siç do të mund të quhej në shqip kjo fushatë. Por, në Kosovë ka portale të tjera dhe nuk ka prokurorë të përgjegjshëm, andaj përroi i bajgave rrodhi gjetiu, madje duke prekur kufijtë e çmendurisë.

 

 

Zagarët fluturues

 

 

Për të parë se a është çmendur një shoqëri duhet të shikoni nivelin e komenteve në portalet online. Kosova dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë në Ballkan, përfshirë këtu edhe “kontribuuesit” kokëbosh nga diaspora, gati e kanë prekur pikën e fundit të moçalit digjital. Nganjëherë nuk jam i sigurt a janë më idiotë “lexuesit” që shkruajnë kështu apo redaktorët që i botojnë këto marrëzira. Njëkohësisht pothuaj çdonjëri shqiptar ka qejf të thotë: “Ne duam të jemi si Europa Perëndimore”. E vërteta është: një pjesë jo e vogël e shqiptarëve të Kosovës duan vetëm t’i shijojnë përparësitë e Europës liberale (para së gjithash lirinë dhe mirëqenien), por në jetën e përditshme s’heqin dorë nga primitivizmi dhe mendësia shkatërrimtare. Në këtë nivel pak a shumë kanë mbetur edhe jo pak shqiptarë që jetojnë në diasporë. Nga ambienti demokratik ku jetojnë ata shfrytëzojnë vetëm bananet me çmim të reduktuar në dyqane të mëdha. Nëse vërtet ndokush në Kosovë dëshiron të jetë europian në kuptim kulturor dhe civilizues, atëherë duhet të marrë parasysh se Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut së fundi ka njoftuar se portalet e internetit mund të merren në përgjegjësi për komentet fyese të lexuesve. Së fundi një portal në Kroaci vendosi t’i ndalojë komentet e lexuesve për shkak të kontaminimit të debatit publik.

 

Brigadat e AAK-së me fushatën e tyre kundër Donika Gërvallës treguan se sjellja e civilizuar është një ide abstrakte në mesin e tyre. Me këtë mendësi të kontaminuar kjo kategori shoqërore sa u përket integrimeve europiane s’ka arritur ende as në stacionin e trenit në Prokuple. Shikuar nga ky prizëm Donika Gërvalla shpëtoi lehtë. Nervozizmi i militantëve të AAK-së vetëm tregoi se sa mund të ketë të drejtë ajo me kritikën e ashpër jo vetëm kundër Ramush Haradinajt. Zonja Gërvalla nuk ia nënçmoi askujt kontributin në luftë, as Haradinajt, por vetëm përsëriti diçka që dihej: Haradinaj nuk është engjëll, sidomos jo engjëll i pasluftës. Por, njëkohësisht, askush, as zonja Gërvalla, nuk ia mohoi atij të drejtën e përmirësimit. Por, të thuhet se Haradinaj nuk ka bërë asnjë mëkat pas luftës, të thuhet se krejt pasurinë e ka krijuar në mënyrë të ligjshme dhe me djersë, të thuhet se nuk është dyshuar kurrë për frikësim dëshmitarësh, të thuhet se militantë të partisë së tij nuk janë përmendur nga qarqet e sigurisë dhe nga qytetarët për mbledhje haraçi – kjo është sikur të thuash se në Dukagjin fluturojnë zagarët. Nervozizmi i brigadave për njollosje vetëm tregon se kritikët, përfshirë edhe zonjën Gërvalla, kanë të drejtë në shumë çështje të ndjeshme që prekin.

 

 

174 milionë euro

 

 

Si nuk u dëgjua zëri i këtyre militantëve partiakë kur shumë medie gjermane gjatë gati dhjetë viteve të fundit kanë nxjerrë hollësi nga një raport i Shërbimit Sekret Gjerman (BND), ku Haradinaj përshkruhet si “lojtar kyç” në ndërlidhjen mes politikës, ekonomisë dhe strukturave të krimit të organizuar në Kosovë? Pse nuk bëzante kjo turmë kur në mars të vitit 2008 gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” sillte hollësi nga një studim i botuar në revistën “Südosteuropa-Mitteilungen”, ku thuhet se sa i përket krimit të organizuar Kosova paraqet një përjashtim, sepse krimi i organizuar “nuk ka depërtuar nga jashtë në sistemin shtetëror, por e përbën vetë sistemin politik”. Rrjetet e krimit të organizuar në Kosovë, nënvizohet në këtë studim, janë “kovaçhane kuadrosh për politikanë të rinj dhe ambiciozë në Kosovë”. Edhe në këtë studim Haradinaj përmendet si lojtar kyç.

 

Me gjasë disa njerëz në Kosovë kanë menduar se Donika Gërvalla vjen nga Gjermania dhe e thotë të kundërtën e së vërtetës. Meqë e vërteta e saj ua zë frymën keqbërësve dhe mbështetësve të tyre, ata merren me mbiemrin e saj të dytë derisa askush në shoqërinë e Kosovës s’është marrë me asnjë “kapitull finlandez” nga jeta e Ramush Haradinajt. Jeta private e tij dhe e çdokujt mund të jetë me interes publik vetëm nëse eventualisht rrezikohet siguria kombëtare. I harruan militantët e Haradinajt akuzat që Adem Grabovci ia bënte më 2009 shefit të AAK-së: lista e akuzave është publike, aty përmenden vila në botën e jashtme, prona në Kosovë dhe krime e vjedhje të kryera nga Haradinaj. Në vitin 2006, po ashtu në “Rubikon”, lideri i atëhershëm opozitar Hashim Thaçi e akuzonte Haradinajn se me qeverinë e tij i kanë “marrë nga buxheti i Kosovës” dhe i kanë “dërguar në drejtime të panjohura” më shumë se 174 milionë euro. Në janar 2013 deputeti i LDK-së Armend Zemaj deklaroi në “Interaktiv” se Haradinaj është i përfshirë në vrasjen e Tahir Zemajt.

 

 

Dëgjueshmëri cofëtinash

 

 

Në vend se të ballafaqohet me akuzat shumë konkrete firma politike AAK e nxori në televizion Melihate Tërmkollin, e cila dha një shembull frikësues të propagandës së ulët politike. E pyetur nëse çdokush që e kritikon AAK-në do të shpallet “agjent i Serbisë”, Tërmkolli belbëzoi një përgjigje që do të hyjë në analet e diskursit të neveritshëm publik: ajo tha se çka hedh AAK-ja nga kuzhina në opinion nuk domethënë të jetë patjetër e vërtetë. “E themi kështu, por nuk e mendojmë ashtu”. Kjo ishte esenca e përrallës së mesnatës që e tregoi në “Interaktiv” të KTV-së Melihate Tërmkolli, e cila iku nga LDK-ja, kur kjo parti falë (edhe) udhëheqjes së saj brenda pesë-gjashtë vitesh humbi hiç më pak se gjysmën e elektoratit. Ishte një paraqitje me të vërtetë humoristike që ia kalonte udhëtimit me autobus të Delisë dhe Sheremetit në kohërat e arta të Radiotelevizionit të Prishtinës, kur zonja Tërmkolli ishte shoqja Tërmkolli. Si në delir ajo fliste për “kryeministrin Haradinaj” dhe për ata që nuk e paskan dashur Ibrahim Rugovën. Tërmkolli nuk i drejtohej publikut atë natë, por vetëm një shikuesi të “Interaktivit”: shefit të saj, duke i bërë hyzmet me disiplinë ushtarake, e cila është karakteristike për gati të gjithë ata që futen në AAK. Në këtë kuadër kuzhina e AAK-së na e solli në vëmendje se Donika Gërvalla e paskësh kritikuar Rugovën edhe për koalicionin e tij me AAK-në. Çfarë hataje, çfarë sakrilegji! Për dallim nga shumë funksionarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Donika Gërvalla nuk ka pranuar kurrë që karrierën e saj politike ta ndërtojë me duartrokitje dhe me dëgjueshmëri cofëtinash si shumë liderë të LDK-së ndaj Rugovës. Sikur të kishte pasur më shumë kritikë seriozë e dashamirës të Rugovës në LDK si zonja Gërvalla kjo parti nuk do të kishte humbur kaq shumë mbështetës.

 

Tërmkolli sillet si disa moralistë të rrejshëm në LDK që, pasi i kanë mbushur xhepat me para tenderësh në emër edhe të Rugovës, tani me kamxhik në dorë dhe me broçkulla përpiqen t’ua mbyllin gojën kritikëve të shumë zhvillimeve politike duke u thënë: “S’keni të drejtë të flisni, sepse e keni kritikuar Rugovën”. Rugova s’ka qenë as evlia, as profet, demek i dërguar i Perëndisë, që me shkop magjik ia tregonte rrugën e drejtë kësaj shoqërie. Kishte merita që s’mund t’ia mohojë askush, por edhe të meta që figura shahu si Tërmkolli s’dinin apo s’donin t’ia thoshin. Duke e “dashur” aq shumë Rugovën kasta e shokëve dhe e shoqeve të Tërmkollit e solli LDK-në para greminës politike. Në këtë “dashuri” ndaj Rugovës s’ka asgjë të sinqertë, ka vetëm shtirje e hipokrizi. Në rendin e parë të kësaj garde hipokritësh hyn edhe mysafirja e “Interaktivit”, Melihate Tërmkolli. Është duke u bërë shumë propagandë politike këto ditë se “Qeveria në ekzil” ia ka ndalur paratë Rugovës (për një kohë të shkurtër). Por, askush nuk po e shtron një pyetje të thjeshtë: si i ka menaxhuar LDK-ja paratë që i ka marrë gjatë gati 10 viteve? Për transparencë nuk është shquar askush nga skena politike as atëherë, as tash, andaj në vend se të kërkohet një auditim i të gjitha fondeve, përfshirë edhe Fondin Haradinaj, për të cilin ka pasur edhe arrestime, Melihate Tërmkolli në dalldinë e vet politike shet mjegull. E çka të pritet tjetër prej saj kur sa ishte ministre e Shërbimeve Publike vetëm për zyrën e vet bleu një tavolinë pune në vlerë prej 1.914 eurosh dhe një minibar prej 2.323 eurosh. Vetëm për mobilimin e zyrës së ministres Tërmkolli ishin harxhuar gati 30 mijë euro (sipas njoftimeve të medieve të asaj kohe, të cilat u referoheshin dokumenteve të Ministrisë së Shërbimeve Publike). Nga “dashuria” e madhe për Ibrahim Rugovën ministrja Tërmkolli kishte transferuar nga dikasteri i saj në xhirollogari të Presidencës mbi një milion euro “për blerjen e veturave të blinduara”. Kjo bartje parash është shoqëruar me hetime në Kosovë dhe Gjermani, me akuza, me procese gjyqësore dhe me dënime. Për këtë dashuri fliste Tërmkolli në “Interaktiv”: një dashuri e lyer me euro dhe e mbajtur në këmbë me eshtrat e Rugovës së vdekur. Nuk fliste Tërmkolli, ndërkaq, për marrëveshjen e arsimit që e pati nënshkruar Rugova me Slobodan Milosheviqin dhe që mbetet ndër gabimet e tij më të mëdha politike.

 

 

Kameleonët e Kosovës

 

 

Jo vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (nëse vërtet synon të reformohet dhe të shndërrohet në alternativë serioze ndaj rrënimit shumëvjeçar të shtetit), por edhe Kosova ka nevojë për shumë më tepër figura politike si Donika Gërvalla, që kanë dhënë aq shumë kontribut për lirinë e Kosovës pa i marrë asaj asgjë. Asnjë cent. Kush prej politikanëve aktualë të Kosovës mund të thotë për veten e tij diçka të tillë pa gënjyer? Janë pak, ndoshta as sa gishtat e njërës dorë. Ata që i kanë duart e pastra, që janë të lirë të shprehin atë që shumica e njerëzve në Kosovë e kanë në zemër, siç është Donika Gërvalla, nuk bëjnë kompromise të pista politike. Ata që kanë obligime ndaj oligarkëve, rrjeteve të krimit të organizuar, idhujve të rrejshëm politikë etj., bëjnë koncesione dhe nuk e kanë problem të bëhen kameleonë. Në kuptimin figurativ Fjalori i Gjuhës Shqipe kameleonin e shpjegon kështu: “Njeri i lëkundshëm e me shumë faqe, që ndërron shpesh qëndrimin a sjelljen për të mbrojtur interesat e veta”. Kosova është arenë e përshtatshme për kameleonë dhe grupe zhvatëse. Kontributi i Donika Gërvallës është i pastër si loti dhe i dokumentuar nga mediet gjermane. Aktivitetet e saj politike në Gjermani po ashtu janë të njohura, kredibilitetin e saj nuk mund ta cenojnë disa dordolecë mëhalle që kompjuterin e përdorin si armë. Zonja Gërvalla nga ky debat doli fitimtare edhe nga shkaku se brigadat për njollosje nuk u morën me çështjet që ngriti ajo. Synimi i këtyre grupeve parapolitike është ta heshtin të vërtetën me dhunë e me shantazhe. Kosova, ndërkaq, ka arsye të shqetësohet, sepse po shndërrohet në shtet të njëmendësisë, ku politikanët që po e çojnë Republikën drejt greminës po e rezervojnë edhe të drejtën që të jenë interpretues të vetëm të historisë dhe të përditshmërisë sonë.

Koha Ditore

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00