Home | Opinion | Uttaran

Uttaran

image
Është koha e fundit që kokat gjeniale, edhe nëse e quajnë veten Filan Fistek, të vendosen aty ku duhet. Në vend të atyre që janë fajtorë që madje as një liberalizim vizash nuk na e japin...

 

 

 

 

Flaka Surroi 

 

 

 

 

 

 

 

Erdhi Ulrike Lunaçek për të na treguar se nuk do të ketë liberalizim vizash edhe për nja dy a tra a katër vjet – dhe për të na e përsëritur atë që e kishte thënë gjatë gjithë kohës, qëkur për herë të parë e kishte dëgjuar premtimin “15-muajsh” të kryeministrit: puna e liberalizimit nuk caktohet me sahat, po me kandar. I plotësove kushtet, e fitove. S’i plotësove, e kërcen pipirevkën – për shkak se nuk mjafton me dalë ministri i Brendshëm e me thënë “ne krejt kushtet i kemi plotësuar”, sepse atë vlerësim e bën dikush tjetër, e jo qejfi ynë. 

 

Erdhi me na thënë se e kemi edhe një problem tjetër, e që është luftimi i krimit dhe se kishim shumëçka për të bërë që kjo të plotësohet. E për t’ia vërtetuar teorinë – se jemi ende larg plotësimit të atij kushti dhe se jemi vërtet ekspertë për krim të organizuar të të gjitha llojeve, ia zbuluam publikut se Kosova ishte një fshat i madh indian, sepse i përdor buletinet e shtetit miliardësh për të dëshmuar se sa të avancuar e ka komunitetin “shkencor”, që nëse assesi ndryshe, funksionon për mrekulli si krim i organizuar.

 

Gjënë e fundit që na e tha ishte se çështja e vendeve të garantuara/të rezervuara ishte punë e jona, e jo e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe ne, i dëshmuam edhe njëherë kësaj bote pavarësinë tonë në të vendosur, kur pas presioneve që i bënë të huajt, kinse vendosën që mos ta ndërrojnë Kushtetutën për këtë punë. Porse, do të mundë të vendosnin me një marrëveshje të partive politike. E nëse ndodh kjo, qysh tash po e di që “Vetëvendosjen” s’do ta thërrasë askush në atë tryezë, dhe se nënshkrues kësaj radhe do të jetë edhe Ramush Haradinaj, i vetmi që, pos PDK-së, thotë se duhet me e zgjatë këtë punë edhe për një mandat. E pse? S’ka përgjigje. 

 

Fshati indian

 

Me të kaluar kjo javë, shtrova me vete një pyetje: se përse ekipi i programit në KTV kishte vendosur ta blinte serialin më të shikuar televiziv në Indi “Uttaran”, kur ne kemi uttarana këtu për çdo ditë?

 

Ishin dy gjëra që ndodhën gjatë javës e që nxitën ngritjen e kësaj pyetjeje. 

 

E para rrodhi nga Kuvendi i Kosovës dhe më la përshtypje shumë më tepër, sesa fjalët që i dëgjoja tek i shqiptonin në foltoret e Parlamentit. Kurrë më shumë sesa kësaj radhe nuk identifikova më shumë deputetë, e aty-këtu ndonjë ministër (të gjinisë më pak të bukur u thonë), me flokë të lyera. Shumica me nuanca të së zezës apo madje edhe të bojë kafes – njësoj si gjysma e aktorëve që defilojnë në serialin maratonik indian. Veç i imagjinoja edhe me nga një pikë të kuqe në ballë edhe tamam si me qenë në teatër.

 

 

More nuk isha marrë hiç me frizurat e tyre po të më kishin impresionuar me atë që e flisnin, apo edhe po qe se punën do ta kryenin me ndërgjegje, sepse fundja nëse i lyejnë flokët apo jo, është punë e tyre personale. Porse, nuk pata si t‘i shmangesha këtij krahasimi, pas gjithë atij debati që e rrotulluan dhe e tjerrën për privatizimin me spinoffin special. Sa të pasinqertë dhe të humbur në gjithësi janë, bre: e nisin debatin për procesin që na ka lënë edhe më të varfëruar, në vitin e fundit të mandatit të tyre parlamentar..., me siguri është se nuk e kanë seriozisht...

 

 

E dyta u nxit nga një veprim fantastik, i një njeriu gjenial që me një potez të vockël e dëshmoi gjithë amoralitetin e një kaste udhëheqëse. Për më tepër, e tregoi me një lojë të thjeshtë fjalësh e mashtrimesh të imta, se sa e ka kalbur sistemin arsimor sipëror udhëheqja e tanishme politike, që është përgjegjëse edhe për masakrimin e madje idesë së arsimimit të shëndoshë në Kosovë.

 

 

Gjeniu Filan Fisteku e mori Manifestin e Marksit dhe e shndërroi në punim shkencor, i cili u publikua pa fije kontrolli, pa përmirësim gabimesh gjuhësore madje, me një titull që nuk kishte kurrfarë kuptimi dhe me një konkludim që po ashtu nuk kishte ndonjë domethënie. Filani, në mënyrë thjesht mjeshtërore, e demaskoi krejt një mekanizëm të instaluar të krimit të organizuar në UP – për shkak se krim nuk është vetëm të vjedhësh para. 

 

 

Krim është të pozicionohesh me hile lart në institucione më relevante. Është të vjedhësh vendin e punës që nuk e meriton, për shkak se mashtron. Është të marrësh përgjegjësinë për t’i edukuar brezat e rinj, pa fije ndërgjegjeje, për shkak se ke rrejtur kur ke thënë se ke mësuar për ta arritur gradën e profesorit. Sepse ke botuar tekste në një gazetë të shpikur në Indi, që ka gjetur në Kosovë një grumbull hajnash që për 80 dollarë plus shpenzimet bankare, i sigurojnë vetes tituj shkencorë që paguhen me mijëra euro në muaj. Uttaran!

 

 

Universitet për revolucion

 

E paguhen me mijëra euro në muaj për shkak se Qeveria e kryeministrit aktual ka vendosur të themelojë nga një universitet publik kudo që beson se mund t’i mbledhë ca vota. E për këtë, i angazhon po këta “profesorë” të historisë e që janë ekspertë të metalurgjisë, të minierave dhe mineraleve – si ushtarë të mirë partiakë apo të interesit, që mund të “indoktrinojnë” studentë dhe të fitojnë shtytje shtesë për partinë a koalicionin sundues. 

 

 

Është skandaloze sesi ende ka profesorë që mund t’i ligjërojnë me duzina lëndësh në shtatë a tetë, a sa duhet universitete gati njëkohësisht. Është skandaloze t’i mbash madje gati 60 mijë studentë në UP, duke ditur se jo të gjithë janë për studime dhe se, natyrisht, në këto kushte, nuk e ke as shansin minimal t’ua sigurosh nga një vend pune. Është edhe më skandaloze të regjistrosh studentë të rinj andej-këndej, e që me këtë në fakt ta shndërrosh universitetin në biznesin më fitimprurës që kanë mundur të ëndërrojnë “profesorët” – të cilët paguhen për secilin student që marrin në pyetje në provim; marrin para nëse janë mentorë për masterë e doktoraturë; e edhe nëse janë pjesë e komisioneve për mbrojtje temash... 

 

 

Ngjarjet e fundit në Universitet dëshmojnë se sistemi arsimor i Kosovës ka nevojë për një revolucion dhe se ky duhet t’ia nisë nga koka – nga Ministria, vetë Universiteti, e mandej të gjitha nivelet e tjera arsimore. Do të duhej t’ia niste, po të kishte moral, me dorëheqjen e komplet ekipit politik që e udhëheq Universitetin. Në mungesë të moralit, do të duhej të ndodhte shkarkimi dhe zëvendësimi i këtyre me njerëz që janë të pastër dhe që ia donë të mirën këtij vendi.

 

 

Do të duhej të vazhdonte menjëherë me vlerësimin e të gjitha punimeve shkencore dhe nëse ato i plotësojnë kushtet për t’u quajtur të tilla – me gjithë faktin se është problem të gjinden njerëz që nuk kanë interes të drejtpërdrejtë në Universitet dhe të jenë vërtet neutralë gjatë shikimit nëse dikush ka vjedhur; nëse dikush ka shkruar gjëra të pakuptimta e të pa kurrfarë rëndësie akademike; nëse dikush ka rrejtur, nëse dikush ka fshehur; nëse dikush ka marrë para për nota, nëse dikush ka kërkuar favore joakademike posaçërisht nga studentët... krejt këto do të duhej të hapnin rrugë që ky universitet të pastrohej nga llumi dhe llomi “akademik”. Ndoshta Filan Fisteku na e zbulon mënyrën se si t’ia bëjmë. 

 

 

Para më shumë se 30 vjetësh, UP-ja i kishte pasur 40 mijë studentë. Atëbotë, udhëheqësit e universitetit thoshin se s’kishte gajle pse Kosova nuk kishte kapacitet për t’i punësuar gjithë ata studentë – thoshin “prej kuantitetit del kualiteti”. Dhe, kishin nevojë për qetësi sociale – 40 mijë studentë ishin 40 mijë të papunë më pak në regjistrat zyrtarë. Sot, UP-ja duket se as vetë nuk e di se sa studentë i ka – thuhet se mund t’i ketë 60 mijë – dhe rezonon në të njëjtën mënyrë: nga kuantiteti do të dalë kualiteti dhe, Kosova i ka 60 mijë njerëz të papunë më pak, sipas statistikës. Por, dallimi ndërmjet kësaj kohe dhe asaj atje ishte se shumica e profesorëve të atëhershëm kishin kryer magjistraturat e doktoraturat në serbishte në Beograd, Zagreb a Lubjanë e Sarajevë – dhe se nuk kishin ditur për revistat në Indi dhe për poenat false që mund t’i mblidhje për të fituar tituj akademikë. Nuk po them që të gjithë profesorët e atëhershëm kanë qenë engjëj, porse e kanë pasur një diçka që këtyre tash u mungon: zotnillëk. 

 

 

Pra nuk është për t’u çuditur se përse uttaranat e ulur në Kuvend kanë aq shumë qejf ta shfrytëzojnë mandatin parlamentar për të kryer edhe naj magjistraturë e doktoratë, e rrugës me u pranu edhe në fakultet për të dhënë mësim – se biznes i mirë iu del – nëse nuk arrijnë të rizgjidhen në zgjedhjet e ardhshme, bile rrogën do ta kenë qaty të të njëjtit nivel. 

 

 

Për zgjedhjet e përshpejtuara pranojmë edhe vende të rezervuara

 

 

Rrogë më të vogël pretendon ta ketë Ramush Haradinaj – atë të kryeministrit, që nominalisht është më vogël sesa e uttaranave në Kuvend dhe në UP. Ama, pushtetin që do ta kishte aty -- nuk blihet me para. 

 

 

I pabesueshëm duket insistimi i tij për t’u bërë me këtë post; është aq i bindur se momentalisht mund të mbledhë shumë vota, pavarësisht humbjeve të komunave në Dukagjin, sa insiston që zgjedhjet të mbahen në qershor. E që këto të mbahen verës, është i vetmi, i cili thotë se nuk pengon gjë nëse duhet vazhduar vendet e rezervuara edhe për një mandat. 

 

 

Nuk kam dëgjuar të jetë elaboruar arsyeja se përse e mendon këtë punë kështu – do të ishte interesante të dëgjonim një version tjetër që nuk është ai të cilin ia dëgjojmë tek na e elaboron shefi i shefave (diçka si Kosova shtet multietnik, blla, blla). Mbase edhe nuk ka shumë çka të thotë, ngase partia e tij ka qenë shumë përkrahëse e dialogut që e ka hapur Pakon e Ahtisaarit dhe e ka copëtuar asisoj sa tash mund t‘i bëhet çfarëdo ndryshimi për t’i akomoduar qejfet politike. Dhe, edhe po të përpiqej të na thoshte tash se negociatat me Serbinë do të duhej ndalur, zor se kush do t’i besonte – ngase edhe ai është bashkëfajtor për lidhjen e një marrëveshjeje që e vulos mosfunksionalitetin e shtetit të Kosovës.

 

 

 

Do ta përfundoj këtë shkrim me notën pozitive të javës e që lidhet për veprimin gjenial të Filan Fistekut. Reagimi i masës ka qenë i jashtëzakonshëm. Ka pasur shumë porosi që i kanë ardhur si autorit ashtu edhe redaksisë duke iu falënderuar për publikimin e zbulimit shkencor që ia bëri Filani UP-së së kalbur. Siç e do zakoni në Kosovë, reagimi i protestuesve në rrugë ka qenë i vogël – dhe e di që shumica e studentëve janë frikësuar se do të mund të merreshin masa ndëshkuese kundër tyre, ashtu siç të njëjtën frikë e kanë edhe profesorët e pastër, sepse nuk e kanë zbuluar ende opsionin e të qenit uttaran. 

 

 

 

Ky është mbase lajmëtari më i mirë, pas zgjedhjeve komunale, se njerëzit janë kah ngopen më shumë seç ua duron organizimi dhe se më nuk do të heshtin ndaj gjërave kaq të shëmtuara. Se në fakt do t’i ndëshkojnë ata të cilët e besojnë se janë të paprekshëm, sepse janë uttaran. E në fakt nuk e dinë se “uttaran” do të thotë “i refuzuar”, “i hedhur poshtë”. Sepse ka ardhur koha që t’i identifikojmë këta si shkaktarët që të gjithë na shikojnë si uttarana, si njerëz që duhet refuzuar – sepse për shkak të tyre, nuk na e japin as liberalizimin e vizave.

 

 

 

Është koha e fundit që kokat gjeniale, edhe nëse e quajnë veten Filan Fistek, të vendosen aty ku duhet. Në vend të uttaranave. /Koha Ditore

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00