Amerika e Franklin Roosevelt, nga rrënimi në superfuqi
Franklin D. Roosevelt ishte udhëheqësi më i rëndësishëm i shekullit të 20-të. Ai shpëtoi demokracinë amerikane nga Depresioni i Madh, udhëhoqi aleatët në fitoren mbi diktatorët, dhe triumfoi në katër palë zgjedhje të njëpasnjëshme.
Nga Luan Kondi
(Në 132 vjetorin e lindjes se presidentit më madh të SHBA)
Edhe pse kanë kaluar 132 vjet që nga 30 janari i vitit 1882, kur lindi Franklin Roosevelt, shumë njerëz që e njohin historinë e presidentit të 32 të SHBA-së, anë e mbanë botës, mendojnë se mund të mësojmë mjaft nga eksperienca e tij drejtuese e shekullit të kaluar. Një nga presidentët më të pëlqyer nga amerikanët, Franklin Delano Roosevelt, njohur ndryshme edhe si FDR (shkronjat e pra të emrit të tij), drejtoi SHBA-në me sukses gjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore. Programi i tij qeverisës (New Deal) Marrëveshja e Re krijoi vende pune, lejoi hapësira për sindikatat, reformoi vendin me anë të rregullimit të Wall Street dhe sistemit bankar kombëtar, dhe siguroi një rritje ekonomike të qëndrueshme. Disa nga programet e realizuara prej tij si Siguria Sociale dhe Korporata e Sigurimit të Depozitave Federale, janë shumë të rëndësishme ende. Edhe pse ai u përpoq të mbante Amerikën neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mbështetur gjithnjë aleatët, por pas sulmeve në Pearl Harbor, Roosevelt e çoi Amerikën në luftë të drejtpërdrejtë. Udhëheqja e tij rezultoi një strategji efikase në luftë pasi mundësoi shkatërrimin përfundimtar të nazistëve dhe fuqive të Boshtit. Shumë historianë mendojnë se hyrja e SHBA-së në luftë ishte një pikë kthese, e pikërisht kjo e bëri Rooseveltin një president të njohur. Franklin kujtohet si një politikan i madh, nga modeli qeverisës i të cilit mund të përfitohet mjaft. Franklin D. Roosevelt udhëhoqi popullin amerikan gjatë një momenti shumë të rëndësishëm të historisë së SHBA-së. Në prag të një lufte të madhe botërore, kur vendi ishte ekonomikisht i shkatërruar, u desh një njeri i fortë, si Franklin, që t’i trajtonte në mënyrë strategjike këto kriza. Presidenca e Roosevelt la një trashëgimi, që e bën atë një emër të madh të familjes së tij. Gjatë viteve ka ndodhur të harrohen disa prej presidentëve të SHBA-së, por me Franklin Roosevelt, që drejtoi dymbëdhjetë vjet, vështirë të ndodhë kjo. Reformat e ndërmarra nga Roosevelt e radhisin atë në krye të listës së presidentëve. Franklin Roosevelt ishte presidenti me moshë të re, që e solli Amerikën në epokën moderne të shekullit XX. Njeriu i fortë, i cili mposhti sëmundjen dhe paaftësinë për të udhëhequr një komb në luftë, mbetet një figurë historike që do të vlerësohet dhe respektohet edhe nga brezat e ardhshëm.
Si u formua personaliteti i Franklin Roosevelt
Franklin, edhe pse një president i lavdishëm, nuk ka qenë asnjëherë një nxënës dhe student i shkëlqyer. Ai deri në moshën 14-vjeçare mësoi në çifligun familjar Springwood. Më vonë u dërgua në shkollën përgatitore në Groton, ku shkonin fëmijët e familjeve të pasura, dhe më tej ndoqi studimet në Harvard. Ai mori nota mesatare në të gjithë shkollën dhe madje edhe gjatë shkollës së drejtësisë. Ai u diplomua në Harvard për histori, dhe më vonë ndoqi studimet për drejtësi në Universitetin e Columbias, por i ndërpreu ato pasi dha provimin e avokatisë. Edhe pse pa një diplomë në drejtësi, ai u përpoq të fillonte karrierën si avokat deri sa vendosi të hynte në shërbimin publik. Ashtu siç ndodh te shumë njerëz të suksesshëm, shkollimi i tij në fillim nuk ishte një tregues i vërtetë i asaj që Franklin Roosevelt do të ishte në gjendje të realizonte më vonë në jetë. Përkundër atij suksesi të madh që arriti si një udhëheqës i fuqishëm, Franklin nuk kishte një edukim shumë të fortë formal. Sot do të ishte shumë e vështirë që dikush të bëhet president pa një arsimim të fuqishëm, dhe sidomos pa një prapavijë të fortë ligjore. Edhe pse nuk shkëlqeu në shkollë, Franklin Delano Roosevelt mësoi shumë nga përvoja e jetës. Kjo e ndikoi atë në marrjen e vendimeve shumë të zgjuara gjatë karrierës së tij presidenciale.
Franklin ishte kushëriri i pestë i Theodore Roosevelt, Presidentit të 26-të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai erdhi nga një familje shumë e privilegjuar, e cila kishte shumë të afërm me ndikim të madh në politikë dhe fusha të tjera. Krenar për prejardhjen e familjes së tij, Franklin pohonte se kishte lidhje me njëmbëdhjetë Presidentë të SHBA-së, si edhe njerëz të famshëm si Robert E. Lee, Jefferson Davis, Mbretëresha Elizabeth dhe Winston S. Churchill. Kjo tregon se aftësitë udhëheqëse të Franklin ishin në linjën e gjakut të tij.
Franklin lidhi martesë me Eleanor Roosevelt, mbesën e Theodore Roosevelt. Eleanor ishte grua e zgjuar dhe e mirëarsimuar për kohën e saj. Ajo ndikoi shumë në “New Deal” (Marrëveshjen e Re), si dhe ndihmoi Franklinin në reformat e nevojshme gjatë Depresionit të Madh.
Një Roosevelt ndryshe në politikë
Edhe pse Franklin erdhi nga një linjë e gjatë politikanësh, ai ishte i pari demokrat në familjen e tij. Të gjithë Rooseveltët përfshirë dhe Theodorin, ishin republikanë. Në fakt, vendimi i tij për të qenë një demokrat e ndihmoi të fillonte karrierën politike. Në zgjedhjet për Senatin e Shtetit të Nju Jorkut, në vitin 1910, edhe pse kandidonte me siglën e demokratëve, ai u votua kryesisht për shkak të emrit të familjes së tij. Vetëm një demokrat kishte mundur të fitonte në Kontenë e Dutchess, zona ku kandidonte Franklin, që nga viti 1856. Atë kohë, shumë njerëz ende kujtonin me respekt të madh Theodore Rooseveltin, ndaj dhe Partia Demokratike vendosi të kandidonte atje një Roosevelt demokrat. Franklin fitoi me diferencë votash dhe kjo shënoi nisjen e karrierës së tij politike. Roosevelt kishte një karrierë premtuese sepse më herët ai kishte shërbyer si senator i shtetit dhe Ndihmës Sekretar i Marinës. Në vitin 1920, ai konkurroi për një biletë në Shtëpinë e Bardhë, për zëvendëspresident, teksa guvernatori i Ohios, James Cox ishte kandidat për Presidentit. Ata humbën në betejën elektorale me Warren G. Harding dhe Calvin Coolidge. Kjo nuk e pengoi Franklin të vazhdojë shërbimin në poste publike.
Presidenti në karrigen me rrota
Franklin Roosevelt u paralizua pas një goditjeje nga poliomieliti në vitin 1921. Ai nuk e la paaftësinë fizike ta ndalonte për t’u marrë me politikë. Roosevelt u përpoq pareshtur të gjente një kurë për sëmundjen e tij. Për një kohë, ai u tërhoq për shkak të sëmundjes, por bashkëshortja Eleanor dhe Louis Howe e inkurajuan të vazhdonte më tej. Roosevelt punoi shumë në përmirësimin e imazhit fizik dhe politik. Ai mësoi të ecte vetë në distanca të shkurtra. Franklin kujdesej të mos shfaqej në publik duke përdorur karrigen me rrota. Asnjëherë nuk deshi të mësohej nga publiku aftësia e tij e kufizuar. Roosevelt i mbajti larg mediat nga ky problem, ndaj ekzistojnë vetëm tre foto që e tregojnë atë në karrigen me rrota. Paraliza e Franklin e solli poliomielitin në vëmendje publike. Mijëra jetë janë kursyer nga çrrënjosja e kësaj sëmundjeje. Për zbulimin e vaksinës kundër poliomielitit ka meritë edhe Roosevelt, pasi nxiti hulumtuesit.
Pas disa mosmarrëveshjeve me persona me ndikim në Partinë Demokratike të Nju Jorkut, Roosevelt u shfaq në paqe me ta në Konventat Kombëtare të vitit 1924 dhe 1928 për të emëruar guvernatorin e Nju Jork, Al Smith si kandidat për president. Kjo e rriti ekspozimin e tij kombëtar, ndaj dhe Al Smith i kërkoi të kandidonte për guvernator i Nju Jorkut, në vitin 1928. Roosevelt fitoi me rezultat të ngushtë, por ky triumf i dha besimin të kuptonte se ylli i tij politik ishte në ngjitje. Si guvernator, ai besonte në një qeveri progresive që krijonte programe të reja sociale. Në vitin 1930, republikanët u fajësuan për Depresionin e Madh dhe Franklin Roosevelt ndjeu se kishte ardhur koha e triumfit. Ai filloi përgatitjen për një kandidim në zgjedhjet presidenciale. Shpesh bënte thirrje publike për ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi, që të siguronte lehtësi, shërim përmes reformave. Qasja e tij optimiste, pozitive dhe përvoja personale e ndihmuan të fitonte ndaj kandidatit republikan Herbert Hoover, për president, në nëntor të viti 1932. Kur Roosevelt mori detyrën, në mars të vitit 1933, Amerika numëronte 13 milionë të papunë dhe qindra banka ishin mbyllur. Roosevelt u përball me krizën më të madhe në historinë e SHBA-së që nga Lufta Civile. Në 100 ditët e para si presidenti Franklin Roosevelt propozoi reformë të thellë ekonomike materializuar në programin “Marrëveshja e Re”. Ai urdhëroi mbylljen e përkohshme të bankave për të ndaluar tërheqjen e depozitave. Ai formoi një “Task Forcë” me ekspertë ekonomikë, të cilët projektuan agjencitë për të mbështetur fermerët, punësuar të rinjtë, rregulluar pagat e çmimet, siguruar depozitat bankare, rregulluar tregun e aksioneve, subvencionimin e kolateralëve etj. Që nga viti 1936, ekonomia tregoi shenja përmirësimi. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 34 për qind, dhe papunësia ra nga 25 për qind në 14 për qind. Por, Franklin Roosevelt u përball me kritika për rritjen e shpenzimeve qeveritare, buxhet të çekuilibruar, dhe se e kishte çuar vendin drejt socializmit. Disa akte të Marrëveshjes së Re u deklaruan jo kushtetuese nga Gjykata e Lartë e SHBA-së. Në vitin 1938, opinioni jo pozitiv për qeverisjen, rritja e ngadaltë ekonomike dhe fitoret e republikanëve në zgjedhjet e ndërmjetme, nuk i dha mundësinë Rooseveltit të kalonte legjislacionin e reformës.
Lavdia e një udhëheqësi të madh
Që nga fundi i Luftës së Parë Botërore, Amerika kishte adoptuar një politikë izolacioniste në politikën e jashtme. Në fillim të viteve 30-të, Kongresi miratoi aktet e neutralitetit të SHBA-së, duke parandaluar ndërhyrjen e saj në konfliktet e huaja. Në vitin 1933, Franklin D. Roosevelt largoi vendin nga parimi i njëanshëm i Doktrinës Monroe dhe themeloi politika të fqinjësisë së mirë me Amerikën Latine. Megjithatë, me lindjen e konflikteve ushtarake në Azi dhe Evropë, Roosevelt ka kërkuar mënyra për të ndihmuar Kinën në luftën me Japoninë dhe deklaruar se Franca dhe Britania e Madhe ishin “Vija e parë e mbrojtjes” së Amerikës nga Gjermania naziste. Në vitin 1940, Roosevelt nuk ishte shprehur publikisht se do të kandidonte për një mandat të tretë presidencial. Por duke parë fitoret e Gjermanisë në Evropë dhe dominimin në rritje të Japonisë në Azi, ndjeu se vetëm ai kishte përvojën dhe aftësitë për të udhëhequr Amerikën në situata të tilla. Në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Çikago, Roosevelt i sfidoi të gjithë kundërshtarët dhe doli kandidat për president i demokratëve. Në nëntor 1940 ai fitoi zgjedhjet presidenciale kundër republikanit Wendell Willkie. Gjatë vitit 1941, Franklin Roosevelt inkurajoi fabrikat e SHBA-së të bëhen një “arsenali i demokracisë” për aleatët - Francën, Britaninë dhe Rusinë. Mizoritë e luftës i detyruan amerikanët të ishin më pak izolacionistë. Roosevelti shfrytëzoi qëndrimin e patundur kundër Fuqive të Boshtit si Gjermania, Italia dhe Japonia për të marrë mbështetjen dypartiake në Kongres për rritjen e numrit të ushtarëve që merrnin pjesë në furnizimin e Aleatëve. Shpresat për të mbajtur SHBA-në larg luftës përfunduan me sulmin japonez në Pearl Harbor, më 7 dhjetor të vitit 1941. Gjatë Luftës II Botërore, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Franklin Roosevelt, ndihmoi në realizimin e një strategjie efikase për të fituar mbi Gjermaninë në Evropë dhe Japoninë në Azi e Paqësorin Lindor. Gjatë kësaj kohe, Roosevelt promovoi formimin e Kombeve të Bashkuara. Në shkurt të vitit 1945, ai mori pjesë në Konferencën e Jaltës së bashku me kryeministrin britanik, Winston Churchill dhe sekretarin e përgjithshëm sovjetik, Josif Stalin, për të diskutuar riorganizimin e pasluftës. Pas Konferencës së Jaltës ai u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shëndeti jo i mirë e dha goditjen. Pasditen e 12 prillit të vitit 1945, Roosevelt pësoi hemorragji cerebrale dhe u shua. Vdekja e Franklin Roosevelt tronditi publikun amerikan.
Një lider i sprovuar
Franklin D. Roosevelt ishte udhëheqësi më i rëndësishëm i shekullit të 20-të. Ai shpëtoi demokracinë amerikane nga Depresioni i Madh, udhëhoqi aleatët në fitoren mbi diktatorët, dhe triumfoi në katër palë zgjedhje të njëpasnjëshme. Fitorja e tij merr edhe më shumë vlera pasi dihet se vuante paaftësinë fizike, pas prekjes nga Poliomieliti në vitin 1921. Drejtimi që Franklin i bëri SHBA-së tregon efektivitetin e dukshëm të qeverisjes, një shembull i mirë për politikën e sotme. Roosevelt ishte një udhëheqës i ndërlikuar, i diskutueshëm, por çdo kombinim i ADN-së dhe përvojës e bëri atë të ishte jashtëzakonisht efektiv, sidomos në mandatin e tij të parë dhe të tretë, dhe pasardhësit e kanë parë vazhdimisht atë si një nga udhëheqësit më të fuqishme në historinë e SHBA. Një nga parimet e drejtimit të tij ishte; “Qëllimet mbaji të sigurta, mjetet për ti arritur ato fleksibël”. Fakt është se në vitet 1939-1941, Roosevelt e transformoi Amerikën nga një fuqi e mesme e ndarë dhe në mëdyshje në një udhëheqëse globale. Ai e shtyu izolimin në skajet e jetës kombëtare dhe e tërhoqi vendin në luftë, një veprim ky i kryer me kujdes dhe finesë. Franklin i ndryshonte vazhdimisht taktikat, por pas tyre gjithnjë dallohej synimi i qartë dhe i palëkundur. Për të realizuar synimet e tij, Roosevelt e ktheu qeverinë në një anije me vela, që ecte e fiksuar vetëm drejt progresit, edhe pse ndonjëherë lëkundej, por më në fund e ankoronte atë në portin e zgjedhur prej tij. Suksesi i udhëheqjes së Roosevelt ishte bashkëpunimi; “Ju jeni më të fortë kur punoni me të tjerët”, shprehej FDR. Për shkak të paralizës, pasojë e poliomielitit, Roosevelt u detyrua të mbështetet për arritjen suksesit politik dhe mbijetesën e tij, te familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Në rrethanat që paraprinë Pearl Harborin, ai caktoi pesë burra të jashtëzakonshëm - diplomatin e mirëshkolluar, Sumner Welles, aventurierin dhe drejtuesin e ardhshëm të aktiviteteve të fshehta të inteligjencës (OSS- Zyra e Shërbimeve Strategjike) Republikanin “Wild Bill” Donovan, punonjësin social dhe influent, Harry Hopkins, kandidatin presidencial të Partisë Republikane (GOP-Grand Old Party) Wendell Willkie, dhe biznesmenin e diplomatin Averell Harriman. Roosevelt i dërgoi ata në misione të veçanta në Europë, që ishin vendimtare për luftën dhe Amerikën e shekullit XX. Pesë të dërguarit ishin frymëzimi dhe instrumentet e politikës së jashtme të Franklin D. Roosevelt.
Përvoja e Roosevelt na mëson se: “Të jesh në dijeni të veprimeve të kundërshtarit”, është domosdoshmëri për jetëgjatësinë politike të një lideri. Filozofi dhe diplomat i kohës së luftës Isaiah Berlin ka vërejtur se Franklin Roosevelt besonte në “fleksibilitet, improvizim, trajtimin e personave dhe shfrytëzimin e burimeve të shumëllojshme në mënyra të reja dhe të papritura”. I vendosur për ta neutralizuar krahun izolacionist të Partisë Republikane, ngriti në nivele ndërkombëtare republikanin, Wendell Willkie. Ndokush mendonte se nuk do të ishte e mundur që një ish-rival presidencial t’i shërbente qëllimeve të Rooseveltit, por gaboi. Në të vërtetë, ai zotëronte një shkallë të tillë të lartë të besimit në vete, se koncepti i tij i udhëheqjes së presidencës krejtësisht pa vështirësi apo shqetësim është në thelb shëmbëlltyrë e vetë personalitetit të tij. Besimi i Roosevelt mundësoi mospajtimin e presidentit me këshilltarët kur duhet të merreshin vendime të rëndësishme, mbështetja e tij e hershme për Britanisë në fillim të Luftës së Dytë Botërore shushati shumica e tyre. Zëvendëspresident, guvernator në Nju Jork, dhe më në fund president, ai pothuajse ia ka kushtuar të gjithë jetën e tij shërbimit publik. “Kurioziteti është një gjë e mirë”. Kjo zinte vend të rëndësishëm në metodat e qeverisjes së Roosevelt. Ai liroi zinxhirët komandues. La mënjanë protokollet dhe krijoi perandorinë ndërthurëse administrative. Shpesh ai ua ndante një detyrë të vetme shumë njerëzve. Kjo ishte metoda e duhur për këtë çmenduri administrative. Duke kërkuar inteligjencës kudo, ai shmangu kapjen pas një burimi të vetëm. Me vendosjen e këshilltarëve të tij kundër njëri-tjetrit, ai testoi fuqinë e argumenteve të tyre. Duke shkrirë autoritetin, ai mbante kontrollin mbi çdo gjë. Roosevelt shquhej për Guximin dhe karakteri i fortë. Ai nuk e lejoi asnjëherë paaftësinë të pushtonte shpirtin e tij. Kjo duket në mënyrën se si ai është marrë me poliomielitin që i shkaktoi paaftësinë fizike kur ishte vetëm 39 vjeç. Të gjithë të njohurit e tij ranë dakord: ai u përball me pafuqinë me kurajë, këmbëngulje, dhe shpresë. Këto tipare të karakterit u shfaqën kur, si udhëheqës dhe komandant i përgjithshëm, ai inkurajoi një komb duke luftuar kundër Depresionit të Madh dhe fuqive të Boshtit në Luftën II Botërore. Studiuesi David Kennedy e quan atë një burrë të provuar në jetën politike dhe madje edhe një pasuri kombëtare. Roosevelt ishte një udhëheqës i përgjegjshëm ndaj detyrës. Ndjenja e shërbimit ndaj vendit i ishte rrënjosur nga prindërit, familja e tij e zgjeruar dhe mësuesit në Groton. Ai kurrë nuk kishte parashikuar ndonjë karrierë tjetër veç asaj të shërbyesit publik. I mprehtë dhe mendjehollë, si kushëri i Theodore, Franklin u ngjit në hierarki nga senator i Shtetit të Nju Jorkut e ndihmës sekretar i Marinës, kandidat presidencial. Shumica e njerëzve pranojnë se ai ishte një lider efektiv. Shkrimtarë të shumtë janë përpjekur të gjejnë cilësitë që e bënë atë tërheqës për ndjekësit e tij. Më mirë se kushdo tjetër historiani David Kennedy ka përshkruar disa nga karakteristikat e Roosevelt. “Presidenti i 32 i SHBA-së, ishte njohës i mirë i situatave, karizmatik, vetëbesues, i angazhuar në shërbimin publik, me karakter të fortë, vizion të qartë për të ardhmen e kombit dhe rolin e SHBA-së në botë, zotëronte aftësi politike për të realizuar një fazë përgatitore perfekt përpara marrjes së një vendimi, etj. Ai zotëronte një kureshtje të madhe, një oreks të pakufi për dije që kombinoheshin me kapacitetin e tij për të absorbuar një gamë të habitshme të fakteve përmes bisedës. Bashkëbisedimi ishte mënyra e tij e preferuar e të mësuarit, ai donte t’i flisnin gjerësisht për çdo gjë”, shkruan David Kennedy.
Presidenti i katër mandateve u shua në krye të detyrës
Para Frankin D. Roosevelt, disa presidentë u përpoqën të kërkonin më shumë se dy mandate, por të tjerë e kanë konsideruar të mjaftueshëm drejtimin e vendit në vetëm dy të tillë. Mund të përmendim këtu Ulysses S. Grant, i cili ka bërë përpjekje për një mandat të tretë, por nuk u pa si kandidat i mundshëm nga partia e tij. I ndryshëm ishte rasti i George Washington, i cili u bë i famshëm për mospranimin e një mandati të tretë, dhe shumë ia atribuojnë pikërisht atij amendamentin që u krijua më pas për të krijuar një qeverisje vetëm në dy presidenca. Franklin Roosevelt është i vetmi që u zgjodh të drejtonte vendin në katër mandate. Pasi këtij shërbimi presidencial të Franklin Roosevelt, u propozua dhe më pas u ratifikuara një amendament, ku përcaktohej një afat për presidencën deri në dy mandate. Njerëzit mendonin se të pasurit e një presidenti që shërbente në kaq shumë mandate mund të çonte në korrupsion politik, pushtet të pakufizuar, për shkak të kohës së gjatë të qeverisjes nga një person. Ka pasur disa tentativa për shfuqizimin e këtij amendamenti, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e suksesshme. Franklin Roosevelt do të mbetet i vetmi që ka shërbyer më shumë se dy mandate në krye të SHBA-së. Ai shërbeu si president për dymbëdhjetë vjet, dhe madje u shua pas vitit të parë të mandatit të tij të katërt, pak para shpalljes së fitores ndaj Japonisë, nga një hemorragji cerebrale më 12 prill, 1945. Nga 44 presidentë të Shteteve të Bashkuara, vetëm tetë prej tyre humbën jetën në mandatin e tyre presidencial. Franklin ishte një nga të paktët që u shua nga shkaqe natyrore. Presidentët; Lincoln, Kennedy, Garfield dhe McKinley, u vranë teksa udhëhiqnin SHBA-në. William Harrison, Presidenti i 9-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1841 nga pneumonia, Zachary Taylor, Presidenti i 12-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1850 pasi vuante nga disa sëmundje, ndërsa Warren G. Harding, presidenti i 29-të, vdiq nën dyshimin për helm, ndërsa mjekët e tij shkak përcaktuan komplikacionet në zemër.....
- See more at: http://www.sot.com.al/opinione/amerika-e-franklin-roosevelt-nga-rr%C3%ABnimi-n%C3%AB-superfuqi#sthash.xukeOg2s.dpuf
Comments (0 posted)
Post your comment