Home | Opinion | Aleanca perëndimore në erën dixhitale

Aleanca perëndimore në erën dixhitale

image
Ne europianët duhet të jemi autokritikë dhe të pranojmë se jo vetëm kemi mbetur mbrapa në termat e kapaciteteve teknologjike, por edhe rrezikojmë gjithashtu të mos rrokim plotësisht dhe në kohën e duhur, mundësitë dhe rreziqet e botës dixhitale.

 

 

 

Wolfgang Ischinger

 

 

 

 

 

 

Shtetet e Bashkuara kanë pranuar, të paktën së fundmi, se një pjesë e mirë e besimit mes aleatëve është bjerrë si pasojë e nivelit të survejimit që Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka realizuar.

 

Fjalimi i Presidentit Barack Obama për reformën në kuadrin e aktivitetit të mbledhjes së informacioneve nga shërbimet amerikane, sikurse intervista e tij pasuese në televizionin gjerman, përfaqësojnë një përpjekje të parë për të rivendosur besimin te aleatët e SHBA-ve.

 

Por kjo përpjekje, më shumë sinjalizon fillimin e një dialogu rreth kësaj çështjeje. Tema është shumë e gjerë saqë të diskutohet vetëm mes qeverive dhe shërbimeve sekrete. Ajo për çfarë kemi nevojë është një debat ndërkombëtar më përfshirës, që të angazhojë, le të themi, publikun amerikan dhe atë gjerman, sikurse edhe Kongresin amerikan dhe Bundestagun gjerman; shkurt pra, nevojitet një debat brenda mjedisit perëndimor lidhur me marrëdhënien tonë në erën dixhitale.

 

Kur Ewald von Kleist, i ftoi në vitin 1963, pjesëmarrësit për mbajtjen e konferencës së parë në Munih, ideja nxitëse ishte që të ftoheshin aleatët tanë më të rëndësishëm për të diskutuar rreth çështjeve kryesore strategjike që ndikonin drejtpërdrejt Gjermaninë dhe NATO-n.

 

Tema kryesore në atë kohë, ishte strategjia bërthamore e Aleancës së Atlantikut. Në fund të fundit, Gjermania mund të kishte qenë viktima e parë e një konfrontimi bërthamor mes NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Kleist donte që të kontribuonte në krijimin e një “komuniteti strategjik” gjerman, i cili të mund të jepte ndihmesën e vet në debatin brenda NATO-s, më shumë sesa të pranonte në mënyrë pasive çdo gjë që SHBA-të, partneri superior në teknologji, do të propozonte.

 

Në një farë mënyre, sot ndodhemi në të njëjtën situatë. Ndonëse implikimet në fushën e sigurisë në erën dixhitale, janë më pak të prekshme dhe jo aq shkatërrimtare sa një sulm bërthamor, mundësitë teknologjike e tjetërsojnë thelbësisht fushën e lojës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Zbulimet që lidhen me aktivitet e survejimit të NSA-së, janë vetëm fillimi. Një e ardhme e “thinking drones” (avionë të telekomanduar autonomë) dhe e armëve informatike, mbrojtëse dhe të sulmit, shtron përpara nesh pyetje të reja të karakterit etik, ligjor dhe politik.

 

Ne evropianët duhet të jemi autokritikë dhe të pranojmë se jo vetëm kemi mbetur mbrapa në termat e kapaciteteve teknologjike, por edhe rrezikojmë gjithashtu të mos rrokim plotësisht dhe në kohën e duhur, mundësitë dhe rreziqet e botës dixhitale.

 

Dhe sigurisht, do ta kemi të vështirë për t’u angazhuar në negociata të vërteta me amerikanët mbi çështjet informatike, vetëm nëse ia dalim që të adoptojmë një qëndrim të përbashkët brenda Bashkimit Evropian. Duke bërë kështu, do të vendoseshim në një pozicion shumë më të mirë për të negociuar në pozita të barabarta me SHBA-të, njësoj siç veprojmë për çështjet tregtare.

 

Në të shkuarën, pjesëmarrja e aleatëve perëndimorë në NATO dhe në Grupin e Planifikimit Bërthamor, i lehtësonte shqetësimet e tyre dhe parandalonte që ata të ktheheshin në objekte të thjeshta të strategjisë amerikane. Sot, ne kemi nevojë për nisma të ngjashme, duke patur parasysh botën dixhitale.

 

Ata që shpresojnë të arrijnë një bashkëpunim të vërtetë, duhet të jenë të gatshëm për të dhënë kontributin e vet. Zbulimet e muajve të fundit dhe debatet që pasuan ato, kanë treguar se shumë politikanë në SHBA janë të shqetësuar nga liritë që shërbimet sekrete i kanë dhënë vetes. Gjithsesi, pa një presion të brendshëm, shumë pak gjë ka për të ndryshuar. Më e rëndësishmja: aktorët socialë, kompanitë, OJQ-të apo edhe komisionet ndërkombëtare të ekspertëve-këtu dhe në SHBA- duhet të përfshihen më shumë sesa më parë në këtë debat. Kjo çështje na prek të gjithëve.

 

Debati nuk është dhe nuk duhet të jetë, mes Europës dhe SHBA-ve. Disa amerikanë i janë mirënjohës zbulimeve të bëra nga Edward J. Snowden, që sipas tyre kanë nxitur nevojën urgjente të reflektimit publik. Garancia e institucionalizuar e mundësisë për autokritikë, është padyshim, karakteristika më e mirë e Perëndimit.

 

Demokracitë tona janë më mirë të organizuara sesa sistemet e tjera në shqyrtimin e politikave dhe në reagimin ndaj kriticizmit. Në vitet ’60, Perëndimi duhet të binte dakord për një strategji të përbashkët në kuadër të epokës bërthamore dhe të mësonte që t’i përgjigjej kërcënimeve atomike.

 

Për pasojë, ne u dëshmuam të aftë të hedhim hapat e para drejt kontrollit të armëve dhe çarmatimit. Sot, ne kemi nevojë për një debat të ngjashëm në Perëndim në lidhje me strategjinë tonë për erën dixhitale, nëse duam që të kapërcejmë sfidat e reja, pa mohuar identitetin tonë si demokraci liberale ( Artikulli ka për bashkautor Tobias Bunde, Këshilltar i Konferencës së Munihut). 

 

 

 

*W. Ischinger – kryetar i Konferencës së Mynihut 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00