Home | Opinion | Fitorja e vogël në mesin e humbjeve të mëdha

Fitorja e vogël në mesin e humbjeve të mëdha

image
Do të besohej se njerëzit që mezi ia dolën të pavarësoheshin do të shikonin dhe punonin si të ecnin përpara për t’ia përmirësuar vetes jetën. Atë që kosovarët e kanë përjetuar posaçërisht në këta gjashtë vjet janë humbje të njëpasnjëshme edhe të substancës, por edhe të dinjitetit të vet...

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 

 

 

Prishtina disa ditë para festimit të gjashtëvjetorit të Pavarësisë sërish e ktheu, me gjithë “shkëlqimin” e vet, epitetin e Panagjyrit. Flamujt dhe balonat që janë ngre prej një bandere në tjetrën kurrë nuk janë dukur më të shëmtuar sesa kësaj radhe. Kushdo që të ketë qenë ideator i një dekorimi të tillë, përfundimisht, ama bash kurrfarë shije nuk ka.

 

E ky dekorim është, pa dyshim dhe për fat të keq, ilustrimi më i mirë i shtetit tonë gjashtëvjeçar – të një fëmije plot iluzion se duket i bukur, përderisa e kanë shndërruar në palaço dhe temë përqeshjeje anembanë. Dhe e gjithë kjo, duke iu falënderuar atyre që moralin, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë i njohin vetëm si fjalë fjalori. Apo mbase as kështu.

 

Studentët

 

Po të mos ishin të rinjtë, nuk ka dyshim se moti kishim pasur arsye t’i çonim duar nga ky vend. Dhe jo vetëm për shkak të klishesë “rinia është ardhmëria e këtij vendi”, por për shkak se të rinjtë ishin ata që në disa javët e fundit dëshmuan se mund të jenë forca motorike e ndryshimeve që na nevojiten kaq shumë dhe urgjentisht.

 

Mbase vlen të veçohet sërish Majlinda Kelmendi – të cilën tashmë e kemi lodhur duke e quajtur “krenaria e Kosovës”. Por, çka t’i bëjmë kur vërtet na bën të krenohemi sa herë që fiton medalje apo mbushet me pika olimpike, të cilat madje edhe sportistët nga bota i ëndërrojnë. Kështu veproi në Paris, dhe për “pasojë” tash zë vendin e parë në ranglistën botërore të xhudisteve që i përkasin kategorisë së saj. Por, kësaj radhe Majlinda nuk qe vetëm. Asaj në piedestalin e krenarisë iu bashkuan studentët e UPsë, ata të cilët vendosën që me protestën e tyre ta kërkonin dorëheqjen e një rektori mashtrues e të një këshilli drejtues të politizuar, si dhe të kërkonin reformimin e institucionit me të cilin dikur ishim krenuar përnjëmend, e që tash është i zhytur në krim e korrupsion.

 

Pas rrahjes së pabesueshme, përdorimit të aparatit të dhunës fizike shtetërore për ta mbrojtur të keqen, pas arrestimit të, në fund dolën të jenë, 33 të rinjve – përnjëherë të shtunën, Rektori doli në televizionin publik për ta dhënë dorëheqjen, “për shkaqe morale”. Po është skandaloze të dëgjohet se si njeriu, i cili u kap në flagrancë në mashtrim qysh në shtatorin e vjetëm, të ketë qëndruar në post pa i bërë syri vërrrrr. Të ketë emëruar për zëvendës tijin një njeri, i cili duke e pasur të ndaluar hyrjen në Amerikë, megjithatë, ia kishte dalë të depërtonte nëpërmjet Meksikës (nga zakonisht kufiri kalohet ilegalisht). Të jetë pajtuar që objektin e Rektoratit ta okuponin specialcat tu Kosovës, për t’ia mbrojtur atij kolltukun...

 

Shkuarja e tij shkaktoi edhe tërheqjen e prorektorëve të tjerë e edhe të një pjese të Këshillit Drejtues të UP-së. Nxiti edhe një propozim skandaloz të MASHT-it për “zgjidhjen e situatës”, që ishte fund e krye ftesë për shkeljen e Statutit. Dhe tregoi edhe një herë sa i mjerë është Kuvendi i Kosovës, i cili në vend se të zgjidhë probleme, në fakt ose i krijon ato, ose ua zgjat jetën atyre që Qeveria i shkakton. Kësaj radhe nuk i votoi rekomandimet e opozitës për UP-në, për shkak se kjo s’i pati numrat. E pozita nuk pati nevojë ta prishte kuorumin – u mjaftua të mos votonte.

 

Qejfi i Serbisë

 

E nëse nuk mjaftoi veprimi skandaloz i Kuvendit në raport me UP-në, atëherë do të duhej të tepronte madje pafuqia e trupit më të lartë të këtij shteti për ta sjellë para vetes kryeministrin për të raportuar se çfarë po ndodhte në bisedimet e Brukselit. Tashmë pos që është bërë irrituese, është bërë i tepërt citimi i secilës pallavër që e shkruan kryeministri (apo që e shkruan dikush për të) në “Fejsbuk”. Mbase dikush duhet t’ia kujtojë atij që “Fejsbuku” nuk e ka emëruar e as zgjedhur kryeministër dhe se ka disa obligime që rrjedhin nga Kushtetuta që duhet t’i përmbushë, përfshirë edhe atë se duhet t’i tregojë Kuvendit se çka ka bërë me autorizimin që ky, qorrazi, ia ka dhënë për të negociuar në emër të Kosovës.

 

Gjatë javës është folur për marrëveshjen e telekomit, dhe prej atyre pak informatave që kanë rrjedhur, del në fund që operatorët serbë do të hyjnë në tregun e Kosovës si me telefoni ashtu edhe me përmbajtje të tjera. Nëse kjo është e vërtetë, pa dyshim se tregu mediatik i Kosovës do të cenohet pa masë shumë, për shkak se Serbia ka kaluar edhe nëpër fazën e digjitalizimit, e edhe disponon me më shumë mjete financiare, për shkak se atje, për dallim nga Kosova, ka investitorë të huaj që nuk kthehen prapa për shkak se ryshfeti që u kërkohet është i pakapshëm, bile edhe për ata të huajt që tashmë janë regjur duke funksionuar në bazë të mitës.

 

Është folur edhe për marrëveshjen për gjyqin etnik në veri, me një ndarje të qartë etnike ku 60% e personelit të organeve gjyqësore do të jenë shqiptarë dhe 40% serbë, duke e shkelur Kushtetutën dhe parimin e barazisë. Sipas asaj që flitet, serbët do ta kenë objektin e ndarë në Mitrovicë, kurse viset e banuara me shqiptarë do t’i kenë objektet e veta si “paralele të ndara fizike”. Natyrisht se në asnjërin rast nuk pati konfirmim apo mohim nga zyrtarët kosovarë, dhe e gjitha mbeti në nivel të informatave që duhej nxjerrë nga burimet ndërkombëtare.

 

Thuajse kjo punë nuk ka të bëjë me Kosovën, por me Tuvalun. E Serbisë duhet hequr kapuçin për manovrat që i bën në kohën e bisedimeve që nuk janë negociata, e që nuk janë as politike. Vështirë e kam të bindem se vendimi për dënimin e vrasësve serbë të 120 civilëve shqiptarë në Qyshk të Pejës do të jetë bërë publik rastësisht në këtë kohë.

 

Sado që dikush do të shpjegojë se procedurat gjyqësore marrin kohë dhe se duhet shumë mund të administrohen provat, megjithatë shqiptimi i dënimit me 106 vjet burgim për pjesëtarët e grupit paramilitar serb “Çakallët” mu në këtë çast duket të mos jetë i rastësishëm. Për shkak se shmang vëmendjen nga ajo që po ndodh në Bruksel (kurrkush nuk pyet se çfarë të re na ka zbuluar zëvendëskryeministrja atje) dhe për shkak se i shton më shumë zjarr mundësisë së përsëritur për krijimin e një gjykate të posaçme në Hagë, që do t’i gjykonte krimet e pretenduara të UÇK-së.

 

Është shokuese se si për pak vjet, me një menaxhim jashtëzakonisht të keq të procesit negociator, të cilit Kosova i hyri pa u përgatitur fare, të kemi kaluar nga viktima në viktimizues, të cilëve madje u dedikohet një tribunal i veçantë. Është skandaloze. Është pikëlluese.

 

Kush kryeministër?

 

E është kështu siç është për shkak se kjo Kosovë, jo veç që duhet të vajtojë për fatin e keq që e ka që udhëhiqet nga një Qeveri e dalë nga zgjedhjet e vjedhura, por duhet të vajtojë edhe për faktin se e ka një opozitë që të vetmin siklet që e ka është se si të bëhet me pushtetin... dhe cili prej liderëve duhet të bëhet kryeministër.

 

Përderisa në PDK përsërisin me ngulm, nëpërmjet shefit të shefave, se PDK-ja s’ka qysh i humb zgjedhjet dhe se Kosova do ta “gëzojë” Thaçin për kryeministër edhe për një mandat, LDK-ja tashmë e ka emëruar Isa Mustafën për kryeministër dhe duket se edhe është pajtuar me PDK-në që të dilet në zgjedhje verës, në qershor. Nga ana tjetër, më i çuditshmi në gjithë këtë teatër është aspiranti më i flakët për kryeministër, Ramush Haradinaj, me nismën e tij për ta rrëzuar këtë qeveri, “për shkak se Kosovën e ka kapluar keqqeverisja dhe se ka nevojë për ndryshime që e shpijnë atë përpara”. Mbase duhet rikujtuar se ka qenë mu partia e tij që në këta tre vjet ka vepruar si pozitë, duke e deleguar koordinatorin e bisedimeve, duke e votuar nisjen e negociatave, duke koketuar me PDKnë deri në çastin kur Haradinaj përfundimisht e kuptoi se qilimi i kuq ka qenë tallja më e madhe të cilën ia kishte bërë Thaçi dhe se ai, pra Haradinaj, nuk do të zgjidhej kryeministër, pavarësisht dëshirës së tij.

 

Dhe në këtë kontekst, asnjërit nuk i intereson reforma zgjedhore, për shkak se Ligji i zgjedhjeve, kështu çfarë është, e mundëson përsëritjen e skenarit të vitit 2010 – pra vjedhjen industriale të votave. Dhe askujt nuk i intereson ta kundërshtojë tashmë vendimin jozyrtar që vendet e rezervuara të mbesin aty edhe për një mandat – pavarësisht faktit se kjo është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit, që është hapur pjesërisht për t’i kënaqur kërkesat e serbëve.

 

Nuk i intereson se Kushtetuta kështu bëhet një copë letër që mund të ndryshojë me urdhër diplomatik, e që për atë ndryshim të sigurohet edhe kuorumi, e edhe shumica e dy të tretave. Humbjet që i ka pësuar Kosova në gjashtë vjetët e pavarësisë janë të mëdha dhe dëshpëruese. Do të besohej se njerëzit që mezi ia dolën të pavarësoheshin do të shikonin dhe punonin si të ecnin përpara për t’ia përmirësuar vetes jetën. Atë që kosovarët e kanë përjetuar posaçërisht në këta gjashtë vjet, janë humbje të njëpasnjëshme edhe të substancës, por edhe të dinjitetit të vet.

 

E mira e së mirës është që një pjesë e dinjitetit ka mbetur e gjallë dhe që këtë ia kanë dalë ta shpëtojnë studentët që luftuan për të drejtën e tyre. Sado e vogël fitorja, posaçërisht krahasuar me humbjet e mëdha që na i shkaktuan këta që na udhëheqin, megjithatë është fitore. Që jep shpresë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00