Shakatë për pastrim
Të pretendosh tash, pas gjashtë vjetësh, të dalësh me listë njerëzish që nuk janë domosdo të pastër, porse perceptohen të tillë sepse nuk janë nën hetime, e duke i eliminuar ata që janë nën hetime, por që janë mbajtur në pushtet për shumë vjet -- është edhe një shaka që PDK-ja ia bën popullit ...
Flaka Surroi
Moti i jashtëzakonshëm bëri që kremtja e gjashtë e Pavarësisë të kalonte lehtë e për qejf. Me gjithë tollovinë e pakontrolluar që u krijua në qendër, e me gjithë zhurmën që dinë ta shkaktojnë koncertet e Komunës (që duhet gjithsesi t’i nënshtrohen Ligjit për ndotjen nga zhurma bashkë me xhamitë e kishat), dita kaloi mirë e pa incidente. Dhe la pas vetes një Prishtinë të mbushur lëvozhga farash, ambalazhe smokish, shishesh plastike, letra bonbonesh, mbështjellës çokollatash, etj, etj., që gjithsesi shndërrohen në ankthin e ekipeve të “Pastrimit” – njerëzve të cilët përkujdesen që pisllëkun tonë ta largojnë nga ambienti ku qarkullojmë. E për të cilët dëshmojmë aq pak respekt.
Po të mos ishin ata, me siguri se ambientin do ta kishim edhe më të ndotur seç e kemi, dhe jo vetëm politikisht. Do të kishim rënë në derexhenë e ditëve të para të pasluftës, të asaj Prishtine që ishte bërë deponi e përgjithshme e bërllokut, ku lehtë do të mund të na pushtonin brejtësit, pa pasur si t’i ndalnim.
Pra, duke iu falënderuar këtyre punëtorëve, që pavarësisht punës që e kryejnë e që askush nuk ua di, kanë dinjitet, të cilin ne të tjerët assesi nuk duhet shkelur, është se nuk jetojmë në ambient krejtësisht të ndotur. E keqja e tyre është se ata nuk mund të merren edhe me pastrimin e Kosovës nga politika dhe politikanët e këqij.
S’ka zgjedhje për PDK
Barsoletën e javës e lexova, natyrisht, në FB te muri i mikut tim Shpendit, një komentuesi thumbues. Reagimi i tij ishte rezultat i informatës së lëshuar nga njëri nënkryetar i PDK-së, që kishte dashur të mbeste anonim për gazetën, e sipas të cilit “PDK-ja nuk do të kandidonte në zgjedhje zyrtarë që po hetoheshin”. Tha: “A nuk po hika PDK-ja në zgjedhje hiç kësaj radhe, a? – duke shprehur në formën më të thjeshtë të mundur perceptimin që partia në pushtet ia ka krijuar vetes në opinionin publik – atë të një partie të zhytur në krim, gjeneruese e krimit dhe mbajtëse e pushtetit me krim.
Tashmë i kemi hyrë vitit të shtatë të sundimit të kësaj partie dhe rezultatet e asaj që e shohim sot janë më se dëshpëruese. Dhe natyrisht se zyrtarët e saj nuk do të pajtohen me këtë konstatim, për shkak se ata besojnë se na kanë bërë çirak. Por, realiteti të cilin e jetojmë është aq i hidhur, saqë e bën mbijetesën në këtë vend përherë e më të rëndë.
Manipulimi i jashtëzakonshëm që lideri i kësaj partie bën me ndërmarrjen e masave populliste sa herë që afrohen zgjedhjet, apo sa herë që është kanosur ndonjë rrezik nga presioni në rritje, është mahnitës. Kontrolli që e ushtron mbi policinë, mbi gjyqësinë, mbi agjencinë e inteligjencës, mbi privatizimin, mbi ndërmarrjet publike, mbi shërbimin civil, etj., flet për një përhapje të strukturës partiake në të gjithë piramidën edhe të pushtetit, por edhe të asaj pak ekonomie që i ka mbetur këtij vendi.
Udhëheqja e shtetit pa koncept ekonomik, aty ku rritjet e rrogave për sektorin publik bëhen ad-hoc duke e rrezikuar sektorin privat që duhet me qenë bartësi i zhvillimit të vendit, si dhe improvizimi i përhershëm i veprimeve politike në emër të shtetndërtimit dhe afirmimit të pavarësisë së Kosovës, vetëm dëshmojnë për një klasë sunduese partiake, e cila pushtetin e sheh si realizim të vetin personal, e jo si fuqinë për të sjellë diçka të mirë dhe jetë të dinjitetshme për popullin të cilin e sundon.
Të pretendosh tash, pas gjashtë vjetësh, të dalësh me listë njerëzish që nuk janë domosdo të pastër, porse perceptohen të tillë sepse nuk janë nën hetime, e duke i eliminuar ata që janë nën hetime, por që janë mbajtur në pushtet për shumë vjet -- është edhe një shaka që i bëhet popullit. Të dalësh e të tregosh sesi më nuk do të ketë njerëz nën hetime, përderisa kjo parti ka mbyllur sytë ndaj njerëzve që e kanë pasur vendin prapa grilave, porse i kanë ikur drejtësisë, apo se edhe vazhdojnë të mbajnë poste publike edhe pse gjenden në paraburgim, është hajgare që nuk kapërdihet. Vetë kandidimi i njerëzve me të kaluar dhe të tashme të dyshimtë nuk tregon asgjë tjetër pos për një parti politike e mbushur me njerëz që nuk çajnë kokë as për moral, as për ndërgjegje. Për asgjë, pos për vetveten dhe rrethin e tyre nepotist.
Njerëzit që, jo që i kanë lejuar, por që ia kanë mundësuar vetes ardhjen në pushtet duke i vjedhur votat; njerëz që nuk e shohin të arsyeshme ta heqin asnjërin ministër për asnjërin skandal; njerëz që thonë se ta bësh përgjegjëse Qeverinë për vjedhjen e dhomës së dëshmive, për ryshfetin e pasaportave, për skandalin në Universitet; për tenderomaninë e kontrolluar; për rrenat në lidhje me procesin negociator me Serbinë, për degradimin e shtetësisë kosovare..., është njësoj sikur ta fajësosh Qeverinë për thatësinë dhe mungesën e shiut – tregojnë se përse kjo parti dhe njerëzit e saj janë të rrezikshëm. Tregojnë se përse këta duhet t’i japin llogari këtij populli – se shumë kanë folur; shumë janë fryrë përderisa shtetin e kanë katandisur e popullin e kanë sjellë buzë urisë. Tregojnë se përse këta duhet të ndëshkohen në zgjedhjet e ardhshme. Tregojnë se pse këtu duhet të ikin nga pushteti.
Lajmi më i mirë për Kosovën do të ishte po qe se barsoleta e mikut tim do të ishte e vërtetë – që PDK-ja të mos hynte në garë fare. Ose më mirë thënë, e për të mos e gjeneralizuar, ngase madje edhe në këtë parti ka njerëz që nuk identifikohen me strukturën udhëheqëse të saj në kuptimin e veprimit kundërligjor, do të ishte mirë që kjo parti të reformohej, e që nga ajo të largoheshin të gjithë ata që janë bërë lajm të kronikave të zeza dhe të skandaleve financiare, hetimore e korruptive. Do të ishte mirë, ani pse e dimë se kjo nuk do të ndodhë. Ngase udhëheqësit e saj e konsiderojnë veten njëkohësisht aset e xhoker për veten, për partinë dhe për përcjellësit e tyre: sepse dinë si duhet manipuluar zgjedhjet për ta marrë pushtetin.
Rreziku nga ukrainizimi
Pra tashmë dihet (për shkak se është obligim ligjor) se zgjedhje do të kemi sivjet – se a në verë a në vjeshtë, do të varet nga konstelacioni politik në momentin kur të merret vendimi. Do të jetë shumë me rëndësi të dihet se me çfarë shpejtësie do të veprojë EULEX-i: sa më i shpejtë, aq më të mëdha shanset për zgjedhje në verë. Për shkak se më të mëdha do të jenë gjasat për rritjen e numrit të personave nën hetime në PDK, e besa edhe në disa parti të tjera që dikur kanë mbajtur pushtet, qoftë qendror, qoftë lokal.
Sido që të jetë, çështja me këto zgjedhje është se kjo Kosovë ka nevojë për ndryshime – dhe forma më e lehtë do të jetë ajo që arrihet nëpërmjet zgjedhjeve. Shumëkush do të thotë se nuk kemi alternativa, për shkak se tregu partiak i Kosovës është i varfër. E këtu po pajtohem, për shkak se partitë politike kosovare deri tash nuk kanë funksionuar me “shitje” të programit politik, por me “shitjen” e figurës së liderit partiak, për të cilët janë thurur lavde, janë krijuar imazhe të rreme dhe janë tjerrë legjenda.
E fakti është se secili prej liderëve politikë është qenie njerëzore me virtytet dhe defektet e tij. Për fat të keq, në rastin e Kosovës, duket të kenë më shumë defekte sesa virtyte, posaçërisht ata që kanë qëndruar në pushtet deri tash.
Kosova do të hyjë në këto zgjedhje me gjendjen ekonomike më të përkeqësuar se kurrë, me një kolaps financiar që e ka sjellë shtetin në buzë të falimentimit ku mungon paraja në qarkullim, ku nuk ka investime që do të mundësonin punësim dhe angazhim të njerëzve në diçka të dobishme, e që njëkohësisht do ta siguronte mbijetesën. Dhe po qe se zgjedhjet sërish do t’i fitojë një parti e sprovuar si mashtruese dhe vjedhëse e votave, Kosovës nuk i shkruhet mirë. Për më tepër, po qe se kjo parti fiton, Kosovës i kanoset rreziku i ukrainizimit – që populli të dalë në rrugë, për të kërkuar ndryshimin dhe avancimin e Kosovës përpara, e që Qeveria e udhëhequr nga kjo parti të përdorë maksimalisht forcat e rendit – ashtu siç e tregoi me gjithë vendosmërinë që ta përdorë dhunën pa dhimbje kundër studentëve protestues.
E të kesh këso perspektive gjashtë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, përfundimisht nuk është ajo që kemi kërkuar dhe dëshiruar. Në vend se të kthehemi nga Perëndimi, perspektiva jonë po bëhet përherë më lindore – po e kapërcen madje edhe Turqinë.
Sa mirë do të ishte që barsoleta e mikut tim të ishte e vërtetë... /Koha Ditore
Comments (0 posted)
Post your comment