Home | Opinion | Njerëz të jermuar?

Njerëz të jermuar?

image
Ne shqiptarët, a mos vallë edhe pas një shekulli nga mëvetësimi i shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës mëtojmë të flasim jerm, ashtu njësoj si ai haxhi baba i mëhallës sonë", i cili sa herë që kishte vajtur në ndeja, aq herë e kishte prishur muhabetin..., sepse nuk kishte përfillur këshillat e plakës që kur i kishte thënë:

 

 

 

Nga Fadil Lushi

 

 

 

 

Dikur shumë herët, ca pjesëtarë të një familje ishin prekur nga tifoja e morrit dhe, mbas një kohe të gjatë që nuk ishin kuruar, ata kishin filluar të flasin jerm. I mjeruar nga kjo, kryeplaku i shtëpisë kishte ulëritur duke thënë: "O milet, m'u mbush shtëpia me budallenj"! Në mungesë të njohurive të tij për këtë sëmundje ngjitëse, kryeplaku i kishte paragjykuar që në fillim këta "dertlinj të tij" si "halabakë", si njerëz me lugë në brez, si "hazërxhinj" dhe fare pak si njerëz që kanë nevojë për një përkujdesje paksa tjetëfare. Aq shumë qe katandisur, sa që kishte harruar ta rikujtojë atë thënien biblike: "Edhe budallait i duhet hapur rrugë, deri ku nuk prish punë"! Se "të kllapiturve të tij a u kishte hapur rrugë", kurrën e kurrës nuk u mor vesh. Ne me këtë rast do të shkruajmë derisa nuk e denigrojmë kureshtjen e lexuesit dhe deri aty ku nuk hetohen broçkulla dhe paralelizma. Një ditë u gjenda goxha në siklet. Çupëza e shtëpisë, gjegjësisht ajo lozonjarja dhe e azdisura jonë, më kërkoi t'i shpjegoja se ç'do të thoshte "paragjykim"! Një herë më shkoi mendja t'ia ftilloj sipas asaj që jepet në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, po pastaj thashë me vete se është e tepërt për moshën e saj mendore. Ta bëja shkurt edhe kjo s'ka kuptim didaktik.

 

 

 

Në fund vendosa që këtij nocioni t'i bëj "sqarim" popullor: "të paragjykosh do të thotë, të flasësh jerm"!? Se a e mori vesh këtë a jo kjo çupëz, unë as që e kuptova!? Që ky paragraf të mos e prishë "kuptimin e kësaj shkarravine" të radhës..., do të bëj përpjekje që e gjithë kjo thënie të mos dalë si ajo puna e "maces që kërkon të kapë bishtin e saj, por ama që nuk ia del dot"! Këtë "të folme tonën jerm" do ta fillojmë me një mesele të një mendjendrituri nga krahina jonë, i cili është zhgënjyer këmbë krye nga budallakitë e bashkëmendimtarëve dhe bashkëvendësve të tij. Ka shumë vite që nuk i vë gishtin kokës, ka vite që nuk mediton, ka vite që "nuk i ha palla" për katrahurat dhe pisllëqet që duken a hetohen pranë tij dhe përreth tij. Një ditë prej ditëve (të tij të bezdisshme), kur e pyetën se pse "nuk e vë" gishtin në kokë dhe pse "nuk vë" në funksion mendjen, ai u përgjigj: "Gishtin ma prenë folkpatriotët, ndërkaq mendjen ma hallakatën kalorësit e vonuar të çështjes kombëtare..., ata që në sabah të martojnë e në aksham të harrojnë"! Që e dha këtë përgjigje kështu, ai mbase këtë e tha me plot gojën dhe me të drejtë, sepse koka e tij është "shumë e vogël" në krahasim me budallakitë e mëdha të të tjerëve që (mbi)jetojnë dhe "veprojnë" aty pranë tij!... Ai do të vazhdojë të thotë se nuk kam kohë që juve t'jua tregoj rrugët që shpijnë në parajsë, nuk kam kohë ta "ushqej" atë çmendurinë tuajën "fiziologjike" gjegjësisht veprimet tuaja prej adoleshenti!?

 

 

 

Ne shqiptarët, a mos vallë edhe pas një shekulli nga mëvetësimi i shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës mëtojmë të flasim jerm, ashtu njësoj si ai haxhi baba i mëhallës sonë", i cili sa herë që kishte vajtur në ndeja, aq herë e kishte prishur muhabetin..., sepse nuk kishte përfillur këshillat e plakës që kur i kishte thënë:... ti nuk je më për ndeja ku ka njerëz të shkujdesur, që gjykimet i ndërtojnë ashtu së prapthi..., ti "nuk mban avdesin dhe pordhën..., ti nuk mban as fjalën e as premtimin"!? A mos vallë "shoqëria" postdiktaturiale na mësoi të flasim fare mirë jerm, të flasim jerm për njerëzit që kanë rënë në gjumë, do të flasim jerm për ish-komunistët të cilëve dikur u "dilnin fekalet nga goja në vend nga prapanica"... Edhe sa kohë do të duhet të flasim jerm për arsim, për kulturë, për drejtshqiptim, drejtshkrim po edhe drejtlexim, edhe sa kohë do të na duhet të flasim jerm për histori kombëtare, të flasim jerm për politikanë e lidershipë, të flasim jerm për futbollistë shqiptarë që "për lekë na qenkëshin konvertuar në tradhtarë", edhe sa kohë do të na duhet të flasim  jerm për figurën e Shemsettin beut (Sami Frashëri) përse ai kishte shkruar Fjalorin normativ të gjuhës turke- Kamusi-i Turki..., a mos vallë edhe sot e kësaj dite duhet të flasim jerm për Skënderbeun, pse ai duke vajtur në Krujë paskësh "tradhtuar Sulltanin dhe fenë e tij", a mos vallë edhe sot (nuk) flasim jerm për Faik bej Konicën si dhe për flirtet e tij me zonjat joshqiptare (ai me një rast qe detyruar që një kundërshtari të tij t'i thotë: "Duhet ta dini se unë Shqipërisë ia kam falur nga kërthiza e sipër: nga kërthiza e poshtë bëj ç'të dua, si hyn në punë Shqipërisë"!)..., pse edhe sot duhet të flasim jerm për shqiptarin Mehmet Aqif Ersoj, pse ky paskësh shkruar himnin shtetëror të Republikës së Turqisë. Pse duhet të flasim jerm edhe për Ferid Muratin duke ia shtuar pyetjen: pse ti Ferid nuk e solle në Shqipëri Çmimin Nobel dhe viagrën..., së fundi, çka u duhej ca zhurmaxhinjve dhe thashethemexhinjve të flasin jerm, duke parashtruar pyetjen idiotike, pse kryepari i VETVENDOSJEs, Albin Kurti, për nuse kishte marrë norvegjezen Rita Knudsen e jo shqiptaren!?.. Vazhdojmë të flasin jerm për krijimin e Shqipërisë natyrale, e të tjera "jerm të folme"!?

 

 

 

i duket, ne shqiptarët e kemi shumë më lehtë të flasin "në hava", të flasim jerm, me bërryl dhe me hundë, sesa me prova a argumente. Ndryshe nuk na shkon përshtati. Ku ta dijë njeri! Se na u martua Albini me norvegjezen, se dikush dikur kishte thënë: "Çudi e madhe që Konica të jetë shqiptar..., sepse nuk gjendet një i tillë nga lloji i tij"(!??), se Samiu shkroi Fjalorin normativ të gjuhës turke, se Ferid Murati zbuloi viagrën dhe "nuk ua solli politikanëve në Tiranë", se Skënderbeu kishte "tradhtuar" Sulltanin, se shumë figura të tjera të ndritura shqiptare ç'kishin bërë, se haxhi baba "nuk mbajti avdesin dhe..,", se ai mendjefemër dhe mendjendritur nuk e vuri gishtin në kokë, se politikani bëri gafën e radhës, se ateisti kërkoi rrugën që të shpie në parajsë fare pak është me rëndësi. E veçanta e gjendjes sonë shpirtërore është se ne shqiptarët sot e gjithë ditën e Perëndisë ku do vejmë, çka do bëjmë dhe a do vazhdojmë të flasim jerm, gjegjësisht a do të paragjykojmë dhe a do të paragjykohemi "toptan", siç thuhet në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe..., apo do të na duhet ta parafrazojmë atë thënien paksa pesimiste të Konicës: "Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të thënë"! I nderuar vëllai im, nëse në këtë shkrim nuk thashë gjë të "mençur", atëherë më ndje për kohën tënde të humbur!

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0