Home | Opinion | As në gjysmë të rrugës

As në gjysmë të rrugës

image
...apo rrëfimi për të gjithë ne, e posaçërisht për viktimat e luftës, që nuk e kemi merituar që Kosova të sundohet nga injorantët që ushqehen me “joking”...

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 

 

 

...apo rrëfimi për të gjithë ne, e posaçërisht për viktimat e luftës, që nuk e kemi merituar që Kosova të sundohet nga injorantët që ushqehen me “joking”

 

 

Që prej 15 vjetësh java në të cilën qëllon 24 marsi me automatizëm ngjall kujtimin e kombinuar të gëzimit dhe të hidhërimit. Të gëzimit për nisjen e sulmit ajror të NATO-s kundër forcave serbe. Të hidhërimit për shkak të nisjes së serisë së ekzekutimeve dhe masakrave që forcat serbe kryen ndaj shqiptarëve. Dhe posaçërisht për shkak të humbjes së gjurmëve të viktimave.

 

 Nga pak gjëra të përbashkëta që do të mund të gjeja ndërmjet fundit të marsit të 1999-s dhe atij të 2014-s, është se Barcelona e ka mundur Realin si atëherë, ashtu edhe këtë herë (me shpresën se do të dalë sërish kampione, sikurse kishte bërë atëherë). Një tjetër ngjashmëri do të mund të ishin reshjet: atëherë nuk kishte rënë shi një kohë të gjatë. Por, në çastin kur ia nisën dëbimet masive të shqiptarëve me trena, u lëshua rrebeshi. Sivjet shiu nisi vetëm në këtë javë, thuajse edhe qielli po solidarizohej me familjet e jo krejt viktimave të Suharekës dhe të Krushës së Vogël që më në fund u varrosën me dinjitet. E fundit që më bie ndërmend gati si e njëjtë është se Serbia vazhdon të jetë po aq armiqësore ndaj Kosovës sa atëherë – me dallimin që tash është duke e shfrytëzuar edhe Kosovën, por edhe rastin që i është dhënë, për të ecur përpara, përderisa antagonizmin ndaj nesh e kamuflon shumë mirë.

 

 Të gjitha të tjerat janë ndryshe. Kosova më nuk është në luftë. Ne të cilët kemi qenë nga mesi i të tridhjetave atëherë, e kemi mbushur mbi një gjysmë shekulli jetë. Ata që atëherë kanë qenë fëmijë parashkollorë, tash janë bërë studentë. Të pikëlluarit për mosgjetjen e të pagjeturve bëhen përherë më të shqetësuar dhe të hidhëruar, sepse qeveritarët e humbën rastin e artë, në ato negociata të pakokë të Brukselit.

 

 Prandaj ndodhi që lajmi që shënoi javën të ishte identifikimi dhe rivarrimi i një pjese të të masakruarve nga këto dy vendbanime. Për fat të keq, kjo u shoqërua me një përcjellje skandaloze nga dy përfaqësuese institucionesh. E para ishte zëvendëskryeministrja Tahiri, e cila e vizitoi morgun e veshur me kuq apo pembe dhe me një grim të theksuar, thuajse shkonte në dasmë. Tjetra na ishte kryetarja e veshur me mantelin e gjelbër, thuajse ishte nisur për të promovuar pyjet e shëndosha të Kosovës. Ishin këto dy situata ku, pa dyshim, protokolli shtetëror ka dështuar plotësisht. Varrimi i kockave të 46 viktimave të identifikuara nuk ka dyshim se ka merituar edhe një ditë zie shtetërore: pra veshje mortore dhe pietet...

 

Fushata vazhdon

 

 E ai që vazhdon t’i zërë ballinat dhe kryetitujt në Kosovë është kryedemagogu kosovar: kryeministri. Demagogjia e tij përfundimisht është bërë arma më e fortë e fushatës, me të cilën ka vendosur të na lodhë ende pa u shpallur madje as zgjedhjet. Dalja e përditshme në terren, dhe zbulimi i burimeve të pashterura të parave që i ka Kosova, bën që njerëzit që ende u besojnë përrallave, ose të tillët që kanë hequr dorë nga ëndrrat, t’u besojnë pallavrave që i thotë. Rritja e rrogave që po e bën tash, mbas tre vjetësh pushteti të dytë; premtimi që ia jep Doganës në vizitën e tij të parë këtij institucioni që nga 2007-a, se do ta bëjë me objekt të vetin apo edhe hedhja e fajit për mosmiratimin e Ligjit të veteranëve te Kuvendi, kur dihet mirë se projektligjet rrjedhin kryesisht nga Qeveria dhe sidomos kur dihet se Kuvendin deri vonë e ka kontrolluar ai vetë – janë taktikë shumë e ulët, e cila megjithatë do t’ia sigurojë përkrahjen jo të vogël të masës. Dhe jo aq për shkak të realizimit eventual të premtimeve që do ta sjellin Kosovën në situatën e bankrotimit dhe të një inflacioni vështirë të kontrollueshëm, por për shkak të opozitës narcisoide dhe të humbur në gjithësi.

 

 Koketimi i deritanishëm i “opozitës së bashkuar” (që i përfshinë të gjitha partitë në opozitë pos “Vetëvendosjes”), e që nënkupton partitë që janë mbledhur rreth platformës së shpëtimit të koalicionit qeveritar me ngathtësinë e tyre dhe oportunizmin neveritës, i ka dhënë fuqi të jashtëzakonshme kryeministrit. Me përkrahjen e verbër që ia bënë procesit të negociatave në Bruksel e konvertuan Thaçin në mikun më të mirë dhe më të dëgjueshëm të ndërkombëtarëve. Për më tepër, e sollën veten në situatën ku po ata të huaj mund t’i urdhërojnë që të bëjnë çfarëdo që kërkohet. Duke kalkuluar me ndonjë digitron që i janë sosur bateritë, i votuan të gjitha pakot e ligjeve që u kërkuan nga të huajt, përfshirë edhe marrëveshjen që s’është marrëveshje, e besa edhe zajednicën që nuk është asociacion komunash, por kapuç me mëngë. E votuan edhe Ligjin e amnistisë..., dhe u pajtuan që të bëhen pjesë e një procesi të dështuar të reformimit zgjedhor, duke ditur se ndryshimet mund të ndodhin vetëm nëse ka vullnet politik. E këtu ka pasur vullnet politik vetëm për ta krijuar qysh tash një listë të gjatë vetëkandidatësh për kryeministër. Për mbret tu Kosovës.

 

 Dhe përderisa krejt liderët opozitarë të vazhdojnë t’ia bëjnë vetes qejfin se janë zgjidhja ideale për këtë vend, kryeministri ka angazhuar firmë për “public relations” me ia bâ fushatën. Nga ana tjetër, kush e di sa biznesmenin e ka angazhuar që t’i japë pare për partinë. Thuajse me qëllim e ka zhargitur me muaj emërimin e anëtarëve të OSHP-së, të cilët në këtë stad tash mund të shpallen inkompetentë për t’i vendosur nja 255 lëndë - pra 255 tenderë, që mund të kenë vlera milionëshe. Përgjegjësia për të vendosur do të mbetet në duart e zyrtarëve të prokurimit nëpër institucione. Dikujt, sikur një zyrtari prokurimi, që lëre që është i akuzuar për vepër penale, por të cilit raporti i auditorit ia konstaton shkeljen, ama bash në secilën kontratë që ka lidhur në emër të projekteve të ministrisë... , dikujt me “ndërgjegje rehat” e borxhe shumë.

 

Bahçja e babës

 

 Shumë borxhe duhet të ketë Ramadan Muja mbasi nuk po tërhiqet prej postit të kryetarit të Komunës së Prizrenit. Ndryshe, është bajagi zor të kuptohet se pse, në moshën që e ka, lejohet të manipulohet dhe vepron sipas instruksioneve që ia japin. Kjo Komuna e Prizrenit pos që e ka zëdhënësin folës të shkëlqyer të anglishtes dhe njeri të sinqertë, duhet të ketë edhe ndonjë jurist të dobët, sepse nuk ka nevojë të kesh madje as përgatitje superiore profesionale për të kuptuar se pezullimi i postit të fituar me vota nuk ekziston.

 

 Për të mos e harruar zëdhënësin, dhe duke shprehur mahnitjen me sinqeritetin e tij, do t’ia rikujtoja lexuesit qysh ky kishte deklaruar para disa ditësh se “qytetarët e interesuar mund ta shohin kryetarin Muja duke bërë ‘joking’ dy herë në ditë”. “Joking” në anglishte do të thotë “tallje” – pra zëdhënësi, e besoj nga modestia, ka deklaruar se Muja tallet me qytetarët e Prizrenit dy herë në ditë, e jo gjithë ditën, siç po del në këto javët e fundit. Në fakt, siç paska ndodhur me vite të tërë prejse PDK-ja është bërë me pushtetin në këtë komunë.

 

 E tash, për t’iu kthyer vendimit të vetëpezullimit – doli Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe i tha Mujës mos me bâ hajgare dhe se po qe se ky nuk kthehej në punë brenda një muaji dhe po qe se do të mungonte pa ndonjë arsye, do ta humbte mandatin. Dhe Muja u kthye vrapimthi në punë – ajo sëmundja që i ishte shfaqur gjatë kohës së gjykimit tashmë i është zhdukur krejtësisht. Se bashku me vendosmërinë që t’i japë me aq bujari kohë gjykatës të vendosë për fatin e tij politik.

 

 Por ky vendim i MAPL-it ma ngjalli dilemën nëse përpiluesit e këtij ligji kanë qenë të mençëm apo injorantë. Ligji thotë se kryetari mund të “mungojë me arsye” – që i bie se dikush si Sami Lushtaku të mund të vazhdojë të mbajë pushtetin e Skenderajt në dorë, edhe pse ka tre muaj që nuk del në punë. Pra, për këtë “dërzhavë” s’është me rëndësi nëse “mungesë me arsye” është edhe “shkak i arsyetueshëm”. Të qëndrosh në burg i akuzuar për krime të rënda e ta mbash pushtetin komunal njëkohësisht nuk është shkak mungese që do të mund të arsyetohej ndryshe, pos si ushtrim i pushtetit si në bahçe të babës. Që përfundimisht nuk ka të bëjë asgjë me ligjin, as me drejtësinë, e as me shtetin e së drejtës.

 

 Dhe e gjithë kjo është vetëm maja e ajsbergut – se ka edhe shumë më zi se kaq. Ka shumëçka tjetër që shkakton dëshpërim të madh te shumë njerëz..., por që shkakton indinjatë tek ata që u mbijetuan masakrave, në të cilat humbën familjarët e vet, përderisa bëhen dëshmitarë të masakrimit të shtetit, për të cilin u sakrifikuan gjithë ata martirë, nga ata që besojnë se pushtetin e kanë trashëguar ende pa ardhur në këtë botë.

 

 Ndoshta këta të fundit do të duhej të këndelleshin bile pak, e t’i dëgjonin fjalët e Gramoz Berishës nga Suhareka: “...pas 15 vjetësh ne ende jemi në gjysmë të rrugës për të ndërtuar Kosovën të cilën e deshën familjarët tanë që nuk janë më, në gjysmë të rrugës për të ndërtuar mirëqenien tonë...”, prej të cilave do ta kuptojnë më në fund se me rritje rrogash për nevoja fushate rrugën vetëm sa do ta zgjasin edhe më shumë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00