Gjykatat, një veladon "pavarësie" si mburojë për korrupsionin?
Dhe cilat ishin këto shprehi? Asgjë më shumë se respekti për ligjin, këmbëngulja për barazinë para tij si humanizëm dhe devocioni për të drejtën.
Andrea Stefani
Edhe pse ka një shqetësim publik në rritje për shkallën e lartë të korruptimit të pushtetit gjyqësor dhe për rrjedhojë, edhe për një luftë aspak efikase nga ana e tij kundër korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta të shtetit, në vetë komunitetin e gjyqtarëve po shfaqet një farë solidariteti, që sikur tenton të ruajë të paprekur këtë gjendje të kalbur nën pretekstin e ruajtjes së “pavarësisë së gjyqësorit”. Kjo u duk edhe në një deklaratë të fundit të bërë publike nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë. Pavarësi e gjyqësorit dhe besim publik tek ai? Po ku janë ato?
***
I gjithë shqetësimi i Unionit nuk është fare shkalla e lartë e korruptimit të gjykatave, si dhe fakti që pushteti i drejtësisë nuk po ngrihet dot në nivelin e misionit të tij, për të luftuar me sukses korrupsionin por, në të kundërt, se moskriticizmi apo ankesat në publik ndaj vendimeve të gjyqtarëve, cenojnë pavarësinë ose besimin publik te gjyqësori. Një pozicionim që është edhe qesharak, por edhe alarmant në të njëjtën kohë. Është qesharak, sepse kërkon të mbrojë disa gjëra që nuk ekzistojnë. Konkretisht, kërkon të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit, që në fakt nuk ekziston. Dhe kërkon ta mbrojë nga një kriticizëm që ka lindur pikërisht për shkak të mungesës së pavarësisë së gjyqësorit! Pozicioni i Unionit të Gjyqtarëve është qesharak, edhe për faktin se ai kërkon të mbrojë nga kriticizmi “besimin e publikut te gjyqësori”. Vetëm ata e dinë se ku gjendet ky besim, sepse të gjitha sondazhet në publik, për vite me radhë, kanë treguar se mes shqiptarëve ekziston një zhgënjim dhe mosbesim i shkallës më të lartë te pushteti gjyqësor në raport me institucionet e tjera të shtetit. Ajo që karakterizon sot marrëdhëniet publik-gjyqësor nuk është besimi, por mosbesimi. Prandaj, do të ishte shumë më serioze që në vend se të shqetësohej për cenimin e besimit publik nga kritika publike, Unioni i Gjyqtarëve do të ngrihej në nivelin e përgjegjshmërisë publike nëse do të trajtonte me seriozitet shkaqet se përse pushteti gjyqësor “gëzon” sot një shkallë kaq të lartë mosbesimi në publik. Dhe të punonte ta krijonte këtë besim. Përveçse qesharak, pozicioni që ka marrë Unioni është edhe alarmant. Sepse është një avokati që nën sloganin e moscenimit të “pavarësisë”, sikur tenton ta bëjë edhe më të qëndrueshme gjendjen e kalbëzimit në pushtetin gjyqësor. Që do të ishte një e keqe edhe më e madhe për shtetin dhe shoqërinë.
***
Nuk është fare e vështirë të kuptosh se nuk ka qenë dhe as nuk është kriticizmi i punës së gjykatësve apo e vendimeve të gjykatave, shkaku i rënies së prestigjit të gjyqësorit. Edhe pse prej vitesh pushteti me besimin më të paktë publik, gjyqësori nuk ka qenë në fokusin e kritikës mediatike dhe publike. Është lënë, më së shumti të punojnë në diskrecionin e vet dhe pikërisht për këtë, ka degraduar në këtë derexhe, sa drejtësia shitet me çmimin e padrejtësisë. Prestigjin e gjyqësorit dhe besimin publik tek ai e kanë rrëzuar vetë, një numër gjykatësish me vendimet e tyre të padrejta, që i kanë rrënjët te korrupsioni, braktisja prej tyre e drejtësisë, në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, për shkak të flirtimit me qarqe politike e qeveritare, me segmente të korruptuara të biznesit. Besimin publik në pavarësinë e gjyqësorit nga bota e krimit dhe e mafies e kanë gërryer vendime që lirojnë kriminelë me damkë dhe mbi të cilët rëndojnë jo një, por disa vrasje. Besimin publik mbi pavarësinë e gjyqësorit nga politika apo qeveria e radhës e kanë gërryer vendime të turpshme, si ai që shpalli pa asnjë fajtor kryekrimin e masakrës së 21 janarit, vendim si ai që mbylli dosjen dhe shmangu drejtësinë për korrupsionin qindramilionësh të rrugës Durrës-Kukës, investim në të cilin “patriotët” që “ndërtuan Rrugën e Kombit” vodhën paratë e kombit.
***
Pushteti gjyqësor ka një rëndësi themelore, vendimtare në krijimin e një shteti me demokraci liberale dhe kushtetuese. Është një aksiomë që imponohet nga përvoja historike. Dihet tashmë roli i pazëvendësueshëm që kanë luajtur juristët dhe gjykatësit në përhapjen e frymës së ligjeve dhe të së drejtës në SHBA. Sepse juristët, sikundër vërente Aleksis Dë Tukëvil, ishin jo vetëm në krye të jurive, por edhe në krye të shërbimeve administrative. Shumica e njerëzve publikë ishin ose kishin qenë juristë, duke bërë kështu që në administratën publike të kalonin idetë dhe zakonet e tyre. Prandaj, konstatonte Tukëvil, “gjuha gjyqësore bëhet kështu, në një mënyrë, gjuhë e zakonshme; fryma juridike… përhapet… depërton gati në tërë shoqërinë, zbret deri në shtresat më të ulëta dhe i tërë populli, në fund, merr një pjesë të shprehive dhe prirjeve të juristëve”. Dhe cilat ishin këto shprehi? Asgjë më shumë se respekti për ligjin, këmbëngulja për barazinë para tij si humanizëm dhe devocioni për të drejtën.
***
Por cila është fryma që përhapin gjykatat tona sot? Nuk është nevoja të ngjitesh në shkallët e tyre apo t’u avitesh aulave, për të ndier duhmën e ndyrë të korrupsionit, nëpërkëmbjes së njeriut dhe padrejtësisë. Po, gjykatat kanë një rol vendimtar në themelimin e demokracisë liberale, nëse shfaqen të dedikuara ndaj drejtësisë. Por, po aq vendimtar është roli i tyre në shkatërrimin e projektit të demokracisë dhe shtetit ligjor, nëse nuk janë të dedikuara ndaj së drejtës. Kjo e fundit po ndodh në Shqipëri. Është e hidhur ta thuash, por është e vërtetë: ashtu si juristët dhe gjykatësit hodhën themele të shëndosha të demokracisë amerikane, duke i shndërruar turmat në demos që vetëqeveriset me ligje, ashtu edhe klasa e juristëve dhe gjykatësve shqiptarë kanë dhënë një kontribut negativ dhe vendimtar në rrënimin e projektit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Sepse kanë përhapur duhmën e padrejtësisë në vend të frymës së ligjeve. Në vend që të ndëshkojnë krimin, janë shpërblyer nga krimi. Në vend që ta latojnë politikën, janë latuar nga politika. Prandaj, nëse në SHBA, në fillimet e demokracisë, gjykatësit adhuroheshin, këtu në Shqipëri, më së shumti përbuzen! Vetë gjendja e mjeruar e shtetit, e drejtësisë, shkalla e lartë e korrupsionit dhe e kriminalitetit në shtet, flet për kontribute të dështuara të shumë faktorëve, por padyshim, edhe të pushtetit të “drejtësisë”.
***
Dhe në kushtet e një gjendjeje kaq katastrofike, të shqetësohesh se kritika që ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, apo ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i bëjnë punës së gjykatave në emër të gjoja mbrojtjes së një imazhi, që në fakt është shprishur prej vitesh, do të thotë të kërkosh, si struci, të fusësh kokën në shkurren e “pavarësisë”, në një kohë kur në trup të rëndojnë zinxhirët e mafies dhe politikës së korruptuar. Çfarë duan, diskrecion për korrupsionin dhe vendimet e shtrembra të gjykatave?! Korrupsion të paprekshëm nën veladonin e drejtësisë?! Kriticizmi publik nuk dëmton, por shërben për të kuruar gangrenën në gjyqësor. Madje diskrecioni procedural ndaj kësaj gangrene, që këshillon edhe Unioni i Gjyqtarëve, është i rrezikshëm se e lë atë të pakuruar, deri sa mund të kalbëzojë pa shërim krejt shtetin. Në SHBA ishin gjykatësit që edukuan popullin. Duket se në Shqipëri, duhet që “populli” të edukojë gjykatësit! /SHQIP
Comments (0 posted)
Post your comment