Universiteti Mjekësor i domosdoshëm, por mungojnë modalitetet
Sistemi Mjekësor është në vështirësi të mëdha, por mund të ndreqet sepse pjesë e mos funksionimit të mirë të këtij sistemi shëndetësor është edhe përfshirja e Universitetit Mjekësor në Qendrën Universitare Spitalore Tiranë, e cila përfshin edhe Spitalin Ushtarak...
Nga Pirro Prifti
Sistemi Mjekësor është në vështirësi të mëdha, por mund të ndreqet sepse pjesë e mos funksionimit të mirë të këtij sistemi shëndetësor është edhe përfshirja e Universitetit Mjekësor në Qendrën Universitare Spitalore Tiranë, e cila përfshin edhe Spitalin Ushtarak, Spitalin Obstetrik&Gjiekologjik dhe tani për tani, edhe Spitalin Pneumologjik. Shkaqet janë të shumta dhe midis tyre janë edhe keqfunksionimi i Ligjit për Arsimin e Lartë, në të cilin janë njëhsuar për fat të keq elementët bazë të funksionimit të një fakulteti si njësi kryesore, e të departamentit si njësi bazë, me strukturat funksionale klinike të shërbimit mjekësor spitalor.
Kjo ka shkaktuar një keq funksionim të plotë disa vjeçar, sepse mjeku pedagog është dhe mjek klinicist, dhe në kushtet tona ky mjek as nuk bën punë të plotë klinike me kujdesin dhe mjekimin ndaj pacientit, por dhe as nuk bën punën e pedagogut siç duhet; sidoqoftë më e paparashikuara ndodh në Shqipëri, pikërisht ky mjek shkon gjithashtu edhe në një klinikë private dhe punon aty ose shkon edhe në një universitet privat! Rezultati? Dihet. Asgjë nuk bëhet, as puna siç duhet në spitalin publik universitar, as puna si pedagog në fakultetin mjekësor, por faturat i paguan pacienti, shërbimi shëndetësor dhe fakulteti. Duke lexuar me kujdes shkrimin e dr. Eduinit, i cili më pëlqeu përsa i përket konstatimit të disa të metave në sistemin arsimor të lartë që vërehen praktikisht në arsimin e lartë mjekësor, por pa dashje nuk tregoi realitetin e dhimbshëm të sistemit shëndetësor dhe atij arsimor të lartë të ndërthurur me qëllim pa kujdes nëpërmjet Ligjit të Arsimit të Lartë që me të drejtë duhet rregulluar. Janë të vërteta ato që thotë përsa i përket profesoratit të moshuar, por në cilin universitet të botës nuk ka profesorat të moshuar?
Idenë për këtë universitet po të shohim retrospektivën e kam ngritur unë që në janar të vitit 2001 në një takim me Kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta. Argumentet kryesore për ngritjen e një Universiteti Mjekësor nuk kanë qenë dhe as nuk janë idea e klientelizmit dhe as qamilizmi, apo problemet personale të ndonjë profesori të nderuar. Jo aspak. Argumentet për ngritjen e një universiteti të tillë jashtë strukturës Enveriste të Universitetit Shtetëror të Tiranës (sot Universiteti i Tiranës) ishin dhe janë bazike si:
- Investimet e pamjaftueshme për programet mjekësore si për Fakultetin e Mjekësisë. Programet e Stomatologjisë, Farmaceutikës, ashtu dhe për Fakultetin e Teknicienëve të Lartë Mjekësorë,
- Mos funksionimi siç duhet i programeve post universitare të cilat kërkojnë investime, projekte dhe programe bashkëkohore, ashtu dhe pedagogë mjekë të përgatitur mirë e me tituj.
- Mosfunksionimi i praktikave profesionale jo vetëm për Programet e Teknicienëve të Lartë Mjekësore por dhe për Programet e Stomatologjisë, Farmacisë dhe të vetë Programit të Fakultetit të Mjekësisë (pra pjesa praktike).
Problemet e pazgjidhura dhe ngatërresat klienteliste të kontraktimit të pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm, të cilat mund të zgjidhen më lehtë dhe më mirë nëpërmjet Universitetit Mjekësor.
- Problemi i mos zënies me punë të plotë të mjekëve që janë edhe internistë në QSUT dhe pedagogë të brendshëm, duke dëmtuar me vite me rradhë cilësinë e mësimdhënies tek studentët e programeve mjekësore.
- Dy-tre punësimi i shumë mjekëve të QSUT si: pedagogë +internist + të punësuar, edhe në një punë të dytë në private, është duke dëmtuar rëndë cilësinë edhe ndaj pacientëve të shtruar, duke krijuar një anarki të plotë në punën në spital.
- Drejtimi i një Spitali Universitar Terciar pa Bord ku duhet të marrin e pjesë edhe dekanët e fakulteteve përkatës ashtu dhe Rektori i Universitet Mjekësor.
Pranimi i doktorantëve për doktoratura duhet të ketë kritere dhe jo vetëm nota apo kredite, por në rradhë të parë duhet të ketë rëndësi eksperienca në punë: të mos pranohen doktorantë me më pak se 10 vite punë të pandërprerë mjekësore.
Këto mangësi më nxitën që në 2001 të kërkoj formalisht ngritjen e një Universiteti të veçantë Mjekësor, dhe të tillë ka disa në botë, p.sh. në Vienë Austri, etj. Duke parë këto difekte serioze, aparenca banale e acronimit në anglisht të UMT ( M.U.T), është rreziku më i vogël i dëmeve shumë vjeçare në manaxhimin e programeve mjekësore, të cilat sigurisht nuk kanë rankim të mirë në renditjen botërore, por unë nuk di ndonjë universitet jo mjekësor shqiptar që të ketë rankim më cilësor se ai mjekësor në botë, apo jo?
Mendoj se nuk duhet të grindemi se përse u bë Universitet Mjekësor, apo përse e bëri me VKM të nxituar PD, as nuk duhet të përkrahim në mënyrë klienteliste njërën palë profesorësh apo palën tjetër të profesorëve. Problemi bazë qëndron:
- Se si të nxjerrim studentë sa më të përgatitur.
- Se si të realizojmë programet e praktikave profesionale në spitale, laboratore.
- Se si të realizojmë programet post-universitare të barazvlefshme me doktoraturën.
- Se si të përfitohen projekte shkencore, fonde investime në tre ciklet universitare, të cilat sot janë në nivelin e mësimdhënies së shkollave të mesme.
- Se si të kontraktojmë pedagogë cilësorë vendas dhe të huaj (sidomos për doktoraturat dhe specializimet mjekësore 3-4 vjeçare).
-Se si të përmirësohet pagesa mujore e pedagogëve bazuar në eksperiencë pune, në tituj, dhe në përfshirjen në projekte.
- Se si mjekët-pedagogë të përfshihen vetëm në një punë dhe jo në dy apo më keq tre vende punësimi.
Mendoj se këto janë problemet për Universitetin Mjekësor dhe se MAS i ka kapur mirë këto aspekte. Mendoj gjithashtu se emërimi sidomos i rektorëve dhe jo zgjedhja e tyre është e domosdoshme, sepse rektori është në fakt një farë prefekti që qëndron në universitet për të zbatuar ligjet dhe programet politike të koalicioneve qeverisëse, dhe jo të kalben aty gjithë jetën duke u bërë pengesë për progresin e arsimit të lartë dhe afrimin e tij me universitetet perëndimore, si dhe me zbatimin e idesë së Bolonjës: Programe universitare, për tregun e punës. Përsa i përket departamenteve dhe dekanëve, ato duhen zgjedhur ose me konkurim me dosje; kurse shefat e shërbimeve duhet të ndahen nga shefat e departamenteve....
Comments (0 posted)
Post your comment