Home | Opinion | Kambana nga Strasburgu: Të shpronësuarit nga komunizmi të pronësohen!

Kambana nga Strasburgu: Të shpronësuarit nga komunizmi të pronësohen!

image
Ndryshe nga shteti dhe gjykatat shqiptare, Strasburgu dhe Brukseli nuk mund të tolerojnë padrejtësinë. 

 

 

 

 

 

Andrea Stefani

 

 

 

 

Mbi dy dekada pas rënies së komunizmit, buxheti i shtetit shqiptar mund të penalizohet rëndë, për shkak të zvarritjes së kthimit të pronave. Po afron momenti kur Gjykata e Strasburgut mund të vihet në lëvizje për të shqyrtuar ankesat e pronarëve shqiptarë të grabitur nga diktatura komuniste, gjë që do ta ngarkonte buxhetin e shtetit me një detyrim qindra milionë eurosh. Mos vallë shteti demokratik po penalizohet rëndë dhe pa të drejtë për një krim të kryer nga diktatura komuniste? E vërteta është krejt ndryshe. Ajo që po penalizohet është padrejtësia, është zvarritja mbi 23-vjeçare e kthimit të pronave nga qeveri të korruptuara dhe pa sensin e shtetit të së drejtës. Buxheti i shtetit mund të detyrohet të paguajë kostot e një politike me mentalitet bolshevik, që në mbi 23 vjet ka zbatuar një politikë të ndarjes së trojeve në qytet të ngjashme me reformën agrare të zbatuar nga regjimi komunist në fshat. Në thelb të këtyre dy politikave, si asaj të komunistëve edhe asaj të ndjekur nga demokratët, ka qenë shqetësimi për konsolidimin e pushteteve politike, duke kënaqur orekset e shumicave dhe duke dhunuar të drejtat e shtresave pakica. Dhe janë pikërisht këto politika me mendësi bolshevike, që mund të ndëshkohen nga drejtësia europiane e Strasburgut.

 

 

 

***

 

Lajmi mbi vigjiljen e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, është përcjellë në media si alarm për rrezikun e falimentimit të shtetit. Në fakt është krejt e kundërta. Kthimi i pronave pronarëve të grabitur nga komunizmi apo kompensimi i drejtë financiar i tyre me çmimet e tregut, do të ishte ringjallje e shtetit të deformuar nga korrupsioni dhe padrejtësia. Kur anëtarët e shtetit, shtetasit, dhunohen në të drejtën e tyre, atëherë shteti nuk ekziston. Ekziston vetëm qeveria dhe një turmë skllevërish pa të drejta të mbrojtura. As të jetës dhe as të pronës. Kjo është diktatura që shqiptarët e provuan 45 vjet. Por edhe në këta 23 vjet, shqiptarët kanë jetuar një zgjatim, një inerci të diktaturës. Akti i parë i diktaturës komuniste qe shpronësimi i pronarëve. Akti i parë i demokracisë duhet të ishte ripronësimi i pronarëve, duhet të qe korrigjimi i këtij krimi mbi të drejtën e shenjtë të pronës. Por kjo nuk ndodhi, sepse kishte ardhur vetëm pseudodemokracia. Ndërsa liderët e majtë, si Fatos Nano, nuk e kishin në axhendë kthimin e pronave; liderë pseudodemokratë si Sali Berisha, nuk udhëhiqeshin nga e drejta, por nga instinkti bolshevik i rëndësisë që ka kënaqja e shumicave për mbajtjen e pushtetit. Kështu, pronarët e dhunuar nga komunizmi u dhunuan edhe në “demokraci”. Sepse, si kontingjent elektoral ishin pakicë, prandaj nëpërkëmbja e të drejtës së tyre të pronës, nuk u prishte shumë punë këtyre politikanëve. Gjithë merakun e kishin sesi të kënaqnin shumicat e fshatit dhe qytetit, ato që vendosnin fatin e qeverive në votime. Pikërisht me këtë psikologji bolshevike, që sakrifikon të drejtën e pakicës për të kënaqur shumicat, Enver Hoxha bëri reformën agrare në fshat dhe shtetëzimet e konfiskimet në qytet. Po me këtë “filozofi”, Sali Berisha miratoi ligjin 7501 në fshat (për të cilin thotë sot, 20 vjet pas të vjelash, se është penduar) dhe nisi legalizimet e trojeve të grabitura masivisht në qytet. Në fakt, zbatoi “reformën agrare” në qytet, të cilën është e detyruar ta çojë në fund qeveria “Rama”. Nga bolshevizmi komunist, Shqipëria kaloi në bolshevizmin “demokratik”. Në komunizëm pronarët u shpronësuan. Në “demokraci” pronarët u rishpronësuan. “Demokratët”, ndërsa betoheshin për antikomunizëm, u bënë vazhduesit testamentarë të komunizmit!

 

 

 

***

 

Dhe pikërisht këtë orgji të padrejtësisë përgatitet të ndëshkojë Strasburgu, nëse edhe qeveria “Rama” nuk gjen kursin dhe mjetet e duhura për të rivendosur drejtësinë. Është një tjetër gropë e lënë trashëgim nga komunizmi, e thelluar nga korrupsioni i këtyre 23 viteve dhe e përcjellë si stafetë te qeveria “Rama” nga qeveritë e mëparshme. Dy vite të shkuara, qeveria e Berishës u alarmua ngaqë Strasburgu nisi të marrë vendime në favor të pronarëve që, në mungesë të drejtësisë në Shqipëri, i ishin drejtuar Gjykatës Europiane. Por shqetësimi i qeverisë qe jo si të rivendosej e drejta, duke korrigjuar një krim të diktaturës mbi pronën, por si të bllokohej edhe mekanizmi i drejtësisë në Strasburg. Prandaj, avokati i shtetit shqiptar i kërkoi në atë kohë Gjykatës së Strasburgut të mos merrte në shqyrtim ankesat e pronarëve shqiptarë, sepse buxheti i shtetit nuk i përballonte dot penalitetet shumëmilionëshe. Një kërkesë absurde që i kërkonte gjykatës të mos jepte drejtësi për “arsye shtetërore”. Natyrisht në relacionin e avokatit nuk thuhej se pronarët kishin përfunduar në aulat e Strasburgut ngase qeveritë shqiptare të gjitha fondet e tokave, trojeve, ndërtesave e fabrikave i kishin bërë rrush e kumbulla për të pasuruar klanet e tyre, pa pasur asnjë kujdes që këto pasuri të përdoreshin për të dëmshpërblyer pronarët. Sikur kjo të kish ndodhur, sot buxheti nuk do të ndodhej para një tjetër sfide, shlyerjes së një borxhi shumëmilionësh ndaj pronarëve. Një tjetër kosto që publiku shqiptar detyrohet t’ia paguajë korrupsionit. Natyrisht nëse qeveria Rama nuk bën një kthesë të fortë, për të përdorur fondet e mbetura të trojeve, tokave dhe pasurive të tjera për kompensim fizik të pronave, duke lehtësuar kështu peshën e kompensimit shumëmilionësh financiar. Ndryshe nga shteti dhe gjykatat shqiptare, Strasburgu dhe Brukseli nuk mund të tolerojnë padrejtësinë. Me rënien e kambanave të pronës kapitaliste, shpronësuesit shpronësohen, shkruante Marksi në vigjilje të revolucioneve proletare. Komunistët e zbatuan me ashpërsi direktivën e atit të tyre shpirtëror. Tashmë u bënë 23 vjet që kanë rënë kambanat për pronën komuniste në Shqipëri: Të shpronësuarit duhet të pronësohen! 

Shqip

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00