Home | Opinion | Po të bëjë një gabim Europa!?

Po të bëjë një gabim Europa!?

image
 Unë nuk jam nga ata që them “ne e meritojmë Europën” dhe as që kam frikë ta them këtë. Unë nuk mendoj se ka punë meritash këtu.

 

 

 

Nga Besi Bekteshi  

 

 

 

 

Duke përjashtuar situatën e ngarkuar me politikë në Shqipëri, më e mira është të bëjmë një analizë të shkurtër të një gabimi të mundshëm të Europës. Që forca politike radikale dhe ekstremiste kanë marrë “erën në velat” e tyre në BE, kjo dihet, por nëqoftëse forcat e përgjegjshme si të krahut të djathtë dhe të majtë, europianiste dhe të ëndrrës së Europës së Bashkuar nuk bëjnë bashkë idetë dhe vendimmarrjen e tyre, dhe është në perceptim që duhet të përballet, dhe kjo nuk ka dyshim. Unë nuk jam nga ata që them “ne e meritojmë Europën” dhe as që kam frikë ta them këtë. Unë nuk mendoj se ka punë meritash këtu. As punë praktikash që masin nivelin se “sa europianë jemi ne”, dhe për më tepër, as punë pikash dhe plotësimit të tyre. Kjo është burokracia që në fakt janë letrat, dhe të thënat nga ato që thuhen hapur dhe ato mbyllur deri në ditët e sotme.

 

Nuk habitem dhe me kundërshtarë të hyrjes dhe statusit (që vërtetë nuk do të thotë se hymë në BE) sepse praktikisht në ditët e sotme me dëshirë, një lidership politik në Shqipëri është kundër, dhe punon përditë që të mos realizohet marrja e statusit për të mos i bërë qejfin një maxhorance, sipas tyre. Por unë, dhe shumë si unë, jam i qartë se për standarte dhe plotësimin e tyre, ne nuk futemi as për 20 vite në BE, nuk plotësojmë dot të tilla gjëra, por kemi diçka që duhet të bëjë BE-në të na pranojë, edhe kështu sikundër jemi, akoma të paplotësuar për standarte. Është histori e gjatë kjo lloj marrëdhënie me Europën dhe ajo ka filluar të rregullojë veprimet e saj në dobi të shqiptarëve sidomos mbas viteve ‘90-të. Na krijuan në vitin 1913 duke na lënë territore jashtë, na njohën nga 1920-1922 si Lidhje e Kombeve duke njohur territoret e 1913-tës. Lejuan pushtimin e Shqipërisë në vitin 1939, duke mos bërë shumë gëk dhe mëk, lejuan fuqizimin e diktaturës dhe ashpërsimin e saj, edhe pse mund të kishin ndikuar për të mos hequr kaq shumë. Qëndruan larg për pesë dekada. Lanë në uri dhe vuajtje një popull të vogël për eksperiment gjysëm ideologjik dhe gjysëm donkishotesk.

Vepruan me vonesë (mbas amerikanëve) mbas 1990-tës. Na ndihmuan mbas kësaj periudhe duke pranuar Kosovën (shumica e tyre), dërguan trupa, zgjeruan veprimin e tyre. Toleruan ‘97-tën, dhe krizën e madhe të “Sude-Financial Corporation” dhe toleruan liderë groteskë dhe ruralë, që të bëjnë regjim të ri në këtë vend. Por janë tanët, janë vendet mike, që më në fund mezi i gjetëm. Janë Gjermania dhe Italia, si mike të mëdha, janë Austria dhe Kroacia si shtete më të vogla, por sërish mike të mëdha, janë të gjithë miq, sepse e dinë që gjeo-strategjikisht dhe ekonomikisht (TAP) përfitojnë nga Shqipëria dhe tashmë areali shqiptar në Ballkan. Por nuk e kam fjalën sërish këtu.

Ata nuk duhet të bëjnë gabim në qershor të vonojnë edhe një herë, sepse do të humbnin dashurinë tonë për perëndimin. Shqiptari mërzitet shpejt, edhe pse është kokëshkretë në qëllimin e tij. Vonesa do të ulte përqindjen e të vendosurve për në BE, dhe do të rriste pesimistët. Do ta konsideronin një fitore të pesimizmit dhe të “moskokëçarjes” së BE-së. Do të binin në pesimizmin e gjeneruar nga një dorë politikanësh që duan sherr për të jetuar, dhe nuk e duan Shqipërinë të integruar. Për më tepër, do të bënin që Shqipëria dhe njerëzit të kthenin sytë dhe një mendje nga “Neo Otomanizmi” tashmë i shpallur dhe konkurent i BE-së në rajonin me shqiptarë dhe jo shqiptarë. Kjo vonesë do të shtonte përkrahësit e idesë të një Ballkani jo Europian, por ballkaniko-otoman, për nga administrimi dhe politikat afatgjata ekonomike.

 

Ndoshta dy idiotë në BE, kështu duan, por është në të keqen e tyre një riorganizim i gadishullit ballkanik kështu. Do të shtoheshin liderët kaotikë dhe tipikisht sundimtarë, do të shtoheshin modelet e administrimit me urdhëra dhe korrupsion. Pra qelepirxhinjtë, servilët, dallaveraxhinjtë, xhahilët, kopukët (terma të vjetër) dhe të tjerë të tillë që neo-otomanizmi do të risillte akoma më me forcë se sa i kemi sot. Do të visheshin me “Armani”, por mentaliteti i tyre do të ishte aziatiko-otoman dhe normalisht që distanca do të rritej akoma më shumë me BE-në. Për këtë dhe dashurinë, por edhe flamujt akoma të ngritur të BE-së në Shqipëri, hapin e mirë të statusit duhet ta bënte ajo (Europa) po që se njeh historinë dhe nuk dëgjon skeptikë dhe histori bulevardi për Shqipërinë.

Se ju thonë është “popull droge” kjo nuk është e vërtetë, sepse mirëqenia do të hiqte përpjekje e shumëkujt për të bërë lekë, se i thonë popull që nuk di të vetëqeveriset, kjo gjë do të ndryshonte edhe me ndihmën e BE-së. Po ti thonë popull “mysliman” do të gabonin rëndë, sepse aty në popullin shqiptar janë myslimanët më europianë të botës. Dakord?! Pra do të ishte gabim. E fundit, nuk duhet të dëgjonin liderin maximus të PD-së. Ai sot (dhe dje) nuk kupton se çfarë bën. Nuk di se çfarë po thotë, nuk arrin të gjejë sensin e fjalës dhe të përgjegjësisë për vendin e tij të vogël dhe të varfër për të cilin ka ai përgjegjësinë më të madhe këto 24 vite. Jo, nuk duhet bërë ky gabim nga Europa. Uroj që mos gabojnë. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0