Home | Opinion | Fitues & Humbës

Fitues & Humbës

image
Vetëm vullneti i mirë “i fituesve”, për të verifikuar “fitoren” e tyre, do ta shëronte krizën politike shqiptare.

     


Nga Xhovalin DELIA

Regjisor - Piktor - Shkrimtar

 

             
Demokracia është diçka më shumë se një formë qeverisje, ajo është kulturë të jetuari, para së gjithash është një lloj jete shoqërore eksperiencash vazhdimisht në komunikim; një mënyrë jetese që bën të nevojshme pjesëmarrjen në formimin e vlerave të cilat rregullojnë jetën shoqërore të njerëzve. 
Të nderuar; Zotëri fitimtar & Zotëri humbës; asnjëri e as tjetri nuk keni fituar as humbur kushedi se çfarë, por që të dy jeni në prag të një përplasje fatale.

Nuk e di nëse do të ketë një fitues, por jam i bindur që; në fund të aventurës, do të jenë shqiptarët e mjerë të mbërthyer nga kriza, ata që do ta paguajnë faturën e prijësve të tyre. Akoma nuk kemi mbyllur hesapin me atë të “’97”. Mesa duket po na hanë duart për një “BIZ’97”?
Jam i bindur që pak kush do ta dëshironte, e megjithatë kemi më shumë se pesë muaj që po bëjmë hapa mbrapa. Po ç’na shtynë drejt kësaj humnere? Padia, marrëzia, ligësia, apo fati jonë i zi?
Arsyet janë shumë, por shpesh, shkaqet e vërteta maskohen me “sebepe”, në dukje banale, por të mjaftueshëm për të ndezur sherre, konflikte, luftëra civile e deri edhe konflikte botërore.
Parë në planin njerëzor, konflikti midis dy individëve është “normal”, pasi ka momente që njeriu nuk mund të evitojë, as dhunën e as padrejtësinë, edhe këto të dyja e shumë të tjera cilësi negative që flenë edhe në krijesat më shenjta, vjen një moment dhe zgjohen. Por tek individët, në momentin që ata marrin përsipër përgjegjësinë e lartë të liderit shpirtëror apo politik, egoja dhe interesat tyre personale, kufizohen, dalin në plan të dytë, në planë të parë vjen ambicia për të ta udhëhequr një populli drejt “Tokës së premtuar”, nga njerëz të zakonshëm, bëhen të jashtëzakonshëm. Lavdia e tyre konsiston bash në mohimin e vetvetes, për një interes më të madh, çka do të thotë; tu shërbejë të tjerëve, zaten ky është misioni i tyre i shenjtë. Tingëllon retorike, e patetike, por kjo është dialektika e lavdisë së liderëve popullor. Këtë formulë e dinë të gjithë, si ata  që i hynë politikës për të bërë politikë, ashtu edhe ata që hynë për të jetuar me politikë, dhe çuditërisht, jo këta të dytët që konsiderohen sharlatanë, por edhe të parët, që besohen si politikanë, dhe me principe, bien preh e pasioneve.
Kur, Kryetari i qeverisë së vendit tim, tashmë, politikan profesionist, intelektual, njeri me principe të larta morale e politike, që ka hyrë në politikë jo për të jetuar me të, por për të bërë politikë dhe për një ideal të madh; për lirinë e demokracinë e një populli, bash nga foltorja e demokracisë, derdh helm e vrer, në mënyrë barbare e vulgare, nuk ka rëndësi kundra “kujt”, lypës, president, kriminel, i përdalë apo mbret, ç’mund të presim nga sharlatanët që përbëjnë shumicën e klasës politike?
Personalisht e konsideroj një mëkat moral e politik, kryer në tempullin e demokracisë shqiptare, e çuditërisht, bash nga kryedemokrati.  


I nderuar Zoti Kryeministër, sinqerisht më vjen keq, dhe jam i sigurt, që nuk Ju dhëmb më pak as Ju e familjes tuaj, ashtu si familjes së nderuar të “të Përfolurit”, pasi Ju jeni bir i një babai, babà fëmijësh, burrë i një Zonje, e mbase edhe gjysh. Të kesh familje, është fat jo meritë, ta humbasësh është fatkeqësi. Ai që s’e ka, nuk do gjykuar.
Gjëja më e vogël, në mundësitë e mëdha që Ju keni për të shëruar veten nga ky mllef, për lehtësuar familjen tënde nga pesha morale që ata mbajnë pas performancës tuaj famëkeqe, për të zbutur dhimbjen morale e hidhërimin shpirtëror  të mbarë shqiptarëve të ndershëm, e mbi të gjitha, për të rikuperuar sa do pak, lëndimin e thellë të familjes “biologjike e historike”, si burrë malësie, demokrat e burrë shteti, po nga foltorja e demokracisë, është: ti kërkosh ndjesë me përulje e sinqeritet, Kryetarit të opozitës shqiptare, ish bashkëshortes së tij të nderuar, nënës së tij të thinjur, babit të tij të vdekur , artist i popullit dhe djalit tij të denjë e të dashur.
Edhe perënditë gabojnë, por burrat e ndershëm dinë të kërkojnë ndjesë, madje të pranojnë edhe ndëshkimin për fajin që kanë bërë. Do të ishte një gjest burrëror e fisnik që do të na lehtësonte të gjithëve, veçanërisht malësinë, e cila krenohet dhe identifikohet me JU. 
Zotëri Kryeministër i vendit tim, kundërshtari Juaj politik nuk është armiku juaj personal e as i familjes tuaj, ashtu si edhe Ju nuk duhet të jeni i tillë për opozitarin politik, siç u shpallët nga tempulli i demokracisë. Le t’u japim një shembull paqeje e qytetarie bashkëqytetarëve tanë të ndarë nga politikanët  për pushtet e para.
Politikani mund të jetë artist, doktor, edhe dentist, por nuk duhet të jetë, as spiun, as gazetar, dhe aq më pak gjykatës, e absolutisht jo për të shkulur dhëmbët e dhëmballët kundërshtarëve politikë, qofshin këta “imoral e kriminelë”. Shfrytëzimi i pushtetit në garën politike, do të ishte një abuzim i rëndë me besim e sovranit, dhe një kërcënim i hapur ndaj Republikës së Ligjit. Arma e politikanit, është politika e mençur dhe jo kurthet politike e gjyqësore.
Demokracia, ndryshe nga diktatura, nuk është organizëm, por organizim, ku pushtet janë të ndarë. Falë ekuilibrit të tyre funksion demokracia, ku nuk është “Partia mbi të gjitha”, por ligji. 
Mu rrëqeth mishi kur dëgjova kërcënimin buzagaz të liderit demokrat “me darë dentisti në dorë”.(edhe pse e përdorur si metaforë, “dara e ligjit”).
Çështja nuk është; - me darën e ligjit apo të dentistit, problemi është; Ç’do dara në dorën e kryeministrit? Mos vallë janë me pushime dentistët dhe gjyqësorët? Shoqëria postkomuniste shqiptare, vuan akoma fobinë e diktaturës, ku “Partia të arreston”. Zoti kryedemokrat, të lutem, na i kurse këto skena së na prishin gjakun, dhe na prish imazhin për demokracinë.
Imagjinoni sikur në teatër “heroi pozitiv”, në vend që të bënte sikur vriste “të keqin” ta vriste atë me të  vërtetë, në skenë, para spektatorëve. Çdo të ndodhte me aktorin që luan rolin e të “mirit”? Pa dyshim, do të kthehej në kriminel para spektatorëve të vet që e adhuronin deri atë moment.
Si dishepull i lirisë dhe i demokracisë së vërtetë, ndonëse “spektatorë”, jam ndjerë bashkautor në skenën makabre të kryeministrit  të vendit tim në teatrin “absurd” parlamentar. Besoj të gjithë, por veçanërisht, artisët dhe intelektualët, duhet, ti ndihmojmë politikanët tanë, jo duke i sharë e dënuar, por duke i këshilluar, e kritikuar, jo si “tifozë” të njërit apo të tjetrit, por me ndershmëri intelektuale bazuar mbi principe të shenjta. (E di që nuk është e lehtë, përkundrazi, shpesh ka edhe çmim të shtrenjtë, sidomos për ata që jetojnë nën hijen e tyre.)
Tejkalimi i caqeve të lojës politike, mos respektimi i rregullave të lojës dhe mungesa e etikës morale e politike, është shkaku i krizës së thellë që ka mbërthyer gjithë jetën vendit dhe po zbërthen dobësitë e fituesit.
“I humburi”, nga dëshpërimi mund edhe ta humbasë gjykimin, madje helmi i humbjes mund t’ia errësojë edhe arsyen, pasi edhe “humbësi” është njeri si gjithë të tjerët, me të metat e dobësitë e tij, madje në humbje dobësitë e ligësitë bëhen edhe më evidente, dhe në fund të fundit një i humbur nuk ka ç’humbet, përkundrazi, provon të fitojë. Nuk justifikohen veprimet e tij të papërgjegjshëm por duhen kuptuar e mundësisht amortizuar e parandaluar, me “zgjidhje të parakohshme”.

Nuk ndodh e njëjta gjë me “fituesin”, përkundrazi, nëse ai është vërtetë i tillë, fitorja e merituar është një energji e padukshme, që të jep gëzim, kthjelltësi, fuqi, arsye, tolerance, madje deri mëshirë për palën humbëse kur ajo qanë nga humbja, (kur humbja është e merituar).
Krejt ndryshe do të arsyetonim nëse “i humburi” ka fituar por e ka humbur rrugës fitoren, e akoma me ndryshe nëse dikush i ka “vjedhur” atij fitoren. E merrni me mënd sa e tragjike do të ishte për të “humburin”, poshtërimi nga bash hajduti,  i fitores  shpallur “fitimtar”. 
Deri tani nuk e dimë nëse “e vërteta” që na është thënë, të jetë e vërtetë. Dimë se kemi një qeveri të dalë nga “zgjedhjet e lira me votën e lirë” me një koalicion ligjërisht të pranueshëm, madje në dukje të lavdërueshëm, dhe nga ana tjetër kemi gjysmën tjetër të Shqipërisë që nuk e njeh fitoren e gjysmës tjetër, bile pretendon se “fitimtarët” i kanë vjedhur “fitoren” e cila ndodhet e ngujuar në kutitë famëkeq të KQZ-së. 
Loja “kukamçefti” me kutitë e votave, më kujton Nastradinin, që, çelësin e humbur, e kërkonte, jo atje ku e kishte rënë, por atje ku kishte dritë.
Mbi 5 muaj që Parlamenti shqiptar, shtiret sikur kuvendon, vet shkruaj e vet vulos. Po me kë bien dakord xhanëm? Me Evropën, me Amerikën, me Kinën apo me Rusinë? Të katra, të na rrojnë e ti kemi me ymër, por nëse ne nuk do të jemi në gjendje të zgjidhim sherrin që kemi “vëlla me vëlla”, në mënyrë demokratike, brenda shtëpisë tonë, nuk do na e zgjidh dot bota, as me NATO, as me Fletë hyrje për në Evropë e as me viza për jashtë shtetit.
Para një krize të tillë politike, së afërmi edhe institucionale, tjetër se krerët e institucioneve në dukje  hiqen të qetë, pyetja e parë që më vjen në mëndje është:
More po ky zoti Kryeopozitar, zgjedhur me votën e lirë, që përfaqëson partinë më të madhe shqiptare, gjysmën e Shqipërisë dhe më shumë, si e ka hallin? -është i dëshpëruar, i llastuar, aventurier, që nuk ka asgjë për të humbur, e provon të fitojë apo ka hak vërtetë?
Në vend që të përgjigjen ata që e dinë ku është “ujku”, përpiqen Ndërkombëtarët të na bindin me “gjurmët”. Me gjithë respektin për diplomacinë Perëndimore, nga e cila kemi mësuar e kemi ç’të mësojmë shumë akoma, nuk mund të presim zgjidhje. As deklaratat e as rezolutat e ndërkombëtarëve, trumbetuar si “melhem” nga mediat e masmediat tona, nuk e shërojnë krizën tonë të brendshme. Kryeopozitari nuk e pranon humbjen, përkundrazi është i fyer nga “grabitja e fitores”.
Hajde e gjeje kush ka të drejtë? Humbësi apo fituesi?
Vetëm vullneti i mirë “i fituesve”, për të verifikuar “fitoren” tyre, vënë në dyshim nga “të humburit”, do ta shëronte krizën politike shqiptare, e cila ka hyrë, në një fazë të rëndë që rrezikon të jetë një BIZ ’97.


Pyetja e dytë që më vjen është;  
More Zoti Kryefitues, liberator i shqiptarëve, prurës i demokracisë, e prijës i shqiptarëve të lirë, pse ngurron të konfirmosh fitoren tënde?
Nëse fitimtarët demokrat, të cilët i çmoj, për misionin historik që kanë marrë përsipër, madje e kam përshëndetur fitoren e tyre, dhe e respektoj si të tillë për derisa nuk do të jetë provuar e kundërta; do të kishin vullnetin e mirë e kurajën për të hapur kutitë kaq të përfolura, do të zhbllokonin ngërçin politik institucional, madje do të na sillnin një situatë krejt të shëndetshme.
Cilido që të do të ishte kahu që do të merrte fitorja pas rinumërimit të votave, rezultati do të ishte demokratik, çka do të thotë një gurë më shumë në murin që duhet të na ndajë nga e kaluara totalitare despotike.
Çështja e demokracisë shqiptare, nuk është “i djathti” apo “i majtë”, por respektimi i rregullave të lojës luajale politike demokratike, pranimi i rezultatit, mbrojtja e institucioneve demokratike dhe respektimi i tyre, si garanci për Demokracinë.
Le të bëjmë një arsyetim të thjeshtë fare; - Ç’do të ndodhte, nëse pas hapjes së kutive, fitorja do të mbetej po tek fitimtarët e shpallur?
-Kjo fitore do të merrte një vlerë të dyfishtë, e vërtetë dhe e merituar.
-qeverisja do të bëhej më e lehte dhe më efikase,
-pozita do të rriste konsensusin brenda vendit dhe Shqipëria do ti bënte vend vetes në Evropë, pa kërkuar lëmoshë e pa “falur tokë as ujë”
Opozita dhe kryeopozitari do të qetësoheshin e do të luanin rolin e tyre legjitim opozitar konstruktiv ndaj një qeverie legjitime dalë nga vullneti i popullit.
-Politika, politikanët, do të fitonin besimin e humbur tek zgjedhësit.
-Shqiptarët do të fillonin të rikuperonin besimin tek politika, politikanët dhe institucionet.
-Demokratët, do të jenin një shembull, të shkëlqyer për shtetasit shqiptarë, si respektohet e drejta, e vërteta, dhe ligji, në një shoqëri demokratike.
-Do të ishte një mësim i mirë për marifetlitë batakqinjë, që nuk janë të pakët në politikën shqiptare.
-Të humburit do të konfirmonin për së dyti humbje e tyre, dhe do të verifikonin statusin dhe busullën e partisë.
Deri këtu duket se hapja e kutive çon ujë në mullirin e fituesve. Kur është kështu, pse nuk i hapin pakot e vitit të ri, më që jemi në gati në vigjilje?
Problemi është një tjetër; po sikur Plakut të vitit të ri ti ketë firuar ndonjë votë a ndonjë deputet?
Këtu ndryshon melodia, balanca do të përmbysej; fitorja e vjedhur do ti kthehej fitimtarit të vërtetë,
-Humbësi, me të drejtën e Zotit e të robit bashkë, do të kthehej në fitimtarë, dhe “heroi tragjik” më në fund do të ringjallej, madje do të kthehej në perëndi dhe do të meritonte plotësisht “Fronin e vjedhur”.


-Shqipëria do ti kthente krahët regjimit, dhe do të fillonte me të vërtetë një epokë te re, rrugën e gjatë të ndryshimit, drejt shteti ligjor demokratik, dhe fitimtari me fitoren do të jetonin të lumtur e të gëzuar për jetë.
Po fitimtarët e rremë?
Do të ktheheshin të mërzitur e me turp në shtëpi deri në zgjedhjet e tjera. (këtu mbaron përralla)
Në fund të kësaj përralle,  e cila nuk mbaron me “Happy end”, shtrohet pyetja fondamentale:
-A do t’ia vlente të bëhej një sakrificë nga “fitimtarët”, për hapjen  e atyre të bekuara e të mallkuara kuti?
Jam i bindur se me vullnetin e mirë, mund të gjendën hapësira ligjore, jo për të plotësuar tekat e humbësit, por të mirën e shqiptarëve e të demokracisë. 
A është e lehtë?
Jo, është tejet e vështirë.
Pse? Sepse është në lojë prestigji i politikës shqiptare, i dy partive më të mëdha dhe mbi të gjitha, krenaria, prestigji i dy liderëve; e “fitimtarit” demokrat, nga njëra ana dhe e “humbësit” socialist, nga ana tjetër. (zoti na ruajt nga ndonjë interes i vogël personal a ndonjë dosje e zezë penale që ka filluar të shfaqet si fantazmë!) .
Zoti, fitimtar; duke të konsideruar si burrë bjeshke prej nga qielli preket me dorë e nga ku me Zotin kuvendet këmbëkryq, intelektual të pjekur e politikan të realizuar tashmë, ikonë e demokracisë shqiptare, kam besim se do të mund të qëndrosh përpara tundimeve që provokon politika e pushteti. Që ta gëzojmë së bashku fitoren, shuaje misterin e kutive. Cilido që do të ishte çmimi, do të ishte shumë më i ulët se cenimi i demokracisë, themelues  i së cilës jeni bash Ju vetë. Edhe nëse Ju vetë do të sakrifikoheshit, do të ishte një shembull model për demokracinë e një gjest fisnik prej demokrati të vërtetë. Dishepujt shqiptarë do tu jenë mirënjohës dhe historia nuk do ta harrojë. Në të kundërt, “muri i ri” që po ngremë bash në themelet  e atij që kemi rrëzuar, me të njëjtët gurë e me njëjtin llaç, do na ndajë  akoma për shumë; në komunistë e antikomunistë, në  Jug e Veri e në partizanë e ballistë.
Rruga drejt lavdisë është e gjatë e pak kush mbërrin të kurorëzohet, ndërsa damkën e marres e merr kushdo e kur do, mjafton edhe një fjalë goje, një dekik para se të vdesësh.  

Le të festojmë rënien murit komunist jo duke sharë kundërshtar e të shkuarën, por duke kënduar të ardhmen, me moton; e sotshmja si  kujtim i së djeshmes, dhe e nesërmja  si ëndrra e sotshme; përtej të Djathtës e të Majtës, mbi jug e veri, për një e vetëm një Shqipëri, duke pranuar të shkuarën si trashëgimi tonën, me të mirat e të ligat e saj, e duke parë të ardhmen si program për tu realizuar së bashku.
Të dashur bashkatdhetar, komunizmi ka rënë bashkë me statujën, por bazamenti është akoma në sheshin “Skënderbeg”, e djeshmja po kërcënon të sotshmen dhe mund të vërë në dyshim edhe të ardhmen. Jo çdo antikomunist është domosdoshmërish demokrat, dhe jo çdo komunist a birë komunisti është antidemokratik, përkundrazi, hapni sytë nga shtihanët demokrat, këta të fundit janë armiqtë e vërtetë të lirisë e të demokracisë.
...Mbretëria e Zotit” është brenda njeriut, jo në një njeri të vetëm e as në një grup njerëzish por brenda jush. Ju, o popull, që keni fuqinë, forcën për ta bërë këtë jetë të bukur, të lirë e të lumtur, potencën për ta bërë këtë jetë një aventurë përrallore, në emër të Demokracisë, le ta përdorim këtë fuqi, le të bashkohemi të gjithë për ta shpëtuar!



 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00