Home | Opinion | Sugjerim miqësor për ish-guvernatorin Fullani

Sugjerim miqësor për ish-guvernatorin Fullani

image
Yt atë ishte kail të digjte dhe Foto Çamin, anëtar të Byrosë Politike, për të të shpëtuar ty nga ajo meseleja e hajdutërisë e “Beut të Saukut” - Nazif Tugës, ndërsa ti i lë azat fëmijët, që të mburren paturpësisht me paratë, që vjedh babi në bankë e mami në gjykatë.

 

 

 

Nga Gjergj Thanasi   

 

 

 

 

 

Zoti ish-guvernator, për të mirën tënde dhe të familjarëve të tu dorëhiqu. Nuk do të të ndihmojnë as gratë e kushërinjtë e politikanëve, manjatëve të mediave, 007-tave apo të gjyqësorit, që ke punësuar në bankë. Nuk të ndihmon as Shkëlqesia e tij, ambasadori Arvizu, përkundrazi të ka shitur njëlloj si paraardhësi i tij z. Uidhers shiti kanakarin e vet Mediun, që kur C. J. Chivers i Nju jork Tajmsit filloi të hapte petët e byrekut të fishekëve kinezë.

 

E shitën të birin e fatorinos para se të shpërthente Gërdeci, ashtu siç të kanë shitur ty para se të ndodhë “krraku” i bankave. Sinqerisht z.ish-guvernator më vjen keq sesa ndyrësisht e ke përlyer emrin Fullani.

 

Më vjen turp, kur të shikoj ty dhe kujtohem që je pinjolli i një familje më së paku 250 vjet qytetare. Të parët e tu harxhonin flori dhe argjend me grushte për të shkolluar fëmijët deri në “Zosimenë” e Janinës, ndërsa t’i harxhon para për t’u blerë fëmijëve të tu disa copa kartoni me bojëra të bukura, që quhen dëftesa e diploma universiteti.

 

Yt atë ishte një nga administratorët më të mirë, më inteligjentë e më me integritet të ekonomisë së komanduar, që bëri të mundurën e të pamundurën për të gdhendur një copë kërcu si ti.

 

Yt atë ishte kail të digjte dhe Foto Çamin, anëtar të Byrosë Politike, për të të shpëtuar ty nga ajo meseleja e hajdutërisë e “Beut të Saukut” - Nazif Tugës, ndërsa ti i lë azat fëmijët, që të mburren paturpësisht me paratë, që vjedh babi në bankë e mami në gjykatë.

 

 

E di që nuk para lexon libra po te Hamleti i Shekspirit (ky Shekspiri, z. ish-guvernator është një anglez, që ka fabrikën më të madhe të sanduiceve në Mbretërinë e Bashkuar) baba Poloniusi e këshillon të birin t’i ketë petkat e shtrenjta, por jo të ndritshme. Fëmijët e tu nuk i ka këshilluar babi, prandaj paturpësisht mburren me luks sheikësh arabë, oligarkësh rusë apo narkotrafikantësh kolumbianë.

 

 

Nuk je baba i mirë si Poloniusi i Shekspirit apo si yt atë Jani, që dhe majmunin Ardian thuajse arriti ta bëjë njeri (me diplomë ekonomiku e juridiku, me dëshmi gjuhësh të huaja, me provim pasuniversitar filozofie etj., etj.). Orët e Erikut tënd të artë, por kokëbosh i ka zili edhe Sheiku Al Thani i Katarit.

 

 

Sheiku e ka pasurinë nga nafta, dhuratë e Allahut, ndërsa yt bir e ka luksin dhuratë të hajdutërisë së mamit e të babit. Po ti dhe vetë ke ngelur dru me pre ndonëse je qytetar në shtatë breza.

 

Po si ore mavri mban në zyrë krevat dopio. Po ka ndryshuar Shqipëria ore ditëzi. Nuk është më si në adoleshencën tënde, kur duhet t’i kërkoje shokut, që i kishte prindërit në punë, çelësin e shtëpisë për të mbaruar “punë”. Ore Ardian po Tirana është plot me hotele e motele, çfarë të duhet krevati dopio “King Size” në zyrë?! Po në se ke nevojë për privatësi vër shoferin tënd të marrë me qera një apartament të mirë mobiluar dhe mbaron punë rehat -rehat, pa qenë nevoja të lihen gjurmë të nivelit “king size” në zyrën e bankës ore qytetar me epsh katundari.

 

Fatkeqësisht ndonjëherë edhe në Republikën e 1000 e 1 çudirave, që quhet Shqipëri, hajdutëria mund të të çojë në burg. Z. ish-guvernator dorëhiqu se kjo është rrugëdalja me kosto më të vogël. 

 

 

Asnjë nga vartësit e tu të prangosur, përfshirë dhe dhëndrin e Silvës e të Xhoves, nuk shquhen për trimëri. Ata do t’i tregojnë emrat e shokëve në rastin më të parë. Shpejt, shumë shpejt, edhe ai nënprodukti i qumështit në prokurori nuk mund ta mbyllë dot aferën, madje nuk do të jetë i aftë ta kufizojë në shumën modeste të shtatë miliard e kusur lekëve të vjetra.

 

Mund të dalin dokumenta, që ta çojnë shumën më së paku në 20 miliard lekë të vjetra. Ore Ardjan ti e njeh veten sa i trashë je dhe e di mirë, që ke lënë gjurmë pa fund në dokumentacion. Mendo pak një kontroll i kryqëzuar i llogarive me nja dy banka të nivelit të dytë. A arrin ta përfytyrosh se si përfundon pazari, kur të dalin miliardat e tjera të vjedhura?

 

Z. ish-guvernator, dorëhiqu dhe ke shans të mos ta shijosh burgun për më shumë se 48 orë. Me pare e miqësitë, që ke në mender sistemin gjyqësor shqiptar, qameti, që mund të ndodhë, është të dënohesh si Berluskoni me nja 100 orë punë në komunitet.

 

 

Pastaj ti dhe pasardhësit e tu me nivel intelekti prej Neandertali mund të jetojnë si rentjerë për të paktën 50-60 vitet e ardhshme. Ti nuk je bixhozçi si Fatos Nano, e pra Nanos, që ka ikur nga pushteti në vitin 2005, ende nuk i janë mbaruar paratë, ndërsa ti si nikoqir i mirë, që je, mund të mbash me para edhe stërnipin.

 

Z. ish-guvernator dorëhiqu sa nuk ka kërcyer përpjetë kapaku i “tenxheres” së zemërimit popullor, se përndryshe nuk të garantohet asgjë nga askush. Ty të njeh gjithë Tirana, që je tip dhjakësi. Me kërcënimin më të parë t’i i ul benevrekët dhe tregon çdo gjë, që di.

 

 

Fatkeqësisht, ndonëse me nivel intelekti shumë më të ulët se lagjari yt i Lagjes Kala, i ndjeri Santo, ti di më shumë se ai. Pikërisht ato që di mund të të shndërrohen në qefin ore ish-guvernator.

 

Z. ish… nga përvoja jote personale me shefin tënd drejtorin e ndjerë të BIA-s (Bankës Italo-shqiptare) ti e di se bankierët, që llapin, vdesin, vriten si Santoja, vetëvaren poshtë urës në Londër si bankieri i Vatikanit vite më parë, apo vetëvriten në banjo si ai nën/koloneli i SISDE-s, që donte të investigonte vrasjen e drejtorit tënd te Banka Italo-shqiptare.

 

Z. ish-guvernator për pisllëqet, që ti di për bankat e nivelit të dytë apo për paratë e dëmtuara e të vjetruara, që teorikisht asgjësoheshin në Bankën Qendrore, ku mbretëroje ti, për prerjen e lekëve si dinarët e kohës së Millka Planincit të vrasin jo një herë, por dhjetë herë. Vetëm dijeninë, që ke për gjurmët, që kanë lënë, dollarët e naftës (dhe derivateve të saj) iraniane me letra turke të ikën koka nga Harasanët në Amerikët dhe Grigor-partnerët e tyre në Shqipëri.

 

 

Pa e zgjatur z. ish-guvernator të këshilloj dorëhiqu, përndryshe miqtë dhe bashkëhajdutët e tu në politikë do të të flakin si limon të shtrydhur, ashtu siç flakën “doktor honoris kauzën”, kapterr Alimuçën apo “Gjeneral” Xhaferrin. Kujtoj, që Alimuça e Xhaferri hynë familjarisht në burg. Ti po hyre në burg, llap dhe kush llap në Shqipëri dihet se vdes nga infarkti akut e masiv i miokardit!

 

Ik ore ish-guvernator se po nuk ike do marrësh me vete gjysmën e klasës politike shqiptare, madje, madje do t’i prishësh karrierën apo pensionin edhe ndonjë diplomati të huaj qokaxhi këtu në Tiranë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0