Triptik veror
Shqiptarët janë turrur drejt plazheve. Të paktën ata që ia lejojnë vetes të bëjnë pushime. Parlamenti ka mbyllur qepenat dhe jeta politike ka kaluar në gjendje “hibernimi”.
Skënder Minxhozi
Shqiptarët janë turrur drejt plazheve. Të paktën ata që ia lejojnë vetes të bëjnë pushime. Parlamenti ka mbyllur qepenat dhe jeta politike ka kaluar në gjendje “hibernimi”. Megjithatë ka disa tema që vazhdojnë të mbajnë gjallë interesin publik dhe që sigurojnë daljen e gazetave dhe emisionet jo të pakta mëngjesore, të cilat ushqehen me titujt e shtypit të shkruar. Ndër to, telenovela “Fullani”, sherri veror Nishani-Rama dhe, ana tjetër, e medaljes së turizmit shqiptar, duket se janë gjella intriguese e të pasionuarve të lajmit.
Fullanit s’ka kush t’i shkruajë (por ka kush ta mbrojë)
Protesta popullore për skandalin e Bankës së Shqipërisë po vazhdon të mbajë të ndezur një qiri, me anë të firmosjes së një peticioni në disa qytete kryesore të vendit, por edhe me një debat politik e publik që vijon, edhe pse me ritme të ulura për shkaqe “të kuptueshme”. Guvernatori po arrin të sigurojë një qëndrim të zbutur të klasës politike, ndaj kërkesave insistuese të opinionit publik për largim nga posti që mban. Zërat që kërkojnë dorëheqjen e Fullanit janë ende të paktë mes politikanëve e figurave publike, por lista po zgjatet gradualisht. Vazhdon të mbetet e shurdhët ajo pjesë e spektrit politik që përfshin shumicën dhe opozitën zyrtare.
Qeveria doli para pak ditësh me një deklaratë-fasadë për skandalin, duke nënvizuar me kujdes pamundësinë e saj për të influencuar ikjen e guvernatorit. Një qëndrim në majë të gishtave, sipas parimit “fol por mos thuaj gjë”. Ndërsa dje dhe pardje, dy politikanë të vjetër, që për koincidencë ndajnë të njëjtin emër, përkatësisht Spartak Ngjela dhe Spartak Braho, dolën me qëndrime krejt të ndryshme për fatin e Fullanit. Nga njëra anë, Braho, i cili fajësoi Këshillin Mbikëqyrës, duke lënë mënjanë guvernatorin. Nga ana tjetër, avokat Ngjela, i cili në esencë shprehej se drejtimi i Bankës së Shqipërisë ka qenë i përmbledhur në një dorë të fortë, e për pasojë kjo dorë e fortë (Fullani), duhet të marrë sot të gjitha përgjegjësitë.
Në trajektoren mes “dy Spartakëve” duket se përmblidhet e gjithë loja politike, mediatike dhe kalkulimet e një skandali që sot shënon në fakt betejën mes nevojës urgjente për drejtësi dhe përgjegjshmëri të klasës drejtuese dhe tendencës së vjetër për të mos dënuar e për të mos ndëshkuar askënd dhe asgjë. Të mbrosh sot Fullanin, përballë lumit të fakteve të rënda që po nxjerr hetimi për vjedhjen e shtatë milionë dollarëve, është një akt i pastër avokatie për të gjithë atë skotë politikanësh e zyrtarësh ose ish-zyrtarësh, të cilët nuk kanë ditur të mbajnë në asnjë moment përgjegjësi për dramat që kanë prodhuar në këtë vend në dy dekadat e fundit.
Një president letrar
Që kemi një kryetar shteti të dhënë pas letërsisë, këtë kujdeset ai vetë që të na e kujtojë sa herë që ka festa. Mesazhet e tij rrallë kalojnë pa u bërë objekt shpotish dhe ironie në rrjetet sociale, por kjo është vetëm njëra anë e problemit. Puna është se zoti Nishani nuk u drejtohet “letrarisht” shqiptarëve vetëm për Krishtlindje apo Pashkë (duke i ngatërruar ndonjëherë me njëra-tjetrën). Ai bën “prozë poetike edhe kur replikon me Edi Ramën, pra Kryeministrin e vendit.
Përtej faktit se cili prej të dyve po mbron ligjin dhe cili po prek institucionet, gjuha e Nishanit është thjesht e papranueshme për një kryetar shteti. Atij duhet t’ia kenë thënë se korrespondenca e një presidenti, letërkëmbimet, njoftimet zyrtare dhe deklaratat formale, janë subjekt i studimeve, arkivimit dhe seleksionimit të mëvonshëm. Bujar Nishani po le pas tij, bashkë me partishmërinë tejet të lexueshme, edhe një dosje të trashë deklarimesh publike në kufijtë e materialeve të humorit, që s’kanë asgjë të përbashkët me stilin e kujdesshëm dhe institucional të një kryetari shteti.
20 kilometra skandaloze
Një “biznes” i ri ka lindur brigjeve të liqenit të Ohrit. Në pjesën shqiptare, kuptohet. Nëse dëshironi që 20 kilometrat e ferrit, plot gropa, pluhur dhe gurë e shkëmbinj, që ndajnë sot Pogradecin me fshatin e Linit, t’i kaloni “pa ju hyrë gjemb në këmbë”, veproni si disa shoferë të zgjuar. Nga halli që i ka zënë, disa prej udhëtarëve paguajnë një karroatrec, e vendosin mbi të makinën e tyre dhe e kalojnë në këtë mënyrë këtë distancë jo të vogël rruge të shpartalluar, që ka hedhur në erë sezonin turistik të njërës prej zonave më të bukura e tërheqëse të Shqipërisë. Nëse flet pak minuta me njërin prej pronarëve të restoranteve apo hoteleve të bregut të Gjolit, siç e quajnë vendasit liqenin e Ohrit, mëson se kantieri trevjeçar i rrugës në fjalë, ka hedhur në erë, prej vitesh, bilancet e tyre financiare. Në fakt, projekti i rrugës ka tre vjet që ka nisur, duke prodhuar deri tani fare pak kilometra të asfaltuara në dalje të Linit dhe më pas, një vijë të gjatë pluhuri të bardhë, që shtrihet në gjithë gjatësinë e bregut të liqenit, deri në hyrje të qytetit të Pogradecit.
Pa asnjë mëdyshje, ky projekt rrugor është një turp autentik shqiptar, që rëndon në dy të tretat e tij mbi shpatullat e qeverisë që ishte, e në një të tretën mbi supet e qeverisë që është. 20 kilometrat e rrugës së shpartalluar Lin-Pogradec janë sot vendi ku bashkohen dy slogane, që teorikisht duhet të ishin diametralisht të kundërta: “Ne ndërtojmë rrugë”, siç thoshte rëndom Berisha, me “Ne ndërtojmë rrugë të standardeve europiane”, siç thoshte dhe thotë edhe sot Edi Rama. Një rrugë kombëtare në këtë gjendje, të paktën deri në vitin e ardhshëm (që do të thotë katër vjet, në total), është një pasqyrë e shëmtuar ku ia vlen të shihemi, për të kuptuar se sa larg retorikës europiane që konsumojmë me shumicë, jemi në fakt në jetën tonë të përditshme.
Comments (0 posted)
Post your comment