“Maestrot” e Bankave “Fullani-2”!
Edhe Bankat “Fullani-2”, janë bërë “maestro” për shërbimet e tyre “korrekte” ndaj qytetarëve! Dikur ishin raste të rralla, ato që qytetarët thoshin: “Të blesh “belanë” me paranë tënde”! Në kohën e sotme, kur gjithçka kryhet me anë e kompjuterit, janë bërë më të shpeshta rastet kur qytetarët e “blejnë “belanë” me paratë e tyre”!
Nga Pandeli Bardhi
Edhe Bankat “Fullani-2”, janë bërë “maestro” për shërbimet e tyre “korrekte” ndaj qytetarëve! Dikur ishin raste të rralla, ato që qytetarët thoshin: “Të blesh “belanë” me paranë tënde”! Në kohën e sotme, kur gjithçka kryhet me anë e kompjuterit, janë bërë më të shpeshta rastet kur qytetarët e “blejnë “belanë” me paratë e tyre”! Duket sikur kompjuterat, janë “fajtorët” që po i ngatërrojnë punonjësit në kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve. Këto, ndodhin kudo ku kryhen shërbime, sidomos në rastet kur qytetarët kanë për të marrë paratë e tyre dhe asnjëherë kur ata kanë për të kthyer detyrimet ndaj shtetit apo institucionit privat. Po marrim vetëm rastin më të freskët të ditëve të fundit ku një klient, ka pesë ditë që nuk po merr dot pensionin e tij me kartën “Bankomat”, në Bankë, për shkak të së cilës, nuk mundi të shkojë dot as me pushime! Me kartën në xhep, ai shkon për të tërhequr pagën e tij prej 19900 lekësh. Fut kartën, formon kodin dhe shtyp butonin për tërheqjen e pagës. Mbas pak, në vend të parave, “bankomati” nxjerr lajmërimin: “Tërheqjen, nuk mund ta kryeni, sepse bankomati, është i pa karikuar. Në krye shkruhej “Societe Generale Albania” dhe më poshtë “Maestro”! Klienti largohet, duke menduar se Banka nuk kishte para, për t’u kthyer përsëri ditën e nesërme. Kryen procedurat dhe “Bankomati”, dërgon lajmërimin: “Nuk është e disponueshme shuma për t’u tërhequr. Shuma e mbetur është 400 lekë”. Ku shkuan 19500 lekët e tjera të pagës së tij mujore? Për këtë, i revoltuar, shkon ten tek punonjësja e bankës, në ambientet e brendshme. Punonjësja, që me siguri do të ishte e diplomuar në Universitetet me shumicë të Saliut që kanë “diplomuar” të pashkollë, nuk ishte në gjendje që të jepte ndonjë zgjidhje megjithëse kaloi mbi një orë. Lexonte, rilexonte dhe “hulumtonte” dëftesat që kishte nxjerrë bankomati. Më në fund, e gjeti “zgjidhjen”! “Zotëri, juve duhet t’i keni tërhequr paratë!...
“Po t’i kisha tërhequr paratë moj zonjushe, unë nuk do të vija këtu. Edhe sikur t’i kisha tërhequr, ku është shuma që unë kam tërhequr”? Zonjusha, pastaj mori një formular dhe ja vuri përpara. “Duhet të mbushni këtë formular ankimimi”, shtoi ajo dhe gjatë kësaj kohe, mundohej të lidhej me telefon me “qendrën”, por “qendrorët” nuk i përgjigjeshin... Me siguri duhej të kishin shkuar në grup për të pirë kafe... “Do të vini nesër zotëri, mbasi “qendra” nuk më përgjigjet në telefon, për ta sqaruar problemin dhe për çdo gjë, unë gjithsesi do t’ju marr në telefon...” U mundua zonjusha të bindte klientin në ditën e tretë të ecejakeve, në kërkim të parave të tij! Në ditën e katërt, në të njëjtën orë, përsëri klienti u paraqit para zonjushës në Bankë. “Prita të më merrnit në telefon, por nuk më morët, besoj se nuk do të kemi ndonjë të dhënë”, i drejtohet asaj klienti. “Jo zotëri, u lidha me qendrën dhe ata më thanë se problemi, është në proces verifikimi...! “Nuk mundeni të lidheni edhe një herë, mbase kush e di ka mbaruar procesi i verifikimit, - u shpreh i revoltuar klienti në ditën e katërt të procesit! “I kërkova, por përsëri nuk më përgjigjen”, u justifikua ajo. Klienti, rri e pret “qendrën”, për të marrë ndonjë lajm se deri ku ka shkuar procesi i verifikimit, për këto “miliona”! Mbas disa përpjekjeve, më në fund, u dëgjua zëri i “qendrorëve”: “Nuk ka mbaruar akoma procesi i verifikimit. Nesër, mund t’ju japim ndonjë përgjigje”! Por as në ditën e pestë e as në ditën e gjashtë, procesi i verifikimit, nuk ka mbaruar ende. Klienti pret me ditë të marri pensionin e tij, ditët ikin e kalamajtë presin të shkojnë me pushime! Edhe ata e provuan se sa e vërtetë është ajo që është bërë “moto” nëpër Bankat: “Tani mendoni se ku dhe me kë do të kaloni pushimet, për të tjerat, mendon Banka”. Shyqyr që kemi Banka me shumicë. Edhe Bankat, si Universitetet me shumicë. Sa më shumë Universitete aq më shumë injorantë “diplomohen”. Sa më shumë Banka të të gjitha niveleve, aq më shumë telashe në shërbimet ndaj qytetarëve. Edhe Bankat si piramidat, që qytetarët kujtojnë se i kanë paratë e sigurta. Me të drejtë klienti shprehet: “kur të gjenden paratë e Bankës Kombëtare të Fullanit, atëhere besoj se do të gjenden edhe paratë e mija”!
E nga të ruhen më parë qytetarët. T’i mbajnë paratë në xhep, kanë frikë nga hajdutët e rrugës. T’i mbajnë ato në Banka, kanë frikë nga “Fullanët”. Ky nuk është rasti i vetëm me këtë qytetar. Sa e sa raste të tjera kanë qytetarët, që vetëm ata që i heqin në kurriz e dinë. Ka raste që qytetarët tërheqin mangut paratë nga Bankat, të cilët duhet të kenë mendjen shumë afër kur i tërheqin ato nga Bankat; Ka edhe raste të tjera kur gjejnë edhe monedha false nga ato që i “shpëtojnë” syrit të Komisionit të Fullanit, për t’i hequr nga qarkullimi e për t’i zëvendësuar. Që nga Bankat e deri në ato të ashtuquajturat “Exchange” është një sistem i tërë ku “perfeksionohen” mënyrat për të zhvatur qytetarët. Bankat, edhe kur qytetarët dorëzojnë shuma parash për probleme të ndryshme, duhet të kenë me vete edhe një shumë tjetër për të paguar “komisionet” e Bankave. Se çfarë janë këto “Komisione”, këtë e dinë vetëm “Fullanët” e shtetit! Më e mundshme, është që në këto “komisione” të marrin pjesë ata që “diplomohen” nga Universitetet e“Sali-Pollos”, të cilët edhe nëse nuk kanë diplomë, pagën e kanë të siguruar! Po t’i shtosh kësaj edhe kompjuterat të cilët me “zgjuarsinë” e tyre komandojnë edhe punonjësit e “diplomuar” në Universitetet me shumicë, problemet, ndërlikohen edhe më shumë.
Sikur të mos na mjaftonin tanët, vijnë edhe të huajt, të cilët edhe ata duan të zhvatin nga “pasanikët” shqiptarë. Shteti i Saliut, atyre u ka krijuar të gjitha lehtësirat, për të vjedhur e për të bërë si të duan ata. Ata hapin nga një “Exchange”, dhe ndryshe nga të tjerët në këmbimin e monedhave, mbajnë 8% nga shuma për “komisionin”! E ku ta dinte pensionisti, i cili me një qindshe euro në dorë, shkoi për ta këmbyer atë në sportelin më të afërt në rrugën “Myslym Shyri”. Në anën e sportelit, me germa të mëdha, shkruante se kursi i këmbimit të euros, ishte 140 lekë. Këtë, ja pohoi edhe punonjësja që qëndronte në gatishmëri brenda sporteli, kur pensionisti e pyet për t’u siguruar më mirë nëse ishte ky kursi i këmbimit apo jo, përveç asaj që lexonte në tabelë. Punonjësja, i bën monedhës një kontroll të imët e cila herë e gërvishtte kartmonedhën në çdo cep të saj me anën e thonjve të saj të gjatë ngjyrë bojëqielli, e herë e ngrinte atë në dritën e llampës. Për të qenë më e saktë, përpara s’e t’i jepte klientit kartmonedhat shqiptare, i zgjat atij një letër për të firmosur për shumën që do të merrte. “Çfarë “korrektësie” që kanë”, mendova unë,- thotë pensionisti, që kishte ditë që e mbante atë kartmonedhë në euro, që halli e detyroi atë të bënte këmbimin e kësaj dhurate të dërguar nga mbesa e vogël në Itali, për gjyshin!... Mbasi bindet për saktësinë e saj, i kthen klientit 130 lekë. Klienti i numëron disa herë por më kot.
“Mua më bëjnë sytë, apo juve më keni kthyer gabimisht 800 lekë më pak”? pyet pensionisti. “Zotëri, jemi në rregull”, përgjigjet prerë punonjësja e cila tashmë kishte marrë edhe firmën e klientit. “Po juve sikur më thatë që është me 140, pse më kthyet 132? “Zotëri, lexoni më poshtë se çfarë thuhet”, përgjigjet punonjësja që tashmë merrej me punë të tjera dhe nuk kishte ndërmend të bezdisej nga gjyshi i “pabindur”! Dhe me të vërtetë, midis shumë “të mirave” që shkruante tabela, diku nga fundi, që jo vetëm pensionisti nuk mund ta lexonte, por as edhe një i ri i pajisur edhe me mikroskop, nuk mund ta lexonte atë ku shkruhej: “Për çdo shumë të konvertuar, klientit i mbahen edhe 8% e shumës për Komision”. Pensionisti më kot këmbëngulte përpara “fakteve” që kishte në dorë punonjësja, firmën e vetë klientit. Por këtë, punonjësja nuk e thotë qysh në fillim por e thotë atëherë, mbasi klienti ka hedhur firmën për shumën e marrë. Këmbëngulja nga ana e klientit, ishte e kotë. Nuk dihet se kush janë “mësuesit” e këtyre formave të sofistikuara të vjedhjes, nëse vijnë të mësuar të huajt, apo i mësojnë nga ne! Këtë e them, mbasi nga të dhënat, duket sikur jemi ne, ose më saktë qeveria “Berisha”që ka “shpikur” komisionin, që do të paguajnë qytetarët në banka. Nga kjo, mendohet se të huajt e kanë mësuar nga “mësuesit” “Berisha- Bode”, siç e thonë edhe ata që janë më kompetentë. Nuk dijnë se nga të ruhen më parë qytetarët nga këta rrjepca, që rrjepin me lloje lloje formash e mënyrash, duke filluar qysh nga “Fullanët” e shtetit e deri poshtë në të “famshmet” “Exchange”, që edhe këto, ashtu si Universitetet me shumicë, ashtu si kafenetë e farmacitë, janë të kudondodhura! Mjerë ai që e zë halli, të shkojë në këto “zyra shërbimi” për të kryer shërbimet e tyre.
Comments (0 posted)
Post your comment