Home | Opinion | Demokraci pa demokratë

Demokraci pa demokratë

image
 Të jesh demokrat do të thotë të kesh bindje ndaj ligjit dhe kushtetutës, jo ta përdorësh atë si leckë apo alibi, në varësi nga nevojat politike të ditës.

 

 

 


Afrim Krasniqi

 

Që nga mesdita e datës 12 Dhjetor 1990-të, edhe zyrtarisht, Shqipëria është një shtet demokratik, i bazuar në sistemin parlamentar shumëpartiak dhe konkurrencën elektorale.
Atë mesditë u shpall partia e parë politike opozitare dhe që atëherë janë miratuar nga Ministria e Drejtësisë apo Gjykata e Faktit Tiranë edhe 114 parti të tjera politike, 23 prej të cilave në periudha të ndryshme kanë pasur edhe përfaqësim parlamentar.
Midis viteve 1991-2009-të janë zhvilluar shtatë procese elektorale parlamentare, pesë procese zgjedhore lokale, dy referendume, si dhe 34 procese të pjesshme parlamentare ose lokale.
Një bilanc i pasur, i cili, i marrë jashtë kontekstit real politik, duhet se provon tezën se 19 vjet pas vendosjes së sistemit shumëpartiak, Shqipëria ka arritur standarde të demokracisë dhe konkurrencës zgjedhore.
Nëse heqim dorë nga leximi formal dhe futemi në brendësi të funksionimit të sistemit shumëpartiak në Shqipëri, arrijmë në një bilanc, i cili sado të zbukurohet pas shifrave, rezulton problematik dhe negativ.
Më 1992-in, Shqipëria bëri kërkesë për hyrjen në NATO, kërkesa u realizua vetëm më 2009-ën, 17 vjet më vonë dhe në lexim gjeografik, në listën e fundit të vendeve që u pranuan në këtë organizatë.
Më 1992-in, aplikuam për bashkim me familjen e madhe evropiane dhe pas 17-vjetësh ndodhemi ende në fazën e dhënies së të drejtës për negociata, me synim pranim në vitet 2018-2020, në vagonin e fundit të zgjerimit të BE-së. Me të drejtë një qytetar shkruante në një gazetë se kur Shqipëria të hyjë në BE brezi 18-24-vjeçar i dhjetorit 1990-të do të jetë 58-64-vjeçar, pra në prag të pensionit. Kështu, nëse prindërit tanë humbën dy breza për shkak të regjimit komunist, edhe brezi ynë është i destinuar të humbë për shkak të tranzicionit të gjatë e plot kriza.

Mjafton ky bilanc historik për të kuptuar se demokracia shqiptare, nga mënyra sesi është krijuar, si ka ecur, si është zhvilluar dhe se çfarë produktesh ka dhënë, është larg, shumë larg modelit që u aspirua më 12 dhjetor 1990-të, e për rrjedhojë, shumë larg modelit të një demokracie reale, funksionuese dhe konkurruese. Sepse, sistemin demokratik nuk e bëjnë ligjet, vendimet e shkruara, mitingjet dhe as fotografitë e mitingjeve. Demokraci në radhë të parë do të thotë ngritje e një sistemi vlerash njerëzore, vlerash morale, bindje ndaj ligjit, respekt për mendimet e tjetrit, vullnet i lirë i sovranit, përgjegjësi përpara qytetarëve dhe krijim të kulturës demokratike.
Shqipëria e pas 19 vjetëve është një vend institucionalisht demokratik, por praktikisht e administruar në çdo segment të saj nga individë jo demokratë.
Të jesh demokrat nuk do të thotë të përdorësh retorikë antikomuniste, të ndërrosh teserë nga një parti moniste në një demokratike, të jesh pjesë e stafit politik apo rrethit familjar të një lideri, të jesh anëtar i një partie me këtë emër, të jesh apo të vetëshpalles si i tillë.
Pikësëpari të jesh demokrat do të thotë që në çdo rrethanë, kudo të jesh në politikë, në parti, në parlament, në vendimmarrje, në jetë publike apo private, në kontaktet me miqtë e kundërshtarët e mendimeve të tua, të mendosh, sillesh e veprosh si i tillë. Të jesh demokrat do të thotë të kesh bindje ndaj ligjit dhe kushtetutës, jo ta përdorësh atë si leckë apo alibi, në varësi nga nevojat politike të ditës.
Të jesh demokrat do të thotë të numërosh, jo vetëm votat e tua, por edhe të kundërshtarit politik; ta shohësh veten si një shërbëtor ndaj votuesve, jo një tregtar i votave të tyre; ta shikosh partinë ku militon si një shtëpi vlerash vullnetare dhe kolektive, jo si një pronë private formave që përdoret për fundjavë; të zgjohesh me idenë se çfarë pune të mirë do të bësh në dobi të vendit tënd, jo me idenë se çfarë do të privatizoj sot për veten e miqtë; ta shohësh angazhimin në politikë si një mision qytetar, jo si një punë me të cilën ia vlen të jetosh.
Një demokrat i mirë është ai që lë gjurmë në politikë me idetë e tij, me ligjet e nismat e propozuara, me kërkesat e projektet e ndryshme për reforma dobiprurëse për vendin e qytetarët.
Ky model është krejt i kundërt me atë dyzinë politikanësh që politikën e shohin si një kazino, ku hedh zaret për të provuar fatin apo si një dhunti e dhuruar nga Zoti për të qeverisur pa kritikë e kritika, pa kundërshtar e votime, pa mendime ndryshe dhe shqetësime gazetarësh.
Gjatë tranzicionit, ne kemi kaluar në 13 procese zgjedhore të kontestuara, në dy kriza të thella politike e sociale, kemi thirrur dy herë në ndihmë për rend e qetësi trupat paqeruajtëse të NATO-s apo BE-së, kemi dëbuar nga vendi rreth 1.2 milionë emigrantë, kemi krijuar një imazh negativ korrupsioni dhe abuzimi përpara medias e opinionit ndërkombëtar, kemi mbajtur gjallë frymën e konfrontimit e bipolarizimit dhe, së fundi, kemi kultivuar një kulturë sjellje politike në thelb totalitare, përjashtuese, presekutuese dhe mosmirënjohëse.


Shqipëria mbetet vendi i vetëm në Evropë, në të cilin asnjë lider politik nuk ka dhënë dorëheqje nga politika; nuk ka pranuar rotacionin normal politik në parti ose në vend; nuk ka respektuar kundërshtarin politik, por është përpjekur ta denigrojë madje ta burgosë atë; një vend ku asnjë politikan nuk është dënuar moralisht dhe as ligjërisht për krizat, përgjegjësitë, abuzimet, keqqeverisjen dhe mashtrimet; ku modeli më popullor i politikanit mbetet ai që shan më bukur, bërtet më shumë, kontrollon e zgjeron më shumë pushtetet e tij, pra modeli i politikanit që në vend të vlerave morale, alternativave qytetare dhe kulturës demokratike nxit, ushqen dhe promovon politikën pa integritet, pa vlera, pa moral, pa alternativë, pa sensin minimal të praktikave demokratike.
Në perëndim, një lider politik paraqet një projekt, e mbron atë në fushatë, nëse fiton zgjedhjet përpiqet ta realizojë dhe nëse jo, largohet vullnetarisht nga politika.
Në Shqipëri, ata që quhen lider hyjnë në zgjedhje pa program, kur fitojnë përpiqen me çdo mjet e kusht të mbajnë pushtetin, ia lejojnë vetes të numërojnë votat e opozitës dhe në asnjë rast nuk i shkon mendja për rotacion e dorëheqje, madje as kur për faj të tyre e me kontributin e tyre rendi, shteti e politika degradon në kaos apo korrupsion.
Në perëndim, nuk mund të gjesh ndonjë politikan që mendon se është i përjetshëm në postin e tij, në Shqipëri vështirë të gjesh politikanë që mendon të kundërtën.
Në perëndim, rendimenti i një politikani matet me aftësinë e tij për të propozuar alternativë zhvillimi, për nisma ligjore, vlera qytetare e bindje ndaj ligjeve, kurse tek ne, politikanët më të suksesshëm dhe për pasojë, ata që përbëjnë modelin për t'u ndjekur janë ata që shajnë më shumë në sinkron me shefin dhe porositë e tij, njerëz pa profesion, pa identitet qytetar, pa vlera morale dhe pa asnjë cilësi të dukshme politike.
Ne jemi të detyruar të krenohemi sot se jetojmë në demokraci dhe do të jemi në BE, edhe pse vijmë pas Maqedonisë, Kosovës, Bosnjës e Serbisë ku ka pasur 4-5 luftëra etnike dhe civile.
Ne jemi të detyruar të ngushëllohemi se do të na liberalizohen vizat edhe pse kjo ndodh pas edhe atyre vendeve që deri dje eksportonin krim të organizuar dhe kriminelë lufte në kërkim.
Ne jemi të detyruar sot të ngushëllohemi me ofertën e bisedimeve të anëtarësimit në BE edhe pse ne vetë, në sjellje e veprime, në punë e rrugë, në institucionet legale dhe ato jolegale, nuk lëmë rast pa treguar sa larg mentalitetit evropiano-perëndimor jemi.
Ne sot krenohemi se komunizmi është rrëzuar, se jetojmë në demokraci, dhe fatkeqësisht harrojmë se liderit tanë vendimmarrës nuk lënë rast pa shprehur mentalitete e sjellje të periudhës komuniste. Dhe kështu, ne po ndërtojmë një demokraci pa demokratë, një bast i humbur që në nisje, një eksperiment me kosto të lartë e rezultate minimale.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00