Ligji i Lustracionit dhe alibia e politikës shqiptare
Inteligjencia shqiptare e asaj kohe aspironte demokracinë perëndimore kryesisht për të rivendosur të drejtat dhe liritë e njeriut, kartë e cila u firmos pas thirrjeve `E duam Shqipërinë si gjithë Europa`.
Nga Pirro Prifti
Ditë për ditë po i hapen petët lakrorit të demokracisë shqiptare të post-komunizmit dhe problemet e mëdha që ka trashëguar ajo qoftë nga e kaluara e largët, qoftë nga e kaluara komuniste, e cila kamufloi shumë aspekte të mëdha sociale, individuale por dhe politike të shqiptarëve nëpërmjet justifikimit të krijimit të `njeriut të ri`. Që nga `90, `njeriu i ri` i krijuar nga komunizmi mori në dorë situatën pas rënies së komunizmit.
E kush ishte njeriu i ri që u përball me `babain` e vet komunist, që e përfundoi misionin e tij, por edhe me demokracinë e panjohur perëndimore, demokraci për të cilën vejusha e ish diktatorit paralajmëroi se ... shqiptarët janë të papërgatitur për këtë tip demokracie…?
Inteligjencia shqiptare e asaj kohe aspironte demokracinë perëndimore kryesisht për të rivendosur të drejtat dhe liritë e njeriut, kartë e cila u firmos pas thirrjeve `E duam Shqipërinë si gjithë Europa`. Kjo ndodhi në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 23 shtator 1990 ku shqyrtohej një relacion i MPJ ‘Mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Europian’, KSBE (sot OSBE-ja). Ishte pikërisht presidenti i fundit i regjimit komunist, Ramiz Alia, i cili firmosi aktin e Helsinkit. Aderimi i Shqipërisë në OSBE (ish-KSBE) është realizuar gjatë punimeve të Këshillit Ministror të Berlinit (19-20 qershor 1991). Vendi ynë nënshkroi Aktin Final të Helsinkit më 16 shtator 1991 dhe Kartën e Parisit për një Europë të Re më 17 shtator 1991 (http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/06/25/historiku-perpjekje-23-vjecare-...).
Por vetëm më pas në Deklaratën e Vjenës që u nënshkrua në Qershor të 1993 nga qeveria e atëhershme post-komuniste, ku morën pjesë 170 shtete u vendos të respektohen zyrtarisht: “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë trashëgimi i të gjitha qënieve njerëzore, mbrojtja dhe zhvillimi i tyre është përgjegjësia e parë e qeverisë” (neni1) dhe vijon: “Respekti për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut pa asnjë lloj dallimi është ligji themelor i së drejtës ndërkombëtare”(neni15) –(http://www.sot.com.al/opinione/%E2%80%9Ctre-musketer%C3%ABt%E2%80%9D-e-p...).
Megjithatë, ç`po ndodh gjatë këtyre 23 viteve me shoqërinë shqiptare? Një nga efektet më negative të drejtuesve ish-komunistë që tashmë drejtonin vendin pas 31 Marsit 1991, dhe pas 22 Marsit 1992, ishte hipokrizia, në përballjen brenda vendit me problemet social-politike-ekonomike, por edhe me ato jashtë vendit me dy dëshirat paradokse: afrimi me perëndimin, por dhe dëshira për të drejtuar si në diktaturë pa konkurrentë dhe duke e trajtuar opozitën si armike. Për fat të keq, hipokrizia mbetet mëkati i parë të cilin përfaqësuan drejtuesit e politikës shqiptare po edhe drejtuesit e shoqërisë dhe mediave shqiptare nëpërmjet tre aspekteve:
- Vendosja e ish drejtuesve të PPSH në drejtimin politik.
- Vendosja e ish drejtuesve të Organizatave leva të PPSH, ish spiunëve, ish sigurimsave, dhe ish-ave të tjerë të administratës komuniste në drejtimin ekonomik social, arsimor, mjekësor, e të shoqatave OJQ të cilat qarkullonin miliona dollarë.
- Shmangia e të persekutuarve nga drejtimi.
- Shmangia e intelektualëve pa parti nga drejtimi, dhe ata që ishin dërguar në kohën e PPSH me punë larg shtëpive të tyre.
Në këtë mënyrë plotësohej hipokrizia e PPSH për kalimin nga diktatura komuniste në demokraci borgjeze, pa luftë?! Harrohet se nëse gjatë PPSH u vranë me gjyq rreth 7003 persona për 45 vite, gjatë 22 viteve të demokracisë janë vrarë rreth 22.000 individë jo nga gjyqet, por nga anarkia e demokracisë hipokrite shqiptare!
Kjo vërteton hipokrizinë e ish-drejtuesve të PPSH dhe levave të tyre që morën pushtetin demokratik pas komunizmit, e vërteton fjala e Ramiz Alisë më 16 prill në Pallatin e Kongreseve në mbledhjen e KQ PPSH më 16 prill 1990: “Dy gjëra nuk do t’i lejojmë, këto kurrën e kurrës, e para puna e shumë partive, që do të thotë të lejojmë një Parti e Legalitetit apo e Ballit, apo çfarëdo emri t’i thonë... Këtë kurrën e kurrës, sepse kjo do të thoshte tradhti e atdheut, mbaroi pushteti popullor, mbaroi revolucioni; e dyta, ne kurrë nuk do të pranojmë çështjen e pronës private, tregun e lirë të varur mbi pronësinë private, se po bëhet zhurmë e madhe. Kjo do të thotë likujdim i socializmit. Po të vijë puna deri këtu, ta kemi parasysh se këtu jemi në Komitetin Qendror, edhe bar do hamë edhe gjak do derdhim. Këtu s’shkon më dhe s’do shkojë më tej, s’mund të shkojë asgjë. Këtë duhet ta kemi mirë të qartë…”.
Dhe më pas Ramiz Alia në intervistë zbulon djallëzinë:`...Kundërshtarët tanë do t'i nxisim që të krijojnë parti sa të duan, të majta, të djathta dhe të qendrës, por gjithsesi këto parti do duhet të kontrollohen dhe të drejtohen nga ne. Programet e themelimit të këtyre, do t'i formulojmë ne. Në krye të këtyre partive, duhet të nxirren njerëzit, që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin, do të shajë komunizmin, me themel e me çati. Në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e perëndimit, dhe të disidencës antikomuniste. Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, do të flasin për ne, dhe do të na shajnë. Dhe këta dihet që e urrejnë komunizmin, por do të na afrohen dhe do të na përkrahin. Ne na intereson karta morale e tyre. Këta do t'i afrojmë dhe do t'u japim punë të parëndësishme, por kurrë nuk do t'i lëmë të na marrin pushtetin, sepse ata sa të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren, ne kështu do bëheshim hyzmeqarët e tyre.
Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t'u japim edhe kompensim me para, të burgosurit politikë t'i kompletojmë, me komoditetet e banimit. Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t'u japim një letër në dorë që t'u njihet prona, por asnjëherë nuk do t'u japim pronën e tyre, dhe në forma të ndryshme do t'i ngatërrojmë me njeri-tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do zbatohen nga gjykata e shkallës së parë në të dytën etj., dhe për defekte teknike, do të kthehen përsëri në të parën`.Kjo u zbatua edhe në kohën e drejtimit të PD gjatë viteve 1992-1997 në të cilën S. Berisha nuk e miratoi Ligjin themelor, atë të ashtuquajtur të Lustracionit. Ky ligj nëse do të miratohej që më 1993 do të shmangte shumë fatkeqësira që ndodhën nga përplasjet e ish drejtuesve komunistë me njëri tjetrin, tashmë në drejtim të partive të paskomunizmit. Ky ligj edhe sot e kësaj dite nuk po miratohet.Sot pas 22 vitesh për tu përmendur është deklarata e Mesila Dodës, një VIP-e e opozitës së sotme shqiptare, e cila kërkon të krijohet një Komision Hetimor për veprimtarinë anti-popullore të Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxhës. Ky komision mendoj se nuk do të ketë ndonjë efekt mbi shoqërinë e kalbur shqiptare nëse më parë nuk do të miratohet Ligji i Lustracionit, i cili do të ketë edhe efekt simbolik (sepse sot një pjesë e ish drejtuesve politikës të kohës së komunizmit nuk janë), por edhe reale, sepse është i vetmi ligj që mund të bëjë ndarjen zyrtare nga e kaluara komuniste.
Kush janë efektet e tjera negative që pëson shoqëria shqiptare në kohën e demokracisë gjatë transformimit të saj në një shoqëri borgjeze të post-komunizmit:
Janë anarkia, e cila u favorizua dhe favorizohet nga e kaluara që ende drejton. Kjo anarki shprehet në formën e mos zbatimit të ligjit dhe në nxitjen fshehurazi të krimit urban, politik, ordiner, krimit shtetëror, drogë dhe prostitucion.
Janë prishja e hierarkive profesionale, hierarkisë teknokrate, hierarkisë ushtarake, duke mundësuar futjen në drejtim të militantizmit amatorial dhe shkatërrimit të drejtimit ekzekutiv dhe shtetëror e lokal.
Janë hipokrizia e një pjese të klasës ndaj perëndimit, duke deklaruar për dëshirën për integrim dhe nga ana tjetër veprohej në të kundërtën duke vonuar integrimin në BE.
Krimi shtetëror duke nxjerrë në ankand interesat strategjike të Shqipërisë dhe duke u bërë servilë të atyre që paguajnë më shumë,
Shkelja e mospërfillja e ligjit, dhe krijimi i idesë së shkelja e ligjit është një e `drejtë`, në vend që të jetë një qëllim për të dënuar njerëzit që e shkelin atë.
Krijimi i imazhit të keq të Shqipërisë dhe shqiptarëve nëpërmjet nxjerrjes jashtë shtetit të zyrtarëve të korruptuar, zyrtarëve jo-kompetentë, dhe duke krijuar idenë që emigrantët shqiptarë janë ` jashtëqitje e kombit`.
Ky zbulim i efekteve negative të drejtuesve dhe të elitës shqiptare të sotme ka ndikuar drejtpërdrejt në shoqërinë shqiptare, e cila gradualisht krahas emancipimit dhe kërkesës së zbatimit të lirive të të drejtave të njeriut, po zhgënjehet nga drejtimi i parregullt i shtetit shqiptar këto 22 vite por edhe po ndikohet negativisht duke u shthurur qoftë në aspektet e etikës dhe moralit që shprehen në: rritjen e divorceve dhe të aborteve në vend, në rritjen e prostitucionit, por dhe në rritjen e kriminalitetit, dhe të kultivimit e përdorimit të drogës, largimit nga vendi, dhe papunësia e lartë. Sidoqoftë, efekti gjithashtu i rëndësishëm negativ që po gjeneron këto efekte është mos zbatimi i ligjit dhe shkelja e tij në mënyrë sistematike në rradhë të parë nga drejtuesit e pastaj dhe nga njerëz të lidhur me ta.
Maxhoranca qeverisëse duhet që, krahas frazave të bukura, të zbatojë reformat që ka marrë përsipër me qëllim që integrimi i vendit të bëhet real dhe të mos jetë një vazhdim i hipokrizisë politike 22 vjeçare. priftipirro@hotmail.com
Comments (0 posted)
Post your comment