Home | Opinion | Popujt që flenë, vdesin!

Popujt që flenë, vdesin!

image
Ndërsa KGB-ja, projektonte Gorbaçovin, te ne vareshin poetët si Avzi Nelaj në Kukës.

   

 


Nga Robert Papa


 


E nisa  këtë shkrim me një thënie të Ismail Qemalit. Ka pasur të drejtë. Fatkeqësisht, shqiptarët e pëlqyen gjumin dhe kjo u thellua gjatë diktaturës së Hoxhës.
Ne duartrokitëm, heshtëm dhe u tulatëm më shumë nga e gjithë lindja komuniste. PO! Popujt që flenë, vdesin!
Ngriheshin hungarezet, çekosllovakët apo polakët; te ne sundonte injoranca dhe fshatarët, kriminelët dhe  barbarët. Nuk pëlqyen dhunën as Postriba
e as Himara, por edhe deri në fshatrat rreth Tiranës për vite me radhë strehoheshin, anti-komunistët, por pastaj gjumi i gjatë trysnoi çdo ide për liri mendimi. Por as një dritë, dëshirë veprimi.
Pra, shqiptarët flinin, kur bota hiqte peshën e diktatit dhe skllavërisë moderne.
Ndërsa KGB-ja, projektonte Gorbaçovin, te ne vareshin poetët si Avzi Nelaj në Kukës.
Mos u habisni, KGB-ja projektoi Gorbaçovin, largqoftë nëse edhe Sigurimi ynë ka projektuar një imitim te ne që vazhdonim dhe flinin, edhe kur binte Muri i Berlinit, apo kur pushkatohej si qen Çausheshku me Nexhmijen e Bukureshtit.
Po si doli Gorby?
KGB-ja, dhe roli i saj
Në vitin 1985, KGB-ja ishte futur me sukses në aparatin e Partisë, dhe klasa e lartë politike kishte degraduar dhe ishte shumë e korruptuar. Në planifikimin e Perestrojkës, KGB ishte e në krye. Memo nga Drejtoria e 6-të e KGB-së, (drejtoria e Problemeve Ekonomike), nënvizonin se ekonomia sovjetike ishte në prag të falimentimit, ndërsa studime nga Departamenti i Spiunazhit Teknologjik, pranonin se ishin nën nivelin e SHBA.
Në vitin 1980, me një urdhër sekret të Andropovit, u krijua një grup i përzgjedhur ekonomistësh për të analizuar reformat ekonomike në Kinë, Jugosllavi dhe Hungari, me qëllimin për të liberalizuar ekonominë sovjetike. Grupi u shpërbë në vitin 1984, pas vdekjes së Andropovit.
Në vitin 1990, zv/ kryetari i parë i KGB-së, Filip Bobkov thoshte se: “KGB-ja, në vitin 1985 e kuptoi se BS nuk mund të zhvillohej pa perestrojkën.”

KGB-ja po kërkonte një njeri për të shpëtuar BS, dhe gjetëm njeriun e tyre- Gorbaçov. Sipas ndihmësit të Andropovit, Arkady Volsky, në testamentin e Andropovit shkruhej edhe:
“...Shokë, anëtarë të Komitetit Qendror, për arsye të njohura nga ju, unë nuk marr dot  pjesëmarrje aktive në drejtimin e Politbyrosë dhe në Sekretariatin e Komitetit Qendror, ndaj i kërkoj Plenumit të Komitetit Qendror, të rishikojë dhe të ngarkojë me drejtimin e Politbyrosë dhe Sekretariatit, si Sekretar i Përgjithshëm, shokun Mikhail Sergeyevich Gorbachev.”
Por kur kjo iu lexua Plenumit të Komitetit Qendror, kjo frazë ishte hequr dhe Andropov u zëvendësua nga Chernenko, edhe ai i sëmurë për vdekje. Gorbaçov u detyrua të presë edhe një vit, deri në prill 1985, kur hipi në fronin e përgatitur nga KGB-ja.
Në dhjetor të vitit 1984, Gorbaçov kishte kritikuar ashpër ekonominë kapitaliste të tregut, tash kërkonte një “progres tekniko-shkencor”.
Në vitin 1984, Gorbaçov kishte vizituar Anglinë. KGB u interesua shumë për vizitën e Gorbaçovit, duke e paraqitur si një sukses. Kjo u arrit nga shefi i Spiunazhit të huaj, Kryuchkov, të cilin Gorbaçov do ta emëronte kreun e KGB-së. Gorbaçovi, ishte njeriu i KGB-së dhe KGB kishte vendosur të mos luante MS nga prapa perdes, por të dilte hapur ndaj oligarkisë së plakur dhe të degjeneruar. Perestrojka hapi dyert drejt pushtetit për KGB-në.

KGB-ja punoi shumë të ngrinte idhullin e Gorbimanisë dhe hapi shumë lajme diskredituese për Jelsinin. KGB kishte një dosje të gjatë për Gorbaçovin, me materiale diskredituese, kësisoj ai do të luante për KGB-në. Në vitin 1959, KGB-ja po punonte për një lloj perestrojke, për të manipuluar opinionin botëror. Gjatë kohës së Krushovit, KGB-ja hyri në strukturat e larta të partisë. Për 3 vjet, kryetari i KGB-së, Shelepin bëri gjithë përpjekjet të rekrutonte persona me arsim të lartë, të cilët kishin punuar në kërkime shkencore. KGB-ja ngriti bazën e pushtetit të ardhshëm. Në vitin 1961, Shelepin u transferua në pozicionin e sekretarit e Komitetit Qendror. Tre vjet më vonë, ai ishte ndër regjisorët që hoqën Krushovin. Rol kryesor në këtë puç, luajti Vladimir Semichastni, një tjetër çekist që kishte qenë sekretar i Konsomolit.
Po Uashingtoni, nga cila anë e donte Tiranën?
Ja çfarë shkruante në vitin 1983, Xhezi Helms për Presidentin Regan
Helms paraqet qartë gjendjen e Shqipërisë- Burg:

“Ka 18 kampe përqendrimi, 6 burgje politike dhe 4 batalione të punës me forcë. Më të egrat janë burgjet politike, si burgu i Burrelit dhe burgu i Ballshit, më i madhi me 6 mijë të burgosur. Kampet e përqendrimit, “të mbyllura” si kampi i Spaçit, një minierë nikeli, ndërsa kampet në Fier dhe Ishëm janë kampe për punë me forcë, duke mohuar të gjitha kërkesat humane. Në vitin 1975, larg dëshpërimit, të burgosurit e Spaçit, morën nën kontroll kampin, pasi vranë rojet dhe e mbajtën për tre ditë. Përfundimisht u shtypën nga dy kolona ushtarake, një e dërguar nga Tirana, një nga divizioni i veriut me komandë në Shkodër. Të gjithë të burgosurit, 3500 vetë, u ekzekutuan. Kampi u rimbush nga  mbështetësit e Beqir Ballukut, elemente pro-sovjetikë në forcat ushtarake që u përjashtuan pas pushkatimit të Ballukut, ministër i mbrojtjes.”

Uashingtoni është informuar për Spaçin, për revoltën. Helms njofton se janë pushkatuar të gjithë të burgosurit. Shifrat nuk ishin të tilla por dhuna ndaj tyre ishte mizore. Nuk ishte e lehtë të merrej një informacion nga Shqipëria, edhe pse CIA, duhet të ketë pasur edhe spiunë, mbase deri afër bllokut. Helms, ndalet gjatë në kushtet e burgjeve dhe  kampeve të internimit, ose kampet e punës me forcë, për të bindur Reganin se klika e Tiranës ka ngritur një burg të madh ku shtypet një popull, edhe pse ka elemente rebelimi, por fatkeqësisht janë elemente pro-sovjetikë.
Burgjet e Hoxhës, krijojnë ndikim deri te një figurë e madhe e senatit amerikan, kreut të Politikes së Jashtme, Helms. Ai ka informacion të gjerë dhe të detajuar, ndaj vazhdon në raportin e tij për presidentin Regan:

“Kampet e përqendrimit të hapura, si ai i Vlorës ose tjetri në Mamurras, janë kryesisht bujqësore, ku njerëzit detyrohen të raportojnë tre herë në ditë te komisari i tyre lokal. Batalionet e punës, shkojnë aty ku i urdhërojnë të kryejnë punë të renda ndërtimi. Pavarësisht nga komitetet e partisë dhe sistemi i spiunëve, po manifestohen akte rebelimi kundër regjimit. Edhe pse elementët pro-jugosllavë janë eliminuar, disa elementë pro-sovjetikë kanë filluar të ngrenë kokë. Ndjenja nacionaliste e fshehtë dhe e pa koordinuar është e fjetur, por e tregon prezencën e saj mes akteve të sabotazhit. Ka pasur disa lëvizje pajtimi nga sovjetikët, haptas dhe  fshehtas. Lëvizja më e hapur është bërë nga vet Andropovi, e raportuar nga Pravda më 29 nëntor 1982.”

Pse nuk u bashkua Hoxha me Moskën?! Vallë kishte frikë se Moska do rehabilitonte Shehun dhe nuk do të garantohej jeta e familjes së tij?! Ngelet enigmatike dhe e pashpjegueshme. Mbase përgjigja duhet kërkuar te Nexhmije Hoxha dhe presionet që vinin nga Beogradi. Në lojë ishte Kosova. Hoxha dhe Alia nuk e donin Kosovën e ndarë nga Beogradi, ndaj nuk afrohen me Moskën. Bashkimi Sovjetik kishte nxitur revoltat në Jugosllavi, duke kërkuar pas shumë vitesh raportin e Jaltës, 50 me 50. Jugosllavia kishte dalë nga raporti i Stalinit. Hoxha ka qenë i sëmurë. Nuk kalkulonte dot, edhe pse ftoi një gjerman të krahut të djathtë, Shtraus. Lëvizje dyshimi dhe dëshpërimi. Thesari dhe arkivi i Hoxhës ishte dhe është në Vjenë. Austriakët, me kohë kishin njoftuar Uashingtonin se Hoxha donte të hapej nga Amerika, por Uashingtoni nuk kishte besim te klika e Hoxhës dhe kujtonin se ai bënte lojën e Moskës edhe pse kishte dalë, ose më mirë ishte dëbuar nga Traktati i Varshavës.

Spostimi i Politikës së Jashtme Shqiptare
Uashingtoni, mes vendeve ballkanike, Shqipërinë e shikon si lojtarin kryesor dhe faktorin ndryshues jo vetëm të kufijve mes shteteve në Ballkan, por edhe kontrollorin e largimit të ndikimit sovjetik. Në vitin 1948, Tito e kishte braktisur Tiranën, por as Moska nuk donte të kishte kontroll ndaj Shqipërisë. Të kujt ishim? As të Uashingtonit, as të Moskës. Tokë e askujt! Një tokë neutrale, apo eksperimentale. Stalini u largua vetë nga Jugosllavia dhe e la Titon nën kontrollin e perëndimit. Tito nuk donte të merrte Shqipërinë se kishte frikë se mos ndërhynte Bashkimi Sovjetik ushtarakisht, kurse Stalini nuk ishte interes që Tirana të ishte satelit e tij, ndaj Hoxha nuk u thërrit as në takimet e partive komuniste, as në Byronë Komuniste. Stalini nuk e pëlqente Hoxhën. Diktatori shqiptar kishte qenë me fat, falë servilizmit të tij dhe krimeve të Mehmet Shehut, Berias shqiptare, që donte të mbante larg Kapon, njeriun e Beogradit por edhe të zgjedhurit të Hrushovit për t´i zënë vendin Hoxhës.
Ja se si e analizon komunizmin shqiptar dhe fatin e Hoxhës, Xhezi Helms, në raportin e tij, “Congressional record-senate”: “Në vitin 1948 elementët pro-titistë, nën Koci Dzoxha, u përpoqën për një grusht shteti kundër regjimit të Enver Hoxhës, por u zbuluan dhe u shkatërruan nga Forcat e Sigurimit.


Më 1960, kur Nikita Khrushchev po predikonte detantën, ai ndërmori një udhëtim në Ballkan, përfshi Bullgarinë, Shqipërinë dhe Jugosllavinë. Qëllimi parësor i këtij udhëtimi ishte të siguronte bashkëpunim për politikën e tij të detantës. Qeveria shqiptare, sipas nevojave të saj për të mbajtur nën kontroll të rreptë popullin e saj, nuk kishte dëshirë të pranonte procesin. Sakaq, Khrushchev hyri në marrëveshje sekrete me marshallin Tito në Jugosllavi, duke e siguruar që BS nuk do ndërhynte nëse një grusht shteti pro- jugosllav  do të kryhej në Shqipëri.
Reagimi nga regjimi në Tiranë, ishte i menjëhershëm. Në një Mbledhje të Komunistëve botërorë në Moskë, 1961, Enver Hoxha denoncoi intrigat e Khrushchevit, e shau personalisht dhe doli jashtë nga mbledhja. Ai gjeti strehim te Republika Popullore e Kinës. Ndërkohë ai shtypi elementët pro-jugosllavë në Shqipëri. Pas disa përplasjeve të ashpra, regjimi i Hoxhës mori bazën ruse të nëndetëseve në Shqipëri, duke iu dhënë diplomatëve dhe teknikëve sovjetikë, 12 orë të largoheshin nga vendi.”
Helms, na paraqet largimin e Hoxhës nga Moska, por në fakt ishte Moska që braktisi Tiranën. A kishte mundësi që ushtria e Hoxhës të  përplasej me ushtrinë e fortë sovjetike?! Sovjetikët ikën nga baza e Vlorës, duke e lënë Shqipërinë, përsëri tokë e askujt. Uashingtoni nuk tregoi asnjë interes për të ndërhyrë në Shqipërinë që vijonte në izolimin e thellë. Për Uashingtonin, ikja e Moskës nga Shqipëria ishte një dhuratë apo, një pjesë e skenarit të vjetër, ku Shqipëria nuk ishte as e Uashingtonit, e as e Moskës?! Befas në lojë hyn Kina. Amerikanët nuk shqetësohen, edhe pse  e dinë se nga Shqipëria Kina ndërtoi baza për stërvitjen e terroristëve.
Helms i tregon me durim Reganit, përse Hoxha kaloi drejt Pekinit.
“Lidhja e Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës, ishte me interes të përbashkët. Për shqiptarët, ofroi siguri dhe ndihma teknike. Kina e Kuqe kishte nevojë për një gojë në OKB dhe një vend që mund të irritonte Bashkimin Sovjetik duke ngatërruar edhe vende të tjera satelite si Rumania dhe Çekosllovakia. Kjo i dha spiunazhit kinez një rrjet penetrimi në Kaukaz dhe baza trajnimi në Europë për veprime terroriste. Aleanca jo e lehtë zgjati deri më 1875, kur nevojat e Kinës për Shqipërinë ranë shumë.
Reagimi i Tiranës, ishte prishja e lidhjeve diplomatike më 1978, të cilat i rivendosi më 1979, por në një shkallë më të vogël. Që nga marsi n1978 Shqipëria nuk kishte pasur asnjë lidhje ideologjike, por kishte degën e  marksizëm-leninizmit të vet dhe asnjë lidhje me asnjë vend komunist. Kjo e vë Shqipërinë në një pozitë të vështirë, jo vetëm e pa lidhur me vendet komuniste, por as me botën perëndimore, dhe kjo e bën Shqipërinë shumë të prekshme për ndryshimin e qeverisë.”
Pra, sipas Uashingtonit, vendi komunist më i lehtë për të përmbysur regjimin, ishte Shqipëria. Nëse ne do të kishim pasur një klasë disidente dhe një ndjenje kombi rebel, do ta kishin hequr Hoxhën, por shqiptarët tregonin se pranonin zgjedhën edhe pse jetonin në kushte ferri.
Helms, kërkon ndihmën e Reganit:
“Zoti President, më 15 dhjetor, të vitit të shkuar, unë shpreha shqetësimin tim në senat për uverturën që lideri sovjetik, Yuri Andropov i bëri Shqipërisë komuniste. Dua t´iu them se të njëjtën gjë po bën sot, Pekini.
Zoti President, kërkoj që tre artikujt nga Wall Street Journal and një tjetër nga Washington Post, që përshkruajnë uverturën e re të Kinës s Kuqe ndaj Shqipërisë komuniste, të shtypen në records si konkluzion i vlerësimeve të mia.
Zoti President, në vend që ta lejojmë rajonin e Ballkanit të shpërthejë si pasojë e manipulimit sovjetik, Perëndimi duhet të këshillohet më mirë  të kërkojë një evolucion natyral në këtë zonë. Një evolucion i tillë duhet bazuar në parime të drejta që do siguronin integritetin dhe sovranitetin e kombeve të ndryshme   brenda kufijve të tyre natyrale etnografike.
Rënia e Murit të Berlinit, nuk u ndie në Shqipëri. Shqiptarët flinin. Alia nuk ishte realist. Ai viziton Nju Jorkun ne shtator 1989. Aty ka një takim me Shevernazed. Kjo ishte një lëvizje sfiduese ndaj Uashingtonit. Por, Moska kishte problemet e saj dhe Gorbaçovi nuk do të ketë pasur ndonjë interes për Tiranën. Gorby kishte lira të gjitha vendet e Traktatit të Varshavës, duke iu thënë se duhej të mbaheshin mbi këmbët e tyre. Të gjithë diktatorët e linde ishin mësuar të ishin si kukulla të Moskës, e jo të drejtonin vetë. Kjo solli rëniën e Lindjes, ose vetëvrasjen e komunizmit.
Po Alia?
Ramiz Alia nuk ishte si diktatori Hoxha.Nuk ishte aq kriminel dhe aq gjakatar, por ishte peng i së kaluarës dhe kontrollit nga Nexhmije Hoxha. Çfarë i dinte, si sekrete, ledai makbethi shqiptar!?
Alia duhet të flasë dhe të tregojë të vërtetën. Ai evitoi gjakderdhjen, por a nuk duhet të mbajë përgjegjësi për këtë lloj pluralizmi të dështuar!?
Shqiptarët fjetën gjatë. Na e vranë zgjimin. Një popull që për 50 vjet morri si hashish komunizmin dhe për 500 vjet si hashash letargjik, durimin. Ndaj sot, akoma shqiptarët dremisin.
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00