Home | Opinion | "Një jetë e lumtur në ferr"

"Një jetë e lumtur në ferr"

image
Gjithçka tjetër ishte vetëm arsyetim”. Sepse, shton ai, “njerëzit në thelb janë kriminelë potencialë, kjo është absolutisht e sigurt”. S’është e thënë që lexuesit të pajtohen me të gjitha që thotë rumuni parisien, por fjalët e këtij mjeshtri të teprisë s’të lënë indiferent në asnjë mënyrë.

 

 

 

Enver Robelli

 

 

 

 

 

Zhytës në themelet e tmerrit: biseda me intelektualë të shekullit XX, nxjerrë nga një libër me faqe të zverdhura të publicistit dhe snobit gjerman Fritz J. Raddatz

 

Fritz J. Raddatz është njëri prej publicistëve më me nam të Gjermanisë. Viteve të fundit, në moshë të shtyrë, ai ka botuar ditarët e tij, një konglomerat me ese, recensione, sharje, përshkrime dashamirëse dhe dashakeqëse të shkrimtarëve gjermanë dhe të tjerë, kritika gastronomike, debate për historinë gjermane, trajtesa të së kaluarës dhe ideologjive të saj – komunizmit, fashizmit, nazizmit. Si shef i rubrikës së kulturës në të përjavshmen e famshme gjermane “Die Zeit”, Raddatz ka nxitur debate, u ka paraprirë polemikave, ka zhvilluar intervista legjendare dhe ka shkruar nja tridhjetë libra (mes të tjerash për Heinrich Heinen, Karl Marxin, Kurt Tucholskyn).

 

Mst: Goethe në stacionin e trenit

 Përtej këtyre temave, në kujtimet e tij Fritz J. Raddatz prezantohet si snob i papërmirësueshëm, i cili mund të zemërohet përse edhe në hotelet më të mira të Berlinit çajin e sjellin në qeskë. Kjo, sipas tij, është diçka pa stil. Kostumet e tij janë ekstravagante, këpucët po ashtu, shalli, dorëzat... Një dandy që me pamjen e tij sikur dëshiron t’u thotë të tjerëve: luksi duhet të tregohet me çdo hap. Gjatë fluturimit të tij intelektual, Raddatz u rrëzua papritmas në vitin 1985: në një artikull të shkruar me rastin e Panairit të Librit në Frankfurt, ai e kishte përshkruar shkrimtarin e madh gjerman Johann Wolfgang von Goethe në stacionin e trenit në Frankfurt. Si burim i informatës atij i kishte shërbyer një gazetë zvicerane, e cila në një satirë e kishte mbjellë Goethen në stacionin e trenit në këtë qytet gjerman.

 

Por, shumë shpejt e vërteta u zbulua nga mediet e tjera: në kohën e Goethes stacioni i trenit në Frankfurt as që kishte ekzistuar. Gjuetia mediale kundër Fritz J. Raddatzit ishte e pamëshirshme. Gazetat e ndoqën atë si të ishte një kaproll midis fushës derisa u largua nga posti i shefit të rubrikës së kulturës dhe u rehatua si korrespondent i temave kulturore në “Die Zeit”.

 

Në këtë funksion Raddatz zhvilloi intervista me disa nga intelektualët më të mëdhenj të shekullit XX. Në fakt, nuk janë intervista, por dialogë, kacafytje të nivelit të lartë intelektual, ballafaqim qëndrimesh, diskurse gërvishtëse mbi temat e mëdha që tundin botën. Këto bashkëbisedime janë zhvilluar mes viteve 1986 dhe 1995 dhe një vit më vonë janë botuar në një libër, faqet e të cilit ndërkohë janë zverdhur paksa, por aq më e madhe është vlera e asaj që thonë të intervistuarit: shkrimtarë, filozofë, kritikë arti, luftëtarë kundër nazizmit, adhurues të penduar të komunizmit.

 

Silogjizmat e hidhësisë

 Në krye të librit është vendosur intervista me Émile M. Cioran (1911-1995), një rumun, i cili nga viti 1937 jetoi në Paris, duke lënë gjurmë si filozof i nihilizmit dhe vazhdues i traditës së Kierkegaardit, Nietzsches dhe Wittgensteinit. Cioran mbron me fanatizëm filozofinë e fatalizmit dhe qëndrimet e tij se historia e botës është histori e së keqes dhe një epos i çmendurisë. Rrjedhimisht, ai thotë: “Sot mendoj se për mua do të ishte shumë më mirë të kisha mbetur çoban në fshatin prej nga rrjedh. Gjërat thelbësore do t’i kisha mësuar edhe aty si tani. Atje do të isha më afër së vërtetës. (...) Do të ishte më mirë të jetoja me kafshët, me njerëzit e thjeshtë, me barinjtë. Kur shkoj, për shembull, në vende shumë primitive, për shembull në Spanjë apo Itali dhe flas me njerëz shumë të thjeshtë, përherë kam përshtypjen se e vërteta gjendet te këta njerëz”.

 

Meqë ka rrëshqitur në civilizim, në Paris, Cioran shkruan, sepse për të shkrimi është shpëtim: „Shkruaj në vend se të grushtohem me njerëz... (...) Për mua ky është një lehtësim i madh. Besoj se sikur të mos kisha shkruar rruga ime do të kishte marrë një kah edhe më të keq. (...) Të publikosh është diçka shumë shëruese. Të publikosh është çlirim, është njëjtë si t’ia japësh një shuplakë dikujt. Sepse kur publikoni atë që keni shkruar, atëherë kjo është jashtë jush, nuk ju takon më. Kur e urren dikë, atëherë duhet ta shkruash njëqind herë: këtë tip e urrej, dhe pas gjysmë ore ti çlirohesh”. Kështu, me këto “silogjizma të hidhësisë”, Cioran eci nëpër jetë, duke mos marrë asgjë seriozisht dhe “të vetmen gjë që mora seriozisht ishte konflikti im me botën.

 

Gjithçka tjetër ishte vetëm arsyetim”. Sepse, shton ai, “njerëzit në thelb janë kriminelë potencialë, kjo është absolutisht e sigurt”. S’është e thënë që lexuesit të pajtohen me të gjitha që thotë rumuni parisien, por fjalët e këtij mjeshtri të teprisë s’të lënë indiferent në asnjë mënyrë.

 

I intervistuari i radhës është Michel Tournier, shkrimtar francez, mik i presidentit François Miterrand, njohës i shkëlqyer i raporteve francezo-gjermane. Tournier flet së pari për pritjet që publiku në Francë ka ndaj politikanit. Sipas tij, një figurë publike dhe sidomos një politikan duhet të ketë sens për letërsi, të jetë së paku njohës i veprave kryesore, me një fjalë i romaneve të mëdha, sepse ndryshe një ministër, ta zëmë, nuk është i pranueshëm në Francë.

 

Kur një ministër francez i kulturës kishte thënë se çdo ditë e lexonte ditarin e Gustave Flaubertit, njohësit e letërsisë ishin habitur për shkak se Flaubert s’ka shkruar ditar. Diçka e tillë s’do t’i kishte ndodhur Miterrandit, ai kishte mjaft njohuri për letërsinë. Por, këmbëngul Tournier, hendeku mes politikanit dhe artistit është i madh: politikani do rend, artisti synon ta prishë rendin.

 

Socialisti nga Zemuni

 

 Një ndër intervistat më mbresëlënëse është ajo me Oto Bihalji-Merin, i lindur në Zemunin austrohungarez, një qytet afër Beogradit, i cili bashkë me Georg Lukácsin kishte drejtuar në Berlin revistën “Linkskurve” (“Kthesa e majtë”), tok me Picasson kishte organizuar në Londër ekspozitën “Twentieth Century German Art”, me Hemingway dhe Malraux kishte marrë pjesë në luftën e Spanjës, me Thomas Mannin kishte diskutuar për Joyce dhe me William Faulknerin për Kafkën. Gazetar, historian arti, shkrimtar, komunist - Oto Bihalji-Merin mishëronte shekullin XX me të gjithë qorrsokakët ideologjikë.

 

Bihalji-Merin e quante veten “pesimist gazmor”, i cili ishte trishtuar kur kishte parë se si pas vdekjes së një fqinji rom disa njerëz të huaj po ia plaçkitnin shtëpinë. Përjetime të tilla rinore e kishin shtyrë atë të bëhej socialist: “Nuk jam bërë socialist me libra, por përmes përballjes me jetën e vërtetë. Librat më kanë ndihmuar. (...) Kurrë nuk e kam vënë në dyshim idenë e socializmit, por gjithsesi ngushtësinë dogmatike të partisë dhe sukseset relativisht të vogla gjatë shndërrimit të utopisë në shkencë dhe të shkencës në jetë praktike. (...) Marxi ka gabuar. Ai ka thënë se socializmi do të nisë atje ku kapitalizmi është zhvilluar më së shumti. Ai ka qenë një analist i shkëlqyeshëm, por profet i keq. Në vendin më të fuqishëm të kapitalizmit u krijua fashizmi dhe në vendin më të dobët depërtoi klasa punëtore dhe u përpoq të realizojë socializmin.

 

Deri më tani ajo nuk ka arritur asgjë”. Në intervistën e realizuar në vitin 1988, Oto Bihalji-Merin shikon prapa me ndjenja të përziera: “Në këtë ferr kam bërë një jetë të lumtur – i përmbushur, me plot punë dhe i rehatuar në një dashuri të përhershme. Por ky nuk është fat i bardhë. Dhe as iluminizëm i bardhë. Iluminizmi im është iluminizëm i zi – në stilin e Goyas. Ky është pesimisti brenda optimistit”.

Uria, krimi dhe mjerimi

 

 Më 23 mars 1990, në “Die Zeit” Fritz J. Raddatz botoi intervistën me shkrimtarin peruan Mario Vargas Llosa, i cili në atë kohë më shumë flet për politikë, sepse për këtë ka arsye: kandidon për postin e kryetarit të Perusë. Përpjekja e tij për t’u bërë i pari i shtetit qe e pasuksesshme, por motivet që e kanë shtyrë Llosan, laureatin e mëvonshëm të çmimit “Nobel” për letërsi, të merret me politikë të lartë janë fisnike.

 

Ai ankohet për plagët e varfërisë, të cilat nuk mund të hiqen me etiketa “socialiste” apo “socialdemokrate”. Realiteti, thotë ai, janë lagjet e mjerimit në Lima, kryeqytet i Perusë. Ai ankohet se gjuha e politikës është e topitur, ajo punon detyrimisht me klishe, është e vrazhdë në vend se të reflektojë. “Nuk ka liri në një shoqëri ku mbretërojnë uria, krimi dhe mjerimi”, nënvizon Llosa – një porosi që godet si thikë e mprehtë edhe në realitetin e sotëm të zymtë kosovar.

 

Në këtë frymë mund të lexohet edhe intervista me shkrimtarin rus Aleksander Solzhenicin. Analiza që ai i bën konceptit të lirisë mund t’u shërbejë shoqërive shqiptare kudo në Ballkan. Disidenti rus ankohet se njerëzit e shohin lirinë vetëm në raport me të drejtat e tyre dhe jo në raport të kufizimit – domethënë: liria nuk është mundësi për të bërë çdo batakçillëk, por rast për t’u kufizuar. Arsyet e sjelljes së papërgjegjshme të bashkëkombësve të tij ndaj lirisë Solzhenicin i sheh te themelet e revolucionit rus që përfaqësohet nga Vladimir Iliq Lenini.

 

“Lenini që në kohën para revolucionit, kur ishte në Zvicër, thoshte: ‘Natyrisht ne menjëherë do t’i vrasim tetëqind pronarë të mëdhenj tokash’. Sapo filloi revolucioni ai dërgoi telegrame sekrete, në muajin e parë: ‘Vrasje! Vrasje! Vrasje! Sa më shumë, aq më mirë! Assesi të mos keni mëshirë!’ Jam i sigurt se ai nuk kishte aspak përfytyrime etike! Ai kishte vetëm këtë bindje: sapo të merrte pushtetin në duar, të bënte çfarë t’i tekej”.

“Vrasje! Vrasje! Vrasje!”

 

Për fat të keq shkolla sovjetike u ndoq edhe në vende të tjera – nga Polonia, Hungaria, Jugosllavia (deri më 1966) e gjer në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Kur ky model konsiderohej i varrosur përgjithmonë, ai u ringjall nga pushtetarët e sotëm në Kosovë, nëse shikohen mirë veprimet e tyre menjëherë pas luftës së viteve 1998/99. “Vrasje! Vrasje! Vrasje!” – ky ishte edhe urdhri i jo pak të ashtuquajturve çlirimtarë gjatë dhe sidomos pas luftës së fundit në Kosovë. Nuk qe urdhër për ballafaqim me ushtarë e policë të Beogradit, por për likuidim të rivalëve politikë shqiptarë.

 

Braziliani Jorge Amado, autor i 29 romaneve të përkthyera në mbi 50 gjuhë, edhe ky i intervistuar nga Raddatz, tregon se arma më e fuqishme kundër së keqes janë humori dhe buzëqeshja, jo dhuna. Amado, edhe ky komunist i penduar lehtë, thotë: “Për mua diktatura është tragjedi e politikës. Nganjëherë mendoj se ideologjitë janë fatkeqësia e kohës sonë. Nëse mendimi krijues përmbytet në teori, në nocione dogmatike, a nuk frenohet përparimi njerëzor me rregulla të pandryshueshme? Unë ëndërroj një revolucion pa ideologji, në të cilin fati i njeriut, e drejta e tij për të ngrënë, për të punuar, për të jetuar, për ta jetuar jetën plotësisht, nuk i nënshtrohet asnjë koncepti të shprehur apo imponuar prej çfarëdo ideologjie.

 

Një ëndërr absurde?

 

Nëse nuk mund ta thuash dhe shkruash publikisht mendimin tënd, atëherë kjo nuk është demokraci. Nëse nuk ekziston më shumë se një parti politike, e cila konkurron në zgjedhje, atëherë kjo nuk është demokraci. Ka qenë rrenë e madhe në të gjitha fushat. Merreni racizmin. Në Bashkimin Sovjetik flitej për bashkëjetesën vëllazërore të racave dhe kombeve. Kjo ka qenë gënjeshtër”.

 

Derisa në fillim e cituam Émile M. Cioran si filozof të fatalitetit dhe refuzimit, ky shkrim duhet të përmbyllet me Jorge Semprúnin, i mbijetuar i kampit nazist të shfarosjes në Buchenwald, i cili në gjysmën e dytë të shekullit XX la gjurmë si shkrimtar, humanist dhe ministër i Kulturës i Qeverisë së Spanjës. Intervista e tij është kundërpërgjigje Cioranit dhe apel për intelektualët që të angazhohen në politikë.

 

Semprún thotë: “Kur dëgjoj tani, për shembull, se një shkrimtar duhet të angazhohet vetëm përmes shkrimit, kjo më bën të qesh. (...) Përse vetëm përmes shkrimit? Përse nuk duhet të angazhohet ai edhe në dashuri, në politikë, t’i shfrytëzojë përvojat apo çfarëdo tjetër”. Përse?

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00