Simbolika e Beogradit
Djemtë e Kombëtares dëshmuan edhe një herë se shqiptarët e mirë dhe të ndershëm mbeten gjithmonë patriotë, por shkëndija e patriotizmit dhe iniciativa për të vepruar në interest të kombit mbahet gjallë kryesisht në Diasporë.
Dr Gëzim Alpion
Universiteti i Birminghamit, Angli
Çfarë ndodhi në mbrëmjen e 14 Tetorit në Beograd i kalon përmasat e një skandali për sportin në përgjithësi dhe Europën në veçani. Në kontinentin tonë që mburret, deri diku me të drejtë, se për më shumë se dy mijëvjeçarë po i jep tonin civilizimit bashkëkohor, falë një numri të konsiderueshëm trushplarësh, Serbia vazhdon të këmbëngulë në çmedurinë e saj për të mos hequr dorë nga e kaluara kriminale.
Nuk duhet të fusim në një kallëp të gjithë qyetarët serbë, por ka diçka seriozisht të kalbur në një shtet militarist si Serbia që nuk është në gjendje të kontrollojë Kalibanët e nacionalizmit vetshkatërrues serb edhe në një ndeshje futbolli.
Për ne shqiptarët, korrektësia profesionale dhe vendosmëria e futbollistëve tanë për të mbrojtur, qoftë edhe më rrezik jete, simbolin kombëtar, megjithëse të rrethuar nga nje turmë që më shumë dukej sikur ishin kriminalë të porsa liruar nga burgu sesa sportdashës, dëshmoi edhe një herë se patriotizmi ynë është gjallë dhe i shëndetshëm.
Një gjë nuk e kuptoj. Si ka mundësi që ne shqiptarët që u bashkuam si rrallë ndonjëherë me 14 Tetor, kemi lejuar kërmat e politikës shqiptare të bëjnë pazarllëqe me trojet tona si dje edhe në kohën tonë? Si ka mundësi që ne që skuqëm dje Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin me flamurin kombëtar, nuk e kemi bërë një gjë të tillë në Tiranë ku për nje çerek shekulli tolerojmë një Kuvend gjysmak ku strehohen shpesh kriminelë dhe rrugeçër, në Prishtinë ku edhe 4 muaj pas zgjedhjeve akoma nuk ka një qeveria të re, dhe në Shkup ku edhe mumjet e Egjiptit duken më të gjalla se deputetët shqiptarë .
Djemtë e kombëtares dëshmuan edhe një herë se shqiptarët e mirë dhe të ndershëm mbeten gjithmonë patriotë, por shkëndija e patriotizmit dhe iniciativa për të vepruar në interest të kombit mbahet gjallë kryesisht në Diasporë.
Kryeministri Edi Rama duhet të protestojë pa vonesë pranë qeverisë së Serbisë për katrahurën e Beogradit. Në fakt ai duhej të kishte protestuar që kur u njoftua se asnjë përkrahës i kombëtares tonë nuk do të lejohej të ndiqte ndeshjen në stadium. Politika e shtetit nuk bëhet me deklarate boshe në Facebook dhe Twitter, siç është bërë traditë tashmë në Shqipëri.
Po qe se Serbia nuk kërkon falje zyrtarisht për skandalin në stadiumin ‘Partizani’ dhe Rama përsëri ngul këmbë të vizitojë Serbinë, siç është planifikuar, ndoshta është mirë që ai të qëndrojë në Beograd. Kur gjenden me shpinë nga muri, udhëheqësit tanë, që shquhen për arrogancë dhe doze të holluar patriotizimi, bëhen të mençur si me magji.
Comments (0 posted)
Post your comment