Futbolli në Ballkan/ Një shkëndijë bie në fuçinë e barutit
Bashkimi Europian ka punuar pa u lodhur që prej atëherë për të pajtuar dy palët dhe ka bërë një progres domethënës në këto dy vite.
Tim Judah
Asgjë më shumë se një ndeshje futbolli nuk i nxjerr në sipërfaqe tensionet etnike që ziejnë.
Nuk ka pasur dashuri mes serbëve dhe shqiptarëve për më shumë se një shekull, dhe në kohët moderne, beteja për Kosovën i ka ndarë akoma më shumë dy popujt. Në vitin 1999, shqiptarët etnikë luftuan ndaj serbëve në Kosovë, ish-provincën serbe, e cila u nxor nga kontrolli i serbëve prej NATO-s. Në vitin 2008, shumica shqiptare në Kosovë deklaroi pavarësinë.
Bashkimi Europian ka punuar pa u lodhur që prej atëherë për të pajtuar dy palët dhe ka bërë një progres domethënës në këto dy vite.
Por këto përpjekje hasën në një pengesë të ashpër më 14 tetor, kur një ndeshje futbolli në Beograd mes Shqipërisë dhe Serbisë degjeneroi në një trazirë të çuditshme. Ndeshja kualifikuese për Kampionatin Europian 2016 do ishte e tensionuar. Skuadrat e të dyja vendeve nuk kanë luajtur kundër njëra- tjetrës që prej vitit 1967. Duke pasur frikën e dhunës, miqtë ndaluan tifozët shqiptarë që të vijnë në stadium. Që në fillim ishte e qartë se shpresat për një pajtim miqësor përmes sportit do ishin të pamundura, kur tifozët serbë nisën të fishkëllejnë himnin kombëtar shqiptar.
Por për futbollin ballkanik diçka e tillë është normale: tifozët shqiptarë kanë djegur flamurin maqedonas dhe fanatikët serbë kanë fyer boshnjakët duke kënduar “Thikë, tela me gjemba, Srebrenica”- duke iu referuar vrasjes masive të mbi 8 mijë boshnjakëve në vitin 1995 nga forcat serbe.
Gjysma e parë e ndeshjes vazhdoi pa ndonjë incident serioz. Por në minutën e 41-të, një drone i vogël nisi të zukasë në stadium. Poshtë tij ishte një baner me hartën që ëndërrojnë nacionalistët e Shqipërisë së Madhe, ku përfshihen Shqipëria, Kosova, disa pjesë të jugut të Serbisë, Maqedonia dhe Greqia. Po ashtu tregoheshin portretet e dy prej baballarëve të pavarësisë së Shqipërisë dhe simboli i pagabueshëm i kombit, shqiponja me dy krena.
Por ndërsa droni vinte duke u ulur, një lojtar serb e kapi dhe e tërhoqi poshtë. Dy lojtarë shqiptarë ia morën me shpejtësi. Kjo solli një pushtim të fushës pasi tifozët serbë nxituan që të sulmojnë shqiptarët. Në një akt të rrallë kalorësiak, disa lojtarë serbë ndihmuan duke mbrojtur shqiptarët, ndërsa ata vraponin, çka solli edhe ndërprerjen e ndeshjes.
Policia serbe më pas nisi që të kontrollojë delegacionin prej 45 personash nga Shqipëria- ku kishte edhe kosovarë, të cilët nuk mund të formojnë skuadrën e tyre për shkak se Serbia dhe aleatët e saj kanë bllokuar Kosovën që të bashkohet me organizatat ndërkombëtare futbollistike.
Ministria e Brendshme e Serbisë i tha më vonë shtypit se oficerët e saj kanë arrestuar vëllain e Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, që thuhej se kontrollonte dronin.
Historia e arrestimit ishte e pavërtetë, dhe një grup tifozësh shqiptarë nga Maqedonia morën përsipër përgjegjësinë për mjetin fluturues, edhe pse deri më tani nuk ka asnjë provë.
Por dëmi politik ishte bërë dhe Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Serbisë, po e përsërit pohimin.
Vitet e fundit, Novak Xhokoviç, një tenist serb, aktualisht i renditur si më i miri në botë, ka bërë mrekulli për reputacionin ndërkombëtar të vendit të tij, duke u dhënë të huajve diçka për ta lidhur me Serbinë, përveç së kaluarës së përgjakshme.
Por për fat të keq, një episod i tillë e rikthen sportin ballkanik në rolin historik si një forcë që ndan, në vend që të bashkojë. Në memorien kolektive të ish- Jugosllavisë janë akoma trazirat që shpërthyen në Kroaci në vitin 1990 gjatë ndeshjes mes Dinamos së Zagrebit dhe Yllit të Kuq të Beogradit.
Ato shihen gjerësisht si një pikë kthese, që solli luftën, e cila konsumoi vendin. Pamjet e shqiptarëve në mbarë rajonin, duke festuar atë që shumë e shihnin si një marifet të guximshëm për të turpëruar serbët, ka shumë gjasa që të konfirmojnë paragjykimet më të këqija dhe më të vrazhda të të huajve për njerëzit në Ballkan: ata janë të dhunshëm, nacionalistë dhe nuk e meritojnë një vend në BE, siç pretendojnë. Pasojat direkte të këtij dështimi mbeten për t’u parë.
UEFA, trupa qeverisëse e futbollit europian, nuk ka njoftuar akoma nëse do ketë sanksione mbi ndonjë skuadër.
Zoti Rama ka planifikuar që të udhëheqë më 22 tetor të parën vizitë zyrtare të një udhëheqësi të lartë në Serbi që prej 68 vitesh; por ky gjest i fuqishëm simbolik është në rrezik dhe një burim i lartë shqiptar tha se shanset që ai të shkojë janë duke u zvogëluar me kalimin e orëve.
Spektakli, për të ardhur keq, është një kujtesë e fuqishme si për rëndësinë e integrimit të Ballkanit- brenda rajonit dhe me pjesën tjetër të Europës- por edhe se sa larg nga realiteti janë ëndrrat. “Isha i shokuar dhe i depresionuar”, tha Fatos Lubonja, një shkrimtar i njohur shqiptar, që po prezanton një libër në Londër.Kjo ngjarje, tha ai, “tregoi se sa të brishta janë shoqëritë në Ballkan dhe se sa shpejt pasionet mund të hedhin në erë gjithçka”.
The Economist
Comments (0 posted)
Post your comment