Politika shqiptare, në krizë të thellë
Sigurisht, politika destruktive nuk i shërben në asnjë këndvështrim shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Nga Zenel Çeliku
I tërë opinioni shqiptar shikon me habi, pse jo edhe me ankth, se çfarë po ndodh në politikën shqiptare. Ndoshta jemi i vetmi vend në Rajon, që kemi probleme gati të pariparueshme, konflikte të hapura dhe të ashpra, dhe krizë të thellë në kupolën e politikës shqiptare.
Zgjedhjet e 28 Qershorit, të cilat përshkuan një fushatë marramendëse përsa i përket shpenzimeve të pallogaritshme, ka përcjellë drejtpërdrejt në politikën shqiptare, anarshi, konflikte pa fund, ofendime pa doganë, dhe akuza pa shfrenim.
Cilido mundet të pyesë, kujt i shërben një politikë destruktive e tillë? Kujt i shërben radikalizmi i dyanshëm? Cila palë do të tolerojë për zgjidhjen e kësaj krize të thellë dhe konfliktuoze?A do të ketë reflektim nga njëra apo tjetra palë, për të mos e çuar vendin në një krizë të thellë? Si do të perceptojë situata politike më tej?
Në cilësinë e gazetarit, duke analizuar me kujdes, thellë dhe me pjekuri këtë fenomen që po e çon Shqipërinë drejt një humnere, më duhet të nënvizoj disa momente dhe të dal me konkluzione konkrete për lexuesin tonë.
Kthehemi në vëmendjen tonë të hidhur se, krizat e këtij lloji ku po shkon sot politika shqiptare, kanë një viktimë- është populli që do t’i shpaguajë në shumë mënyra dhe me shumë kosto, sepse politikbërësit tanë, në çdo drejtim, ndjehen shumë komodë dhe të paprekshëm nga çdo krizë. Atëherë, natyrshëm dua të ndalem shkurt dhe qartë tek pyetjet e mësipërme dhe në fund, do të konkludoj se ku mundet të na çojë kjo politikë destruktive dhe e pashembullt, ç’ka nënkupton se ata që e kanë vuajtur një klimë konflituoze, janë dhe do të jenë shqiptarët.
Sigurisht, politika destruktive nuk i shërben në asnjë këndvështrim shqiptarëve dhe Shqipërisë. Kjo për vetë arsyen sepse shtresat e gjera të shqiptarëve, që shpresojnë dhe aspirojnë për t’u ofruar në BE, e shikojnë veten në abstenim të pashmangshëm nga Europa nëse kjo situatë do të vazhdojë kështu. Shqiptarët e shikojnë imazhin e Shqipërisë si një gjenerator problematik në Rajon, e shikojnë veten si të vetëpërjashtuar si rezultat i politikës radikale të të dyja partive respektive-PD dhe PS dhe thjeshtë e thjeshtë, për interesa grupesh të politikave që shikojnë interesat e ngushta partiake.
Radikalizmi politik i të dyja partive, PD dhe PS, sigurisht që është në dëm të popullit dhe në dëm të imazhit të Shqipërisë para faktorit ndërkombëtar. Shqipëria në NATO si pjesë në mes familjes së madhe e shumë prestigjioze siç është NATO, është një shans i madh, për Shqipërinë që duhet të bëjë hapa përpara për në BE, pasi drita jeshile për në Europën e Bashkuar është e hapur dhe optimiste. Para këtij fakti që BE-ja kërkon, debati politik konstruktiv nga të dyja palët, brenda kontureve të Parlamentit, kërkon reforma efikase në disa drejtime, pikërisht në këto momente, si me bilbil politika shqiptare gjeneron konflikte të thella, radikale dhe shumë serioze për fatet e vendit.
Natyrshëm shqiptarët pyesin, kërkojnë dhe vështrojnë me shqetësim nga politika shqiptare, se cila palë do të tolerojë për zgjidhjen e kësaj krize e cila mundet të pjellë situata destruktive? Në këndvështrimin tim, momentalisht ka shumë pak shenja të tolerancës nga mazhoranca, ndërkohë që opozita paraqitet e prerë, ose të hapen kutitë, ose Berisha të largohet nga Kryeministër. Në këto momente jemi para dy qëndrimeve, nga njëra ana opozita me të drejtë, sipas Kodit Zgjedhor kërkon të hapen kutitë e të investigojë disa zona zgjedhore tek të cilat PS dyshon se ka abuzime të madha. Nga ana tjetër, PD-ja me të drejtë i referohet Vendimit të Gjykatës lidhur me kërkesën e PS. Pra jemi para një situate politike realisht të turbullt, shumë të çorientuar, të shthurur me plot akuza dhe ofendime të ndërsjellta, pse jo dhe abuzive. Shumëkush shikon me pesimizëm mundësitë për tolerancë. Pra, është dhe mbetet enigmë se, cila palë do të tolerojë, por mendoj se mazhoraca mundet të tolerojë për të shmangur një krizë të thellë politike, e cila do të ishte në interesin e saj, sepse ndryshe, kjo krizë politike ka vetëm një rrugë zgjidhje të parakohshme.
Kur pyesim dhe shpresojmë për reflektim nga të dyja partitë që e kanë shkaktuar këtë situatë krize të thellë politike, pse jo edhe shpërthyese, me syrin e njeriut që është shumë pranë zhvillimeve politike, mendoj se reflektimi fillimisht do të vijë nga mazhoranca, e cila është në qeverisje, mbasi një situatë destruktive, nuk do të ishte në interesin e mazhorancës. Po të vëzhgojmë nga afër e me kujdes prononcimet e liderit të mazhorancës- Kryeministrit Berisha, vërejme se ai ka dhënë shenja se mundet të tolerojë pak nga pak, lëshime milimetrike, që kjo krizë të kalohet për momentin. Në gjykimin tim, do të jetë personalisht Berisha që do të tregojë se ai është për tolerancë dhe vazhdimësi. Këtë refleksion nuk dihet si do ta presë lideri socialit, Edi Rama. Për të dalë me konkluzionin përfundimtar për të ardhmen dhe zhvillimet e mëtejshme të politikës shqiptare, mbetem shumë i lëkundur në gjykimin tim, se si do të precipitojë situata politike. Një gjë shikohet dhe lexohet qartë, nëse situata politike nuk do të gjejë zgjidhje të shpejtë, nëse nuk do të tolerojë asnjëra palë, kjo politikë radikale dhe agresive e ndërsjelltë, ka vetëm një drejtim, krizë të thellë politike, te pakapërcyeshme, e cila do ta çojë Shqipërinë në zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të bëhen njëherazi me zgjedhjet lokale.
Comments (0 posted)
Post your comment