Home | Opinion | E gjelbër është ngjyra e parajsës

E gjelbër është ngjyra e parajsës

image
Recenzion: The Colour of Paradise - Columbian Emeralds in the age of Gunpowder Empires (Ngjyra e parajsës - Smeraldët e Kolumbisë në kohën e perandorive të barotit), autori: Kris Lane, botoi: Yale, 2010.

 

 

Përktheu në Shqip: Daut Dauti

Noel Malcolm

 


 

Për myslimanët ngjyra e gjelbër është ngjyra emblematike e Islamit. Sipas traditës, vetëm trashëgimtarët e profetit Muhamed kanë qenë të lejuar të bartnin turbanë të gjelbër dhe rroba në këtë ngjyrë. Prandaj, nuk është befasuese që myslimanët e pushtetshëm, kur mblidhnin grumbuj të gurëve të çmueshëm, më së shumti i vlerësonin gurët e gjelbër (smeraldet). Disa prej myslimanëve, në sipërfaqet e smeraldeve të mëdhenj kanë gravuar ajete të Kuranit të cilat i qepnin si stoli dhe hajmali në rrobat e tyre ceremoniale.

 

Uria e disa sunduesve për këta gurë të gjelbër e të tejdukshëm ka qenë pothuaj e pangopshme. Tregtari i parë i “East India Company” që kishte vizituar oborrin e mongolëve në Agra (1610), kishte vërejtur se smeraldet e perandorit Xhahangir peshonin 188 kilogramë, kurse diamantet e tij peshonin pak më shumë se çereku i kësaj peshe, edhe pse India atëherë ishte një nga vendet e para në botë për prodhim të diamantit.

 

Prej nga vini këto smeralde? Shahët mongolë dhe persianë bënin një klasifikim të trefishtë të tyre. Më të mirët thuhej se vinin nga Egjipti, kategoria tjetër vinte nga “minierat e vjetra” të Azisë, kurse ato me kualitet më të ulët vinin nga “minierat e reja” të Amerikave. Por, kjo ishte fiktive. Vetëm para 10 viteve një ekip i mineralogjistëve analizoi izotopet e oksigjenit të një numri të smeraldeve të famshëm mongolë dhe zbuluan se gati të gjitha ishin nga Amerikat. Për të qenë më të saktë, ato ishin nga malësitë e Kolumbisë. Këto analiza ishin në gjendje të identifikonin vendin specifik nga ku këta gurë ishin nxjerrë.

 

Është mrekulluese shpejtësia me të cilat këta gurë të çmueshëm kishin kaluar rrugët tregtare tej oqeanike për të arritur në Indi dhe Persi. Duhet pranuar se disa smeralde janë filtruar edhe në Evropë që nga viti 1530 kur konkuistadorët i plaçkitën thesaret e sunduesve amerindianë të cilët i pushtuan. U rritë numri i tyre kur spanjollët grabitqarë kuptuan se në disa nga këto shoqëri, gurët e çmueshëm ishin varrosur me të vdekurit. Pastaj, ishin hapur varret duke i hedhur skeletet anash në kërkim të presë.

 

Por, nuk ishte para vitit 1560 kur spanjollët okupuan rajonet e prodhimit të smeraldeve në Kolumbi dhe pastaj i filluan operacionet e veta të minierave. Vendasit luftuan në mënyrë të ithët e deri në tretje kundër invaduesve spanjollë (Kurthet për kapje të njerëzve me kashtë të helmuar ishin armët e tyre të preferuara). Por, spanjollët fituan, pjesërisht duke iu falënderuar aleatit të tyre të padukshëm, që ishin viruset që i sollën me vete. Disa amerindianë u morën për punë në miniera, kurse radhët e tyre më vonë u zëvendësuan me skllevër afrikanë. Pastaj, filloi qarkullimi i sigurt i smeraldeve nga Amerika Jugore në Azi.

 

Libri i ri dhe fascinues i Kris Lane-it shkon pas gjurmëve të kësaj tregtie interkontinentale, nga malet e Kolumbisë e deri në oborrin perandorak të mongolëve. Ky “latin amerikanist” nga profesioni, ka punuar duke hulumtuar dokumentet fare pak të njohura të arkivave të Kolumbisë dhe Ekuadorit dhe është në gjendje të ndërtojë një fotografi të qartë të jetës në këto vendbanime të minierave. Siç shpjegon ai, teknologjia themelore ka mbetur në mënyrë primitive e thjeshtë: futjen e ujërave të shiut në rezervuarët artificiale për ta përdorur për ndarje të dheut nga bregu i kodrinës, duke i ekspozuar gjurmët e mineralit që mund të bëhet me duar.

 

Të gjitha të gjeturat, së paku sipas teorisë, janë raportuar te pushteti që i ka taksuar 20 për qind të vlerës dhe pastaj janë dërguar në Spanjë e Portugali prej nga shumica e tyre është dërguar në Azi (Disa smeralde është e mundur të jenë dërguar nga Meksika në Filipine ku tregtarët portugezë nga Goa shkonin atje për të tregtuar. Siç bënë me dije Lane, nga viti 1570 e këtej, Manila ka qenë pika më e “globalizuar” në botë).

 

Në realitet, smeraldet gjithmonë i janë shmangur sistemit duke iu ikur pronarëve të minierave, sikur edhe zyrtarëve të taksave. Shumë janë nxjerrë në mënyrë sekrete nga punëtorët e minierës dhe janë kontrabanduar nga tregtarët jashtëligjorë, sidomos nga tregtarët holandezë që operonin nga ujdhesa Curaçao. Sasi të mëdha kaluan nëpër portet kryesore të Kolumbisë pa u regjistruar. Mbeturinat e anijes tregtare spanjolle që lundroi nga Kolumbia e që u fundos afër Floridës në vitin 1622, kanë pasur 6000 smeralde. Kopja e manifestit të anijes nuk i përmend këta aspak.

 

Ajo që e mbajti këtë tregti ka qenë rrjeti i familjeve, shumica nga to portugeze, “krishterët e rinj” (hebrenjtë e konvertuar), të cilët kishin blerës në Kolumbi dhe në Karaibe, financierët dhe prerësit e gurëve të çmueshëm në Lisbonë dhe shitësit në Goa.

 

Disa nga faqet më fascinuese të librit të Lane-it tregojnë për jetën e këtyre në detaje dhe që janë nxjerrë nga arkivat e inkuizicionit. Inkuizitorët dyshonin, me të drejtë, që shumica e këtyre njerëzve nuk e kishin braktisur aspak jehudizmin. Kah mesi i shekullit XVII shumica e tyre u përzunë nga qendra e tregtisë kryesore të Kolumbisë me efekte të parashikueshme ekonomike. Shumica u shpërngulën në territoret angleze dhe holandeze. Kompania angleze East India Company së shpejti do të lulëzojë në duart e tregtarëve me emrat siç ishin Moses Henriques dhe Abraham da Fonseca.

 

Nëse është ndonjë mësim që del nga ky libër, është fakti se armiku më i madhi i tregtisë së hershme ka qenë kontrolli shtetëror. Tregtia lulëzoi në regjimet e taksave të ulëta dhe në shoqëritë toleruese, kurse industria e minierave të Kolumbisë, në fakt, u mbytë nga zyrtarizimi i mbizellshëm spanjoll në fund të shekullit XVII. Në anën tjetër të procesit, në pikën e shitjes në Indi, fuqia princërore ishte gjithashtu faktor negativ. Sunduesit emëronin vlerësuesit për të vlerësuar lartë gurët e çmueshëm dhe kombinimi i vlerësimit të ulët artificial dhe marrja e ryshfeteve ishte shkatërrimtare për disa tregtarë.

 

Në mënyrën më ambicioze ky libër paraqitet si një kontribut për debatin historik për “ekonominë botërore” të hershme moderne, një debat për formimin e kapitalit dhe tregtisë aziatike. Krahasuar me rrjedhën e madhe të argjendit amerikanë në Azi dhe tekstilet aziatike dhe mëlmesave në Evropë , tregtia me smeralde duket si çështje tejet anësore. Mirëpo, siç sugjeron dëshmia e Lane-it, shumica e tregtarëve me gurë të çmueshëm i kanë shitur smeraldet në Indi, kryesisht për të blerë diamante. Nëse kjo ka pasur apo jo ndonjë rëndësi të madhe ekonomike, është mjaft e paqartë. 

 

Edhe kështu, ky libër është i pasur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe provokon mendime si një hulumtim studioz i paketuar me detaje ekzotike. Ato klanet e tregtarëve hebrenj të Portugalisë, që u shtrinë nëpër oqean që nga Kolumbia e deri në Goa (dhe më vonë nga Xhamajka në Londër e Madras), kanë mund të jenë, sipas të gjitha gjasave, mu familjet e para globale në botë. /Telegrafi/

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00